Veprat e Apostujve 27:1-44

  • Pavli niset me anije për në Romë (1-12)

  • Anijen e godet stuhia (13-38)

  • Anijen e shkallmojnë dallgët (39-44)

27  Meqë ishte vendosur të lundronim për në Itali,+ Pavlin dhe disa të burgosur të tjerë ia dorëzuan një centurioni që quhej Jul, i kohortës së Augustit.  Pasi hipëm në një anije nga Adramitia, që do të shkonte në portet përgjatë bregut të provincës së Azisë, nisëm lundrimin. Me ne ishte edhe Aristarku,+ një maqedon nga Selaniku.  Të nesërmen zbritëm në Sidon, dhe Juli e trajtoi Pavlin me zemërmirësi,* e lejoi të shkonte te miqtë e tij që të kujdeseshin për të.  Pasi u nisëm, lundruam afër Qipros që të mbroheshim nga erërat që i kishim kundër.  Më pas, dolëm në det të hapur përgjatë Kilikisë e Pamfilisë dhe hymë në portin e Mirës në Liki.  Atje, centurioni gjeti një anije nga Aleksandria që shkonte në Itali, dhe na hipi në të.  Pastaj lundruam ngadalë për shumë ditë dhe arritëm me vështirësi në Knid. Ngaqë era nuk na linte të çanim përpara, lundruam anash Salmones të mbrojtur nga Kreta.  Tek lundronim me vështirësi përgjatë bregut, arritëm në një vend që quhej Limanet e Mira, afër qytetit të Laseas.  Kishte kaluar mjaft kohë dhe ishte e rrezikshme të lundroje. E ngaqë kishte mbaruar edhe agjërimi i Ditës së Shlyerjes,*+ Pavli tha: 10  «O burra, me sa shoh në këtë lundrim do të dëmtohemi e do të humbasim shumë, jo vetëm ngarkesën e anijen, por edhe jetën* tonë.» 11  Mirëpo centurioni ia vinte veshin më shumë timonierit dhe pronarit të anijes, sesa Pavlit. 12  Meqenëse limani ishte i papërshtatshëm për të dimëruar, shumica këshilloi të iknim prej andej, që, po të ishte e mundur, të kalonim dimrin në Feniks, një liman në Kretë, i hapur drejt verilindjes dhe drejt juglindjes. 13  Kur fryu lehtë juga, detarët pandehën se ia arritën qëllimit dhe ngritën spirancën e nisën të lundronin përgjatë brigjeve të Kretës. 14  Por s’kaloi shumë dhe nisi të frynte një erë e stuhishme, e quajtur Euroakuilo.* 15  Meqë anijen e rrëmbeu era dhe nuk po i bënte dot ballë, shkuam nga na çoi rryma. 16  Pastaj lundruam nën mbrojtjen e një ishulli të vogël, të quajtur Kaudë. Megjithatë, mezi mundëm ta ngjitnim në kiç sandallin.* 17  Pasi e ngritën në bord, përdorën mjete ndihmëse për ta forcuar anijen nga poshtë. Nga frika se mos ngecnin në cekëtinë në Sirtë,* ulën velën* e kështu shkuan nga t’i çonte rryma. 18  Mirëpo, furtuna po na përplaste me forcë, prandaj të nesërmen filluan ta lehtësonin anijen 19  dhe, ditën e tretë, flakën me duart e tyre disa nga pajisjet e saj. 20  Meqë për shumë ditë nuk u duk as diell, as yje dhe bënte një furtunë e egër,* filloi të na venitej çdo shpresë për të shpëtuar. 21  Pasi kishin një kohë të gjatë pa ngrënë, Pavli u çua mes tyre dhe u tha: «Burra, duhej ta kishit dëgjuar këshillën time. Nuk duhej të ishit nisur për lundrim nga Kreta e të pësonit këtë dëm dhe këtë humbje.+ 22  Prapëseprapë, tani merrni zemër, sepse asnjë* nga ju nuk do të vdesë, vetëm anija do të shkatërrohet. 