Zanafilla 3:1-24
3 Gjarpri+ ishte më dinaku* nga të gjitha kafshët e egra që kishte bërë Perëndia Jehova. Kështu ai i tha gruas: «Vërtet ka thënë Perëndia që të mos hani nga çdo pemë e kopshtit?»+
2 Gruaja iu përgjigj gjarprit: «Mund të hamë nga fryti i pemëve të kopshtit.+
3 Por për frytin e pemës që është në mes të kopshtit,+ Perëndia ka thënë: ‘Mos e hani, madje as mos e prekni, përndryshe do të vdisni.’»
4 Atëherë gjarpri ia ktheu: «Ju s’keni për të vdekur aspak.+
5 Por Perëndia e di se, po atë ditë që do të hani, sytë tuaj do të hapen e do të jeni si Perëndi, dhe do të njihni të mirën dhe të keqen.»+
6 Si rrjedhim, gruaja pa që pema ishte e mirë për ushqim dhe e dëshirueshme për sytë, po, pema të kënaqte syrin. Prandaj ajo mori nga fryti i pemës dhe hëngri.+ Më pas, kur ishin bashkë, i dha edhe burrit, e kështu hëngri edhe ai.+
7 Atëherë të dyve iu hapën sytë dhe kuptuan se ishin lakuriq. Prandaj lidhën gjethe fiku për të mbuluar lakuriqësinë.*+
8 Më vonë dëgjuan zërin e Perëndisë Jehova ndërsa ai po ecte në kopsht kur frynte flladi i pasdites, dhe burri e gruaja u fshehën nga Perëndia Jehova mes pemëve të kopshtit.
9 Perëndia Jehova i thërriste burrit: «Ku je?»
10 Më në fund ai iu përgjigj: «Dëgjova zërin tënd në kopsht, por pata frikë, sepse isha lakuriq, prandaj u fsheha.»
11 Perëndia ia ktheu: «Kush të tha se ishe lakuriq?+ Mos ke ngrënë nga pema për të cilën të urdhërova të mos haje?»+
12 Burri tha: «Gruaja që më dhe për shoqe, ajo më dha nga fryti i pemës, prandaj hëngra.»
13 Atëherë Perëndia Jehova i tha gruas: «Ç’ke bërë kështu?» Gruaja iu përgjigj: «Gjarpri më mashtroi, prandaj hëngra.»+
14 Pastaj Perëndia Jehova i tha gjarprit:+ «Meqë ke bërë këtë, je i mallkuar ndër të gjitha kafshët e buta dhe kafshët e egra. Do të ecësh me bark dhe do të hash pluhur gjithë ditët e jetës sate.
15 Unë do të vë armiqësi+ mes teje+ dhe gruas,+ mes pasardhësit* tënd+ dhe pasardhësit* të saj.+ Ai do të ta shtypë* kokën,+ dhe ti do ta godasësh* në thembër.»+
16 Gruas i tha: «Do të t’i shtoj së tepërmi dhembjet e shtatzënisë dhe me dhembje do të sjellësh në jetë fëmijë; do të digjesh nga dëshira për tët shoq dhe ai do të sundojë mbi ty.»
17 Adamit* i tha: «Meqë dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga fryti i pemës, për të cilën të urdhërova:+ ‘Mos ha prej saj’, toka është e mallkuar për fajin tënd;+ me dhembje do të hash frytin e saj gjithë ditët e jetës sate.+
18 Toka do të rritë për ty gjemba e gjembaçë, ndërsa ti do të ushqehesh me bimësinë e fushës.
19 Do të hash bukë* me djersën e ballit, derisa të kthehesh në dhé, prej të cilit u formove,+ sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të kthehesh.»+
20 Pas kësaj Adami e quajti gruan e tij Evë,* sepse ajo do të bëhej nëna e gjithë të gjallëve.+
21 Perëndia Jehova bëri rroba të gjata prej lëkure kafshësh për Adamin dhe gruan e tij që të visheshin.+
22 Pastaj Perëndia Jehova tha: «Ja, njeriu është bërë si një prej nesh, se njeh të mirën dhe të keqen.+ Tani, që të mos zgjatë dorën e të marrë edhe nga fryti i pemës së jetës,+ dhe të hajë e të jetojë përgjithnjë . . .»
23 Atëherë Perëndia Jehova e nxori jashtë kopshtit të Edenit,+ që të kultivonte tokën nga e cila ishte formuar.+
24 Kështu ai e dëboi njeriun dhe, për të ruajtur udhën për te pema e jetës, vuri në lindje të kopshtit të Edenit kerubinët+ dhe një shpatë flakëruese që rrotullohej vazhdimisht.
Shënimet
^ Ose «më i kujdesshmi; më tinëzari».
^ Ose «për të mbuluar ijët».
^ Ose «do ta plagosësh».
^ Ose «do të të plagosë; do të të godasë».
^ Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
^ Do të thotë «njeri i bërë nga toka; njerëzim; racë njerëzore».
^ Ose «ushqim».
^ Do të thotë «e gjallë».