Letra e parë drejtuar korintasve 14:1-40

  • Dhuratat e profetizimit dhe të gjuhëve (1-25)

  • Mbledhje të rregullta të krishtere (26-40)

    • Vendi që zënë gratë në kongregacion (34, 35)

14  Ndiqni udhën e dashurisë, por përpiquni fuqimisht të merrni* edhe dhuratat e frymës, sidomos dhuratën e profetizimit.+  Faktikisht, ai që flet një gjuhë të huaj, nuk u flet njerëzve, por Perëndisë, pasi asnjë njeri nuk e kupton për çfarë flet,+ edhe pse flet për sekrete të shenjta+ nëpërmjet frymës.  Megjithatë, ai që profetizon, i forcon të tjerët, u jep zemër dhe i ngushëllon me fjalët e veta.  Prandaj, ai që flet një gjuhë të huaj, forcon besimin e vet, kurse ai që profetizon, forcon besimin e kongregacionit.  Ç’është e vërteta, do të doja që të gjithë të flitnit gjuhë të huaja,+ megjithatë preferoj që të profetizoni,+ sepse është më mirë të profetizoni sesa të flitni gjuhë të huaja, veç në përkthefshi* që të forcohet edhe kongregacioni.  Vëllezër, sikur të vija e t’ju flisja në gjuhë të huaja, ç’dobi do t’ju sillja po të mos ju jepja ndonjë zbulesë,+ njohuri,+ profeci apo mësim nga Perëndia?  Edhe instrumentet e pajeta nxjerrin tinguj, fyell a harpë qoftë, por si do të dallohej çfarë po luhet në fyell a në harpë nëse nuk ka intervale nga nota në notë?  Sikur trumbeta të nxirrte një tingull të paqartë, kush do të bëhej gati për betejë?  Po ashtu edhe ju, po të mos thoni fjalë që kuptohen lehtësisht, si do të merret vesh çfarë po thoni? Do të ishit, në fakt, duke folur në erë. 10  Edhe pse në botë ka sa e sa lloje gjuhësh, asnjëra nuk është e pakuptueshme. 11  Por, nëse nuk e kuptoj atë që thuhet, do të isha i huaj për atë që flet dhe ai do të ishte i huaj për mua. 12  Edhe ju, meqë i dëshironi me zjarr dhuratat e frymës, bëni çmos të merrni gjithnjë e më shumë ato dhurata që forcojnë kongregacionin.+ 13  Prandaj, kush flet në gjuhë të huaj, le të lutet që të jetë i aftë edhe ta përkthejë atë që thotë,+ 14  sepse, nëse lutem në gjuhë të huaj, lutem falë dhuratës së frymës, por me mendje nuk e kuptoj çfarë them. 15  Si t’ia bëj, pra? Do të lutem edhe me dhuratën e frymës, edhe me gjuhë të kuptueshme;* do të këndoj lavde edhe me dhuratën e frymës, edhe me gjuhë të kuptueshme. 16  Përndryshe, nëse i thuren lavde Perëndisë dhe bëhen lutje falënderimi vetëm me dhuratën e frymës, si do të thonë «amin» njerëzit e thjeshtë mes jush kur nuk e kuptojnë çfarë po thuhet? 17  Vërtet, tjetri nuk forcohet edhe pse lutja e falënderimit i drejtohet Perëndisë në mënyrë të shkëlqyer. 18  Falënderoj Perëndinë që flas më shumë gjuhë se të gjithë ju. 19  Gjithsesi, në kongregacion më mirë të them pesë fjalë të kuptueshme,* që të mësoj* edhe të tjerë, sesa dhjetë mijë fjalë në gjuhë të huaj.+ 20  Vëllezër, mos jini fëmijë të vegjël në mënyrën si arsyetoni;+ jini fëmijë për sa i përket së keqes,+ por tërësisht të rritur në mënyrën si arsyetoni.