Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nëse Krijuesi interesohet, pse kaq shumë vuajtje?

Nëse Krijuesi interesohet, pse kaq shumë vuajtje?

Kapitulli Dhjetë

Nëse Krijuesi interesohet, pse kaq shumë vuajtje?

NDËRSA ora juaj numëron 60 sekonda, më shumë se 30 njerëz vdesin nga sëmundjet infektive, 11 e humbasin luftën kundër kancerit dhe 9 vriten nga sëmundjet e zemrës. Dhe ju e dini se ato janë vetëm disa prej sëmundjeve që mundojnë njerëzit, shumë vuajnë dhe vdesin nga shkaqe të tjera.

Në vitin 1996, në hollin e ndërtesës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork Siti, një orë me tiktakun e saj shënonte në mënyrë simbolike çdo lindje të një foshnje në një familje të varfër: 47 herë në minutë. Nga një këndvështrim tjetër, çdo herë që toka bën rrotullimin e saj ditor, 20 përqind e popullsisë së saj shkon në shtrat e uritur. E cilat do të ishin shifrat po të përpiqeshit të llogaritnit sasinë e krimeve në vendin ku jetoni?

Duhet të përballohemi me faktin se sot vuajtja ekziston me bollëk në botën përreth nesh.

«Megjithatë,—thotë një ish-polic,—shumicës prej nesh nuk i preket zemra nga padrejtësitë që gjenden kudo përreth.» Por, përshtypja se mbetemi të paprekur mund të zgjatë derisa nuk përfshihet jeta jonë ose jeta e një personi të dashur. Për shembull, vëreni veten në vendin e Masakos, e cila i ndenji te koka nënës dhe babait të saj, ndërsa vuanin që të dy nga kanceri. Ndërkohë që ata humbnin në peshë dhe rënkonin nga dhimbjet, Masako u ndie krejtësisht e pafuqishme. Ose mendoni për dëshpërimin e Sharadës, një vajzë aziatike, të cilën babai e shiti për 14 dollarë kur ishte vetëm nëntë vjeçe. Duke e çuar nga fshati i saj në një qytet të huaj, atë e detyruan t’u ofronte shërbime seksuale gjashtë burrave në ditë.

Pse ka me bollëk vuajtje të tilla dhe pse nuk i ndalon Krijuesi ato? Për shkak të këtyre vuajtjeve shumë veta i kthejnë kurrizin Krijuesit. Nëna e ish-policit që u përmend më sipër u bë viktimë e një psikopati. Ai shpjegon reagimin e tij: «Mendimi se ekziston një Perëndi i dashur e sovran, i cili kontrollon universin, tani është fare larg mendjes sime.» Edhe ju mund të pyetni: ‘Pse?’ Po, pse ekzistojnë vuajtje të tilla? Cili është shkaku dhe a interesohet Krijuesi për këtë?

A i shkakton vuajtjet një jetë e mëparshme?

Përreth globit miliona njerëz besojnë se shkaku i vuajtjeve është e kaluara e një personi; vuajtjet që ai kalon tani janë ndëshkim për atë që ka bërë në një jetë të kaluar. «Vuajtjet njerëzore ekzistojnë për shkak se ne jemi të lidhur në karma, sepse të gjithë ne, sapo lindim mbajmë një barrë të rëndë të karmës së kaluar.» * Kjo pikëpamje u ofrua nga Dajsets T. Suzuki, një filozof që popullarizoi sektin Zen në shoqërinë perëndimore. Njerëzit e ditur hinduistë shpikën «ligjin e karmës», ndërsa kërkonin verbërisht të shpjegonin vuajtjet njerëzore. Por a është i arsyeshëm ose me të vërtetë i kënaqshëm shpjegimi i tyre mbi vuajtjet?

Një grua budiste tha: «Mendoja se nuk kishte kuptim që të më duhej të vuaja për diçka me të cilën kisha lindur, por për të cilën nuk dija asgjë. Më duhej ta pranoja atë si fatin tim.» Asaj nuk iu duk i kënaqshëm ky shpjegim mbi vuajtjet. Ndoshta edhe juve mund t’ju duket kështu. Edhe pse ideja e rilindjes mund të mos jetë e përhapur aty ku jetoni ju, në bazë të saj gjendet një mësim që mund të ekzistojë ngado në të ashtuquajturin krishterim e kudo tjetër: mësimi se njerëzit kanë një shpirt të pavdekshëm që mbijeton pas vdekjes së trupit. Ky «shpirt» thuhet se është i përfshirë në vuajtjet, si ato të jetës së tanishme, ashtu edhe në një jetë të mëpasshme.

Ide të tilla janë gjerësisht të përhapura, por çfarë provash ekzistojnë për vlefshmërinë e tyre? Në çështje të rëndësishme si kjo, a nuk është më e mençur të udhëhiqemi nga ajo që thotë Krijuesi ynë? Ndërkohë që idetë dhe bindjet e forta njerëzore mund të jenë të gabuara, kemi parë se pohimet e Perëndisë janë të besueshme.

