Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është vërtet një nga mësimet e Biblës?

A është vërtet një nga mësimet e Biblës?

A është vërtet një nga mësimet e Biblës?

NËSE Triniteti do të ishte i vërtetë, do të shprehej në mënyrë të qartë dhe koherente në Bibël. Pse? Sepse ashtu siç pohuan apostujt, Bibla është mjeti përmes të cilit Perëndia i zbulohet njerëzimit. Dhe pasi ne duhet ta njohim Perëndinë për ta adhuruar në mënyrën që ai pranon, Bibla në mënyrë të qartë duhet të na tregojë pikërisht se kush është Ai.

Besimtarët e shekullit të parë i pranonin Shkrimet si zbulimin autentik të Perëndisë. Ato përbënin bazën e besimit të tyre, autoritetin e padiskutueshëm. P.sh., kur apostulli Pavël u predikoi njerëzve në qytetin e Berejës, «ata e pranuan fjalën me gatishmëri të madhe, duke i shqyrtuar çdo ditë Shkrimet për të parë nëse këto gjëra ishin ashtu». Veprat 17:10, 11.

Cili ishte autoriteti mbi të cilin bazoheshin shërbëtorët e shquar të Perëndisë në atë kohë? Veprat 17:2, 3 na tregojnë: «Ashtu si e kish zakon Pavli . . . arsyetoi me ta nga Shkrimet, duke u shpjeguar e provuar me referime [të shkëputura nga Shkrimet].»​—BR.

Vetë Jezui ishte një shembull në përdorimin e Shkrimeve si bazë për mësimin e tij, duke thënë shpeshherë: «Është shkruar.» «Ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij.»​—Mateu 4:4, 7; Luka 24:27.

Kështu Jezui, Pavli dhe besimtarët e shekullit të parë i përdorën shkrimet si bazë të mësimeve të tyre. Ata e dinin se «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë».​—2. Timoteut 3:16, 17; shiko edhe 1. Korintasve 4:6; 1 Selanikasve 2:13; 2. Pjetrit 1:20, 21.

Pasi Bibla mund ‘t’i vendosë gjërat drejt’, ajo patjetër duhet të zbulojë informacion në lidhje me një çështje kaq themelore siç është quajtur Triniteti. Por a thonë vetë teologët dhe historianët se ai është me të vërtetë një nga mësimet e Biblës?

A gjendet «Triniteti» në Bibël?

NJË botim protestant pohon: «Fjala Trinitet nuk gjendet në Bibël . . . Formalisht, ajo nuk zë vend në teologjinë e kishës deri në shekullin IV.» (The Illustrated Bible Dictionary) Ndërsa një autoritet katolik thotë se Triniteti «nuk është . . . në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershme fjala e Perëndisë».​—New Catholic Encyclopedia.

Një tjetër enciklopedi katolike komenton: «Në Shkrime nuk ka as edhe një term të vetëm, sipas të cilit Tre Personat Hyjnorë të jenë paraqitur së bashku. Termi τρίας [triʹas] (që në latinisht përkthehet trinitas) për herë të parë gjendet tek Theofili i Antiokisë rreth vitit 180 të e.s. . . . Pak kohë më vonë shfaqet tek Tertuliani në formën latine trinitas.»​The Catholic Encyclopedia.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë që Tertuliani mësonte Trinitetin. Për shembull, në një vepër katolike thuhet se disa nga fjalët e Tertulianit u përdorën më vonë nga të tjerët për të përshkruar Trinitetin. Pastaj ajo paralajmëron: «Por përdorimi nuk duhet të na çojë në përfundime të nxituara, sepse ai vetë nuk i zbatonte këto fjalë në teologjinë trinitare.»​—Trinitas​—A Theological Encyclopedia of the Holy Trinity.

Dëshmitë e Shkrimeve Hebreje

PASI fjala «Trinitet» nuk gjendet në Bibël, të paktën a tregohet qartë në të koncepti i Trinitetit? Për shembull, çfarë zbulojnë Shkrimet Hebreje (Besëlidhja e Vjetër)?

Një enciklopedi për fetë pohon: «Sot, teologët janë të një mendjeje se Bibla hebreje nuk përmban ndonjë doktrinë të Trinitetit.» (The Encyclopedia of Religion) Ndërsa një enciklopedi katolike thotë: «Doktrina e Trinitetit të shenjtë nuk mësohet në B[esëlidhjen] e V[jetër].»​—New Catholic Encyclopedia.

