Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Raporti botëror

Raporti botëror

Raporti botëror

Afrika

Afrika është kontinenti i dytë i planetit për nga madhësia dhe zë një të pestën e sipërfaqes së përgjithshme tokësore të globit. Përgjatë ekuatorit, gjejmë pyje tropikale dhe një shumëllojshmëri të pakrahasueshme të botës shtazore, duke përfshirë elefantë, xhirafa dhe luanë. Në veri gjendet Saharaja, shkretëtira më e madhe e tokës. Në atë që disa e kanë quajtur Kontinenti i Zi, drita e Fjalës së Perëndisë po shkëlqen duke u bërë edhe më e shndritshme.—Mat. 4:16.

Ganë, Marinë gjashtëvjeçare, e nxorën përpara mësueses shokët e klasës, të cilët e akuzonin se as nuk i mbyllte sytë, as nuk thoshte «Amin» gjatë lutjeve që bëheshin në klasë. Mësuesja kërkoi shpjegim. Maria iu përgjigj me qetësi: «Ju i luteni Jezuit, por unë kam mësuar nëpërmjet studimit të Biblës, të cilin e bëj me familjen time, se duhet t’i lutemi vetëm Jehovait me anë të Jezuit. Pra, si mund të them ‘Amin’ kur luteni ju?» Mësuesja mbeti e habitur dhe i tha klasës: «Lëreni të qetë, ajo është një Dëshmitare e Jehovait!» Më vonë, mamaja e Marisë i dërgoi mësueses botimin Libri im i tregimeve biblike. Mësuesja e përdor tani atë libër si tekst mësimor për të dhënë mësim në klasë, kur vjen ora e njohurisë biblike.

Alfredi, që jeton në Guiné, mësoi diçka rreth së vërtetës në vitin 1996 dhe mori një sasi literature biblike. Pas pak kohësh, ai u kthye në fshatin e tij. Takimi i shkurtër me Dëshmitarët e Jehovait e bindi se kishte përgjegjësinë për t’u folur të tjerëve rreth asaj që dinte. Alfredi, gjithashtu, mori vendimin të ndërtonte një Sallë Mbretërie, ndërkohë që priste të merrte përgjigje nga Dëshmitarët, të cilëve u kishte shkruar. Në vitin 1998, ndërtoi një sallë të thjeshtë, por banorët e fshatit ia shembën. Ndërtoi një sallë të dytë, të cilën, gjithashtu, ia shkatërruan. E njëjta gjë ndodhi herën e tretë.

Alfredi e ngriti çështjen para kryetarit të fshatit. U organizua një takim midis Alfredit dhe gjithë kundërshtarëve të tij. Kryetari, pasi i dëgjoi me kujdes, e autorizoi Alfredin që të ndërtonte një Sallë Mbretërie dhe i dha një pronë të zgjedhur, që gjendej në rrugën kryesore, në të hyrë të fshatit. Duke përdorur dru bambuje e materiale të tjera nga pylli, Alfredi dhe studenti i tij biblik, Danieli, harxhuan 14 ditë për të ndërtuar një Sallë Mbretërie të re.

Me të mbaruar salla, filluan të mbanin mbledhjet, në të cilat diskutonin broshurat që kishin. Kryetari i fshatit i ndoqi mbledhjet në mënyrë të rregullt. Kur zyra e degës mësoi për këtë çështje, u bënë rregullime që të vizitoheshin rregullisht nga pionierë specialë, të cilët do t’i mësonin si të mbanin studimet në mënyrën e duhur dhe si të ndihmonin të interesuarit. Kur mbikëqyrësi qarkor vizitoi fshatin, fjalimin e tij e ndoqën 69 veta nga 400 banorë që ka fshati.

Xhoshua dhe Suzana, që jetojnë në Kenian Perëndimore, u shtruan në spital si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor. Disa miq nga kisha e tyre u bënë vizitë dhe u thanë se aksidenti duhet të ketë qenë një ndëshkim nga Perëndia. Meqë kishin lexuar Biblën bashkë me revistat që i kishin marrë nga Dëshmitarët e Jehovait, çifti e dinte se Perëndia nuk shkakton aksidente të tilla. U thanë vizitorëve se nëse nuk kishin ngushëllim tjetër të mos vinin më. Sapo dolën nga spitali, takuan Dëshmitarët e Jehovait. Në nëntor, që të dy filluan shërbimin në fushë dhe u pagëzuan në shkurt të vitit 2000. Xhoshua është një pionier ndihmës i vazhdueshëm dhe Suzana ishte pioniere ndihmëse gjatë prillit.

Otis ishte një luftëtar gjatë luftës civile në Liberi. Një ditë ai dhe një «miku» i tij, po shkonin në një vend fqinj për të shitur një makinë që e kishin vjedhur. Megjithatë, «miku», në mënyrë të qëllimshme, e shtypi Otisin me makinë, duke i thyer këmbët dhe shtyllën kurrizore, pastaj u largua bashkë me makinën. Otisi mbeti i gjymtuar dhe i paralizuar nga mesi e poshtë. Ndonëse, shpeshherë, Otisi mendonte të vriste veten, gjërat ndryshuan kur babai i tij filloi të studionte Biblën me një pionier special. Ndërsa Otisi gjendej i paralizuar në shtrat, mesazhi i shpresës që dëgjoi nga dhoma e të atit e mbushi me gëzim. Kërkoi që studimi të bëhej në dhomën e tij, në mënyrë që të merrte pjesë edhe ai. I shtyrë nga gjërat që mësoi Otisi bëri ndryshime. La duhanin dhe filloi të punonte me personalitetin e vet. Sot, Otisi nuk shqetësohet më për paaftësinë fizike. Tani, është një lajmëtar i lajmit të mirë dhe rri vazhdimisht në pritje të atyre që kalojnë pranë shtëpisë, në mënyrë që të mund të ndajë me ta shpresën që ka. Kur u pyet se çfarë e bindi që kishte gjetur pikërisht fenë e vërtetë, ai shpjegoi se kishte qenë interesi personal që treguan Dëshmitarët. Otisi tha: «Çdo ditë vëllezërit vinin për të më vizituar. Kjo më bëri që të ndihesha përsëri njeri.»

