Zanafilla 19:1-38
19 Të dy engjëjt mbërritën në Sodomë në mbrëmje, ndërsa Loti rrinte ulur te porta e Sodomës. Kur i pa, Loti u ngrit që t’i takonte, u përkul me fytyrë përtokë+
2 dhe u tha: «Ju lutem zotërinjtë e mi, ju lutem, kthehuni në shtëpinë e shërbëtorit tuaj që të kaloni natën e t’ju lajmë këmbët, e nesër çohuni herët e vazhdoni rrugën.» Ata iu përgjigjën: «Jo, do ta kalojmë natën në sheshin e qytetit.»
3 Por ai këmbënguli aq shumë, sa ata u kthyen dhe vajtën në shtëpinë e tij. Atëherë u shtroi një gosti, poqi bukë pa maja, e ata hëngrën.
4 Por para se të binin për të fjetur, burrat e Sodomës, pleq e të rinj, të gjithë si një turmë e vetme, rrethuan shtëpinë
5 dhe i thërritnin Lotit pa pushim: «Ku janë burrat që erdhën sonte te ti? Nxirri jashtë që të kryejmë marrëdhënie me ta.»+
6 Kështu Loti doli te hyrja e shtëpisë, mbylli derën
7 dhe u tha: «Ju lutem vëllezër, mos e bëni këtë ligësi.
8 Ju lutem, ja, unë kam dy vajza që s’kanë pasur kurrë marrëdhënie me ndonjë burrë. Ju lutem, më lini t’jua sjell jashtë dhe bëni me to ç’të doni. Vetëm mos u bëni gjë këtyre burrave, sepse kanë gjetur strehë nën çatinë time.»*+
9 Por ata ia kthyen: «Hiqu tutje!» Pastaj shtuan: «Ky njeri pa njeri erdhi këtu që të jetonte si i huaj dhe tani guxon të na gjykojë?! Tani do të ta bëjmë më keq ty se atyre.» Turma po e shtynte me forcë Lotin dhe po afrohej për të shkallmuar derën.
10 Prandaj burrat që ishin brenda, zgjatën duart, e tërhoqën Lotin brenda në shtëpi dhe mbyllën derën.
11 Kurse njerëzit që ishin te hyrja e shtëpisë i goditën me verbëri, nga më i vogli deri te më i madhi, ndaj ata u lodhën duke u përpjekur të gjenin derën.
12 Atëherë burrat që ishin brenda shtëpisë i thanë Lotit: «A ke njeri tjetër këtu? Nxirri nga ky vend dhëndurët, bijtë e bijat e tua dhe gjithë njerëzit e tu,
13 sepse do ta shkatërrojmë, ngaqë britma e ankimit kundër njerëzve të këtij vendi është bërë aq e fortë para Jehovait,+ saqë Jehovai na dërgoi ta shkatërrojmë qytetin.»
14 Atëherë Loti doli dhe u thoshte me ngulm dhëndurëve që do të martoheshin me vajzat e tij: «Ngrihuni! Dilni nga ky vend, sepse Jehovai do ta shkatërrojë qytetin!» Por dhëndurëve iu duk sikur po bënte shaka.+
15 Ndërsa po zbardhte dita, engjëjt nisën ta ngutnin Lotin dhe i thoshin: «Ngrihu! Merr gruan dhe dy vajzat, që të mos shfaroseni edhe ju për shkak të fajit të qytetit!»+
16 Mirëpo, ngaqë po ngurronte, burrat e kapën fort për dore atë, gruan e dy vajzat dhe i nxorën jashtë qytetit,+ sepse Jehovai ndiente shumë dhembshuri për të.+
17 Sapo i çuan në rrethinat e qytetit, njëri nga engjëjt tha: «Ik, që të shpëtosh jetën! Mos shiko prapa+ dhe mos u ndal në asnjë vend të krahinës së Jordanit!+ Ik në rajonin malor, që të mos shfarosesh!»
