Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si erdhi universi ynë këtu?: Debati

Si erdhi universi ynë këtu?: Debati

Kapitulli Dy

Si erdhi universi ynë këtu?: Debati

ASTRONAUTËT rrëqethen kur fotografojnë tokën ndërsa shfaqet mahnitëse përmes dritares së një anijeje kozmike. «Kjo është pjesa më e mirë e fluturimit në hapësirë»,—tha një astronaut. Por toka jonë duket shumë e vogël kur krahasohet me sistemin diellor. Dielli është aq i madh sa mund të mbajë një milion toka brenda dhe të ketë akoma vend bosh! Megjithatë, a mund të kenë ndonjë peshë mbi jetën tuaj dhe mbi domethënien e saj këto fakte mbi universin?

Le të bëjmë një udhëtim të shkurtër me mendje në hapësirë, për të parë tokën dhe diellin tonë në perspektivë. Dielli ynë është vetëm një nga numri marramendës i yjeve që gjenden në një krah të spirales së galaktikës sonë Udha e Qumështit, * e cila vetë është thjesht një pjesë shumë e vogël e universit. Me sy të lirë është e mundur të shihen disa njolla drite që faktikisht janë galaktika të tjera, si, për shembull, galaktika e bukur dhe më e madhe Andromeda. Udha e Qumështit, Andromeda e gati 20 galaktika të tjera janë të lidhura së bashku me anë të gravitetit në një grumbull, duke formuar kështu vetëm një lagje të vogël në një super-grumbull të madh. Universi përmban super-grumbuj të panumërt dhe pamja nuk mbaron këtu.

Grumbujt nuk janë të shpërndarë në mënyrë uniforme në hapësirë. Në shkallë të zmadhuar ato duken si shtresa dhe tela të hollë përreth hapësirave të gjera ngjashëm flluskave. Disa struktura galaktike janë kaq të gjata e të gjera saqë përngjasojnë me mure të mëdha. Kjo mund t’i habitë shumë persona, të cilët mendojnë se universi ynë u krijua vetë në një shpërthim të rastësishëm kozmik. «Sa më qartë të mund ta shohim universin me të gjitha hollësitë e tij të lavdishme,—përfundon një shkrimtar i madh për revistën Scientific American,—aq më e vështirë do të jetë që të shpjegojmë me një teori të thjeshtë se si u bë në atë mënyrë.»

Dëshmi që tregojnë qartë një fillim

Të gjitha yjet individuale që arrini të shihni ndodhen në galaktikën Udha e Qumështit. Deri në vitet 20, mendohej se ajo ishte e vetmja galaktikë. Megjithatë, ju ka të ngjarë që ta dini se vrojtimet me teleskopë më të mëdhenj kanë provuar prej kohësh të kundërtën. Universi ynë përmban të paktën 50.000.000.000 galaktika. Nuk duam të themi 50 miliardë yje, por të paktën 50 miliardë galaktika, ku secila prej tyre ka miliarda yje ngjashëm diellit tonë. E megjithatë, nuk ishte sasia hutuese e galaktikave kolosale ajo që tronditi bindjet shkencore në vitet 20. Ishte fakti se ato janë që të gjitha në lëvizje.

Astronomët zbuluan një fakt të çuditshëm: kur drita galaktike u kalua përmes një prizmi, u vu re se valët e dritës u zgjatën, duke treguar lëvizjen në largim prej nesh me një shpejtësi të madhe. Sa më larg të ishte një galaktikë, aq më shpejt dukej se largohej nga toka. Kjo gjë tregon për një univers që po zgjerohet! *

Edhe po të mos jemi as astronomë profesionistë, as amatorë, ne mund ta kuptojmë se një univers që zgjerohet do të kishte nënkuptime të thella rreth të kaluarës sonë, e ndoshta edhe rreth të ardhmes sonë personale. Diçka duhet ta ketë filluar këtë proces, një forcë mjaft e fuqishme sa të kapërcejë gravitetin e pamasë të të gjithë universit. Ju keni arsye të mjaftueshme për të pyetur: ‘Çfarë mund të jetë burimi i një energjie të tillë dinamike?’

