Njëqind vjet më parë—1913
KULLA E ROJËS e 1 janarit 1913 bashkohej me ndjenjat e shumicës kur citonte këto fjalë të gazetarit amerikan Herbert Kofmen: «Fjala ‘pamundësi’ tashmë ka dalë nga moda . . . Thuajse çdo ëndërr e së djeshmes, sot është realitet.» Në fillim të vitit 1913, njerëzit ishin optimistë për të ardhmen.
Një arsye për këtë optimizëm ishte përparimi i teknologjisë. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara, Kompania e Motorëve Ford hapi një fabrikë të re në qytetin Hajlend Park të Miçiganit. Sa hap e mbyll sytë, çmimi i makinave ra ndjeshëm dhe kjo u dha mundësi miliona vetave që të kishin një makinë. Pse u ul çmimi? Fabrika e re kishte një linjë montimi. Ky përparim e lejonte kompaninë t’i montonte
makinat e saj të famshme Modeli T brenda një kohe shumë më të shkurtër se më parë, dhe kjo e uli koston.Edhe populli i Jehovait ishte optimist, por arsyet ishin të tjera. Studentët e Biblës kishin kohë që e shpallnin vitin 1914 si vit unik në historinë e njerëzimit, dhe kishin shpresa të mëdha. Teksa ai vit afrohej, veprimtaria e tyre entuziaste tregonte se nuk po e ulnin ritmin.
Në qershor 1913, filloi një seri kongresesh që nisi me një kongres njëditor në Kansas Siti, Misuri, SHBA. Gjatë katër javëve pasuese, një tren i prenotuar, me një grup të lumtur me më tepër se 200 vëllezër e motra, po kalonte përmes perëndimit të Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë. Në secilin kongres, atyre që erdhën për herë të parë iu dha mundësia të kërkonin më shumë njohuri për të vërtetën. Mijëra veta e shfrytëzuan këtë mundësi dhe, më vonë, Studentët e Biblës i kontaktuan të interesuarit.
Gjatë vitit 1913, personeli i selisë në Bruklin ishte i zënë me prodhimin e «Foto-Dramës së Krijimit». Ky ishte një program tetorësh me fjalime biblike të incizuara dhe muzikë që sinkronizoheshin me diapozitivë e filmime. Studentët e Biblës shpresonin që «Foto-Dramën» ta shihnin miliona të interesuar. Ndonëse atëherë kishte vetëm rreth 5.100 shpallës të lajmit të mirë, qëllimi i tyre ishte që programi «të përhapej sa më shumë të ishte e mundur në mbarë botën».
Ç’do të ndodhte në vitin 1914? Si do të pritej Foto-Drama? Ç’do të ndodhte në vjeshtë, kur të mbaronin Kohët e Johebrenjve? Studentët e Biblës i pritnin me zjarr përgjigjet e këtyre pyetjeve, të sigurt për mbështetjen e Jehovait.
Lufta e Madhe që po afrohej, e cila më vonë u quajt Lufta I Botërore, do t’ia zhvaste botës optimizmin. Përparimi i teknologjisë nuk do të ishte zgjidhja e problemeve të njerëzve. Viti pasues do të ishte pikë kthese domethënëse për Studentët e Biblës, si dhe për të gjithë botën.