Siç e vumë re në kapitullin e kaluar, mëkati i prindërve tanë të parë njerëzorë solli në ekzistencë tragjedinë përfundimtare njerëzore: vdekjen. Krijuesi e paralajmëroi Adamin: «Ditën që [nuk do të bindesh apo do të mëkatosh] ke për të vdekur me siguri.» (Zanafilla 2:17; 3:19) Perëndia nuk tha asgjë mbi një shpirt të pavdekshëm që do të kishte Adami: ky ishte një njeri. Në terma biblikë kjo do të thotë se ai ishte një shpirt. Prandaj, kur ai vdiq, shpirti i quajtur Adam vdiq. Pas kësaj ai nuk ishte më i vetëdijshëm ose i ndjeshëm ndaj vuajtjeve.

Krijuesi ynë nuk përkrah ose nuk është dakord me mësimet e karmës, ciklet e rilindjes apo një shpirt të pavdekshëm që mund të vuajë në një ekzistencë të mëvonshme. Megjithatë, po të kuptojmë se cilat janë pasojat e mëkatit të Adamit, mund të kuptojmë më mirë pse ekzistojnë vuajtjet sot.

Nga erdhën vuajtjet?

Megjithëse është e vështirë të kuptojmë gjithë sferën e veprimtarisë së vuajtjeve njerëzore, përdorimi i mjeteve të duhura mund të ndihmojë. Ashtu si përdorimi i dylbive na ndihmon ta shohim më qartë një objekt të largët, përdorimi i Biblës na mundëson të kuptojmë shkakun e vuajtjeve.

Në radhë të parë, Bibla na paralajmëron për faktin se ‘koha dhe rastësia’ bien mbi të gjithë njerëzit. (Predikuesi 9:11) Për shembull, Jezui iu referua një ngjarjeje të re të ditëve të tij: 18 njerëz ishin vrarë nga rënia e një kulle mbi ta. Ai e bëri të qartë se këto viktima nuk ishin mëkatarë më të këqinj se të tjerët. (Luka 13:1-5) Ata vuajtën, sepse u gjendën në vendin e gabuar në momentin e gabuar. Por Bibla shkon përtej kësaj, ajo siguron informacione të kënaqshme mbi shkaqet fillestare të vuajtjeve. Çfarë informacionesh?

Pasi njerëzit e parë mëkatuan, Gjykatësi hyjnor, Jehovai, dha vendimin se ata humbën çdo të drejtë për të vazhduar jetën. Gjatë viteve që kaluan derisa faktikisht vdiqën, Adami dhe Eva u ndeshën me vuajtje të konsiderueshme. Ishin vuajtje që ata vetë i kishin sjellë mbi veten e tyre: pasojat e plakjes dhe të sëmundjeve; lufta për të siguruar jetesën dhe pikëllimi kur panë familjen e tyre të copëtuar nga xhelozia dhe nga dhuna. (Zanafilla 3:16-19; 4:1-12) Është e rëndësishme të fiksojmë në mendje se mbi kë ra, në radhë të parë, faji për të gjitha ato vuajtje. Vetë ata ia sollën vetes së tyre vuajtjet. Sidoqoftë, si mund ta kuptojmë ne pse vuajtjet vazhdojnë deri në ditët tona?

Megjithëse shumë njerëz do të kundërshtonin të konsideroheshin mëkatarë, Bibla i vë faktet në dritën e duhur, duke thënë: «Me anë të një njeriu mëkati hyri në botë e, me anë të mëkatit, vdekja dhe kështu vdekja kaloi në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë njerëzit mëkatuan.» (Romakëve 5:12, DSF) Çifti i parë njerëzor korri pasojat e rrugës së vet të dëmshme, por edhe pasardhësit e tyre u ndikuan nga kjo. (Galatasve 6:7) Pasardhja e tyre trashëgoi papërsosmërinë, që çon në vdekje. Disave kjo u duket më e kuptueshme kur shqyrtojnë faktin shkencor se edhe tani fëmijët mund të trashëgojnë sëmundje ose defekte nga prindërit e tyre. Kjo mund të ndodhë me sëmundje të tilla, si: hemofilia, anemia Kuli (anemi e viseve të Mesdheut), sëmundjet e arteries koronare, një lloj i diabetit e madje edhe kanceri i gjirit. Fëmijët nuk janë fajtorë personalisht, e megjithatë mund të vuajnë si rezultat i asaj që kanë trashëguar.

Të parët tanë gjenetikë, Adami dhe Eva, zgjodhën që ta refuzonin mënyrën e sundimit të Jehovait mbi njerëzimin. * Nga historia ju e dini se njerëzit i kanë provuar të gjitha llojet e qeverive, në përpjekje për të sunduar tokën. Disa burra dhe gra të përfshirë në këto përpjekje kanë pasur qëllime të mira. Megjithatë, si i vlerësoni rezultatet e sundimit nga vetë njeriu? A janë lehtësuar shumica e vuajtjeve njerëzore? Vështirë se po. Në të kundërt, shumë politika dhe luftëra kombëtare i kanë shumëfishuar vuajtjet. Rreth 3.000 vjet më parë, një sundimtar i mençur vërejti: «Një njeri sundon mbi një tjetër për ta dëmtuar.»​—Predikuesi 8:9.