Megjithëse shumica e shkencëtarëve e gjejnë burimin e universit në një fillim shumë të vogël të dendur (një veçanti), ne nuk mund ta shmangim këtë çështje kyçe: «Nëse në ndonjë pikë në të kaluarën, Universi ishte më parë afër një gjendjeje veçantie, me përmasa marramendësisht të vogla e dendësi të pakonceptueshme, ne duhet të pyesim se çfarë kishte më përpara dhe çfarë gjendej jashtë Universit. . . . Na duhet të përballojmë problemin e Fillimit.»​—Sër Bernard Lovell.

Kjo përfshin më shumë sesa thjesht burimin e një energjie jashtëzakonisht të madhe. Duhen, gjithashtu, paramendimi dhe inteligjenca, sepse shpejtësia e zgjerimit duket e sinkronizuar në mënyrë të saktë. «Sikur Universi të ishte zgjeruar një milion të miliontat herë më shpejt,—tha Lovell,—atëherë i gjithë materiali në univers do të ishte shpërndarë tashmë. . . . Dhe po të kishte ndodhur një milion të miliontat herë më ngadalë, atëherë forcat gravitacionale do të kishin shkaktuar që Universi të shpërbëhej brenda një miliardë viteve të para të ekzistencës së tij. Përsëri, nuk do të kishte pasur yje jetëgjatë dhe asnjë formë jete.»

Përpjekje për të shpjeguar fillimin

A mund ta shpjegojnë ekspertët tani origjinën e universit? Shumë shkencëtarë, duke mos u ndier rehat me idenë se universi u krijua nga një inteligjencë më e lartë, nxjerrin hipotezën se me anë të ndonjë mekanizmi ai u krijua vetë nga asgjë. A ju tingëllon e arsyeshme kjo gjë? Spekulime të tilla zakonisht përfshijnë disa variante të një teorie (modeli i universit inflacionist) *, propozuar më 1979 nga fizikani Alan Guth. Megjithatë, në kohët më të fundit, dr. Guth pranoi se teoria e tij «nuk shpjegon se si universi lindi nga asgjë». Dr. Andrei Linde ishte më i qartë në një artikull të revistës Scientific American: «Shpjegimi i kësaj veçantie fillestare, ku dhe kur filloi e gjithë kjo, mbetet akoma problemi më i zorshëm i kozmologjisë moderne.»

Nëse ekspertët nuk mund të shpjegojnë në të vërtetë as origjinën e as zhvillimin e hershëm të universit tonë, a nuk duhet të shohim diku tjetër për një shpjegim? Vërtet, ju keni arsye të vlefshme për të shqyrtuar disa dëshmi që shumë i kanë kaluar pa vënë re, por që mund t’ju japin një mendjehollësi të vërtetë mbi origjinën e universit. Dëshmitë përfshijnë matjet e sakta të katër forcave themelore që janë përgjegjëse për të gjitha vetitë dhe ndryshimet që ndikojnë mbi materien. Sapo dëgjojnë të përmenden forcat themelore disa mund të ngurrojnë, duke menduar se ‘kjo është punë vetëm për fizikanët’. Nuk është kështu. Faktet themelore ia vlejnë të shqyrtohen, sepse ato ndikojnë mbi ne.

Sinkronizim i saktë

Katër forcat themelore përfshihen si në gjerësinë jashtëzakonisht të madhe të kozmosit, ashtu edhe në vogëlsinë e paimagjinueshme të strukturave atomike. Po, çdo gjë që shohim përreth nesh është e përfshirë.

Elementet e domosdoshme për jetën tonë (veçanërisht karboni, oksigjeni dhe hekuri) nuk do të mund të ekzistonin po të mos ishte për sinkronizimin e saktë të katër forcave që janë të pranishme në univers. Ne tashmë e kemi përmendur një nga këto forca, gravitetin. Një tjetër është forca elektromagnetike. Po të ishte mjaft më e dobët, elektronet nuk do të mbaheshin rrotull bërthamës së një atomi. ‘A do të ishte ky një problem serioz?’—mund të pyesin disa. Po, sepse atomet nuk do të mund të kombinoheshin për të formuar molekulat. Në të kundërt, po qe se kjo forcë do të ishte shumë më e fortë, elektronet do të binin në bërthamën e atomit. Nuk do të mund të kishte reaksione kimike mes atomeve, gjë që do të thotë se nuk do të kishte jetë. Edhe nga ky këndvështrim, është e qartë se ekzistenca dhe jeta jonë varet nga sinkronizimi i saktë i forcës elektromagnetike.