Ngjashëm, jezuiti Edmund Fortman, në një libër të tij pohon: «Besëlidhja e Vjetër . . . nuk na thotë asgjë hapur, apo në një mënyrë që lë të nënkuptohet, se ekziston një perëndi trinitet, i përbërë nga Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë. . . . Nuk ka asnjë provë që ndonjë nga shkrimtarët e shenjtë të ketë menduar për ekzistencën e ndonjë [Triniteti] brenda Hyjnisë. . . . Po ashtu, të shohësh [në Besëlidhjen e Vjetër] sugjerime, parashikime apo «shenja të maskuara» të një triniteti personash, do të thotë të shkosh përtej fjalëve dhe qëllimit të shkrimtarëve të shenjtë.»​—The Triune God (kursivi është yni).

Një shqyrtim i vetë Shkrimeve Hebreje i vërteton këto komente. Kështu, në 39 librat e parë të Biblës, që përbëjnë kanunin e vërtetë të Shkrimeve të frymëzuara hebreje, nuk ka asnjë shenjë të qartë triniteti.

Dëshmitë e Shkrimeve Greke

MIRË, atëherë, a flasin në mënyrë të qartë për Trinitetin Shkrimet e Krishtere Greke (Besëlidhja e Re)?

Një enciklopedi fetare thotë: «Teologët janë dakort se as në Besëlidhjen e Re nuk përmbahet ndonjë doktrinë e qartë mbi Trinitetin.»​—The Encyclopedia of Religion.

Jezuiti Fortman pohon: «Shkrimtarët e Besëlidhjes së Re . . . nuk na japin asnjë doktrinë zyrtare apo të formuluar mbi Trinitetin, asnjë shenjë të qartë se në një Perëndi të vetëm ka tre persona hyjnorë njësoj të barabartë . . . Asgjëkundi nuk gjejmë ndonjë doktrinë trinitare mbi jetën dhe aktivitetin e tri qenieve të veçanta hyjnore brenda të njëjtit Hyjni.»

Një enciklopedi e njohur pohon: «As fjala Trinitet dhe as ndonjë doktrinë e qartë që lidhet me të nuk duken në Besëlidhjen e Re.»​—The New Encyclopædia Britannica.

Në një libër të tij Bernard Lohse thotë: «Përsa i përket Besëlidhjes së Re, në të nuk gjendet asnjë doktrinë aktuale e Trinitetit.»​—A Short History of Christian Doctrine.

Ngjashëm me këtë, një fjalor teologjik thotë: «B[esëlidhja] e R[e] nuk e përmban shtjellimin e doktrinës së Trinitetit. ‘Në Bibël mungon deklarata që shpreh në mënyrë të qartë se Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë janë në thelb e njëjta gjë’ [thotë teologu protestant Karl Barth].»​—The New International Dictionary of New Testament Theology.

Profesori i Universitetit Vale E. Washburn Hopkins pohon: «Me sa duket, për Jezuin dhe për Pavlin doktrina e Trinitetit ishte e panjohur; . . . ata nuk thanë asgjë për të.»​—Origin and Evolution of Religion.

Historiani Artur Veigal vëren: «Jezu Krishti nuk e përmendi kurrë një fenomen të tillë dhe fjala ‘Trinitet’ nuk duket asgjëkundi në Besëlidhjen e Re. Kjo ide u adoptua nga Kisha vetëm tre shekuj më vonë pas vdekjes së Zotit tonë.»​—The Paganism in Our Christianity.

Kështu, as 39 librat e Shkrimeve Hebreje, as kanuni i 27 librave të frymëzuar të Shkrimeve të Krishtere Greke, nuk përmbajnë një shpjegim të qartë të Trinitetit.

A mësohej nga të krishterët e parë?

A MËSONIN mbi Trinitetin të krishterët e parë? Le të shqyrtojmë komentet e mëposhtme të disa historianëve dhe teologëve mbi këtë çështje.

«Krishterimi fillestar nuk kishte një doktrinë të qartë mbi Trinitetin si ajo që u zhvillua më vonë në besimet.»​—The New International Dictionary of New Testament Theology.

«Megjithatë, në fillim të krishterët e parë nuk menduan ta aplikonin konceptin [e Trinitetit] në vetë besimin e tyre. Ata i kushtonin devocionin e tyre Perëndisë Atë dhe Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë dhe e pranonin Frymën e Shenjtë . . . , por askush nuk mendonte se këta të tre formonin një Trinitet të vetëm, tre persona të barabartë e të bashkuar në Një.»​—The Paganism in Our Christianity.