+ 21  Në Ligj është shkruar: «Do t’i flas këtij populli me gjuhën e të huajve dhe me buzët e të panjohurve, por edhe atëherë nuk do të ma vënë veshin,—thotë Jehovai.»*+ 22  Prandaj, gjuhët nuk janë dëshmi për besimtarët, por për jobesimtarët,+ ndërsa profecitë nuk janë për jobesimtarët, por për besimtarët. 23  Tani, ta zëmë se tërë kongregacioni mblidhet dhe të gjithë flasin në gjuhë të huaja, e ndërkohë aty vjen ndonjë jobesimtar a njeri i thjeshtë. A nuk do të thotë ai se keni luajtur mendsh?! 24  Por, ta zëmë se të gjithë po profetizoni, e ndërkohë aty vjen ndonjë jobesimtar a njeri i thjeshtë. A nuk do ta korrigjojë dhe ta analizojë veten fije e për pe nga fjalët e të gjithëve ju?! 25  Atëherë do të kuptojë çfarë ka të fshehur në skutat e zemrës dhe do të bjerë me fytyrë përtokë për të adhuruar Perëndinë, duke pranuar: «Perëndia është vërtet mes jush.»+ 26  Ç’duhet bërë pra, vëllezër, përderisa në mbledhjet tuaja dikush këndon një psalm, një tjetër mëson, tjetri tregon një zbulesë, dikush tjetër flet në gjuhë të huaj dhe një tjetër përkthen?*+ Çdo gjë le të bëhet për të forcuar kongregacionin. 27  Nëse flitet në gjuhë të huaja, të flasin vetëm dy ose e shumta tre veta, e secili me radhë, dhe një tjetër duhet të përkthejë.+ 28  Por, nëse nuk ka përkthyes, këta duhet të heshtin në kongregacion; t’i mbajnë për vete këto gjëra e të flasin për to me Perëndinë. 29  Veç kësaj, nëse ka profetë,+ të flasin dy a tre veta, dhe të tjerët le të kapin kuptimin. 30  Por, nëse një tjetër merr një zbulesë nga Perëndia, ai që po flet, le të heshtë. 31  E kështu mund të profetizoni të gjithë me radhë, në mënyrë që të gjithë të mësojnë e të marrin zemër.+ 32  Prandaj, profetët duhet të tregojnë vetëkontroll kur përdorin dhuratat e frymës, 33  sepse Perëndia nuk është Perëndi i rrëmujës, por i paqes.+ Ashtu siç bëhet në të gjitha kongregacionet e të shenjtëve, 34  gratë tuaja le të heshtin në kongregacion, sepse atyre nuk u lejohet t’i flasin kongregacionit.+ Por le të jenë të nënshtruara,+ ashtu siç thotë edhe Ligji. 35  Nëse nuk e kuptojnë diçka, të pyesin burrat në shtëpi, sepse nuk i ka hije një gruaje t’i flasë kongregacionit. 36  Mos zuri fill te ju fjala e Perëndisë dhe vetëm juve ju është dhënë?! 37  Ai që mendon se është profet ose se ka ndonjë dhuratë të frymës, duhet ta pranojë se gjërat që po ju shkruaj, janë urdhërime të Zotërisë. 38  Por, atë që e shpërfill këtë urdhërim, Perëndia do ta shpërfillë.* 39  Prandaj, vëllezërit e mi, përpiquni fuqimisht të profetizoni,+ e megjithatë mos i ndaloni të tjerët të flasin në gjuhë të huaja.+ 40  Por çdo gjë le të bëhet në mënyrë dinjitoze dhe me rregull.+

Shënimet

Ose «vazhdoni të kërkoni me zell».
Ose «në interpretofshi gjuhët».
Fjalë për fjalë «me mendje».
Fjalë për fjalë «me mendje».
Ose «të mësoj gojarisht».
Ose «interpreton gjuhët?»
Një mundësi tjetër «nëse dikush dëshiron të mbetet në padije, në padije le të mbetet».