A ju duket se situata është shumë më ndryshe tani, ndoshta më mirë? Shumica do të përgjigjej jo. Shumë burra, gra dhe fëmijë vuajnë jo vetëm për shkak të mëkatit dhe të papërsosmërisë së trashëguar, por edhe për shkak të asaj që ata vetë ose të tjerët kanë bërë. Mendoni për keqpërdorimin që i ka bërë njeriu tokës, i cili shpesh i detyrohet lakmisë. Njerëzit janë, gjithashtu, fajtorë për shkaktimin e ndotjes, për krijimin e varfërisë dhe për kontribuimin në urinë ose në epidemitë e sëmundjeve. Madje edhe disa shkatërrime natyrore, të cilat shumë veta i quajnë ‘vepra të Perëndisë’, janë vepra të dorës së njeriut. Ekziston edhe një shkak tjetër kryesor i vuajtjeve që zakonisht kalohet përciptazi.

Personi që qëndron pas vuajtjeve

Një libër i Biblës zbulon në mënyrë të veçantë se çfarë është shkaku kryesor i vuajtjeve dhe pse Krijuesi i kujdesshëm e ka lejuar atë. Ky libër, Jobi, mund të qartësojë çdo pamje të mjegullt mbi çështjen e vuajtjeve. E bën këtë, duke ofruar mendjehollësi mbi sferën e padukshme, ku ndodhën disa ngjarje kyçe.

Pothuajse 3.500 vjet më parë, pak kohë para se Moisiu të shkruante pesë librat e parë të Biblës, në vendin që tani është Arabia, jetonte një njeri i quajtur Job. Ngjarja e dokumentuar tregon se Jobi ishte i drejtë, mirëbërës dhe shumë i respektuar. Ai kishte pasuri të madhe në bagëti, e madje quhej «më i madhi ndër të gjithë njerëzit e Lindjes». Në nivel personal, Jobi kishte një familje të lumtur: një grua, shtatë djem dhe tri vajza. (Jobi 1:1-3; 29:7-9, 12-16) Një ditë, një lajmëtar erdhi me vrap për t’i raportuar se disa nga kopetë me vlerë të Jobit ishin grabitur nga një bandë sulmuese. Shpejt mbërriti një tjetër që raportoi humbjen e deleve të Jobit. Pastaj kaldeasit morën me vete 3.000 deve dhe vranë të gjithë shërbëtorët përveç njërit prej tyre. Përfundimisht erdhi lajmi më i keq. Një erë e pazakontë kishte rrënuar shtëpinë e birit të tij të parëlindur dhe kishte vrarë të gjithë fëmijët e Jobit, të cilët ishin mbledhur atje. Duke u ballafaquar me këto vuajtje, a do ta fajësonte Jobi Perëndinë? Si do të ishit ndier ju në vend të tij?​—Jobi 1:13-19.

Por akoma më shumë gjëma do të vinin. Jobi u mundua nga një sëmundje e tmerrshme që e mbuloi atë me çibanë malinj. * Ai u sëmur kaq rëndë dhe u bë kaq i neveritshëm, saqë gruaja e tij fajësoi Perëndinë. «Mallko Perëndinë dhe vdis!»—i tha ajo. Jobi nuk e dinte pse po vuante, e megjithatë nuk akuzoi Perëndinë sikur ta kishte shkaktuar ai. Lexojmë: «Në të gjitha këto, Jobi nuk mëkatoi me buzët e tij.»​—Jobi 2:6-10.

Kur dëgjuan mundimet e Jobit, tre miq të tij erdhën tek ai. «A janë shkatërruar vallë njerëzit e ndershëm?»—pyeti Elifazi, i cili pohoi se Jobi duhej të kishte vepruar me ligësi. (Jobi, kapitujt 4 dhe 5) Ai e akuzoi Jobin për mëkate të fshehura, madje se i kishte refuzuar bukën të uriturve dhe kishte shtypur gratë e veja dhe jetimët. (Jobi, kapitujt 15, 22) Edhe dy ngushëlluesit e tjerë hipokritë e qortuan Jobin sikur të ishte përgjegjës për vuajtjet e tij. A kishin të drejtë? Aspak.

Libri i Jobit na ndihmon të identifikojmë shkakun rrënjësor të vuajtjeve të Jobit dhe të kuptojmë pse i lejoi Perëndia ato. Kapitujt 1 dhe 2 zbulojnë çfarë kishte ndodhur së fundi në qiejt e padukshëm, në sferën frymore. Fryma rebele e quajtur Satana * u mblodh bashkë me frymërat e tjera në prani të Perëndisë. Kur u përmend rruga e pafajshme e Jobit, Satanai sfidoi: «Vallë më kot Jobi ka frikë nga Perëndia? . . . Por shtri dorën tënde dhe preki të gjitha ato që ai zotëron dhe ke për të parë po nuk të mallkoi ai haptazi.»​—Jobi 1:9-12.