Një burrë, i quajtur Avelinu, ishte pajtuar në revistat tona, por në zonën ku banonte, në Mozambik, nuk kishte asnjë Dëshmitar. Pas njëfarë kohe filloi një studim biblik me anë të korrespondencës. Avelinu filloi ta ndajë njohurinë e sapogjetur me të tjerët. S’kaloi shumë e filloi të mblidhej një grup për të lexuar artikuj nga revista Kulla e Rojës dhe nga libri Të arsyetojmë me anë të Shkrimeve. Kur morën vesh për këtë, disa vëllezër shkuan për të predikuar në atë zonë. Për habinë e tyre, gjetën 30 persona që po shoqëroheshin me grupin. U mbajt një fjalim publik dhe ishin të pranishëm 90 veta. Kur në qytetin Nampula, u mbajt kongresi krahinor i radhës, nga grupi ishin të pranishëm dhjetë persona. Njëri prej tyre qëndroi në qytet dhe lexoi brenda një jave të tërë librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Si pasojë e këtij interesi, në atë zonë u transferuan dy pionierë të rregullt. Grupi po bën përparim të shkëlqyer.

Ruandë, numri i lajmëtarëve arriti një maksimum të ri prej 7.435 lajmëtarësh në qershor. Gjatë vitit të shërbimit, mesatarisht, çdo muaj, 1 në çdo 5 lajmëtarë mori pjesë në ndonjë formë të shërbimit të pionierit. Po drejtohen më shumë se 12.000 studime biblike dhe në Përkujtim ishin të pranishëm 30.716 persona. Gjatë katër viteve të fundit, janë ndërtuar e dedikuar 51 Salla Mbretërie dhe 115 të tjera janë në plan për t’u ndërtuar. Me gjithë kohën që u ha ndërtimi, lajmëtarët shërbejnë mesatarisht 20 orë çdo muaj në shërbimin në fushë.

Një i ri, që jetonte në Gambia, shpresonte të transferohej në Kanada për t’u bërë një shërbëtor pentekostal. Në atë kohë, punonte si sekretar i kishës pentekostale vendëse. Bashkë me gruan e tij, pranuan që të studionin broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? Gjatë studimit, iu treguan karakteristikat e Përkthimit Bota e Re, duke përfshirë edhe shtojcën «Tema për biseda biblike», që gjendet në fund të Biblës. Pas kësaj, në vend që të këndonin këngë fetare, siç kishin bërë më parë çdo mëngjes, konsideronin një nga temat, duke kërkuar të gjitha shkrimet e cituara. Kur nga kisha erdhi një letër që e ftonte të shkonte në një seminar në Kanada për të ndjekur një kurs dyvjeçar, i riu u përgjigj: «E ç’më duhet ai kurs? Tani kemi të vërtetën!» Pas gjashtë muajsh studimi biblik, ai dhe e shoqja u pagëzuan dhe tani janë duke ndarë gjallërisht me të tjerët të vërtetat e mrekullueshme që kanë mësuar dhe që u kanë sjellë shumë dobi.

Amerika

Amerika përfshin dy kontinente. Ato shtrihen nga Arktiku i akullt, vazhdojnë nëpër tropikët e nxehtë e të lagësht dhe arrijnë deri në Antarktidë. Në Amerikën e Jugut mund të gjenden më shumë lloje bimësh e kafshësh, sesa askund tjetër mbi tokë. Në të dy kontinentet, lajmi i mirë po predikohet me zell.

Një burrë në Bolivi i linte tej mase pas dore gruan dhe dy fëmijët. Kishte vese të rrënjosura thellë, duke përfshirë të pirët e tepërt dhe përtypjen e gjetheve të kokainës. Ai pranoi një studim biblik dhe dalëngadalë i mposhti zakonet e këqija. I shqetësuar, ngaqë e shoqja me kokëfortësi nuk pranonte të merrte pjesë në studimin e Biblës, i tha se mund ta linte studimin e t’i rikthehej mënyrës së mëparshme të jetesës. Kjo gjë e tronditi gruan, pasi i pëlqente shumë ndryshimi që kishte ndodhur te burri i saj. E pyeti se për ç’arsye donte të hiqte dorë. Ai i shpjegoi se nuk dëshironte që të shkonte në Sallën e Mbretërisë pa familjen e tij. Atëherë gruaja pranoi të studionte Biblën. Mori pjesë edhe në kongresin krahinor, në të cilin u pagëzua i shoqi.

Vepra e predikimit ndër 1.700.000 njerëzit e shurdhër, që mendohet se jetojnë në Brazil, mori një hov të ri gjatë vitit të shërbimit 2000. Tetëmbëdhjetë pionierë specialë, që përdorin rrjedhshëm gjuhën braziliane me shenja (BSL), u caktuan për të shërbyer në qendrat urbane, që kanë komunitete të mëdha me njerëz të shurdhër. Për më tepër, me formimin e një skuadre përkthimi BSL, në shtator të vitit 1999, u bë e mundur të paraqitej për herë të parë në videokasetë drama biblike, fjalimet kryesore dhe këngët e Mbretërisë të Kongresit Krahinor «Zbatues të Fjalës së Perëndisë». Shoqata, tani, po përgatit disa botime me videokaseta në BSL, për të ndihmuar personat e shurdhër që të rritin vlerësimin për të vërtetën biblike. Tani, anembanë Brazilit, ka 16 kongregacione dhe 87 grupe në gjuhën me shenja.

Pasi studioi sociologjinë për katër vjet në universitet, Majkëlli u regjistrua në një seminar katolik, në Toronto të Kanadasë. Shpresonte të bëhej prift. Ai kujton se monsinjori katolik, që shërbente si profesor, i tha klasës se Perëndisë mund t’i afrohemi me lutje në mënyra të ndryshme, jo vetëm me anë të Jezu Krishtit. Majkëlli e kundërshtoi monsinjorin, duke cituar fjalët e Jezuit që gjenden në Gjonin 14:6: «Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» Monsinjori ia ktheu duke thënë se studentët duhej t’ia linin Biblën atij e të përqendroheshin në studime të tjera.

