Libri i dytë i Samuelit 12:1-31

  • Natani qorton Davidin (1-15a)

  • Djali i Betshebës vdes (15b-23)

  • Betsheba lind Solomonin (24, 25)

  • Pushtohet Rabahu, qytet amonit (26-31)

12  Kështu Jehovai dërgoi Natanin+ te Davidi. Ai vajti te Davidi+ dhe i tha: «Në një qytet ishin dy burra, njëri i pasur dhe tjetri i varfër.  I pasuri kishte një numër shumë të madh dhensh dhe gjedhësh,+  kurse i varfri s’kishte asgjë tjetër përveç një qengji të vogël femër që e kishte blerë.+ Ai kujdesej për të dhe ajo rritej me të e me bijtë e tij. Hante nga ushqimi i paktë që kishte i varfri, pinte nga kupa e tij dhe flinte në krahët e tij; iu bë porsi bijë.  Pas ca kohësh, të pasurit i erdhi një mysafir, por ai nuk mori ndonjë nga dhentë dhe gjedhët e veta për t’ia përgatitur udhëtarit. Përkundrazi mori qengjin femër të të varfrit dhe ia përgatiti mysafirit që i kishte ardhur.»+  Me të dëgjuar këtë, Davidit iu ndez zemërimi kundër atij njeriu dhe i tha Natanit: «Siç është e vërtetë që Jehovai rron,+ njeriu që e ka bërë këtë, e ka hak vdekjen!  Dhe duhet të paguajë katërfish për qengjin,+ meqë veproi pa dhembshuri.»  Atëherë Natani i tha Davidit: «Ti je ai njeri! Kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit: ‘Unë vetë të mirosa* si mbret të Izraelit+ dhe të çlirova nga dora e Saulit.+  Isha i gatshëm të të jepja shtëpinë e zotërisë tënd+ e të vija në krahët e tu gratë e zotërisë tënd,+ dhe të dhashë shtëpinë e Izraelit e të Judës.+ Dhe sikur këto të mos mjaftonin, isha i gatshëm të bëja për ty shumë më tepër.+  Pse e përbuze fjalën e Jehovait duke bërë atë që është e keqe në sytë e tij? Ti e godite me shpatë+ hititin Uriah dhe, pasi e vrave me shpatën e amonitëve,+ ia more të shoqen për grua.+ 10  Tani, shpata nuk do të largohet kurrë nga shtëpia jote,+ sepse ti më përbuze kur more për grua të shoqen e hititit Uriah.’ 11  Kështu thotë Jehovai: ‘Ja, unë do të bëj që e keqja të të vijë nga vetë shtëpia jote.+ Do të t’i marr gratë para syve e do t’ia jap një tjetri,+ dhe ai do të flejë me gratë e tua në dritë të diellit.*+ 12  Ti veprove në fshehtësi,+ por unë do ta bëj këtë përpara tërë Izraelit dhe në dritë të diellit.’» 13  Atëherë Davidi i tha Natanit: «Kam mëkatuar kundër Jehovait.»+ Natani ia ktheu: «Jehovai po ta fal* mëkatin.+ Ti nuk do të vdesësh.+ 14  Megjithatë, meqë në këtë rast nuk tregove fare respekt për Jehovain, djali që sapo të lindi, ka për të vdekur.» 15  Pastaj Natani shkoi në shtëpinë e vet. Kështu Jehovai e goditi me një sëmundje fëmijën që gruaja e Uriahut i kishte lindur Davidit. 16  Davidi iu përgjërua Perëndisë së vërtetë për djalin dhe mbajti një agjërim të rreptë. Pastaj kthehej në dhomën e tij dhe e kalonte natën i shtrirë përtokë.+ 17  Kështu pleqtë e shtëpisë së vet i shkuan pranë dhe u përpoqën që ta ngrinin nga toka, por ai s’pranoi dhe s’hëngri bukë me ta. 18  Ditën e shtatë fëmija vdiq, por shërbëtorët e Davidit kishin frikë t’i tregonin që fëmija kishte vdekur, se thoshin: «Ne i folëm sa ishte gjallë fëmija, dhe ai nuk na dëgjoi. E si t’i themi tani që fëmija ka vdekur?! Se mos bën ndonjë gjë të tmerrshme nga dëshpërimi.» 19  Kur pa se shërbëtorët po pëshpëritnin me njëri-tjetrin, Davidi e kuptoi që fëmija kishte vdekur, prandaj i pyeti shërbëtorët: «A ka vdekur fëmija?» Ata iu përgjigjën: «Po, ka vdekur.» 20  Atëherë Davidi u ngrit nga toka, u la, u lye me vaj,+ ndërroi rrobat, shkoi në shtëpinë+ e Jehovait dhe ra përmbys. Më pas, hyri në shtëpinë e vet,* kërkoi t’i sillnin për të ngrënë dhe hëngri. 21  Shërbëtorët e tij e pyetën: «Pse u solle kështu? Sa ishte gjallë fëmija, agjërove e s’pushove së qari për të, por sapo fëmija vdiq, u ngrite dhe hëngre.» 22  Ai u përgjigj: «Sa ishte gjallë fëmija, agjërova+ dhe s’pushova së qari sepse thashë me vete: ‘Kushedi, mbase Jehovait i vjen keq për mua dhe e lë fëmijën të jetojë.’+ 23  Por tani që ka vdekur, pse të agjëroj? A jam në gjendje ta kthej përsëri?+ Unë do të shkoj tek ai,+ por ai nuk do të kthehet tek unë.»+ 24  Pastaj Davidi ngushëlloi të shoqen, Betshebën;+ ai shkoi tek ajo dhe fjeti me të. Pas ca kohësh, ajo lindi një djalë që e quajtën Solomon.*+ Jehovai e donte atë+ 25  dhe çoi fjalë nëpërmjet profetit Natan+ që t’ia vinin emrin Jedidiah,* për hir të Jehovait. 26  Ndërkohë Joabi vazhdoi të luftonte kundër Rabahut+ të amonitëve+ dhe e pushtoi qytetin mbretëror.+ 27  Atëherë Joabi i dërgoi lajmëtarë Davidit dhe i tha: «Luftova kundër Rabahut+ dhe e pushtova qytetin e ujërave.* 28  Tani, mblidhe pjesën tjetër të ushtarëve, ngrije kampin kundër qytetit dhe pushtoje, që të mos e pushtoj unë qytetin dhe të marr meritën për këtë.»* 29  Prandaj Davidi mblodhi gjithë ushtarët dhe shkoi në Rabah, luftoi kundër tij dhe e pushtoi. 30  Pastaj ia hoqi Malkamit nga koka kurorën që peshonte një talentë* ari dhe që ishte zbukuruar me gurë të çmuar; atë ia vunë në kokë Davidit. Gjithashtu ai mori shumë plaçkë+ të madhe nga qyteti.+ 31  Njerëzit që gjendeshin në të, ai i mori dhe i vuri për të prerë gurë, për të punuar me vegla të mprehta hekuri e me sëpata hekuri, dhe që të bënin tulla. Kështu bëri me të gjitha qytetet e amonitëve. Në fund, Davidi dhe të gjithë ushtarët u kthyen në Jerusalem.

Shënimet

Fjalë për fjalë «në sytë e këtij dielli».
Ose «e lë të kalojë».
Ose «në pallatin mbretëror».
Nga një fjalë hebraike që do të thotë «paqe».
Do të thotë «i dashur për Jah».
Mund t’u referohet burimeve të ujit të qytetit.
Fjalë për fjalë «dhe emri im të thirret në të».
Një talentë ishte 34,2 kg. Shih Shtojcën B14.