«Në fillim besimi i krishterë nuk ishte trinitar . . . Nuk ishte i tillë as në epokën apostolike e as në atë pasapostolike siç përmblidhet në B[esëlidhjen] e R[e] dhe në shkrimet e tjera të të krishterëve të parë.»​—Encyclopedia of Religion and Ethics.

«Para fundit të shekullit të IV, përcaktimi ‘një Perëndi në tre persona’, nuk ishte vendosur fortësisht dhe sigurisht as nuk ishte asimiluar krejtësisht në jetën dhe në besimin e krishterë . . . Mes etërve apostolikë nuk ka pasur asgjë që të mund t’i përngjasojë madje dhe së largu një mentaliteti apo pikëpamjeje të tillë.»​—New Catholic Encyclopedia.

Çfarë mësuan etërit paranicejanë

ETËRIT paranicejanë njihen si mësuesit kryesorë të fesë në shekujt e parë pas lindjes së Krishtit. Ajo që mësuan ata është interesante.

Justin Martiri, që vdiq rreth vitit 165 të e. s., e quan Jezu Krishtin paranjerëzor një engjëll të krijuar, «të ndryshëm nga ai Perëndi, i cili bëri të gjitha gjërat». Ai tha se Jezui ishte inferior ndaj Perëndisë dhe se «nuk bëri kurrë ndonjë gjë veç asaj që Krijuesi . . . dëshironte që ai të bënte e të thoshte».

Ireneu, i cili vdiq rreth vitit 200 të e. s., tha se Jezui paranjerëzor ekzistonte i ndarë nga Perëndia dhe ishte inferior ndaj tij. Ai shpjegoi se Jezui nuk ishte i njëjtë me «Perëndinë e vetëm e të vërtetë», i cili është «më i lartë se të gjithë dhe përveç të cilit nuk ka tjetër».

Klementi i Aleksandrisë, që vdiq rreth vitit 215 të e.s, e quan Perëndinë «të pakrijuar, të pavdekshëm dhe të vetmin Perëndi të vërtetë». Ai tha se Biri «vjen pas të vetmit Atë të Plotfuqishëm», por nuk është i njëjtë me të.

Tertuliani, i cili vdiq rreth vitit 230 të e.s., mësonte mbi supremitetin e Perëndisë. Ai tha: «Ati është i ndryshëm nga i Biri (një tjetër), pasi është më i madh se ai; pasi ai që e ka krijuar është i ndryshëm nga i krijuari; ai që dërgon është i ndryshëm nga i dërguari.» Gjithashtu ai tha: «Ishte një kohë kur i Biri nuk ishte . . . Përpara të gjitha gjërave, Perëndia ishte i vetëm.»

Hipoliti, që vdiq rreth vitit 235 të e.s., tha se Perëndia është «një Perëndi, i pari dhe i Vetmi, Bërësi dhe Zoti i gjithçkaje», me të cilin «asgjë nuk është e njëkohshme [e së njëjtës moshë] . . . Por ai ishte Një dhe i vetëm; i cili duke dashur solli në jetë gjithçka që më parë nuk ekzistonte», sikurse krijoi edhe Jezuin paranjerëzor.

Origeni, i cili vdiq rreth vitit 250 të e.s., tha se «Ati dhe Biri janë dy qenie . . . dy gjëra për sa i përket thelbit të tyre» dhe se «i krahasuar me Atin, [Biri] është një dritë mjaft e vogël».

Duke i përmbledhur dëshmitë historike, Alvan Lamson në një vepër të tij tha: «Doktrina e sotme kaq e përhapur e Trinitetit . . . nuk ka asnjë lidhje me gjuhën e Justinit [Martirit] dhe kjo vërejtje mund të ketë vlerë për të gjithë etërit paranicejanë, d.m.th., për të gjithë shkrimtarët e krishterë të tre shekujve të parë pas lindjes së Krishtit. Është e vërtetë që ata flasin për Atin, Birin dhe . . . Frymën e shenjtë, por jo si të njëjtë, jo si të së njëjtës përbërje numerike, jo si Tre në Një, në çfarëdolloj kuptimi që thonë sot trinitarët. Vërtet që është krejt ndryshe.»​—The Church of the First Three Centuries.

Kështu, dëshmitë e Biblës dhe ato të historisë tregojnë qartë se Triniteti ishte i panjohur gjatë periudhës biblike dhe i tillë mbeti edhe për disa shekuj më pas.

[Diçitura në faqen 7]

«Nuk ka asnjë provë që ndonjë shkrimtar i shenjtë, të paktën të ketë menduar në ekzistencën e një [Triniteti] në brendësi të Hyjnisë.»​—The Triune God