Jeremia 23:1-40
23 «Mjerë barinjtë që po i shkatërrojnë dhe po i hallakatin delet e kullotës sime!»—thotë Jehovai.+
2 Kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit, kundër barinjve që kullotin popullin e tij: «Ju i hallakatni delet e mia, i shpërndani e nuk kujdeseni për to.+
Prandaj unë do t’ju ndëshkoj për shkak të veprimeve tuaja të liga,—thotë Jehovai.
3 Pastaj do të mbledh mbetjen e deleve të mia nga të gjitha vendet ku i kam shpërndarë+ dhe do t’i kthej në kullotën e vet.+ Ato do të jenë të frytshme dhe do të shumohen shumë.+
4 Do të vë për to barinj, që do t’i kullotin vërtet.+ Ato nuk do të tremben, as do të tmerrohen, dhe asnjëra nuk do të humbasë,—thotë Jehovai.
5 Ja, po vijnë ditët,—thotë Jehovai,—kur do t’i nxjerr Davidit një filiz*+ të drejtë. Një mbret do të mbretërojë+ dhe do të veprojë me gjykim të thellë, do të gjykojë me drejtësi e do të bëjë atë që është e drejtë në vend.+
6 Në ditët e tij, Juda do të shpëtojë+ dhe Izraeli do të banojë i sigurt.+ Atë do ta thërrasin me këtë emër: ‘Jehovai është drejtësia jonë.’+
7 Megjithatë po vijnë ditët,—thotë Jehovai,—kur nuk do të thuhet më: ‘Siç është e vërtetë që Jehovai rron, i cili nxori popullin e Izraelit nga vendi i Egjiptit!’,+
8 përkundrazi do të thuhet: ‘Siç është e vërtetë që Jehovai rron, i cili i nxori dhe i ktheu pasardhësit e shtëpisë së Izraelit nga vendi i veriut dhe nga gjithë vendet ku i kishte shpërndarë!’ E ata do të banojnë në vendin e tyre.»+
9 Më është thyer zemra nga profetët.
Të gjitha kockat më dridhen.
Jam bërë si një i dehur, si një burrë që e ka zënë vera,për shkak të Jehovait dhe të fjalëve të tij të shenjta.
10 Se vendi është mbushur me kurorëshkelës.+
Nga mallkimi, vendi është në zi,+dhe kullotat e shkretëtirës* janë tharë.+
Sjellja e tyre është e ligë dhe abuzojnë me pushtetin e tyre.
11 «Si profeti, edhe prifti janë ndotur.*+
Edhe në shtëpinë time e kam gjetur ligësinë e tyre,+—thotë Jehovai.
12 Prandaj shtegu i tyre do të bëhet i rrëshqitshëm dhe sterrë;+do t’i shtyjnë dhe do të bien,sepse unë do të sjell mbi ta të keqen,vitin kur të lahen hesapet,—thotë Jehovai.
13 Kam parë një sjellje të pështirë te profetët e Samarisë.+
Profecitë e tyre i nxit Baali,dhe ata e largojnë nga rruga e drejtë popullin tim, Izraelin.
14 Kam parë gjëra të llahtarshme te profetët e Jerusalemit,ata kryejnë kurorëshkelje+ dhe ecin në udhën e gënjeshtrës.+
U japin zemër* keqbërësvedhe asnjë nuk heq dorë nga ligësia e tyre.
Për mua, të gjithë ata janë bërë si Sodoma,+dhe banorët e qytetit janë bërë si Gomorra.»+
15 Kështu thotë Jehovai i ushtrive kundër profetëve:
«Unë do t’i bëj që të hanë pelindhe do t’u jap të pinë ujë të helmuar,+sepse për faj të profetëve të Jerusalemit apostazia është përhapur në gjithë vendin.»
16 Kështu thotë Jehovai i ushtrive:
«Mos i dëgjoni fjalët e profetëve që po ju profetizojnë.+
Ata ju mashtrojnë;*fjalët e tyre janë vegim* i zemrës së tyre+dhe nuk vijnë nga goja e Jehovait.+
17 Atyre që nuk më respektojnë, u thonë vazhdimisht:
“Jehovai tha: ‘Do të keni paqe.’”+
E kujtdo që ndjek zemrën e vet të pabindur, i thonë:
‘Asnjë e keqe nuk do të të bjerë.’+
18 Por, kush është shoqëruar me ata që janë të lidhur ngushtë me Jehovain,që ta dëgjojë e ta kuptojë fjalën e tij?
Kush ia ka vënë veshin fjalës së tij për t’iu bindur?
19 Ja, stuhia e Jehovait do të shpërthejë me tërbim;si një vorbull do të sillet rrotull mbi kokën e të ligjve.+
20 Zemërimi i Jehovait nuk do të fashitetderisa të përmbushen dhe të plotësohen qëllimet e zemrës së tij.
Në ditët e fundit do ta kuptoni qartë këtë.
