Jeremia 44:1-30
44 Fjala që iu drejtua Jeremisë për gjithë judenjtë që banonin në Egjipt,+ ata që banonin në Migdol,+ në Tafnes,+ në Nof*+ dhe në vendin e Patrosit:+
2 «Kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit: “Ju e patë tërë të keqen që solla mbi Jerusalemin+ dhe mbi gjithë qytetet e Judës, e ja, sot ata janë një vend i shkretuar dhe pa asnjë banor.+
3 Kjo ndodhi për shkak të gjërave të liga që bëtë për të më fyer, sepse u paraqitët flijime+ dhe u shërbyet perëndive të tjera që nuk i kishit njohur, as ju, as paraardhësit tuaj.+
4 E unë ju dërgoja herë pas here* gjithë shërbëtorët e mi, profetët, dhe ju thosha: ‘Ju lutem, mos e bëni këtë gjë të neveritshme që e urrej.’+
5 Por ju nuk dëgjuat dhe as e kthyet veshin nga unë, që të hiqnit dorë nga ligësia juaj e të mos u paraqitnit flijime perëndive të tjera.+
6 Prandaj tërbimi dhe zemërimi im u zbraz e dogji qytetet e Judës dhe rrugët e Jerusalemit. Ato u katandisën në gërmadhë e në shkreti, siç janë sot.+
7 Dhe tani kështu thotë Jehovai, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ‘Pse po i sillni një të keqe të madhe vetes, që të shfaroset nga Juda çdo burrë e grua, çdo fëmijë e foshnjë, e të mos mbesë askush?
8 Pse duhet të më fyeni me veprat e duarve tuaja duke u paraqitur blatime perëndive të tjera në vendin e Egjiptit ku keni shkuar të banoni? Ju do të shfaroseni, do të përmendeni si mallkim e do të poshtëroheni mes gjithë kombeve të tokës.+
9 Vallë i keni harruar veprat e liga të paraardhësve tuaj, të mbretërve të Judës,+ të grave të tyre,+ si dhe veprat tuaja të liga e të grave tuaja+ që janë bërë në vendin e Judës dhe në rrugët e Jerusalemit?
10 Edhe sot e kësaj dite ju nuk jeni përulur,* nuk më keni respektuar+ dhe as keni ecur sipas ligjit dhe normave që ju dhashë juve e paraardhësve tuaj.’+
11 Prandaj kështu thotë Jehovai i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ‘Jam i vendosur t’ju sjell të keqen, të shkatërroj gjithë Judën.
12 Do ta marr mbetjen e Judës që vendosi të banonte në Egjipt, dhe të gjithë do të vdesin në vendin e Egjiptit.+ Do të bien të vdekur nga shpata, do të marrin fund nga zia e bukës, nga më i vogli deri te më i madhi; do të vdesin nga shpata dhe nga zia e bukës. Ata do t’i përmendin si mallkim, do të bëhen objekt llahtarie e do të poshtërohen.+
13 Unë do t’i ndëshkoj ata që banojnë në Egjipt, ashtu siç ndëshkova Jerusalemin, me shpatë, me zi buke dhe me murtajë.*+
14 Mbetja e Judës që ka shkuar të banojë në vendin e Egjiptit, nuk do të shpëtojë dhe as do të mbijetojë që të kthehet në Judë. Ata do të dëshirojnë me shpirt të kthehen të banojnë atje, por nuk do të kthehen, përveç pak të shpëtuarve.’”»
15 Të gjithë burrat që e dinin se gratë e tyre u paraqitnin flijime perëndive të tjera, dhe tërë gratë që ishin të pranishme atje, të cilët formonin një grup të madh, si edhe gjithë populli që banonte në Egjipt,+ në Patros,+ iu përgjigjën Jeremisë:
16 «Nuk do ta dëgjojmë fjalën që na the në emër të Jehovait.
17 Përkundrazi do të zbatojmë çdo fjalë që ka dalë nga goja jonë: do t’i paraqitim flijime dhe do të derdhim blatime në pije për Mbretëreshën e Qiejve,*+ tamam siç kemi bërë ne, paraardhësit, mbretërit e princat tanë në qytetet e Judës dhe në rrugët e Jerusalemit. Atëherë ngopeshim me bukë dhe ishim mjaft mirë, e nuk shihnim asnjë të keqe.
18 Që kur nuk i paraqitëm më flijime dhe nuk derdhëm më blatime në pije për Mbretëreshën e Qiejve,* na ka munguar çdo gjë dhe kemi marrë fund nga shpata e nga zia e bukës.»