Shqyrto edhe shkallën kozmike: një ndryshim i lehtë në forcën elektromagnetike do të ndikonte mbi diellin e në këtë mënyrë do të ndryshonte dritën që arrin në tokë, duke e bërë fotosintezën e bimëve të vështirë ose të pamundur. Kjo gjë mund ta privonte, gjithashtu, ujin nga vetitë e tij unike, të cilat janë të domosdoshme për jetën. Përsëri, pra, sinkronizimi i saktë i forcës elektromagnetike përcakton nëse jetojmë apo jo.

Po aq jetësor është intensiteti i forcës elektromagnetike në varësi të tri forcave të tjera. Për shembull, fizikanët llogaritin që kjo forcë është 10.000.000.000.000.000.000.000.000.000.000.000.000.000 (1040) herë sa forca e gravitetit. T’i shtosh vetëm një zero këtij numri të gjatë mund të duket një ndryshim i vogël. (1041.) Megjithatë kjo do të thoshte se graviteti është proporcionalisht më i dobët dhe dr. Rinhart Brojer komenton mbi situatën përfundimtare: «Me një gravitet më të ulët yjet do të ishin më të vegjël dhe presioni i gravitetit në brendësi të tyre nuk do ta shtynte temperaturën aq lart sa të ndodhnin reaksionet bërthamore të bashkimit: dielli nuk do të ishte në gjendje të ndriçonte.» Ju mund të imagjinoni se çfarë do të thoshte kjo për ne!

Po sikur graviteti të ishte proporcionalisht më i fuqishëm, kështu që numri do të kishte vetëm 39 zero (1039)? «Vetëm me këtë rregullim shumë të vogël,—vazhdon Brojer,—zgjatja e jetës së një ylli si dielli do të zvogëlohej në mënyrë drastike.» Dhe shkencëtarë të tjerë mendojnë se sinkronizimi i saktë është akoma edhe më i përpiktë!

Në fakt, dy cilësi dalluese të diellit tonë dhe të yjeve të tjera janë rendimenti afat-gjatë dhe stabiliteti. Shqyrtoni një ilustrim të thjeshtë. Ne e dimë se për të pasur rendiment, motorit të një automobili i duhet një raport kritik karburant-ajër; inxhinierët projektojnë sisteme të ndërlikuara mekanike e kompjuterike për të përkryer funksionimin. Nëse ndodh kështu me një motor të thjeshtë, ç’të themi për yjet «përvëlues» me rendiment si dielli ynë? Forcat kryesore të përfshira janë sinkronizuar me përpikmëri, të përkryera për jetën. A ndodhi thjesht rastësisht një përpikmëri e tillë? Jobi i lashtë u pyet: «A i shpalle ti rregullat që qeverisin qiejt ose a përcaktove ligjet e natyrës mbi tokë?» (Jobi 38:33, The New English Bible) Asnjë qenie njerëzore nuk e ka bërë këtë. Pra, nga vjen kjo përpikmëri?

Dy forca bërthamore

Struktura e universit përfshin shumë më tepër sesa sinkronizimin e saktë vetëm të forcës së gravitetit dhe të asaj elektromagnetike. Me jetën tonë lidhen, gjithashtu, dy forca të tjera fizike.

Këto dy forca veprojnë në bërthamën e një atomi dhe japin dëshmi të konsiderueshme se kanë ardhur nga një paramendim. Shqyrtoni forcën e fuqishme bërthamore (e quajtur edhe bashkëveprimi i fuqishëm), e cila i lidh protonet dhe neutronet bashkë në bërthamën e atomit. Për shkak të kësaj lidhjeje mund të formohen elementet e ndryshme, ato të lehtat (si heliumi dhe oksigjeni) dhe të rëndat (si ari dhe plumbi). Duket se, nëse kjo forcë lidhjeje do të ishte thjesht 2 për qind më e dobët, vetëm hidrogjeni do të ekzistonte nga elementet. Në të kundërt, nëse kjo forcë do të ishte pak më e fuqishme, vetëm elementet më të rënda, por jo hidrogjeni, do të gjendeshin. A do të ndikohej jeta jonë nga kjo? E pra, nëse universit do t’i mungonte hidrogjeni, dielli ynë nuk do të kishte karburantin që i nevojitet për të rrezatuar energji jetëdhënëse. Dhe, sigurisht, ne nuk do të kishim ujë ose ushqim, meqenëse hidrogjeni është një element thelbësor në të dyja ato.