Me fjalë të tjera, Satanai e akuzoi Perëndinë se po i jepte ryshfet Jobit. Kjo krijesë frymore rebele pohoi se, nëse Jobi do të privohej nga pasuria dhe nga shëndeti i tij, ai do ta mallkonte Jehovain. Në kuptim të zgjeruar, Satanai po pohonte se asnjë njeri nuk do ta donte e nuk do t’i mbetej besnik Perëndisë përballë vuajtjeve. Ajo sfidë pati një ndikim global dhe të gjatë. Çështjet që ngriti Satanai duheshin zgjidhur. Prandaj, Perëndia i dha Satanait liri për të vepruar kundër Jobit dhe Satanai solli mbi të format e ndryshme të vuajtjeve që pamë më lart.

Kuptohet se Jobi nuk e dinte dhe nuk mund të dinte mbi çështjen universale që ishte ngritur në qiej. Dhe Satanai i rregulloi gjërat në një mënyrë të tillë që të dukej se Perëndia po ia shkaktonte Jobit të gjitha ato gjëma. Për shembull, kur vetëtima dogji kopetë me dele të Jobit, shërbëtori që kishte mbijetuar nxori përfundimin se ishte «zjarri i Perëndisë». Edhe pse Jobi nuk e dinte pse po ndodhnin këto gjëra, ai nuk e mallkoi ose ta hidhte poshtë Perëndinë Jehova.​—Jobi 1:16, 19, 21.

Po të analizoni rrethanat që qëndrojnë pas përvojës së Jobit, do të dalloni se çështja është: A do t’i shërbejnë njerëzit Jehovait nga dashuria, megjithë trazirat? Jobi dha ndihmën e tij për t’iu përgjigjur kësaj çështjeje. Vetëm dashuria e vërtetë për Perëndinë mund ta ketë nxitur një person për t’i mbetur besimplotë Jehovait, që është pikërisht ajo që bëri Jobi. Sa dëshmi e fuqishme kundër akuzave të rreme të Satanait! Megjithatë, ky rast as filloi e as mbaroi me Jobin në ditët e tij; ai shtrihet për shekuj me radhë. Edhe ne jemi të përfshirë në të.

Si reagojnë shumë veta kur shohin ose përballojnë vuajtje, cilido qoftë shkaku i tyre? Ata mund të mos jenë në dijeni të çështjeve të ngritura në ditët e Jobit ose mund të mos besojnë madje edhe në ekzistencën e vetë Satanait. Kështu, ata shpesh dyshojnë se ekziston një Krijues ose e fajësojnë atë për vuajtjet. Si ndiheni ju në lidhje me këtë? Nga ajo që dini rreth Krijuesit, a nuk do të ishit dakord me shkrimtarin e Biblës, Jakobin? Megjithë vuajtjet që kaloi, ai pati këtë bindje: «Kur ndodhet nën sprovë, le të mos thotë askush: ‘Po provohem nga Perëndia.’ Sepse me gjëra të liga Perëndia nuk mund të provohet dhe as ai vetë nuk provon njeri.»​—Jakobit 1:13, BR.

Për të kapur pikëpamjen e mençur kemi një ndihmë të vlefshme. Kjo ndihmë është shqyrtimi i rastit të Jezuit. Ne e dimë se Jezui vlerësohet për mendjehollësi, për njohuri dhe për aftësi si mësues. Në cilën anë qëndroi ai për sa i përket Satanait dhe vuajtjeve? Jezui ishte i sigurt se Satana Djalli ekziston dhe mund të shkaktojë vuajtje. Satanai, i cili u përpoq të thyente integritetin e Jobit, u përpoq haptazi të bënte të njëjtën gjë me Jezuin. Përveç se provon që Satanai është real, kjo gjë tregon se sfida e ngritur në ditët e Jobit po vazhdonte. Siç bëri Jobi, edhe Jezui i mbeti besimplotë Krijuesit edhe kur iu ofruan pasuri dhe pushtet, e megjithëse kjo gjë i shkaktoi vuajtje fizike dhe vdekjen mbi një shtyllë mundimesh. Rasti i Jezuit tregon se Perëndia po i lejonte akoma njerëzit që të tregonin se do t’i mbeteshin besnikë atij megjithë problemet.​—Luka 4:1-13; 8:27-34; 11:14-22; Gjoni 19:1-30.