Majkëlli i telefonoi degës së Shoqatës në Kanada dhe kërkoi ndihmë frymore. Dëshironte të studionte dy herë në javë, në disa raste edhe duke trajtuar dy kapituj të librit Njohuria që të çon në jetën e përhershme, në çdo sesion. Më vonë, e la institutin fetar dhe gjeti punë në një zyrë. Më 9 tetor 1999, vizitoi ndërtesat e degës së Shoqatës në Kanada. Kjo përvojë pati një ndikim pozitiv tek ai, saqë më pas vuri si synim që të ndiqte të gjitha mbledhjet e kongregacionit, të mbante shënime dhe të bënte komente domethënëse. Majkëlli u pagëzua më 19 shkurt 2000 dhe që nga shtatori shërben si pionier i rregullt.

Një motër në Kosta-Rikë, u shkurajua si pasojë e shumë problemeve dhe presioneve që ka. Për shkak të një aksidenti, mbeti e bllokuar në një karrocë invalidësh. Që nga vdekja e mamasë kishte qenë e vetmja që kujdesej për të atin, i cili është i verbër dhe me dëmtime mendore, si dhe për motrën dhe vëllanë e saj më të rritur, të cilët janë, gjithashtu, me të meta mendore. Ajo gatuan, pastron shtëpinë, lan rrobat dhe kujdeset për familjen—çdo punë e bën ulur në karrocën e invalidit. Ngaqë dëshironte të merrte pjesë në shërbim sa më shumë që mundej, pleqtë e kongregacionit të saj e ndihmuan me dashuri që të analizonte mundësitë që kishte. Një sugjerim ishte që të kalonte çdo ditë 20 deri 30 minuta në trotuar e ulur në karrocën e saj. Shumë njerëz kalojnë pranë shtëpisë së saj, kur shkojnë për të marrë autobusin ose kur zbresin nga ai. Pleqtë i dhanë zemër që t’u fliste, t’u ofronte fletushka ose revista, madje edhe t’u bënte rivizita atyre që kalonin shpesh. Bëri pikërisht kështu. Mendoi seriozisht rreth shprehjes së apostullit Pavël që gjendet në Romakëve 1:14, 15: «U jam borxhli si grekëve dhe barbarëve, si të mençurve dhe të pamendëve: prandaj, nga ana ime, kam dëshirë të zjarrtë t’jua shpall lajmin e mirë edhe juve atje, në Romë.» Kjo motër kuptoi se edhe ajo u ishte borxhli fqinjëve të saj. Kur flet tani për shërbimin e shenjtë që bën, duket qartë se ka gjetur gëzim dhe kënaqësi të vërtetë në të.

Ekuador, një çift misionarësh u përpoq të hynte sa më thellë në zonën kryesore të biznesit në qytetin e Guajakilit. Megjithatë, si pasojë e masave të rrepta të sigurisë, nuk u lejuan që të hynin në një grataçelë të madhe. Ndonëse u kishin predikuar rreth 20 të punësuarve dhe rojave, kryesisht nëpërmjet citofonit, nuk kishin folur ende me asnjë nga pronarët e apartamenteve. Si rrjedhojë, vendosën që të flasin me administratorin e përgjithshëm të ndërtesës. Pasi misionarët i shpjeguan se qëllimi i vizitës së tyre ishte që të forconin vlerat morale e frymore brenda familjeve, administratori u përgjigj: «Mendoj se çdo njeri duhet ta dëgjojë këtë.» Më pas, shkroi këtë mesazh për sekretaren e tij dhe i kërkoi që ta vendoste në tabelën e njoftimeve: «Znj. Gabi Merts do të vizitojë apartamentet e kësaj ndërtese të dielën pasdite, gjatë një vepre arsimimi, që ka si qëllim përmirësimin e vlerave morale. Nëse për ndonjë nuk është e volitshme që ta presë, i lutem të më njoftojë mua. Administratori i përgjithshëm.»

Misionarët filluan nga apartamenti i katit të fundit, ku filluan një studim biblik me drejtorin e një shkolle. Në katin më poshtë, filluan tri studime. Një familje mori pjesë në Përkujtim dhe më vonë vizitoi zyrën e degës. Gjithsej, në atë zonë të sigurisë së lartë, ku më parë askush nuk kishte mundur të bënte vizita, misionarët filluan 16 studime biblike.

Xhesika, një pioniere e rregullt 15-vjeçare, e cila jeton në Peru, është e vetmja Dëshmitare në familje. Këpucët që përdorte në shërbimin në fushë ishin grisur keq, prandaj i kërkoi të atit një palë të reja. Babai ia ktheu ashpër: «Le të t’i japë Jehovai këpucët!» Motra shkoi në shërbim me këpucët e grisura, por kur po kthehej në shtëpi, kaloi pranë shtëpisë së një vëllai që është këpucar. Vëllai e thirri brenda dhe i tha: «Eja brenda, të lutem. Kam bërë diçka për ty sot!» Pastaj i dorëzoi një palë këpucë të reja. Babai i saj, i habitur, kur e pa me këpucë të reja, e pyeti se ku i kishte gjetur. Xhesika iu përgjigj: «M’i dha Jehovai!»

Fusha e gjuhës së huaj në Shtetet e Bashkuara, zgjerohet gjithmonë. Më shumë se 16.000 lajmëtarët që shërbejnë në këtë fushë, përdorin 31 gjuhë, pa përfshirë anglishten dhe spanjishten. Gjatë vitit të shërbimit 2000, u formuan 11 kongregacione të reja në gjuhë të huaj, duke përfshirë edhe kongregacionet e para kamboxhiane dhe monge në Shtetet e Bashkuara.