Forca e katërt në këtë shqyrtim, e quajtur forca e dobët bërthamore (ose bashkëveprim i dobët) kontrollon zbërthimin radioaktiv. Ajo ndikon, gjithashtu, mbi aktivitetin termobërthamor të diellit tonë. ‘A është sinkronizuar në mënyrë të saktë kjo forcë?’—mund të pyesni ju. Matematikani dhe fizikani Friman Dajson shpjegon: «[Forca] e dobët është miliona herë më e dobët sesa forca bërthamore. Është pikërisht aq e dobët saqë hidrogjeni në diell digjet me një shpejtësi të ngadaltë e konstante. Nëse [forca] e dobët do të ishte shumë më e fuqishme ose shumë më e dobët, çdo formë jete që varet nga yjet diej do të ishte përsëri e kërcënuar.» Po, kjo shpejtësi e përpiktë djegieje e mban tokën tonë të ngrohtë, por jo të shkrumbëzuar dhe na mban në jetë.

Për më tepër, shkencëtarët besojnë se forca e dobët luan një rol në shpërthimet e supernovave, të cilat ata i konsiderojnë si mekanizmin për prodhimin dhe shpërndarjen e shumicës së elementeve. «Nëse ato forca bërthamore do të ishin në çfarëdo mënyre lehtësisht më të ndryshme nga sa janë aktualisht, yjet do të ishin të paaftë për të prodhuar elementë me të cilët ju edhe unë jemi të përbërë»,—shpjegon fizikani Xhon Polkinhorn.

Mund të thuhet akoma më shumë, por ka të ngjarë që ju ta keni kuptuar përfundimin. Në këto katër forca themelore ekziston një shkallë mahnitëse e një sinkronizimi të saktë. «Kudo përreth nesh na duket se shohim dëshmi që natyra e dinte si t’i bënte gjërat në mënyrë korrekte»,—shkroi profesor Pol Dejvis. Po, sinkronizimi i përpiktë i forcave themelore ka bërë të mundur ekzistencën dhe veprimin e diellit tonë, të planetit tonë të këndshëm me ujin e tij që mbështet jetën, të atmosferës sonë kaq të domosdoshme për jetën dhe të një vargu të gjatë elementesh të çmuara kimike mbi tokë. Por bëjini një pyetje vetes: ‘Përse ekziston një sinkronizim i tillë i përpiktë dhe nga e ka origjinën?’

Veçoritë e përsosura të tokës

Ekzistenca jonë kërkon përpikmëri edhe në aspekte të tjera. Shqyrtoni përmasat e tokës dhe pozicionin e saj lidhur me pjesën tjetër të sistemit tonë diellor. Libri biblik i Jobit përmban këto pyetje reflektuese: «Ku ishe kur unë hidhja themelet e tokës? . . . Kush i ka vendosur përmasat e saj, në rast se e di?» (Jobi 38:4, 5) Si kurrë më parë, këto pyetje kërkojnë përgjigje. Përse? Për shkak të gjërave habitëse që janë zbuluar rreth tokës sonë, duke përfshirë përmasat dhe pozicionin e saj në sistemin tonë diellor.

Asgjëkundi në univers nuk është gjetur ndonjë planet tjetër si toka. Vërtet, disa shkencëtarë u drejtohen disa dëshmive jo të drejtpërdrejta se disa yje kanë objekte që sillen në orbitë rreth tyre, të cilat janë qindra herë më të mëdhenj se toka. Megjithatë, toka jonë ka pikërisht përmasat e duhura për ekzistencën tonë. Në çfarë kuptimi? Po qe se toka do të ishte pak më e madhe, graviteti i saj do të ishte më i fortë dhe hidrogjeni, një gaz i lehtë, do të mblidhej, duke mos pasur mundësi t’i largohej gravitetit të tokës. Kështu, atmosfera do të ishte jo mikpritëse për jetën. Nga ana tjetër, po qe se toka jonë do të ishte pak më e vogël, oksigjeni i domosdoshëm për jetën do të largohej dhe uji në sipërfaqen e tokës do të avullonte. Në secilin nga këto raste ne nuk do të mund të jetonim.