Koha kalon: Për arsye të vlefshme

Për të kuptuar vuajtjet duhet të pranojmë se aksidentet, tendencat mëkatare njerëzore, keqpërdorimi i tokës dhe Satana Djalli janë shkaqe vuajtjesh. Megjithatë, njohja se çfarë qëndron pas vuajtjeve nuk mjafton. Kur dikush është i munduar, do të ishte e lehtë të ndihej si profeti i lashtë Habakuk, kur tha: «Deri kur do të thërras ndihmë, o Zot, e ti nuk do të dëgjosh? ‘Dhunë’—do të klith kah ti, e ti nuk do të shpëtosh? Pse ma qet para ta shikoj prapësinë e ti vetëm e kundron mbrapshtinë? Para meje është shkretim e dhunë, bëhet rragatje e peshë çohet grindja!» (Habakuku 1:2, 3, DSF) Po, përse Jehovai ‘vetëm e kundron mbrapshtinë’ pa dhënë ndonjë shenjë se po vepron? Duke qenë i Plotfuqishmi, ai ka fuqinë dhe dashurinë për drejtësinë, cilësi që duhen për t’u dhënë fund vuajtjeve. Prandaj, kur do ta bëjë këtë?

Siç u përmend më parë, kur çifti i parë njerëzor zgjodhi pavarësinë e plotë, Krijuesi ishte i sigurt se disa nga pasardhësit e tyre do të vepronin ndryshe. Me mençuri Jehovai lejoi që të kalonte njëfarë kohe. Përse? Me qëllim që të provonte se sundimi i ndarë veç nga Krijuesi çon vetëm në palumturi dhe, në të kundërt, jetesa në harmoni me Krijuesin është e drejtë dhe sjell lumturi.

Në të njëjtën kohë, Perëndia e ka mbajtur tokën si një ambient të këndshëm në mënyrë të arsyeshme. Apostulli Pavël arsyetoi: «Në brezat që shkuan ai la që të gjitha kombet të ndjekin rrugët e tyre, por nuk e la veten e vet pa dëshmi, duke na dhënë shira prej qiellit dhe stinë të frytshme dhe duke i mbushur zemrat tona me ushqim e gëzim.» (Veprat 14:16, 17) Qartë, Krijuesi nuk sjell vuajtje, por ai i ka lejuar me qëllim që të zgjidheshin çështje të një rëndësie tepër të madhe.

Kur do të vijë lehtësimi?

Në të vërtetë fakti që vuajtjet njerëzore janë duke u rritur tregon se koha për t’i dhënë fund atyre është afër. Pse mund ta themi një gjë të tillë? Bibla zbulon atë që ndodhi në sferën e padukshme në ditët e Jobit dhe bën po këtë gjë në lidhje me ditët tona. Libri i saj i fundit, Zbulesa, përqendrohet mbi një konflikt që ndodhi në qiej. Rezultati? Satanai «u hodh poshtë mbi tokë» bashkë me hordhitë e demonëve të tij. «Prandaj,—vazhdon ky libër i Biblës,—gëzohuni o qiej dhe ju që rrini në ta. Mjerë ju banorë të tokës e të detit, sepse zbriti djalli drejt jush duke pasur zemërim të madh, duke ditur se ka pak kohë.»​—Zbulesa 12:7-12.

Nga një shqyrtim i hollësishëm i profecive të Biblës duket qartë se ky shekull është koha kur ndodhi kjo ngjarje. Siç mund ta dini edhe ju, historianë të respektuar pranojnë se në vitin 1914, kur filloi Lufta I Botërore, ka pasur një pikë kthese kryesore në histori. Që nga ajo kohë, vuajtjet dhe mjerimet janë shtuar. Jezui tregoi për këtë periudhë kohore kur dishepujt e tij të afërt e pyetën mbi «shenjën e pranisë [së tij] dhe të përfundimit të sistemit të gjërave». Jezui tha: «Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërisë; do të ngjajnë tërmete të mëdha, zi buke dhe murtaja në vende të ndryshme; do të ndodhin edhe dukuri të llahtarshme dhe shenja të mëdha nga qielli.» (Mateu 24:3-14, BR; Luka 21:5-19) Këto fjalë që tregojnë për vuajtje të mëdha janë duke u përmbushur në shkallë të plotë për herë të parë në histori. *

Bibla i përshkruan këto ngjarje si një prelud për një «mundim [mjerim, BR] aq të madh, sa nuk ka ndodhur kurrë që nga krijimi i botës e deri më sot dhe as nuk do të ketë më kurrë». (Mateu 24:21) Kjo do të jetë ndërhyrja vendimtare e Perëndisë në çështjet njerëzore. Ai do të veprojë për t’i dhënë fund sistemit të lig të gjërave, i cili ka shkaktuar vuajtje për shekuj me radhë. Por kjo nuk do të nënkuptojë ‘fundin e botës’ me anë të një holokausti bërthamor që do të shkatërrojë njerëzimin. Fjala e Perëndisë na siguron se do të ketë të mbijetuar. «Një shumicë e madhe . . . nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët» do të mbeten gjallë nga ai mjerim.​—Zbulesa 7:9-15, BR.