Azia

Ky është kontinenti më i madh i tokës e përmban një larmi të madhe klime dhe bimësie, nga ajo polare deri në atë tropikale. Në Azi gjendet zona malore e Tibetit, ku ndodhen malet më të larta të tokës. Shumë njerëz në Azi nuk e kanë dëgjuar ende lajmin e mirë, megjithatë, po punohet mjaft për t’ua dhënë atë sa më shumë personave që të jetë e mundur. Në këtë pjesë do të përfshijmë përvoja edhe nga ishujt e Japonisë e të Tajvanit, meqë janë të lidhur ngushtë me Azinë kontinentale.

Bangladesh, 140 veta morën pjesë në Kongresin Krahinor «Fjala profetike e Perëndisë», që u mbajt në kryeqytetin Daka. Vëllezërit punuan për ta pastruar sallën dhe më pas e stolisën skenën bukur me lule. Një punëtor i sallës komentoi: «Gjatë 14 vjetëve që kam qenë në këtë qendër, nuk kam parë kurrë një popull kaq të organizuar e të pastër si ju. E keni pastruar dhe e keni shenjtëruar ambientin.»

Në përgjigje të rregullimit të dashur që bëri vëllazëria ndërkombëtare për të ndihmuar në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë, janë marrë masa që në Indi të ndërtohen ose të restaurohen 250 Salla Mbretërie. Ky rregullim i ka nxitur vëllezërit vendës që të japin mbështetje me çdo gjë që munden. Një vëlla i moshuar dhuroi rreth 420 metra katrorë truall, për të ndërtuar një Sallë Mbretërie. Megjithatë, vëllezërit që e vëzhguan vendin, panë se nuk ishte i përshtatshëm, pasi mund të përmbytej gjatë shirave. Kur ia thanë këtë vëllait të moshuar, ai u tregoi vëllezërve të gjithë tokën e tij dhe u kërkoi që të zgjidhnin vendin që do të ishte më i përshtatshëm për të ndërtuar një Sallë Mbretërie. Ai tha: «Para se të vdes, dua të shoh një Sallë të shkëlqyer Mbretërie në këtë vend dhe jam gati të jap gjithçka që kam për të.»

Kim Hjo Suk, që jeton në Seul të Koresë, nuk po provonte shumë gëzim ose sukses si pioniere, kështu që një mbikëqyrës qarkor i sugjeroi të merrte një territor personal. Ajo tha: «E pranova këtë këshillë dhe në pak kohë u bëra shumë e njohur dhe miqësore me banorët e territorit tim. I përshtata oraret e vizitave të mia sipas rrethanave të tyre. Si pasojë, rivizitat u shtuan nga 35 në më shumë se 80 çdo muaj dhe kam shtatë studime biblike. Tani jam duke provuar gëzim të vërtetë.»

Sami, i cili jeton në Izrael, është nxënësi i vetëm Dëshmitar në shkollë. Gjithashtu, është i vetmi nxënës në klasë që, përpara një provimi, nuk pranoi të merrte një kopje të vjedhur të fletëve të provimit. Pas provimit, drejtori i shkollës mësoi se të gjithë në klasë kishin kopjuar me përjashtim të Samit. Sami u vlerësua me notën më të lartë. Ngjarja bëri që t’i jepej një dëshmi e shkëlqyer një klase që është e përzier me katolikë e myslimanë, si edhe mësuesve të tyre.

Një motër 83-vjeçare në Japoni planifikoi të udhëtonte me trenin e shpjetësisë së lartë, për të vizituar djalin. Ndërsa po mblidhte revistat e fundit për të, u kujtua se kishte shumë revista që nuk i kishte shpërndarë, kështu që i futi në çantë. Kishte vërejtur që pasagjerët, mërziteshin në udhëtime të gjata dhe pyeste veten nëse mund të linte disa revista në tren. Gjatë udhëtimit, burri që ishte ulur në krah të saj e pyeti se çfarë po lexonte me kaq dëshirë. Ai i pranoi me gëzim revistat dhe filloi t’i lexonte me interes. Duke parë këtë, disa pasagjerë të tjerë kërkuan revista. Kur mbërriti në stacionin e saj dhe pa se i biri nuk kishte ardhur ende për ta takuar, motra shfrytëzoi kohën për t’u dëshmuar njerëzve që po pritnin trenin. Kur djali erdhi ajo kishte shpërndarë 40 revista dhe nuk kishte mbetur asnjë për të!

Ndonëse budizmi është prej kohësh feja tradicionale në Mongoli, shumë njerëz janë ateistë. Për atë vend u përgatit fletushka me katër faqe, me titull Sa e çmuar është jeta për ju? Kjo fletushkë trajton rrezikun e përdorimit të duhanit, e cila është një çështje me shumë interes për publikun. Në nëntor dhe në dhjetor të 1999-s, u morën masa për një fushatë speciale dhe në të morën pjesë 22 lajmëtarë. Ishte e vështirë të gjeje një që nuk e pranoi. Në kryeqytetin e vendit, në Ulan-Bator, brenda dhjetë ditëve të para, u shpërndanë 10.000 fletushka. Shumë zyrtarë qeveritarë bënë komente të favorshme rreth fushatës. Kjo vepër e veçantë u njoftua disa herë në televizion, në radio, dhe në artikujt e tri gazetave. U filluan disa studime biblike.

E vërteta arrin deri në vendet më të largëta. Në Kazakistan, ka një burg me më shumë se 1.000 të burgosur. Në vitin 1997, dy Dëshmitarë të Jehovait vizituan drejtorin e burgut, duke i kërkuar leje për të diskutuar të vërtetat biblike me disa nga të burgosurit, të cilët i kishin shkruar zyrës së Dëshmitarëve të Jehovait në vend. Pak kohë më vonë, Dëshmitarët e Jehovait filluan të studionin me 20 të burgosur. Në vitin 1998, katër prej tyre u bënë lajmëtarë të papagëzuar dhe iu dha leje që të mbanin mbledhjet e kongregacionit. Pasi panë ndikimin pozitiv që kishin mësimet e Dëshmitarëve të Jehovait te të burgosurit, administrata u dha leje lajmëtarëve që të transmetonin fjalime publike në sistemin radiofonik të burgut. Të gjithë të burgosurit tani kanë mundësi të dëgjojnë këto transmetime.