18 Atëherë Loti u tha: «Të lutem, o Jehova,* jo atje, të lutem!
19 Ja, shërbëtori yt ka fituar miratimin tënd dhe ti po tregohesh shumë zemërmirë duke më ruajtur gjallë.*+ Por unë s’jam në gjendje të iki në rajonin malor, sepse kam frikë se mos më zë ndonjë e keqe dhe vdes.+
20 Ama mund të iki në këtë qytezë, sepse është afër dhe është veç një vend i vogël. Të lutem, a të iki atje? Se është veç një vend i vogël, e kështu do të mbijetoj.»*
21 Atëherë ai i tha: «Mirë, do ta marr parasysh këtë+ dhe nuk do ta shkatërroj qytezën për të cilën fole.+
22 Nxito! Ik atje, sepse nuk mund të bëj asgjë pa mbërritur ti!»+ Ja pse qyteza u quajt Zoar.*+
23 Dielli kishte lindur kur Loti mbërriti në Zoar.
24 Atëherë Jehovai solli mbi Sodomën dhe Gomorrën shi prej squfuri e zjarri—ai erdhi nga Jehovai, prej qiejve.+
25 Kështu i shkatërroi këto qytete, po, të gjithë krahinën, si edhe gjithë banorët e qyteteve dhe bimësinë e tokës.+
26 Por gruaja e Lotit, që po ecte pas tij, filloi të shikonte prapa dhe u bë shtyllë kripe.+
27 Në mëngjes, Abrahami u çua herët dhe vajti në vendin ku kishte qëndruar dhe kishte folur më parë me Jehovain.+
28 Ai pa poshtë në drejtim të Sodomës e të Gomorrës dhe të të gjithë krahinës. Por ç’të shihte! Një tym i dendur ngrihej nga vendi, si tymi i dendur i një furre tullash!+
29 Kështu, kur shkatërroi qytetet e krahinës, Perëndia e mbajti parasysh Abrahamin, prandaj e nxori Lotin nga qytetet që shkatërroi, nga qytetet ku Loti kishte banuar.+
30 Më vonë, Loti iku nga Zoari dhe shkoi të jetonte në rajonin malor bashkë me dy vajzat e tij,+ sepse kishte frikë të jetonte në Zoar;+ kështu filloi të banonte në një shpellë bashkë me dy vajzat.
31 E parëlindura i tha më të voglës: «Babai ynë është i moshuar dhe në këtë vend s’ka mbetur asnjë burrë që të martohet me ne, siç është zakon në të gjithë botën.
32 Eja, le t’i japim babait tonë të pijë verë dhe të flemë me të, që t’i lëmë pasardhës.»
33 Prandaj atë natë i dhanë babait të pinte shumë verë. Pastaj e parëlindura fjeti me të, por ai nuk e mori vesh as kur ajo u shtri, as kur u ngrit.
34 Pastaj, të nesërmen, e parëlindura i tha më të voglës: «Ja, mbrëmë fjeta unë me tim atë. Le t’i japim edhe sonte të pijë verë. Pastaj shko ti e fli me të, që t’i lëmë pasardhës babait tonë.»
35 Kështu edhe atë natë i dhanë të pinte shumë verë. Pastaj më e vogla shkoi dhe fjeti me të, por ai nuk e mori vesh as kur ajo u shtri, as kur u ngrit.
36 Kështu të dyja vajzat e Lotit mbetën shtatzëna me të atin.
37 E parëlindura lindi një djalë dhe e quajti Moab;+ ai është ati i moabitëve të kohëve të sotshme.+
38 Edhe më e vogla lindi një djalë dhe e quajti Ben-Ami; ai është ati i bijve të Amonit+ të kohëve të sotshme.
Shënimet
^ Ose «janë nën mbrojtjen e çatisë sime». Fjalë për fjalë «nën hijen time».
^ Domethënë, një engjëll që përfaqësonte Jehovain.
^ Ose «po tregon shumë dashuri besnike ndaj meje duke ruajtur gjallë shpirtin tim».
^ Ose «shpirti im do të vazhdojë të jetojë».
^ Do të thotë «vogëlsi».