Për të pasur një pamje të plotë, shqyrtoni atë që Bibla thotë se do të pasojë. Shtëpia ngjashëm kopshtit, fillimisht e synuar për njerëzimin si banesa e tyre, do të rivendoset. (Luka 23:43) Nuk do të shihni më njerëz të pastrehë. Isaia shkroi: « ‘Do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta dhe do të hanë frytin. . . . Sepse ditët e popullit tim do të jenë si ditët e drurëve dhe të zgjedhurit e mi do të gëzojnë për një kohë të gjatë veprën e duarve të tyre. Nuk do të lodhen më kot dhe nuk do të lindin fëmijë për të përballuar një shkatërrim të papritur, sepse do të jenë pasardhësit e të bekuarve të Zotit dhe trashëgimtarët e tyre bashkë me ta. . . . Ujku dhe qengji do të kullotin bashkë, luani do të hajë kashtën porsi kau . . . Nuk do të bëjnë më asnjë dëm apo shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë’,—thotë Zoti.» (Isaia 65:21-25)

Ç’të themi për vuajtjet në nivel personal? Nuk do të ketë më luftë, dhunë ose krime. (Psalmet 46:8, 9; Fjalët e urta 2:22; Isaia 2:4) Bërësi dhe Jetëdhënësi i njeriut do t’i ndihmojë njerëzit e bindur të fitojnë dhe të gëzojnë shëndet të plotë. (Isaia 25:8; 33:24) Nuk do të ketë më uri, meqenëse toka do të restaurohet deri në një ekuilibër ekologjik dhe do të prodhojë me bollëk. (Psalmet 72:16) Vërtet, burimet e vuajtjeve që shohim tani do të jenë gjëra të së kaluarës.​—Isaia 14:7.

Ky padyshim kualifikohet si më i miri i lajmeve. Megjithatë, disa mund të mendojnë se mund të ekzistojnë akoma dy re të zeza, nëse mund ta themi kështu. Pasja e këtyre bekimeve për një person do të ishte e kufizuar, nëse do të priste që pas vetëm 70 ose 80 vjetësh do t’i duhej të vdiste. Dhe a mund të mos ndihet ai i trishtuar për ata persona të dashur që kanë vdekur para se Krijuesi t’u jepte fund vuajtjeve? Cila është përgjigjja?

Zhbërja e vuajtjeve më të këqija

Krijuesi e ka në dorë zgjidhjen. Ai është Bërësi i universit dhe i jetës njerëzore këtu mbi tokë. Ai mund të bëjë atë që është përtej kapacitetit njerëzor ose përtej asaj që njerëzit vetëm sa po fillojnë ta kuptojnë se është e mundur. Shqyrtoni vetëm dy shembuj të kësaj gjëje.

Ne e kemi potencialin për të jetuar pafundësisht.

Bibla në mënyrë të qartë ofron mundësinë për të marrë jetën e përhershme nga Perëndia. (Gjoni 3:16; 17:3) Pasi studioi gjenet në qelizat njerëzore, dr. Majkëll Fasël raportoi se cilësia e qelizave riprodhuese mashkullore nuk keqësohet me kalimin e moshës. «Gjenet që tashmë i zotërojmë, nëse ndikojnë siç duhet mund t’i mbajnë qelizat tona pa u plakur.» Kjo është në harmoni me atë që pamë në kapitullin 4, pra me faktin që truri ynë ka një kapacitet, i cili përdoret shumë pak gjatë periudhës së tanishme të jetës. Ai duket i projektuar për të funksionuar pafundësisht. Sigurisht, këto janë pika anësore, shtesë e asaj që Bibla thotë në mënyrë të drejtpërdrejtë: Jehovai do të mundësojë që ne të jetojmë përgjithmonë pa vuajtje. Vëreni atë që premton ai në librin e fundit të Biblës: «Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.»​—Zbulesa 21:4.

Krijuesi është i aftë të ndihmojë dikë që ka vuajtur e ka vdekur, duke e sjellë përsëri në jetë, duke e ringjallur atë.

Llazari ishte njëri prej atyre që u ringjallën. (Gjoni 11:17-45; shiko faqet 158-160.) Profesori Donald Mekei përdori ilustrimin e një ‘dokumenti’ kompjuteri. Ai shkroi se shkatërrimi i një kompjuteri nuk nënkupton medoemos fundin e përhershëm të një ekuacioni matematikor ose të programit që ishte në të. I njëjti ekuacion ose program mund të vendoset në një kompjuter të ri dhe të përdoret atje, «nëse matematicieni dëshiron kështu». Profesori Mekei vazhdoi: «Në mënyrë të ngjashme, shkenca e mekanizmit të trurit s’do të ngrinte shumë kundërshtime ndaj shpresës së jetës së përjetshme të shprehur në [Bibël], me emfazën karakteristike që vihet në ‘ringjalljen’. » Nëse një njeri vdes, Krijuesi mund ta sjellë përsëri në jetë më vonë, ashtu siç bëri me Jezuin dhe ashtu siç bëri Jezui me Llazarin. Mekei nxori përfundimin se vdekja e një personi nuk do të vendoste asnjë pengesë për sjelljen e tij përsëri në jetë në një trup të ri, «nëse Krijuesi ynë e dëshiron».