Administrata e burgut është gjithnjë e më e bindur se feja e Dëshmitarëve të Jehovait nuk është vetëm një lloj maske që dikush e vesh kur i shkon për shtat. Një përvojë i ndihmoi që ta vinin re këtë. Të burgosurit nuk lejohen të mbajnë para, pasi kështu mund të blejnë praktikisht çdo gjë, duke përfshirë edhe drogën. Sidoqoftë, një i burgosur merrte rregullisht para në pakot që i dërgoheshin. Ndërkohë që përparoi frymësisht, ndërgjegjja e tij e stërvitur nga Bibla filloi ta ngacmonte. Njëherë, i dha ca para plakut që vizitonte burgun. Ato para duhej të shërbenin si kontribute për veprën e Mbretërisë, por plaku nuk i pranoi, pasi e dinte se të nxirrje para jashtë, ishte në kundërshtim me rregullat e burgut. Plaku i tha të riut thjesht këtë: «Bëj me paratë atë që të thotë ndërgjegjja jote.» I burgosuri shkoi te kryegardiani dhe i vuri paratë në tryezën e tij, duke thënë: «Ndërgjegjja ime e stërvitur nga Bibla nuk më lejon që t’i mbaj këto para këtu. Bëj me to ç’të duash.» Gardiani mbeti aq i habitur, saqë tha: «Gjatë gjithë punës sime 20-vjeçare në burg, nuk kam parë kurrë ndonjë që të dorëzojë paratë e tij me dëshirë!»

Një motër jepte mësim në një shkollë në Malajzi. Një ditë, foli me një kolege rreth Jehovait dhe qëllimeve të tij. Kolegia i tha se ishte shumë e shkurajuar, sepse perënditë që adhuronte nuk e kishin ndihmuar të zgjidhte problemet që kishte. I lutej Budës, perëndive të ndryshme kineze, madje edhe Jezu Krishtit. Askush nuk e ndihmoi.

Gruaja shqetësohej nga demonët, si natën edhe ditën. Natën, nuk arrinte të flinte. Gjatë ditës, frymërat e shqetësonin në punë dhe nuk mund ta kryente punën e saj siç duhet. Jeta e saj ishte kaq e mjerë, saqë u këshillua me mediumët frymorë, por kjo i keqësoi edhe më shumë gjërat.

Motra i tha koleges se sipas Proverbave 18:10, «emri i Jehovait është një kullë e fortë». (BR) Ai i mbron ata që e thërrasin emrin e tij me besim. Kjo motër e inkurajoi atë që kur demonët ta shqetësonin përsëri t’i lutej Perëndisë Jehova.

Të nesërmen, kolegia i tha motrës se kishte thirrur Jehovain për ndihmë dhe demonët e kishin lënë të qetë. Me të u fillua një studim biblik dhe bëri përparim të shpejtë. I hodhi tej të gjitha gjërat që kishin të bënin me adhurimin e rremë dhe demonët nuk e shqetësuan më. Ajo u pagëzua gjatë një asambleje qarkore të kohëve të fundit.

Për pothuajse 50 vjet, të rinjtë Dëshmitarë në Tajvan kanë kaluar periudha të gjata në burg, për shkak të vendosmërisë për të mbajtur asnjanësinë e krishterë. Vitet e fundit kanë ndodhur zhvillime për t’u shënuar. Duke qenë se po rekrutoheshin më shumë të rinj, sesa kishte nevojë ushtria, u vendos që ligjet lidhur me shërbimin kombëtar të rregulloheshin, për të lejuar që disa nga të rinjtë e thirrur ushtarë të përdoreshin në shërbimin joushtarak. Zyrtarët përdorën informacionin rreth asaj që ishte bërë në vende të tjera, kur ishte trajtuar çështja e atyre që kundërshtonin për shkak të ndërgjegjes shërbimin ushtarak. Kundërshtarët për shkak të ndërgjegjes, të cilët parapëlqejnë një lloj pune joushtarake të mbikëqyrur nga qeveria, në vend që të shkojnë në burg, duhet ta tregojnë këtë gjë duke plotësuar një kërkesë. Me këtë rregullim të ri, ata që bëjnë për 33 muaj këtë lloj shërbimi alternativ do t’i kenë fundjavët e ka mundësi edhe shumë mbrëmje, të lira, gjë që do t’i lejojë të marrin pjesë në aktivitetet frymore.

Evropa

Ndonëse Evropa njihet si një kontinent, në të vërtetë ajo shtrihet drejt perëndimit si një gadishull gjigant i Eurazisë. Apostulli Pavël e solli lajmin e mirë në Evropën Jugore afro 2.000 vjet më parë. Siç do ta shohim, mesazhi i gjallë i së vërtetës vazhdon të lulëzojë në këtë pjesë të tokës.

Një ditë një motër, në Zagreb të Kroacisë, ishte ulur në një park. Ajo vuri re një të ri që fshihej pas shkurreve. Ai ishte i zbehtë dhe dridhej, për këtë arsye motra mendoi se mos ishte i sëmurë. Iu afrua dhe i tha: «Zotëri, mund t’ju çoj te një mjek nëse nuk ndiheni mirë.» I tha se ndihej fare mirë, edhe pse ishte duke u dridhur. Atëherë ajo e pyeti: «A jeni i uritur? Dëshironi t’ju sjell diçka për të ngrënë?» Ai ia ktheu: «Jo. Të lutem, mos m’u afro. Po më kërkon policia dhe mund të dyshojnë që jemi bashkëpunëtorë.» Motra e pyeti: «Çfarë ke bërë?» Atëherë ai pohoi se kishte vjedhur një dyqan dhe shtoi: «I kam të gjitha këtu, në xhep. Kam shumë frikë se do të më kapë policia e do të më burgosë.» Motra ndjeu keqardhje dhe kërkoi ta ndihmonte. E ftoi të ulej pranë saj, në mënyrë që të bisedonin për këtë gjë. Ajo i tha se Perëndia Jehova do t’i jepte mençuri për të ditur ç’të thoshte kur të kthehej në dyqanin që kishte vjedhur. I riu e dëgjoi me kujdes, por duke u dridhur nga frika. Ajo e këshilloi, duke i thënë: «Kërko pronarin, tregoji që i vodhe paratë dhe se tani dëshiron t’ia kthesh ato.» Ndërkohë që po flitnin, një fqinj i motrës, që po kalonte aty pranë, e përshëndeti me emër. Në këtë mënyrë djali i ri i mësoi emrin.