23  Këtë natë një engjëll+ i Perëndisë që i përkas dhe i bëj shërbim të shenjtë, më qëndroi pranë 24  e më tha: ‘Mos ki frikë, Pavël! Ti duhet të dalësh para Cezarit,+ dhe Perëndia do t’ua kursejë jetën të gjithë atyre që lundrojnë me ty.’ 25  Prandaj, burra, merrni zemër, pasi kam besim te Perëndia se do të ndodhë pikërisht siç m’u tha. 26  Megjithatë duhet të ngecim në bregun e një ishulli.»+ 27  Kur erdhi nata e 14-të dhe furtuna na çonte andej-këtej nëpër detin e Adrias, në mesnatë detarët kujtuan se po i afroheshin tokës. 28  Matën thellësinë dhe panë se ishte 20 pashë detarë.* Vazhduan pak më tej, matën përsëri thellësinë dhe panë se ishte 15 pashë detarë.* 29  Nga frika se mos përplaseshim në shkëmbinj, hodhën nga kiçi katër spiranca dhe uronin të zbardhte dita. 30  Por, kur detarët po orvateshin të iknin nga anija dhe po ulnin sandallin* në det, gjoja se u duhej të hidhnin spiranca nga bashi, 31  Pavli i tha centurionit dhe ushtarëve: «Nëse këta burra nuk rrinë në anije, nuk shpëtoni dot.»+ 32  Atëherë, ushtarët prenë litarët e sandallit* dhe e lanë të binte. 33  Pak para se të agonte, Pavli i nxiti të gjithë të hanin pak, duke u thënë: «Sot është dita e 14-të që prisni gjithë ankth e nuk keni futur gjë në gojë. 34  Prandaj hani pak, se është për të mirën tuaj; asnjërit prej jush nuk do t’i humbasë as edhe një fije floku.» 35  Pasi tha këtë, mori bukën, falënderoi Perëndinë para të gjithëve, e theu dhe nisi të hante. 36  Kështu të gjithë morën zemër dhe filluan të hanin. 37  Në anije ishim gjithsej 276 veta.* 38  Pasi u ngopën me ushqim, lehtësuan anijen duke e hedhur grurin në det.+ 39  Kur zbardhi dita, nuk po kuptonin ku ishin,+ por panë një gji me një breg ranor. Ata vendosën ta nxirrnin anijen në breg, nëse ia dilnin. 40  Kështu, prenë spirancat, i lanë të binin në det, dhe ndërkohë zgjidhën litarët shtrëngues të timonëve.* Pasi ngritën velën e përparme në drejtim të erës, u drejtuan për në breg. 41  Kur ndeshi në një cekëtinë me det nga të dyja anët, anija ngeci në rërë. Si u ngul, bashi nuk luajti më vendit, kurse kiçi nisi të shkallmohej* nga forca e dallgëve.+ 42  Atëherë, ushtarët vendosën t’i vritnin të burgosurit, që të mos arratisej ndonjëri me not. 43  Por centurioni ishte i vendosur ta shpëtonte Pavlin, ndaj nuk i lejoi ta bënin këtë. Ata që ishin në gjendje të notonin, i urdhëroi të hidheshin në det e të arrinin në tokë të parët. 44  Kurse të tjerët duhej t’i ndiqnin, ca mbi dërrasa e ca mbi pjesë të tjera të anijes. Kështu të gjithë mbërritëm në tokë shëndoshë e mirë.+

Shënimet

Ose «njerëzisht».
Gjatë kësaj kohe, në muajin e Tishrit, që i bie në shtator-tetor, fillonin shirat dhe stuhitë detare.
Ose «shpirtin».
Domethënë, një erë verilindore.
Një varkë e vogël ndihmëse që shërbente edhe si mjet shpëtimi.
Ka mundësi që këtu të përfshihej edhe direku e litarët që mbanin velën.
Fjalë për fjalë «jo e vogël».
Ose «asnjë shpirt».
Rreth 36 m. Shih Shtojcën B14.
Rreth 27 m. Shih Shtojcën B14.
Një barkë e vogël ndihmëse që shërbente edhe si mjet shpëtimi.
Një barkë e vogël ndihmëse që shërbente edhe si mjet shpëtimi.
Ose «shpirt».
Ose «të rremave që shërbenin si timon».
Ose «nisi të shkatërrohej».