Sipas Mateut 22:1-46
22 Jezui u foli përsëri me ilustrime:
2 «Mbretëria e qiejve mund të krahasohet me një mbret që bëri dasmë+ për të birin.
3 Ai i dërgoi skllevërit që të thërritnin të ftuarit në dasmë, por ata nuk donin të shkonin.+
4 Dërgoi përsëri skllevër të tjerë dhe u tha: “Thuajuni të ftuarve: ‘Kam përgatitur drekën, demat e kafshët e majme janë therur dhe gjithçka është gati. Ejani në dasmë.’”
5 Por ata e shpërfillën dhe shkuan njëri në arën e vet, tjetri në punët e tregtisë,+
6 kurse të tjerët kapën skllevërit e tij, i keqtrajtuan dhe i vranë.
7 Atëherë mbreti u zemërua, dërgoi ushtrinë, i ekzekutoi ata vrasës dhe ua dogji qytetin.+
8 Pastaj u tha skllevërve: ‘Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë.+
9 Prandaj shkoni në rrugët që të çojnë jashtë qytetit dhe ftoni në dasmë këdo që të gjeni.’+
10 Kështu skllevërit dolën në rrugë dhe mblodhën gjithë sa gjetën, të ligj e të mirë, dhe dhoma e dasmës u mbush me dasmorë.*
11 Kur hyri për të vëzhguar mysafirët, mbreti vuri re një njeri që nuk kishte veshur rrobat e dasmës.
12 Atëherë e pyeti: ‘Mik, si hyre këtu pa rrobat e dasmës?’ Ai s’tha asnjë fjalë.
13 Pastaj mbreti u tha shërbëtorëve: ‘Lidheni duar e këmbë dhe flakeni jashtë në errësirë. Atje do të qajë dhe do të kërcëllijë dhëmbët.’
14 Vërtet, shumë janë të ftuar, por pak janë të zgjedhur.»
15 Atëherë farisenjtë shkuan dhe komplotuan së bashku, që ta zinin në grackë me fjalët e veta.+
16 Prandaj dërguan tek ai dishepujt e tyre bashkë me përkrahësit e partisë së Herodit*+ që t’i thoshin: «Mësues, ne e dimë që ti thua të vërtetën, që mëson udhën e Perëndisë sipas së vërtetës dhe nuk mban anën e askujt, sepse nuk shikon pamjen e jashtme të njerëzve.
17 Na thuaj, pra, si mendon: është e ligjshme* t’i paguhet Cezarit haraç* për kokë, apo jo?»
18 Por, duke e ditur ligësinë e tyre, Jezui u tha: «Pse më vini në provë, hipokritë?
19 Më tregoni monedhën që paguani si haraç.» Ata i çuan një denar.*
20 Ai i pyeti: «Të kujt janë kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?»
21 Ata iu përgjigjën: «Të Cezarit.» Atëherë ai u tha: «Paguajini, pra, Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.»+
22 Kur e dëgjuan këtë, ata mbetën pa fjalë, pastaj e lanë të qetë dhe ikën.
23 Po atë ditë vajtën tek ai saducenjtë, të cilët thonë se nuk ka ringjallje,+ dhe e pyetën:+
24 «Mësues, Moisiu tha: ‘Nëse një burrë vdes pa pasur fëmijë, i vëllai duhet të martohet me gruan e tij dhe t’i lërë pasardhës vëllait.’+
25 Tani, ishin shtatë vëllezër. I pari u martua dhe vdiq. Meqë nuk kishte pasardhës, gruan e tij e mori i vëllai.
26 Njësoj ndodhi edhe me të dytin e me të tretin, deri tek i shtati.
27 E fundit fare vdiq gruaja.
28 Atëherë, në ringjallje, cili nga të shtatë do ta marrë? Meqë të gjithë e patën për grua.»
29 Jezui iu përgjigj: «E keni gabim, ngaqë nuk njihni as Shkrimet, as fuqinë e Perëndisë,+
30 sepse, kur të ndodhë ringjallja, as burrat, as gratë nuk do të martohen, por do të jenë porsi engjëjt në qiell.+
31 Sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk keni lexuar çfarë ju kishte thënë Perëndia:
32 ‘Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit.’+ Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve.»+
33 Kur e dëgjoi këtë, turma u mahnit nga mësimi i tij.+
34 Pasi farisenjtë dëgjuan se ai ua kishte mbyllur gojën saducenjve, ata* vajtën tek ai së bashku si grup.
35 Njëri prej tyre, që e njihte mirë Ligjin, e vuri në provë duke e pyetur:
36 «Mësues, cili është urdhërimi më i madh i Ligjit?»+
37 Ai iu përgjigj: «‘Duaje Jehovain,* Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin* tënd dhe me gjithë mendjen tënde.’+
38 Ky është urdhërimi i parë dhe më i madhi.
39 I dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd* si veten.’+
40 Nga këto dy urdhërime varet gjithë Ligji dhe Profetët.»+
41 Ndërsa farisenjtë ishin mbledhur së bashku, Jezui i pyeti:+
42 «Ç’mendoni për Krishtin? Bir i kujt është?» Ata u përgjigjën: «I Davidit.»+
43 Ai i pyeti: «Atëherë, si vallë Davidi nën frymëzim+ e quan ‘Zotëri’ kur thotë:
44 “Jehovai* i tha Zotërisë tim: ‘Ulu në të djathtën time derisa t’i vë armiqtë e tu nën këmbët e tua.’”+
45 Prandaj, nëse Davidi e quan ‘Zotëri’, si atëherë qenka bir i tij?!»+
46 Por asnjë nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej, prandaj që nga ajo ditë askush nuk guxoi ta pyeste më.
Shënimet
^ Ose «nga njerëzit që u shtruan në tryezë».
^ Ose «me herodianët». Shih Fjalorthin.
^ Ose «e drejtë».
^ Shih Fjalorthin.
^ Shih Shtojcën B14.
^ Një mundësi tjetër «të dyja palët».
^ Shih Shtojcën A5.
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «tjetrin». Shih Fjalorthin.
^ Shih Shtojcën A5.