Pak kohë pas kësaj ngjarjeje, motra mbeti e habitur kur në gazetën lokale gjeti të botuar një letër, që i drejtohej asaj. Letra thoshte: «Znj. Barica. Ju jam shumë mirënjohës për këshillën e përzemërt. Faleminderit, faleminderit, faleminderit—më shpëtuat nga burgu. Nuk mund t’ua shpreh çmueshmërinë në mënyrë personale, pasi nuk jua di adresën. Megjithatë, po ju shkruaj, në mënyrë që shumë prej atyre që do të gjenden në një situatë të ngjashme ta lexojnë këtë e të kthehen te Perëndia i vërtetë që të ndihmon, Jehovai! Unë i ktheva paratë. Pronari më tha se paratë e vjedhura ishin 1.500 kuna. Por unë nxora 1.700 kuna nga xhepi. Më tha se mund t’i mbaja 200 kuna, sepse paratë që i mungonin ishin vetëm 1.500 kuna. Unë iu përgjigja: ‘Jo, zotëri, unë nuk kisha asnjë monedhë në xhep, madje, as edhe për të blerë bukë.’ Atëherë pronari filloi të më jepte disa artikuj. Më tha: ‘Këto 200 kuna janë të tuat.’ Madje, më dha edhe 500 të tjera, dy franxholla, dy kuti me qumësht, pesë kuti të vogla me kos, rreth gjysmë kilogram sallam, si dhe ushqim për fëmijë. Më tha: ‘Po e bëj këtë, sepse je një njeri i ndershëm dhe e ke pranuar gabimin.’ Falënderoj vetëm Perëndinë dhe ju që nuk përfundova në burg. Edhe një herë shumë, shumë faleminderit!»

Kopenhageni, në Danimarkë, ka një nga portet më të mëdha në Evropë. Përveç trageteve, aty përpunohen më shumë se 2.000 anije çdo vit. Kur vëllezërit hynë në një anije dhe pyetën disa nga ekuipazhi nëse i njihnin Dëshmitarët e Jehovait, ata i thanë që i njihnin. Më pas, shtuan edhe se kishin një Dëshmitar të Jehovait në bord. Vëllezërit kërkuan ta takonin bashkëbesimtarin e tyre. Kur e takuan, mësuan se nuk ishte ende i pagëzuar. Ishte nga një ishull i vogël i oqeanit Paqësor, i cili kishte vetëm 2.000 banorë. Në atë ishull nuk kishte asnjë Dëshmitar të Jehovait, por ai e kishte mësuar të vërtetën nëpërmjet literaturës që kishte marrë në porte të ndryshme të botës. E kishte lexuar literaturën për vete dhe ia kishte çuar edhe së shoqes në shtëpi. Që të dy ishin të mendimit se kishin gjetur të vërtetën. Ishte i etur t’u dëshmonte pjesëtarëve të tjerë të ekuipazhit rreth gjërave që kishte mësuar. U pajtua në revistat tona dhe vëllezërit i premtuan se do të interesoheshin që të njoftonin kongregacionin më të afërt, për të dhe për gruan e tij.

Lajmëtarët në Bremerhaven, në Gjermani, shkojnë rregullisht në port për t’u ofruar literaturë atyre që punojnë në anije dhe shoferëve, që ngarkojnë ose shkarkojnë kamionët. Një vëlla raporton se ka takuar shoferë nga 48 vende. «Për të përmbushur nevojat e gjithë këtyre njerëzve,—shpjegon ai,—mbajmë një rezervë literature në 39 gjuhë të ndryshme në makinën tonë.» Disa shoferë kamionësh nga Rusia kanë ndjekur mbledhjet, ndërkohë që ndodheshin në port. Një të diel pasdite, Fredi dhe Kristiani, panë që një nga anijet më të mëdha të pasagjerëve në botë ndodhej në dok të thatë. Ekuipazhi i anijes përbëhej prej 950 vetash nga 50 kombësi. Sapo hipën në bord, vëllezërve iu afrua një marinar nga ishujt e Paqësorit, i cili i pyeti: «A e keni atë librin e verdhë me ilustrime me ngjyra?» E kishte fjalën për Libri im i tregimeve biblike. Vëllezërit nuk e kishin me vete atë libër dhe marinari u duk që mbeti i zhgënjyer. Prandaj, pasi shpërndanë të gjithë literaturën, Fredi udhëtoi për në Bethel, në Selters, në një udhëtim vajtje-ardhje që zgjati të paktën dhjetë orë, për të marrë literaturë shtesë. Ditën tjetër, i shpërndanë ekuipazhit 900 revista, 300 broshura dhe 850 libra. Fredi, gjithashtu, gjeti marinarin miqësor dhe i dha atij librin e verdhë që kërkonte. «Kur zbuloi se kishim udhëtuar më shumë se 1.000 kilometra për ta marrë librin,—shpjegon Fredi,—sytë iu mbushën me lot.»

