Letra drejtuar Titit 3:1-15
3 Vazhdo t’u kujtosh vëllezërve që t’u nënshtrohen e t’u binden qeverive dhe autoriteteve,+ të jenë gati për çdo vepër të mirë,
2 të mos flasin keq për askënd, të mos jenë grindavecë, por të arsyeshëm+ e të tregojnë gjithmonë butësi ndaj të gjithëve.+
3 Faktikisht, edhe ne ishim dikur të pamend, të pabindur, të mashtruar, skllevër të dëshirave e kënaqësive të ndryshme, të dhënë pas së keqes dhe zilisë, të neveritshëm dhe e urrenim njëri-tjetrin.
4 Megjithatë, kur Perëndia, Shpëtimtari ynë,+ shfaqi mirësinë dhe dashurinë e tij për njerëzimin,
5 (jo falë veprave tona të drejta,+ por falë mëshirës së vet)+ ai na shpëtoi nëpërmjet larjes që na solli në jetë,+ si edhe na bëri një popull të ri me anë të frymës së shenjtë.+
6 Këtë frymë ai e derdhi me bollëk* mbi ne nëpërmjet Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tonë,+
7 që, pasi të shpalleshim të drejtë me anë të mirësisë së tij të pamerituar,+ të bëheshim trashëgimtarë+ të jetës së përhershme sipas shpresës që kemi.+
8 Këto fjalë janë të besueshme, dhe dëshiroj që t’i theksosh pareshtur këto çështje, që, ata që kanë treguar besim te Perëndia, të mos harrojnë kurrë të bëjnë vepra të shkëlqyera. Këto janë gjëra të shkëlqyera e të dobishme për njerëzit.
9 Megjithatë, mos u përfshi fare në debate të pamenda dhe diskutime rreth gjenealogjive, as në grindje dhe zënka rreth Ligjit, sepse janë të padobishme e të kota.+
10 Kurse, me atë që propagandon idetë e një sekti,+ pasi ta kesh këshilluar* për herë të dytë,+ mos u përziej më,+
11 sepse ti e di se një njeri i tillë ka dalë nga udha e drejtë, po mëkaton dhe ka dënuar veten.
12 Pasi të dërgoj te ti Artemën ose Tikikun,+ bëj çmos të vish tek unë në Nikapoli, sepse kam vendosur ta kaloj atje dimrin.
13 Zenait, që e njeh mirë Ligjin, dhe Apolit siguroju gjërat e nevojshme për udhëtimin që të mos u mungojë asgjë.+
14 Edhe vëllezërit le të mësojnë të bëjnë vepra të shkëlqyera, që të japin ndihmë në raste urgjente+ e të jenë të dobishëm.*+
15 Të gjithë ata që janë me mua, të çojnë të fala. Bëju të fala nga unë bashkëbesimtarëve që na kanë për zemër.
Mirësia e pamerituar e Perëndisë qoftë me të gjithë ju!
Shënimet
^ Ose «bujarisht».
^ Ose «ta kesh paralajmëruar».
^ Fjalë për fjalë «të mos jenë të pafrytshëm».