Toka është, gjithashtu, në një largësi ideale nga dielli, një faktor i domosdoshëm për lulëzimin e jetës. Astronomi Xhon Barrou dhe matematicieni Frank Tipler studiuan «raportin e rrezes e të largësisë së Tokës nga Dielli». Ata nxorën përfundimin se jeta njerëzore nuk do të ekzistonte «në qoftë se ky raport do të ishte pak më i ndryshëm nga sa është vëzhguar». Profesori Deivid L. Blok vëren: «Llogaritjet tregojnë se, sikur toka të ishte vendosur vetëm 5 për qind më afër diellit, mbi të gati 4.000 milionë vjet më parë do të kishte ndodhur një efekt serrë [një mbinxehje e tokës] i pakontrollueshëm. Në anën tjetër, sikur toka të ishte vendosur vetëm 1 përqind më larg diellit, mbi të gati 2.000 milionë vjet më parë do të kishte ndodhur një efekt akullzimi [shtresa gjigante akulli do të mbulonin pjesën më të madhe të globit] i pakontrollueshëm.»​—Our Universe: Accident or Design?

Përpikmërisë së mësipërme mund t’i shtoni faktin se toka rrotullohet rreth boshtit të saj një herë në ditë, shpejtësia e duhur për të prodhuar temperatura të përshtatshme. Planetit Afërdita i duhen 243 ditë për një rrotullim të plotë. Vetëm mendoni sikur tokës t’i duhej po kaq kohë! Ne nuk do të mund t’i mbijetonim temperaturave ekstreme që do të rezultonin nga ditë dhe net kaq të gjata.

Një hollësi tjetër jetësore është trajektorja e tokës rreth diellit. Kometat kanë një trajektore të gjerë eliptike. Lumturisht nuk është kështu me tokën. Orbita e saj është pothuaj rrethore. Edhe një herë kjo gjë na parandalon të përjetojmë ekstremet vdekjeprurëse të temperaturës.

Nuk duhet të shpërfillim as vendndodhjen e sistemit tonë diellor. Sikur të ishte më afër qendrës së galaktikës Udha e Qumështit, efekti gravitacional i yjeve fqinje do të shformonte orbitën e tokës. Në kontrast me këtë, sikur të gjendej tamam në skaj të galaktikës sonë, qielli i natës do të ishte pothuaj pa yje. Drita e yjeve nuk është thelbësore për jetën, por a nuk i shton ajo një bukuri të madhe qiellit tonë natën? Dhe, duke u bazuar në konceptet e tanishme të universit, shkencëtarët kanë llogaritur se në skajet e Udhës së Qumështit nuk do të kishte pasur mjaft elemente kimike të nevojshme për të formuar një sistem diellor si i yni. *

Ligji dhe organizimi

Nga përvoja personale, ka mundësi që ju ta dini se të gjitha gjërat anojnë drejt çorganizimit. Sikurse çdo pronar shtëpie ka vërejtur, kur nuk përdoren, gjërat anojnë të prishen ose të shpërbëhen. Shkencëtarët i referohen kësaj tendence si «ligji i dytë i termodinamikës». Ne mund ta shohim këtë ligj në veprim përditë. Nëse nuk përdoren, një automobil ose biçikletë e re do të bëhen mbeturina metalike. Braktiseni një ndërtesë dhe ajo do të bëhet gërmadhë. Ç’të themi për universin? Ligji zbatohet edhe aty. Kështu, ju mund të mendoni se organizimi nëpër të gjithë universin duhet t’i lërë rrugë çorganizimit të plotë.

Megjithatë, nuk duket se një gjë e tillë po i ndodh universit, siç e zbuloi profesori i matematikës Roxher Penroz, kur studioi gjendjen e çorganizimit (ose entropisë) të universit të vrojtueshëm. Një mënyrë logjike për të interpretuar këto gjetje është të nxirret përfundimi se universi filloi në një gjendje të organizuar dhe akoma është shumë i organizuar. Astrofizikani Alan Laitman vërejti se shkencëtarëve «u duket misterioz fakti që universi u krijua në një gjendje kaq shumë të organizuar». Ai shtoi se «çdo teori e suksesshme e kozmologjisë duhet të shpjegojë më së fundi këtë problem të entropisë», përse universi nuk është bërë kaotik.

Në fakt, ekzistenca jonë është në kundërshtim me këtë ligj të njohur. Prandaj, përse ndodh që ne jemi gjallë këtu mbi tokë? Siç është vërejtur më përpara, kjo është një pyetje themelore, për të cilën duhet të duam përgjigjen.

[Shënimet]

^ par. 4 Galaktika Udha e Qumështit ka një diametër rreth 1.000.000.000.000.000.000 kilometra të gjatë. Për ta përshkuar atë duhen 100.000 vjet dritë dhe vetëm kjo galaktikë përmban mbi 100 miliardë yje!