Në fillim të vitit 1998, një stacion i vogël privat radioje, në Luksemburg, bëri një anketim me telefon te dëgjuesit e saj, duke i pyetur rreth qëllimeve dhe shpresave që kishin në jetë. Numrat e telefonit u zgjodhën në mënyrë të rastësishme. Kur formoi numrin, drejtuesi i emisionit ngatërroi prefiksin dhe i doli në telefon një grua që banonte 400 kilometra larg, afër Nurembergut, në Gjermani. Ai mbeti i habitur nga njohuria e saj e përgjithshme dhe nga qëndrimi pozitiv që kishte për jetën dhe e pyeti si e kishte zhvilluar një pikëpamje kaq të qartë. Ajo i tha se ishte një Dëshmitare e Jehovait, duke e kuptuar se i ishte dhënë një mundësi e papritur për të mbjellë farën e së vërtetës. Biseda ngjalli kureshtjen e intervistuesit dhe motra pranoi t’i telefononte përsëri më vonë. E bëri këtë disa herë gjatë dy muajve që pasuan. I shpjegoi më shumë rreth Perëndisë, jetës dhe Dëshmitarëve të Jehovait, madje iu përgjigj edhe shumë pyetjeve. Duke qenë se iu ngjall interesi, drejtuesi i emisionit pati dëshirë të mësonte më shumë. I telefonoi një kongregacioni në Luksemburg dhe kërkoi një studim biblik në shtëpi dhe informacion për mbledhjet. Në Sallën e Mbretërisë, i bëri përshtypje atmosfera e ngrohtë dhe mënyra miqësore me të cilën e pritën. Ishte një fillim i mbarë për studimin e tij biblik.

Trembëdhjetë muaj pas asaj telefonate të parë, që i bëri motrës në Gjermani, ai u pagëzua. Në tetor të vitit 1999, u bë pionier i rregullt. Sa gjë e shkëlqyer ishte që motra gjermane e paraqiti veten si Dëshmitare dhe më pas shfrytëzoi mundësinë për të mbjellë farën e Mbretërisë!

Portugali, interesi i Antonjusit për mesazhin e Biblës u ndez prej diskutimeve që pati me të vëllanë, i cili ishte një Dëshmitar i Jehovait, kur ky i fundit e vizitonte. Antonjusi dëshironte të mësonte më shumë për Biblën. U lut me zjarr për ndihmë. Pak kohë pas kësaj, dy Dëshmitarë i bënë një vizitë në shtëpi dhe filluan të studionin Biblën me të. Ndërsa përparonte në njohuri, Antonjusi filloi të bënte ndryshime në jetë, me qëllim që të ishte në përputhje me vullnetin e Perëndisë. Së pari, ndërgjegjja e shtyu të linte gjahun, një sport që e kishte me shumë pasion. Më vonë, kur kuptoi çështjen e asnjanësisë së krishterë, vendosi të jepte dorëheqjen nga posti shumë i respektuar i kryetarit të një komune, post që e kishte mbajtur për 15 vjet. Megjithëse i bënë presion që ta rishqyrtonte dorëheqjen, këshilla që gjendet në Jakovin 4:4 e forcoi që të mos pranonte. Përparimi ishte i shpejtë, ndërkohë që ai dhe gruaja e tij thelluan marrëdhënien me Jehovain dhe filluan të ndiqnin mbledhjet e kongregacionit. Në një kohë të shkurtër, filluan të merrnin pjesë në shërbimin në fushë dhe u pagëzuan.

Nga Spanja vjen përvoja e një vëllai të cilin, shumë vjet më parë, një koleg pune e ngacmonte për shkak të besimit që kishte. Kolegu e talli dhe e kritikoi fenë e vëllait, për muaj me radhë. Puna arriti deri aty sa vëllai e ndiente që nuk mund të duronte më, kështu, iu lut Jehovait, që ta ndihmonte të duronte situatën e vështirë në një mënyrë të krishterë, pa e kthyer të keqen me të keqe. Për habinë e vëllait, qëndrimi i kolegut të punës ndryshoi. Madje, ai i kërkoi të falur dhe e siguroi vëllanë se nuk do të fliste më kurrë keq për Perëndinë në sy të tij. Pas pak kohësh, kolegu i punës u largua nga firma.

Kaluan njëzet e katër vjet para se vëllai të takohej përsëri me ish-kolegun e tij të punës. Këtë herë, takimi u bë në Sallën e Mbretërisë, ku vëllai ishte caktuar të mbante një fjalim. Kolegu i punës i tha se kishte studiuar Biblën dhe ishte bërë një Dëshmitar i pagëzuar. Më tej i shpjegoi se ndonëse kishin kaluar shumë vjet, nuk e kishte harruar «atë Dëshmitar që u bëri ballë me aq shumë durim talljeve të vazhdueshme ndaj tij dhe Perëndisë së tij».

Ishujt e tokës

Ishujt e tokës ndryshojnë shumë për nga madhësia dhe dallohen nga kontinentet, të cilat janë shumë më të mëdha. Ndonëse këtu kemi përfshirë edhe kontinentin-ishull të Australisë, ishulli më i madh është Grënlanda, që ka një sipërfaqe prej 2.200.000 kilometrash katrorë. Ishujt më të vegjël kanë një sipërfaqe edhe më të vogël sesa një lagje qyteti. Midis ishujve më të mëdhenj e atyre më të vegjël radhiten mijëra ishuj të tjerë. Le të shqyrtojmë përvoja nga disa prej tyre.

Australi, një motër takoi në veprën shtëpi më shtëpi, një grua që dukej se nuk kishte shumë interes për Fjalën e Perëndisë. Megjithëse, gruaja pranoi një fletushkë, motra mendoi se rivizita do të kishte pak rezultate. Megjithatë, ngulmoi në përpjekjet e saj, fillimisht pa sukses, për ta gjetur gruan në shtëpi. Kur, më në fund, e takoi përsëri, gruaja i shpjegoi se pas vizitës së parë kishte blerë një Bibël të shtrenjtë. Motra filloi të studionte Biblën me të. Tani gruaja po bën ndryshime të mëdha në jetë për t’iu përshtatur parimeve të krishtere. Ajo po ndjek të gjitha mbledhjet.

Kur po predikonte nga shtëpia në shtëpi, në Republikën Domenikane, një vëlla takoi një grua rreth të 60-ave. Në përfundim të bisedës, vëllai i zgjati dorën për t’i thënë ‘mirupafshim’. Kur gruaja nuk ia dha dorën, ai kuptoi se ishte e verbër. Vëllai i premtoi se do të kthehej përsëri.

