Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të lundrosh në oqeanin e paanë

Të lundrosh në oqeanin e paanë

Të lundrosh në oqeanin e paanë

ISHUJT MARSHALL përbëhen nga 1.200 ishuj të mëdhenj e të vegjël, shumica e të cilëve janë jo më tepër se pak metra mbi nivelin e detit. Ata zhduken nga pamja vetëm pas një largësie të shkurtër në oqean. Megjithatë, marinarët e lashtë marshallezë, duke lundruar me kaike që kishin anash bilancier, ishin të aftë të shkonin nga një ishull i vogël në tjetrin, duke lundruar nëpër një sipërfaqe rreth 650.000 kilometra katrore në Oqeanin Paqësor. Si ia dilnin? Ata drejtoheshin nëpërmjet «hartave» të thjeshta, por shumë të efektshme, të quajtura hartat me shkoptha.

Nga përvoja, lundruesit marshallezë mësuan që prania e tokës krijon disa forma dallgësh që tregojnë për vendndodhjen e një ishulli deri 30 kilometra larg. Duheshin mësuar shumë forma dallgësh dhe hartat me shkoptha shërbenin si ndihmë për kujtesën. Si ishin hartat me shkoptha? Siç mund ta shihni në fotografi, shkopthat ishin copa rrënjësh të bimës pandanorja ose damarë të gjetheve të arrave të kokosit dhe lidheshin bashkë duke formuar një thurje që paraqiste format e dallgëve. Në të mbërtheheshin guaska deti për të treguar pozicionet përkatëse të ishujve.

Për shumë vjet, lundrimi me ndihmën e hartave me shkoptha u mbajt sekret dhe u zbulohej vetëm disa të zgjedhurve. Si mësonte një lundrues i ri që të përdorte një hartë me shkoptha? Vetëm nëpërmjet stërvitjes dhe praktikës. Një lundrues me përvojë e mësonte veçmas lundruesin e ri, ndoshta duke e marrë me vete në udhëtimet për tek ishujt fqinjë. Ndërsa nxënësi mësonte të dallonte format e dallgëve, fitonte siguri te hartat me shkoptha. Përfundimisht, mund të lundronte i vetëm në oqean.

Në mënyrë të ngjashme Fjala e Perëndisë, Bibla, mund të shërbejë si një udhëheqje për në udhëtimin e jetës. Në fillim dikush mund të na ndihmojë që të fitojmë kuptueshmërinë bazë për Shkrimet. Pastaj, ndërsa vazhdojmë të studiojmë Fjalën e Perëndisë dhe të vëmë në praktikë parimet e saj, fitojmë siguri te gjërat që thotë ajo. Josiut, një udhëheqësi të izraelitëve, iu tha që të vazhdonte ta lexonte Fjalën e Perëndisë, që të mund ‘të vepronte me kujdes në përputhje me atë që është shkruar aty’. Sepse, siç i tha Perëndia Josiut, «atëherë do të kesh sukses në udhën tënde, atëherë do të veprosh me mençuri». (Josiu 1:8) Po, Bibla ashtu si një hartë mund të na tregojë udhën e sigurt dhe të suksesshme të jetës.

[Burimi i figurës në faqen 32]

© Greg Vaughn