^ par. 8 Në vitin 1995 shkencëtarët vunë re sjelljen e çuditshme të yllit më të largët (SN 1995K) që është vrojtuar ndonjëherë, ndërsa shpërthente në galaktikën e tij. Ngjashëm supernovave në galaktikat e afërta, ky yll u bë shumë i ndritshëm dhe pastaj ngadalë u shua, por për një periudhë më të gjatë se sa është diktuar ndonjëherë më parë. Revista New Scientist e paraqiti këtë në një grafik dhe shpjegoi: «Forma e lakores së dritës së supernovas më të largët . . . shtrihet në kohë pikërisht nga sasia e kohës që pritej nëse galaktika do të largohej nga ne me gati gjysmën e shpejtësisë së dritës.» Përfundimi? Kjo është «dëshmia më e mirë deri tani se Universi po zgjerohet me të vërtetë».

^ par. 13 Teoria e inflacionit nxjerr një hipotezë mbi atë që ndodhi në një fraksion sekonde pas fillimit të universit. Mbrojtësit e inflacionit pohojnë se fillimisht universi ishte submikroskopik dhe pastaj u zgjerua më shpejt sesa shpejtësia e dritës, por kjo është një deklaratë që nuk mund të provohet në një laborator. Inflacioni mbetet një teori e debatuar.

^ par. 34 Shkencëtarët kanë gjetur se elementet zbulojnë një rregull dhe harmoni habitëse. Dëshmi interesante janë paraqitur në shtesën «Njësitë arkitekturore të universit», faqe 26.

[Kutia në faqen 15]

Duke u përpjekur të numërojmë yjet

Është përllogaritur se galaktika Udha e Qumështit ka më shumë se 100.000.000.000 (100 miliardë) yje. Imagjinoni një enciklopedi që i kushton një faqe secilit prej këtyre yjeve, dielli ynë dhe pjesa tjetër e sistemit tonë diellor do të kufizoheshin në një faqe. Sa volume do të duheshin gjithsej për të shtjelluar informacionin mbi yjet në Udhën e Qumështit?

Po të jetë me volume me trashësi mesatare, thuhet se enciklopedinë nuk do ta nxinte Biblioteka publike e Nju Jorkut, që ka një hapësirë me rafte prej 412 kilometrash.

Sa kohë do t’ju duhej për të shqyrtuar ato faqe? «Për ta shfletuar, me mesataren e një faqeje në sekondë do të duheshin dhjetë mijë vjet»,—shpjegon një libër (Coming of Age in the Milky Way). E përsëri, yjet që përbëjnë galaktikën tonë janë vetëm një fraksion i vogël i yjeve në 50.000.000.000 (50 miliardë) galaktikat e llogaritura në universin tonë. Nëse enciklopedia do të përmbante një faqe për secilin nga këta yje, vëllimet e saj nuk do t’i nxinin të gjitha raftet e bibliotekave të tokës, të marra së bashku. «Sa më shumë të njohim rreth universit,—vëren libri,—aq më shumë kuptojmë se sa pak njohim.»

[Kutia në faqen 16]

Komentet e Xhestrout mbi fillimin

Robert Xhestrou, profesor i astronomisë dhe gjeologjisë në Universitetin e Kolumbias, shkroi: «Pak astronomë do t’i kishin paraprirë faktit që kjo ngjarje, pra, lindja e papritur e Universit, do të bëhej një fakt shkencërisht i provuar, por vrojtimet e qiejve përmes teleskopëve i kanë detyruar ata në këtë përfundim.»

Ai më pas komentoi mbi implikimet: «Prova astronomike e një Fillimi të universit i vë shkencëtarët në pozitë të vështirë, sepse ata besojnë se çdo efekt ka një shkak natyror . . . Astronomi britanik E. A. Miln shkroi: ‘Ne nuk mund të bëjmë propozime mbi gjendjen e kushteve [në fillim]; në aktin Hyjnor të krijimit Perëndia është i pavrojtuar dhe i padëshmuar.’ »—The Enchanted Loom: Mind in the Universe.

[Kutia në faqen 17]

Katër forcat themelore fizike

1. Graviteti: një forcë shumë e dobët në nivelet e atomeve. Efekti i saj është më i dukshëm në objektet e mëdha: planetet, yjet, galaktikat.