Kur u kthye, gruaja i tregoi se i kishte thënë së bijës se sa e habitur kishte mbetur që dikush shfaqi interes për të edhe pse ishte e verbër. Më pas i shpjegoi se i kishin thënë që nuk kishte shpresë t’i rikthehej shikimi. Vëllai i foli për Perëndinë e shpresës dhe i lexoi disa nga tregimet biblike, ku flitet se si Jezui u ktheu shikimin të verbërve. (Mateu 9:27-30) Kjo i bëri një përshtypje të thellë gruas.

Më vonë, vëllai u interesua në Fondacionin e të Verbërve, për të parë nëse mund të bëhej diçka për gruan. U morën masa për një konsultë mjekësore dhe kur gruaja shkoi atje i thanë se kishte mundësi që me anë të një operacioni t’i kthehej shikimi. Operacioni doli me sukses. Gjatë gjithë asaj kohe ajo vazhdoi të merrte njohuri biblike. Pas operacionit, filloi të lexonte botimin Libri im i tregimeve biblike dhe e mbaroi atë brenda disa javësh. Pastaj studioi broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? dhe librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Para operacionit ndiqte rregullisht mbledhjet dhe qëkurse iu rikthye shikimi, nuk mungon kurrë në to. Filloi t’u fliste të tjerëve rreth asaj që po mësonte dhe rreth ndihmës që kishte marrë për të rifituar shikimin. U pagëzua në kongresin krahinor të vitit 1999.

Ndërsa po dëshmonte në ishullin e Reunionit, një motër i ofroi revistat tona një gruaje. Gruaja iu përgjigj: «Mos u lodh kot, nuk di të lexoj.» Motra i propozoi që t’i mësonte të lexonte dhe gruaja pranoi me kënaqësi. Motra u kthye me broshurat Të mësojmë të shkruajmë e të lexojmë dhe Gëzo jetën në tokë përgjithmonë! Mësimet e leximit zgjatnin një gjysmë ore dhe studimi biblik një gjysmë ore tjetër. Gruaja bëri një përparim të shpejtë në lexim dhe në kuptueshmërinë e së vërtetës.

Ndonëse fëmijët e saj u përpoqën që ta bënin të hiqte dorë nga studimi, gruaja u tha se do të vazhdonte të merrte mësim. Në pak kohë kaloi në librin Njohuria dhe filloi të ndiqte mbledhjet rregullisht. Kohët e fundit u pagëzua. Tani di të shkruajë e të lexojë dhe është e aftë të lexojë Biblën dhe botimet e bazuara në Bibël.

Një motër filloi një studim biblik në shtëpi me një grua të re të quajtur Hina, në Ishullin e Veriut, në Zelandën e Re. Pas dy studimesh me broshurën Çfarë kërkon?, Hina i tha motrës se donte të bëhej një Dëshmitare e Jehovait dhe se do ta linte të dashurin e saj, që ishte anëtar i shquar i një bande gangsterësh në atë zonë. Me guxim, foli me të dhe i tha planet që kishte. Për habinë e saj, përgjigjja e tij ishte: «Shko përpara me planet e tua.»

Më vonë të dashurit të Hinës iu ndërrua mendja dhe planifikoi të hakmerrej, jo vetëm ndaj saj, por edhe ndaj Dëshmitarëve të Jehovait. Vendosi të bënte shoshë me plumba Sallën e Mbretërisë. Megjithatë, një ish-anëtar i bandës i sugjeroi që të merrte pjesë në një mbledhje dhe t’i hetonte Dëshmitarët, përpara se të merrte këtë veprim të prerë. Ai pranoi dhe atë natë ndoqi Shkollën e Shërbimit Teokratik. Mbledhja i bëri kaq përshtypje, saqë mblodhi bandën dhe u tha të gjithë gangsterëve se tani dëshironte të bëhej Dëshmitar i Jehovait. Më vonë, në një mbledhje formale të bandës, në një varrezë, ai groposi shiritin e tij (që është një shenjë dalluese e një anëtari të bandës), duke demonstruar kështu se po varroste mënyrën e tij të mëparshme të jetesës, që do të thoshte përdorimin e drogës dhe një tregti të paligjshme alkooli. Ai dhe Hina tani ndjekin rregullisht mbledhjet. Janë martuar ligjërisht dhe Hina, kohët e fundit, u pagëzua. Burri i saj është i vendosur që të kualifikohet për t’u pagëzuar edhe ai.

Dega e Trinidadit organizoi një fushatë speciale me numrat e revistës Zgjohuni! të 8 dhe 22 shkurtit 2000. Numri i parë përmbante një seri artikujsh rreth familjeve pa baba dhe i dyti trajtonte problemin e vetëvrasjes. Objektivi i fushatës ishin organizatat shoqërore, grupet e shërbimit policor të komunitetit, shkollat, ministrat e qeverisë, anëtarët e parlamentit, organizatat joqeveritare dhe të tjerë, të cilët do të ishin në mënyrë të veçantë të interesuar rreth temave të trajtuara.

Një raport jo i plotë tregoi se u shpërndanë 14.941 revista, 1.374 libra dhe 90 broshura. Fushata çoi në 860 rivizita dhe 29 studime biblike, shumica me njerëz të cilët ka të ngjarë që me metodat e zakonshme të dëshmisë, të mos ishin takuar. Disa ministra të qeverisë dhe zyra ministrish dërguan letra, duke shprehur çmueshmëri për veprën e Dëshmitarëve të Jehovait. Një përgjigje tipike erdhi nga Ministria e Drejtësisë dhe e Çështjeve Ligjore. Ajo thoshte: «Ju falënderojmë për dhuratën që na bëtë me . . . revistat Zgjohuni! . . . Ishin jashtëzakonisht informative. Prandaj, do t’ju ishim mirënjohës nëse mund të na pajisni me gjashtë kopje të tjera, për t’ua shpërndarë zyrave të ndryshme të Ministrisë. Gjithashtu, nëse keni ndonjë material që mund të na ndihmojë për të çuar përpara politikat tona në fushën e jetës familjare, do të ishim shumë mirënjohës në rast se do të na dërgonit këtë informacion.» Letra ishte firmosur nga vetë ministri i drejtësisë.