Nehemia 13:1-31

  • Reforma të mëtejshme nga Nehemia (1-31)

    • Të jepet e dhjeta (10-13)

    • Të mos përdhoset Sabati (15-22)

    • Dënohen lidhjet martesore me jojudenjtë (23-28)

13  Atë ditë u lexua libri i Moisiut dhe populli dëgjonte.+ Në të gjetën të shkruar se asnjë amonit dhe moabit+ nuk duhej të hynte kurrë në kongregacionin e Perëndisë së vërtetë,+  sepse nuk i pritën izraelitët me bukë e ujë, por i ofruan një shpërblim Balamit që t’i mallkonte.+ Mirëpo Perëndia ynë e kishte kthyer mallkimin në bekim.+  Me të dëgjuar Ligjin, populli filloi të dëbonte nga Izraeli tërë njerëzit me prejardhje të huaj.*+  Para kësaj, prifti që kishte në ngarkim depot e shtëpisë së Perëndisë tonë,*+ Eliashibi,+ i afërm i Tobisë,+  kishte vënë në dispozicion të Tobisë një depo të madhe, ku më parë vinin blatimin në drithë, temjanin e bardhë, pajisjet dhe të dhjetën e drithit, të verës së re e të vajit+ që u takon me të drejtë levitëve,+ këngëtarëve dhe derëtarëve, si dhe kontributin për priftërinjtë.+  Gjatë gjithë kësaj kohe nuk isha në Jerusalem, sepse kisha vajtur te mbreti Artakserks+ i Babilonisë në vitin e 32-të të mbretërimit të tij;+ ca kohë më vonë i kërkova leje të largohesha.  Pastaj erdha në Jerusalem dhe vura re gjënë e pështirë që kishte bërë Eliashibi+ për hir të Tobisë,+ duke i vënë në dispozicion një depo në oborrin e shtëpisë së Perëndisë së vërtetë.  Kjo gjë nuk më pëlqeu aspak, prandaj i hodha tërë mobiliet e Tobisë jashtë depos.  Pastaj dhashë urdhër që të pastroheshin ceremonialisht depot, dhe vura përsëri atje pajisjet e shtëpisë së Perëndisë së vërtetë,+ me blatimin në drithë dhe temjanin e bardhë.+ 10  Për më tepër, mora vesh që levitëve+ nuk u kishin dhënë racionet e tyre,+ prandaj levitët dhe këngëtarët që bënin punën, kishin ikur secili në arën e vet.+ 11  Kështu i qortova ashpër mëkëmbësit+ dhe u thashë: «Pse është lënë pas dore shtëpia e Perëndisë së vërtetë?»+ Atëherë i mblodha levitët dhe i vura përsëri në caktimet e tyre, 12  dhe tërë Juda solli në depo të dhjetën+ e drithit, të verës së re dhe të vajit.+ 13  Pastaj i lashë depot në ngarkim të priftit Shelemiah, të kopistit* Sadok dhe të levitit Pedajah, dhe ndihmësi i tyre ishte Hanani, bir i Zakurit, bir i Mataniahut, sepse këta konsideroheshin të besueshëm. Ata kishin përgjegjësinë t’u shpërndanin vëllezërve sasitë e caktuara. 14  Më kujto për këtë,+ o Perëndia im, dhe mos e fshi nga kujtesa dashurinë besnike që kam treguar për shtëpinë tënde dhe shërbimin që kryhet atje.*+ 15  Në ato ditë pashë në Judë njerëz që punonin në shtypësen e rrushit në sabat,+ që sillnin drithë me shumicë dhe e ngarkonin mbi gomarë, që sillnin edhe verë, rrush, fiq dhe lloj-lloj prodhimesh në Jerusalem, ditën e sabatit.+ Prandaj i paralajmërova që të mos shitnin asnjë lloj prodhimi atë ditë.* 16  Veç kësaj, tirasit që jetonin në Jerusalem sillnin peshq e lloj-lloj mallrash në qytet dhe ua shitnin në sabat njerëzve të Judës.+ 17  Kështu i qortova ashpër fisnikët e Judës dhe u thashë: «Ç’është kjo ligësi që po bëni, duke përdhosur edhe ditën e sabatit? 18  A nuk bënë kështu paraardhësit tanë, aq sa Perëndia ynë solli gjithë atë të keqe kundër nesh dhe kundër këtij qyteti? E tani, po e ndizni edhe më shumë zemërimin e zjarrtë të Perëndisë kundër Izraelit duke përdhosur sabatin.»+ 19  Kështu që, sapo filloi të binte hija e mbrëmjes mbi portat e Jerusalemit, para se të fillonte sabati, urdhërova që të mbylleshin dyert dhe të mos i hapnin pa mbaruar sabati. Vendosa te portat edhe disa prej shërbëtorëve të mi që të mos sillej brenda asnjë prodhim ditën e sabatit. 20  Prandaj, tregtarët dhe shitësit e çdo lloj malli e kaluan natën një a dy herë jashtë Jerusalemit. 21  Atëherë i paralajmërova: «Pse e kaloni natën përpara murit? Nëse e bëni prapë, do t’ju largoj me forcë.» Që nga ajo kohë, nuk erdhën më në sabat. 22  Gjithashtu u thashë levitëve se duhej të pastroheshin ceremonialisht gjithmonë dhe se duhej të vinin e të ruanin portat që dita e sabatit të mbetej e shenjtë.+ Më kujto edhe për këtë, o Perëndia im, dhe më trego mëshirë sipas dashurisë sate besnike të madhe.+ 23  Në ato ditë pashë edhe judenj që ishin martuar me* gra+ ashdodite,+ amonite dhe moabite.+ 24  Gjysma e bijve të tyre fliste gjuhën ashdodite dhe gjysma fliste gjuhët e popujve të ndryshëm, por asnjeri nuk dinte të fliste gjuhën e judenjve. 25  Prandaj i qortova ashpër, i mallkova, godita disa nga burrat,+ u shkula flokët dhe u thashë: «Betohuni për Perëndinë se nuk do t’ua jepni vajzat tuaja djemve të tyre dhe nuk do të pranoni asnjë prej vajzave të tyre për bijtë tuaj ose për vete.+ 26  A nuk mëkatoi për shkak të tyre Solomoni, mbreti i Izraelit? Ndër kombe nuk kishte mbret si ai,+ dhe Perëndia e donte,+ ndaj e bëri mbret të të gjithë Izraelit. Por gratë e huaja e shtynë të mëkatonte edhe atë.+ 27  Si mundët të bënit gjithë këtë ligësi e të vepronit me pabesi kundër Perëndisë tonë duke u martuar me gra të huaja?!»+ 28  Një prej bijve të Jojadait,+ bir i kryepriftit Eliashib,+ ishte martuar me një nga vajzat e Sanballat+ horonitit, prandaj e përzura. 29  Mos i harro, o Perëndia im, sepse kanë ndotur priftërinë dhe besëlidhjen e priftërisë+ e të levitëve.+ 30  Më pas e pastrova popullin nga çdo ndikim i huaj, u caktova detyra priftërinjve e levitëve, secilin në shërbimin e vet,+ 31  dhe mora masa për furnizimin me dru+ në kohën e caktuar, si edhe me frytet e para të tokës. Më kujto për mirë, o Perëndia im!+

Shënimet

Ose «prejardhje të përzier».
Ose «sallat e ngrënies të tempullit të Perëndisë tonë».
Ose «skribit».
Ose «kujdesin që tregohet për të».
Një mundësi tjetër «i paralajmërova atë ditë që të mos shitnin asnjë lloj prodhimi».
Ose «kishin marrë në shtëpi».