2. Elektromagnetizmi: forca tërheqëse kyçe midis protoneve dhe elektroneve, duke lejuar formimin e molekulave. Vetëtima është një dëshmi e fuqisë së saj.

3. Forca e fuqishme bërthamore: forca që lidh protonet dhe neutronet bashkë në bërthamën e një atomi.

4. Forca e dobët bërthamore: forca që drejton zbërthimin e elementeve radioaktive dhe aktivitetin me rendiment termobërthamor të diellit.

[Kutia në faqen 20]

«Kombinimi i rrethanave që përkojnë»

«Bëjeni forcën e dobët pak më të fuqishme dhe nuk do të prodhohej më helium; bëjeni pak më të dobët dhe gati i gjithë hidrogjeni do të ishte kthyer në helium.»

«Dritarja e mundësisë që një univers të ketë pak helium edhe njëkohësisht supernova shpërthyese është shumë e ngushtë. Ekzistenca jonë varet nga ky kombinim i rrethanave që përkojnë dhe në përkimin edhe më dramatik të niveleve të energjisë bërthamore të parashikuara nga [astronomi Fred] Hoili. Ndryshe nga të gjithë brezat e mëparshëm, ne e dimë se si kemi ardhur në ekzistencë. Por, ngjashëm brezave të mëparshëm, akoma nuk e dimë përse.»—New Scientist.

[Kutia në faqen 22]

«Kushtet e veçanta mbi tokë që vijnë si rezultat i përmasave, përbërjes së elementeve të saj të përsosura dhe një orbitë gati rrethore në një distancë të përsosur nga një yll jetëgjatë, dielli, bënë të mundur mbledhjen e ujit mbi sipërfaqen e tokës.» (Integrated Principles of Zoology, botimi i 7-të) Pa ujin, jeta në tokë nuk do të mund të shfaqej.

[Kutia në faqen 24]

Të besoni vetëm atë që shihni?

Shumë njerëz të arsyeshëm e pranojnë ekzistencën e gjërave që nuk mund t’i shohin. Në janar 1997, revista Discover raportoi se astronomët diktuan atë që ata përfunduan se ishte rreth një dyzinë planetesh që rrotulloheshin në orbitë rreth yjeve të largët.

«Deri tani planetet e reja njihen vetëm nga fakti që graviteti i tyre turbullon lëvizjen e yjeve rreth të cilëve ata rrotullohen.» Po, për astronomët, efektet e dukshme të gravitetit përbënë një bazë për të besuar në ekzistencën e trupave të paparë qiellorë.

Dëshmitë e treguara e jo vrojtimet e drejtpërdrejta përbënin një bazë të mjaftueshme që shkencëtarët të pranonin atë që ishte e padukshme. Shumë persona që besojnë në një Krijues nxjerrin si përfundim se ata kanë një bazë të ngjashme për të pranuar atë që nuk mund ta shohin.

[Kutia në faqen 25]

Sër Fred Hoil shpjegon në librin e tij (The Nature of the Universe): «Për të shmangur çështjen e krijimit do të ishte e nevojshme që i gjithë materiali i Universit të ishte pafundësisht i lashtë dhe kjo nuk mund të ndodhë. . . . Hidrogjeni vazhdon të kthehet në mënyrë të vazhdueshme në helium dhe në elemente të tjera . . . Si ndodh atëherë që Universi përbëhet gati i gjithi nga hidrogjeni? Nëse materia do të ishte pafundësisht e lashtë, kjo gjë do të ishte krejt e pamundur. Kështu, ne shohim që, duke qenë se Universi është ky që është, çështja e krijimit thjesht nuk mund të shmanget.»

[Figura në faqet 12, 13]

Dielli ynë (kutia) është i parëndësishëm në galaktikën Udha e Qumështit, siç ilustrohet këtu me galaktikën spirale NGC 5236

Udha e Qumështit përmban mbi 100 miliardë diej dhe është vetëm një nga mbi 50 miliardë galaktikat në universin e njohur

[Figurat në faqen 14]

Astronomi Edvin Hubël (1889-1953) kuptoi se një zhvendosje drejt së kuqes në dritën që vinte nga galaktikat e largëta tregonte se universi ynë po zgjerohet e për këtë arsye ka pasur një fillim

[Figurat në faqen 19]

Sinkronizimi i saktë i forcave që kontrollojnë diellin tonë sjell si rezultat kushte pikërisht të duhura për jetën tonë mbi tokë