21 Profetët nuk i dërgova unë, e megjithatë ata vrapuan.
Nuk u thashë gjë, e megjithatë profetizuan.+
22 Por, po të rrinin me ata që janë të lidhur ngushtë me mua,do ta kishin bërë popullin tim t’i dëgjonte fjalët e miadhe do t’i kishin kthyer nga udha e keqe e nga veprimet e liga.+
23 Mos jam një Perëndi vetëm kur jam afër,—thotë Jehovai,—dhe kur jam larg, nuk jam më një Perëndi?
24 A mund të fshihet ndonjë njeri në vende të fshehta e unë të mos e shoh?+—thotë Jehovai.
A nuk i mbush unë qiejt dhe tokën?+—thotë Jehovai.
25 Profetët që profetizojnë gënjeshtra në emrin tim i dëgjova të thonë: ‘Pashë një ëndërr! Pashë një ëndërr!’+
26 Deri kur do të vazhdojë kjo në zemrën e profetëve që profetizojnë gënjeshtra? Ata profetizojnë dhelpërinë e zemrës së tyre.+
27 Me anë të ëndrrave që i tregojnë njëri-tjetrit, duan që ta bëjnë popullin tim të ma harrojë emrin, ashtu si ma harruan emrin etërit e tyre për shkak të Baalit.+
28 Profeti që ka parë një ëndërr, le ta tregojë ëndrrën, por ai që ka fjalën time duhet ta shpallë me besnikëri.
Ç’të përbashkët kanë lëmishtet me drithin?—thotë Jehovai.
29 A nuk është fjala ime si zjarr+ dhe si një çekan farkëtari, që e bën shkrepin copë e thërrime?+—thotë Jehovai.
30 Prandaj unë jam kundër profetëve që i shtrembërojnë fjalët e mia për t’u thënë njerëzve atë që duan vetë,+—thotë Jehovai.
31 Ja, unë jam kundër profetëve,—thotë Jehovai,—të cilët flasin nga vetja dhe thonë: ‘Ai shpall!’+
32 Jam kundër profetëve që shohin ëndrra të rreme,—thotë Jehovai,—të cilët i tregojnë ato dhe e largojnë popullin tim nga udha e drejtë, për shkak të gënjeshtrave e të mburrjes së tyre.+
Por ata nuk i kam dërguar e as i kam urdhëruar unë, kështu që nuk do t’i sjellin fare dobi këtij populli,+—thotë Jehovai.
33 Kur ky popull ose profeti a prifti të të pyesin: ‘Cila është barra* nga Jehovai?’, thuaju: ‘Ju jeni barra! E unë do t’ju hedh tej’,+—thotë Jehovai.—
34 Sa për profetin ose priftin a popullin që thotë: ‘Kjo është barra* nga Jehovai!’, unë do ta ndëshkoj atë njeri dhe njerëzit e shtëpisë së tij.
35 Secili nga ju e pyet shokun dhe vëllanë e vet: ‘Si u përgjigj Jehovai? Ç’tha Jehovai?’
36 Por mos e përmendni më barrën* nga Jehovai, sepse fjala e secilit prej jush është një barrë,* ngaqë i keni ndryshuar fjalët e Perëndisë së gjallë, Jehovait të ushtrive, Perëndisë tonë.
37 Kështu do t’i thuash profetit: ‘Ç’përgjigje të dha Jehovai? Ç’të tha Jehovai?’
38 Nëse thoni akoma: ‘Barra* nga Jehovai!’, atëherë kështu thotë Jehovai: “Meqë thoni ‘Fjala jonë është barra* nga Jehovai’, ndonëse unë ju paralajmërova: ‘Mos thoni: “Barra* nga Jehovai!”’,
39 do t’ju flak larg meje, ju dhe qytetin që ju dhashë juve e paraardhësve tuaj.
40 Do t’ju mbuloj me poshtërim e turp të përhershëm, që nuk do të harrohet kurrë.”»+
Shënimet
^ Ose «trashëgimtar».
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «apostatë».
^ Fjalë për fjalë «Forcojnë duart e».
^ Ose «Po ju mbushin me shpresa të kota».
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «mesazhi i rëndë». Fjala hebraike ka kuptim të dyfishtë: «shpallje e rëndësishme nga Perëndia» ose «diçka e rëndë».
^ Ose «mesazhi i rëndë».
^ Ose «mesazhin e rëndë».
^ Ose «mesazh i rëndë».
^ Ose «Mesazhi i rëndë».
^ Ose «mesazhi i rëndë».
^ Ose «Mesazhi i rëndë».