Po, zgjidhja përfundimtare qëndron te Krijuesi ynë. Vetëm ai mund t’i heqë plotësisht vuajtjet, të kthejë në të kundërt pasojat e mëkatit dhe të zhbëjë vdekjen. Jezu Krishti u foli dishepujve të tij mbi një zhvillim të jashtëzakonshëm që shtrihet ende para nesh. Ai tha: «Po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre [përkujtimore, BR] do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin prej tyre.»​—Gjoni 5:28, 29.

Vetëm mendoni për këtë! Sundimtari Sovran i universit është i gatshëm dhe i aftë të kthejë në jetë ata që janë në kujtesën e tij. Këtyre do t’u jepet mundësia për t’u treguar të denjë që të marrin «jetën e vërtetë».​—1. Timoteut 6:19, DSF; Veprat 24:15.

Por, a na kërkohet të bëjmë ndonjë gjë tani, ndërsa presim lehtësimin e plotë prej vuajtjeve njerëzore? Dhe nëse po, a mund ta bëjë kjo gjë jetën tonë edhe më domethënëse sot? Le ta shohim.

[Shënimet]

^ par. 9 Thuhet se karma është «ndikimi i veprimeve të kaluara të një individi në jetët e tij të ardhshme apo në rimishërimet.»

^ par. 19 Zanafilla 2:17 paraqet urdhërin e Perëndisë dhënë Adamit, për të mos ngrënë nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes. Në një shënim mbi këtë, The New Jerusalem Bible (1985) komenton mbi atë që përfaqëson njohuria: «Është e drejta për të vendosur vetë atë që është e mirë dhe e keqe, domethënë, një pretendim për pavarësi të plotë morale, me anë të së cilës njeriu refuzon të njohë gjendjen e tij si një qenie e krijuar, shiko Is[ainë] 5:20. Mëkati i parë ishte një sulm ndaj sovranitetit të Perëndisë.»

^ par. 24 Fragmente të tjera plotësojnë përshkrimin e vuajtjeve të Jobit. Mishi i tij u mbulua me krimba, iu plasarit lëkura dhe fryma e tij ishte e neveritshme. Jobin e brenin dhembjet pa pushim dhe lëkura e tij e nxirë i binte copa-copa.​—Jobi 7:5; 19:17; 30:17, 30.

^ par. 26 Në kapitullin tonë të mëparshëm «Çfarë mund të mësoni rreth Krijuesit nga një libër?» kemi shqyrtuar rolin e Satana Djallit në mëkatin e Adamit dhe të Evës.

^ par. 38 Për një trajtim të kësaj profecie, shikoni kapitullin 9 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia në faqen 168]

Nuk ekziston një shpirt i pavdekshëm

Bibla mëson se çdo person është një shpirt njerëzor: kur një person vdes, shpirti vdes. Ezekieli 18:4 thotë: «Shpirti që mëkaton ka për të vdekur.» Të vdekurit nuk janë më të vetëdijshëm ose të gjallë në ndonjë vend. Salomoni shkroi: «Të vdekurit nuk dinë asgjë.» (Predikuesi 9:5, 10) As hebrenjtë, as të krishterët e hershëm fillimisht nuk mësuan se shpirti është i pavdekshëm.

«Shpirti në B[esëlidhjen] e V[jetër] nuk nënkupton një pjesë të trupit të njeriut, por njeriun në tërësi, njeriun si qenie e gjallë. Në mënyrë të ngjashme, në B[esëlidhjen] e R[e] ai nënkupton jetën njerëzore . . . Bibla nuk flet për mbijetesën e një shpirti jomaterial.»​—New Catholic Encyclopedia.

«Ideja e pavdekësisë së shpirtit dhe besimi në ringjalljen e të vdekurve . . . janë dy koncepte në nivele krejt të ndryshme.»​—Dopo la morte: immortalità o resurrezione?, nga teologu Filip H. Manud.

«Meqenëse njeriu në tërësi është një mëkatar, atëherë në vdekje ai vdes plotësisht me gjithë trupin dhe shpirtin (vdekje e plotë) . . . Mes vdekjes dhe ringjalljes ka një hendek.»​—Katekizmi luteran Evangelischer Erwachsenenkatechismus.

[Kutia në faqen 175]

A ka qenë një periudhë kaq e gjatë?

Periudha nga ditët e Jobit në ditët e Jezuit mund të duket si një kohë e gjatë për vazhdimin e vuajtjeve, 1.600 vjet. Për një njeri, 100 vjet do të dukeshin një kohë e gjatë për të pritur fundin e vuajtjeve. Por ne duhet të pranojmë se çështjet kryesore që Satanai ngriti e paraqitnin në mënyrë negative Krijuesin. Sipas pikëpamjes së Perëndisë, lejimi i vuajtjeve dhe i ligësisë që pasoi ka qenë i shkurtër. Ai është «Mbreti i përjetësisë», për të cilin ‘mijëra vjet janë si dita e djeshme që kaloi’. (1. Timoteut 1:17, BR; Psalmet 90:4, DSF) Dhe vetë njerëzve që do t’u jepet jeta e përjetshme, kjo periudhë historie në të cilën ekzistuan vuajtjet, do t’u duket e shkurtër.

