Numrat 28:1-31

  • Rregullat për blatime të ndryshme (1-31)

    • Blatimet e përditshme (1-8)

    • Për Sabatin (9, 10)

    • Blatimet mujore (11-15)

    • Për Festën e Kalimit (16-25)

    • Për Festën e Javëve (26-31)

28  Më pas Jehovai i tha Moisiut:  «Urdhëroji izraelitët: ‘Bëni kujdes që të paraqitni blatimet e mia, bukën time. Blatimet e mia të bëra me zjarr si aromë e këndshme* për mua, duhen bërë në kohën e caktuar.’+  Gjithashtu thuaju: ‘Ky është blatimi i bërë me zjarr që do t’i paraqitni Jehovait: çdo ditë, dy qengja meshkuj njëvjeçarë* e të shëndetshëm si blatim të djegur të rregullt.+  Njërin qengj do ta paraqitni në mëngjes, ndërsa tjetrin në të ngrysur*+  bashkë me një të dhjetën e një efe* mielli të bluar imët e të përzier me një çerek hini* vaj ullinjsh të shtypur si blatim në drithë.+  Ky është blatimi i djegur i rregullt+ që u përcaktua në malin Sinai si aromë e këndshme,* një blatim i bërë me zjarr për Jehovain,  bashkë me blatimin e tij në pije prej një çerek hini për çdo qengj mashkull.+ Derdhni pijen alkoolike mbi altar* si blatim në pije për Jehovain.  Qengjin tjetër do ta paraqitni në të ngrysur,* si blatim të bërë me zjarr, me aromë të këndshme* për Jehovain, të shoqëruar me të njëjtin blatim në drithë si të mëngjesit dhe me të njëjtin blatim në pije.+  Kurse ditën e Sabatit+ do të paraqiten dy qengja meshkuj njëvjeçarë e të shëndetshëm dhe dy të dhjetat e një efe mielli të bluar imët e të përzier me vaj si blatim në drithë bashkë me blatimin e tij në pije. 10  Ky është blatimi i djegur për Sabatin, bashkë me blatimin e djegur të rregullt dhe blatimin e tij në pije.+ 11  Ditën e parë të çdo muaji* do të paraqitni si blatim të djegur për Jehovain 2 dema të rinj, 1 dash, 7 qengja meshkuj të shëndetshëm e njëvjeçarë,+ 12  bashkë me tri të dhjetat e një efe mielli të bluar imët e të përzier me vaj si blatim në drithë+ për çdo dem, dy të dhjetat e një efe mielli të bluar imët si blatim në drithë të përzier me vaj për dashin+ 13  dhe një të dhjetën e një efe mielli të bluar imët e të përzier me vaj si blatim në drithë për çdo qengj mashkull. Do t’i paraqitni si blatim të djegur, si aromë të këndshme,*+ blatim të bërë me zjarr për Jehovain. 14  Blatimet e tyre në pije duhet të jenë prej një gjysmë hini verë për një dem,+ një të tretën e një hini për dashin+ dhe një çerek hini për një qengj mashkull.+ Ky është blatimi i djegur mujor për çdo muaj të vitit. 15  Veç këtyre, duhet paraqitur edhe një kec para Jehovait si blatim për mëkatin, përveç blatimit të djegur të rregullt dhe blatimit të tij në pije. 16  Ditën e 14-të të muajit të parë, do të jetë Festa e Kalimit të Jehovait.*+ 17  Edhe ditën e 15-të të këtij muaji do të ketë një festë. Për shtatë ditë do të hahen bukë pa maja.+ 18  Ditën e parë do të ketë një asamble të shenjtë. Mos bëni asnjë punë të lodhshme. 19  Do të paraqitni një blatim të djegur si blatim të bërë me zjarr për Jehovain: 2 dema të rinj, 1 dash dhe 7 qengja meshkuj njëvjeçarë. Duhet të paraqitni kafshë të shëndetshme,+ 20  të cilat duhet t’i paraqitini bashkë me blatimet e tyre në drithë prej mielli të bluar imët e të përzier me vaj;+ tri të dhjetat e një efe për një dem dhe dy të dhjetat e një efe për dashin, 21  një të dhjetën e një efe për secilin nga shtatë qengjat meshkuj, 22  si edhe një cjap si blatim për mëkatin, që të bëni shlyerjen për veten. 23  Do t’i paraqitni këto përveç blatimit të djegur të mëngjesit, që është për blatimin e djegur të rregullt. 24  Këto gjëra do t’i paraqitni në të njëjtën mënyrë për shtatë ditë si ushqim,* si një blatim të bërë me zjarr, me aromë të këndshme* për Jehovain, bashkë me blatimin e djegur të rregullt dhe me blatimin në pije. 25  Ditën e shtatë duhet të mbani një asamble të shenjtë.+ Mos bëni asnjë punë të lodhshme.+ 26  Ditën kur të mblidhni frytet e para të tokës+ dhe t’i paraqitni Jehovait një blatim nga drithi i ri,+ në festën tuaj të javëve,+ duhet të mbani një asamble të shenjtë. Mos bëni asnjë punë të lodhshme.+ 27  Do të paraqitni si blatim të djegur me aromë të këndshme* për Jehovain 2 dema të rinj, 1 dash dhe 7 qengja meshkuj njëvjeçarë,+ 28  bashkë me blatimin e tyre në drithë prej mielli të bluar imët e të përzier me vaj; tri të dhjetat e një efe për çdo dem, dy të dhjetat e një efe për dashin, 29  një të dhjetën e një efe për secilin nga shtatë qengjat, 30  si edhe një kec që të bëni shlyerjen për veten.+ 31  Do t’i paraqitni ato përveç blatimit të djegur të rregullt dhe blatimit të tij në drithë. Duhet të paraqitni kafshë të shëndetshme+ bashkë me blatimet e tyre në pije.

Shënimet

Ose «pajtuese; qetësuese». Fjalë për fjalë «çlodhëse».
Ose «motakë».
Fjalë për fjalë «midis dy mbrëmjeve».
Një e dhjeta e një efe ishte 2,2 l. Shih Shtojcën B14.
Një hin ishte 3,67 l. Shih Shtojcën B14.
Ose «pajtuese; qetësuese». Fjalë për fjalë «çlodhëse».
Fjalë për fjalë «në vendin e shenjtë».
Fjalë për fjalë «midis dy mbrëmjeve».
Ose «pajtuese; qetësuese». Fjalë për fjalë «çlodhëse».
Fjalë për fjalë «të muajve tuaj».
Ose «pajtuese; qetësuese». Fjalë për fjalë «çlodhëse».
Ose «Pashka e Jehovait». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «bukë».
Ose «pajtuese; qetësuese». Fjalë për fjalë «çlodhëse».
Ose «pajtuese; qetësuese». Fjalë për fjalë «çlodhëse».