Libri i dytë i Kronikave 35:1-27
35 Josia kremtoi në Jerusalem Festën e Kalimit*+ për Jehovain dhe ditën e 14-të të muajit të parë+ u ther flijimi i Festës së Kalimit.+
2 Ai i caktoi priftërinjtë në detyrat e tyre dhe u dha zemër që të kryenin shërbimin në shtëpinë e Jehovait.+
3 Pastaj u tha levitëve, mësuesve të të gjithë Izraelit,+ atyre që ishin të shenjtë për Jehovain: «Vëreni Arkën e shenjtë në shtëpinë që ndërtoi Solomoni, biri i Davidit, mbreti i Izraelit.+ Nuk do ta mbartni më mbi supet tuaja.+ Tani shërbejini Jehovait, Perëndisë tuaj, dhe popullit të tij, Izraelit.
4 Përgatituni sipas shtëpive tuaja atërore, në përputhje me ndarjet tuaja, duke ndjekur atë që ka shkruar Davidi,+ mbreti i Izraelit, dhe Solomoni, biri i tij.+
5 Qëndroni në vendin e shenjtë të grupuar sipas shtëpive atërore të vëllezërve tuaj, pjesës tjetër të popullit.* Secila shtëpi atërore do të ketë një grup nga shtëpia atërore levite që t’u shërbejë.
6 Therni flijimin e Festës së Kalimit,+ shenjtërohuni dhe bëni përgatitje për vëllezërit tuaj, që të zbatohet fjala e Jehovait, e dhënë me anë të Moisiut.»
7 Josia dha këto kope si kontribut për popullin: 30.000 qengja meshkuj dhe keca meshkuj si flijim për Festën e Kalimit për të gjithë ata që ishin të pranishëm, si dhe 3.000 gjedhë. Këto ishin prej zotërimeve të mbretit.+
8 Edhe princat e tij dhanë si kontribut një blatim vullnetar për popullin, për priftërinjtë dhe për levitët. Hilkiahu,+ Zakaria dhe Jehieli, prijësit e shtëpisë së Perëndisë së vërtetë, dhanë për priftërinjtë 2.600 kokë bagëti të imët si flijim për Festën e Kalimit, si edhe 300 kokë bagëti të trashë.
9 Konaniahu dhe vëllezërit e tij, Shemajahu dhe Netaneli, bashkë me Hashabiahun, Jejelin dhe Jozabadin, krerët e levitëve, u dhanë levitëve si kontribut 5.000 kokë bagëti të imët për flijimin e Festës së Kalimit, si edhe 500 kokë bagëti të trashë.
10 Përgatitjet përfunduan, dhe priftërinjtë qëndronin në vendet e tyre, ndërsa levitët qëndronin sipas ndarjeve të tyre,+ siç kishte urdhëruar mbreti.
11 Pasi therën flijimin e Festës së Kalimit,+ priftërinjtë spërkatën gjakun që morën prej levitëve,+ ndërkohë që këta po rripnin lëkurën.+
12 Pastaj ata përgatitën blatimet e djegura që t’ia shpërndanin pjesës tjetër të popullit, që ishte grupuar sipas shtëpive atërore, me qëllim që t’i paraqitnin para Jehovait, siç është shkruar në librin e Moisiut. Kështu bënë edhe me gjedhët.
13 Sipas zakonit, gatuan* flijimin e Festës së Kalimit mbi zjarr,+ gatuan blatimet e shenjta në tenxhere, në kazanë e në tiganë, pastaj ua çuan menjëherë gjithë pjesës tjetër të popullit.
14 Më pas levitët përgatitën flijimin e Festës së Kalimit për vete dhe për priftërinjtë, sepse priftërinjtë, pasardhësit e Aronit, paraqitën flijimet e djegura dhe pjesët e dhjamura derisa u bë natë. Kështu levitët përgatitën flijimin për vete dhe për priftërinjtë, pasardhësit e Aronit.
15 Këngëtarët, bij të Asafit,+ qëndronin në vendet e tyre, sipas urdhërimit të Davidit,+ të Asafit,+ të Hemanit dhe të Jeduthunit,+ vegimtarit* të mbretit, ndërsa derëtarët qëndronin nëpër portat e ndryshme.+ Nuk kishte nevojë që ata të largoheshin nga shërbimi, sepse flijimin e Festës së Kalimit për ta e përgatitnin vëllezërit e tyre, levitët.
16 Kështu atë ditë u përgatit gjithçka që Jehovai kërkonte për të mbajtur Festën e Kalimit+ dhe për të paraqitur blatimet e djegura mbi altarin e Jehovait, sipas urdhërimit të mbretit Josia.+
17 Pikërisht në atë kohë, izraelitët që ndodheshin atje e mbajtën Festën e Kalimit, si dhe Festën e Bukëve Pa Maja për shtatë ditë.+
18 Në Izrael nuk ishte mbajtur kurrë një Festë Kalimi e tillë që nga ditët e profetit Samuel. Asnjë nga mbretërit e tjerë të Izraelit nuk kishte mbajtur një Festë Kalimi si ajo që mbajtën Josia,+ priftërinjtë, levitët, tërë Juda e Izraeli që gjendeshin atje, si dhe banorët e Jerusalemit.
19 Ajo Festë Kalimi u mbajt në vitin e 18-të të mbretërimit të Josisë.
20 Pas gjithë kësaj, kur Josia kishte restauruar tempullin,* Nekoja,+ mbreti i Egjiptit, doli të luftonte në Karkemish, buzë Eufratit. Atëherë Josia shkoi të luftonte kundër tij.+
21 Nekoja i dërgoi lajmëtarë, që t’i thoshte: «Ç’punë ke me mua, o mbret i Judës? Nuk po dal sot kundër teje, por do të luftoj kundër një shtëpie tjetër, dhe Perëndia thotë se duhet të nxitoj. Për të mirën tënde, mos e kundërshto Perëndinë, i cili është me mua, përndryshe ai do të të shkatërrojë.»
22 Prapëseprapë Josia nuk u tërhoq, por u maskua+ për të luftuar kundër tij dhe nuk i dëgjoi fjalët e Nekos që vinin nga goja e Perëndisë. Kështu, ai shkoi të luftonte në rrafshinën e Megidos.+
23 Shigjetarët e qëlluan mbretin Josia, prandaj mbreti u tha shërbëtorëve të vet: «Më largoni që këtej, sepse jam plagosur shumë rëndë.»
24 Atëherë shërbëtorët e zbritën nga karroca, e hipën në karrocën e dytë të luftës dhe e çuan në Jerusalem. Kështu ai vdiq dhe e varrosën në varret e paraardhësve të tij.+ Gjithë Juda dhe Jerusalemi mbajtën zi për Josinë.
25 Jeremia+ ia nisi një kënge të përvajshme për Josinë. Tërë këngëtarët e këngëtaret+ vazhdojnë ta kujtojnë Josinë në vajtimet e tyre deri sot. U vendos që këto këngë të këndohen në Izrael dhe i gjejmë të shkruara mes këngëve të përvajshme.*
26 Pjesa tjetër e historisë së Josisë, veprat e tij të dashurisë besnike në përputhje me atë që është shkruar në Ligjin e Jehovait,
27 gjithçka bëri, nga fillimi deri në fund, janë shkruar në Librin e Mbretërve të Izraelit dhe të Judës.+
Shënimet
^ Ose «Pashkën». Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «të bijve të popullit».
^ Një mundësi tjetër «poqën».
^ Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «shtëpinë».
^ Ose «këngëve të vajtimit».