19 Gratë shtuan: «Burrat tanë na lejuan t’i paraqitnim flijime dhe të derdhnim blatime në pije për Mbretëreshën e Qiejve,* si edhe të bënim kuleç flijimi me formën e pamjes së saj.»
20 Atëherë Jeremia i tha tërë popullit, burrave e grave të tyre, si edhe njerëzve që folën me të:
21 «Jehovai i kujtoi, nuk i harroi* flijimet që paraqitët në qytetet e Judës dhe në rrugët e Jerusalemit, ju, paraardhësit, mbretërit, princat tuaj dhe populli i vendit.+
22 Në fund Jehovai nuk i duroi dot më zakonet tuaja të liga dhe gjërat e neveritshme që kishit bërë. Prandaj vendi juaj u kthye në një shkreti pa asnjë banor, në një objekt llahtarie dhe në diçka për t’u përdorur si mallkim, siç po ndodh edhe sot.+
23 Kjo e keqe ju ka rënë sot ngaqë paraqitët këto flijime dhe mëkatuat kundër Jehovait e nuk iu bindët zërit të Jehovait, nuk ecët sipas ligjit, normave dhe përkujtuesve të tij.»+
24 Jeremia i tha më tej tërë popullit dhe gjithë grave: «Dëgjoni fjalën e Jehovait, ju o popull i Judës që jeni në vendin e Egjiptit.
25 Kështu thotë Jehovai i ushtrive, Perëndia i Izraelit: “Ju dhe gratë tuaja keni bërë një premtim dhe e keni mbajtur atë. Ju thatë: ‘Do t’i mbajmë me çdo kusht zotimet që kemi bërë, për t’i paraqitur flijime dhe për të derdhur blatime në pije për Mbretëreshën e Qiejve.’*+ Patjetër, ju dhe gratë tuaja do t’i përmbushni zotimet tuaja.
26 Prandaj dëgjoni fjalën e Jehovait, ju o popull i Judës, që banoni në Egjipt: ‘Betohem për emrin tim të madh,—thotë Jehovai,—se në gjithë vendin e Egjiptit asnjë jude nuk do ta përdorë më emrin tim si betim:+ “Siç është e vërtetë që Zotëria Sovran Jehova rron!”+
27 Ja, unë kam vendosur t’ju sjell të keqen, e jo të mirën,+ dhe tërë njerëzit e Judës që janë në Egjipt do të marrin fund nga shpata e nga zia e bukës, derisa të zhduken fare.+
28 Ata që do t’i shpëtojnë shpatës dhe do të kthehen nga vendi i Egjiptit në vendin e Judës,+ do të jenë fare pak. Atëherë gjithë mbetja e Judës që erdhi për të banuar në Egjipt, ka për ta marrë vesh se fjala e kujt do të dalë e vërtetë: fjala ime apo fjala e tyre.
29 Dhe kjo është shenja për ju,—thotë Jehovai,—se do t’ju ndëshkoj në këtë vend që ta merrni vesh se fjalët e mia për të keqen kundër jush do të plotësohen se s’bën.
30 Kështu thotë Jehovai: ‘Faraonin Hofra, mbretin e Egjiptit, do ta jap në duart e armiqve dhe në duart e atyre që kërkojnë t’i marrin jetën, ashtu si Zedekinë, mbretin e Judës, ia dhashë në dorë Nabukodonosorit,* mbretit të Babilonisë, armikut të tij që kërkonte t’i merrte jetën.’”»+
Shënimet
^ Ose «Memfis».
^ Fjalë për fjalë «ju dërgoja duke u çuar herët».
^ Ose «nuk jeni penduar».
^ Ose «sëmundje».
^ Titull për një perëndeshë që adhuronin izraelitët apostatë; ka mundësi të ishte perëndeshë pjellorie.
^ Titull për një perëndeshë që adhuronin izraelitët apostatë; ka mundësi të ishte perëndeshë pjellorie.
^ Titull për një perëndeshë që adhuronin izraelitët apostatë; ka mundësi të ishte perëndeshë pjellorie.
^ Fjalë për fjalë «i kujtoi në zemër».
^ Titull për një perëndeshë që adhuronin izraelitët apostatë; ka mundësi të ishte perëndeshë pjellorie.
^ Fjalë për fjalë «Nabukodrezarit», një variant tjetër i këtij emri.