Sipas Gjonit 15:1-27
15 Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është kultivuesi.
2 Ai e pret çdo degë timen që nuk jep fryt. Kurse atë që jep fryt, e pastron dhe e krasit, që të japë edhe më shumë fryt.+
3 Ju jeni tashmë të pastër falë fjalës që ju kam thënë.+
4 Qëndroni në unitet me mua, dhe unë do të qëndroj në unitet me ju. Ashtu si dega s’mund të japë fryt më vete po të mos qëndrojë te hardhia, as ju nuk mund të jepni fryt po të mos qëndroni në unitet me mua.+
5 Unë jam hardhia e ju jeni degët. Ai që qëndron në unitet me mua—dhe unë në unitet me të—jep shumë fryt,+ sepse pa mua ju s’mund të bëni asgjë.
6 Ai që nuk qëndron në unitet me mua, është si një degë hardhie që flaket tej dhe thahet. Këto degë mblidhen, hidhen në zjarr dhe digjen.
7 Nëse qëndroni në unitet me mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në zemrat tuaja, kërkoni çfarë të doni e do t’ju plotësohet.+
8 Kjo i jep lavdi Atit tim: që ju të vazhdoni të jepni shumë fryt e të tregoni se jeni dishepujt e mi.+
9 Ashtu si Ati më ka dashur mua,+ ashtu ju kam dashur edhe unë; qëndroni në dashurinë time.*
10 Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, ashtu si unë i zbatoj urdhërimet e Atit dhe qëndroj në dashurinë e tij.
11 Këto gjëra jua kam thënë që të ndieni gëzimin tim dhe që gëzimi juaj të bëhet i plotë.+
12 Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin ashtu si ju kam dashur unë.+
13 Askush nuk ka dashuri më të madhe se ai që jep jetën* për miqtë e vet.+
14 Ju jeni miqtë e mi nëse bëni atë që po ju urdhëroj.+
15 Unë nuk ju quaj më skllevër, sepse skllavi nuk e di ç’bën zotëria. Por ju kam quajtur miq, sepse ju kam bërë të njohur gjithë gjërat që kam dëgjuar nga Ati im.
16 Nuk më zgjodhët ju mua, por ju zgjodha unë. Unë ju caktova të shkoni e të jepni vazhdimisht fryt, fryt të qëndrueshëm, me qëllim që çfarëdo t’i kërkoni Atit në emrin tim, ai t’jua japë.+
17 Këto gjëra po ju urdhëroj, që ta doni njëri-tjetrin.+
18 Nëse bota ju urren, ju e dini* se para se t’ju urrente ju, më urreu mua.+
19 Po të ishit pjesë e* botës, bota do t’i kishte për zemër të vetët. Mirëpo ju nuk jeni pjesë e botës,+ sepse unë ju kam zgjedhur nga bota, prandaj bota ju urren.+
20 Mos harroni ç’ju thashë: skllavi nuk është më i madh se zotëria. Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju.+ Nëse kanë zbatuar fjalën time, do të zbatojnë edhe tuajën.
21 Por të gjitha këto do t’i bëjnë kundër jush për shkak të emrit tim, sepse nuk e njohin Atë që më dërgoi.+
22 Po të mos kisha ardhur e t’u flisja, ata nuk do të kishin asnjë mëkat.+ Por tani nuk kanë asnjë justifikim për mëkatet e tyre.+
23 Kush më urren mua, urren edhe Atin tim.+
24 Po të mos kisha kryer mrekullitë* që bëra në sytë e tyre, të cilat askush tjetër s’i ka bërë, nuk do të kishin asnjë mëkat.+ Por tani, ata jo vetëm që më kanë parë, por më kanë urryer si mua, edhe Atin tim.
25 Mirëpo kjo ndodhi që të përmbushet fjala e shkruar në Ligjin e tyre: ‘Ata më urryen pa shkak.’+
26 Unë do t’ju dërgoj nga Ati ndihmësin—frymën e së vërtetës që vjen nga Ati+—i cili do të japë dëshmi për mua kur të vijë.+
27 Edhe ju do të jepni dëshmi,+ sepse keni qenë me mua që në fillim.
Shënimet
^ Ose «jini të denjë për dashurinë time».
^ Ose «shpirtin».
^ Ose «dijeni».
^ Ose «Po t’i përkitnit».
^ Ose «veprat».