[Kutia në faqen 178]

Një kthesë në histori

«Duke parë prapa nga kjo pikë strategjike e së tashmes ne shohim me qartësi sot se shpërthimi i Luftës I Botërore çoi në një shekull të 20-të, të quajtur ‘Koha e Trazirave’, për ta shprehur me fjalët e historianit britanik Arnold Toinbi, nga e cila civilizimi ynë nuk ka dalë akoma.»​—The Fall of the Dynasties, Edmond Tejlor.

«Në të vërtetë është viti 1914 e jo periudha e Hiroshimës, ajo që shënon kthesën në kohën tonë, sepse tani ne mund të shohim që . . . ishte Lufta I Botërore që çoi në epokën e tranzicionit të ngatërruar, në mes të të cilit po çajmë me vështirësi.»​—Dr. Rëne Albrekt Keri, kolegji i Bernardit.

«Më 1914 bota humbi një koherencë, të cilën nuk ka arritur ta rifitojë më që atëherë. . . . Kjo ka qenë një kohë çrregullimi e dhune të jashtëzakonshme, qoftë përgjatë kufijve kombëtarë, qoftë brenda tyre.»​—The Economist.

[Kutia në faqen 181]

A është e mundur ringjallja e një personi?

Neurologu Riçard M. Restak komentoi mbi trurin njerëzor dhe neuronet e tij. «Gjithçka që jemi dhe gjithçka që kemi bërë mund të lexohet nga një vëzhgues i aftë për të deshifruar lidhjet dhe qarqet që janë vendosur brenda 50 miliardë qelizave tona nervore.» Nëse kjo gjë mund të bëhet, a nuk do të ishte në gjendje Krijuesi ynë, me informacionin që ai disponon, ta rindërtonte një person?

[Kutia në faqen 182]

Lidhjet tuaja neuronike janë të numëruara

Jezui tha: «Madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës suaj janë të numëruara.» (Mateu 10:29-31) Ç’të themi për lëndën e përhimtë që ndodhet brenda kokës suaj? Qelizat e trurit (të quajtura neurone) janë kaq të vogla, saqë mund të shihen vetëm me një mikroskop të fuqishëm. Imagjinoni të përpiqemi për të numëruar, jo vetëm neuronet, por edhe lidhjet e vogla interneuronike (sinapset), të cilat në disa neurone mund të arrijnë deri në 250.000.

Dr. Piter Hutenloker, duke përdorur mikroskopin e fuqishëm elektronik, filloi i pari numërimin e lidhjeve neuronike duke përdorur autopsitë, ato të fetuseve, të foshnjave të vdekura dhe të njerëzve të moshuar. Çuditërisht, të gjithë kampionët, secili prej tyre në përmasat e majës së lapsit, kishte përafërsisht të njëjtin numër neuronesh, afro 70.000.

Atëherë, dr. Hutenloker filloi të numëronte numrin e lidhjeve neuronike ose të qelizave trunore po në këto kampionë mikroskopikë. Neuronet e fetusit kishin 124 milionë lidhje; ato të një të sapolinduri kishin 253 milionë; një tetëmuajsh kishte 572 milionë. Dr. Hutenloker zbuloi se pas kësaj periudhe, ndërsa një fëmijë rritej numri gradualisht ulej.

Këto zbulime janë me interes, duke pasur parasysh atë që thotë Bibla mbi ringjalljen. (Gjoni 5:28, 29) Një i rritur për të gjithë trurin ka rreth një milion miliardë lidhje neuronike, domethënë 1 me 15 zero. A ka aftësinë Krijuesi jo vetëm për t’i numëruar këto lidhje, por edhe për t’i rindërtuar ato?

Një enciklopedi (The World Book Encyclopedia) jep numrin e yjeve në univers, 200 miliardë miliardë ose 2 me 20 zero. Krijuesi i njeh të gjithë këta yje me emër. (Isaia 40:26) Prandaj, fare mirë themi se është brenda mundësive të tij që të rikujtojë dhe të rindërtojë lidhjet neuronike, të cilat përbëjnë kujtimet dhe ndjenjat e njerëzve që ai zgjedh për t’i ringjallur.

[Figura në faqen 166]

Shumë persona besojnë në ciklin e karmës, nga lindja në vdekje

[Figura në faqen 171]

Aleksej, biri i carit Nikolaj II dhe i Aleksandrës, trashëgoi hemofilinë. Ne kemi trashëguar papërsosmërinë nga paraardhësi ynë, Adami

[Figurat në faqen 179]

Edhe pse ka lejuar vuajtjet, Krijuesi ka siguruar shumë gjëra të këndshme për njerëzit