Dishepujt e parë të Jezuit
Kapitulli 14
Dishepujt e parë të Jezuit
PAS 40 ditësh në shkretëtirë, Jezui kthehet te Gjoni, i cili e kishte pagëzuar. Ndërsa afrohet, Gjoni tregon nga ai dhe thërret para të pranishmëve: «Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës! Ky është ai për të cilin unë thashë: ‘Mbas meje vjen një burrë që më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje.’» Edhe pse është më i madh se kushëriri i tij, Gjoni e di se Jezui ka ekzistuar përpara tij si person frymor në qiell.
Megjithatë, disa javë më parë, kur Jezui u paraqit për t’u pagëzuar, me sa duket Gjoni nuk e dinte me siguri se Jezui do të bëhej Mesia. «Unë nuk e njihja,—pranon Gjoni,—prandaj erdha të pagëzoj me ujë, që ky t’i zbulohet Izraelit.»
Gjoni vazhdon t’u shpjegojë atyre që dëgjonin, se çfarë kishte ndodhur kur pagëzoi Jezuin: «Pashë frymën që zbriti si një pëllumb nga qielli dhe qëndroi mbi të. As unë nuk e njihja, por ai që më dërgoi të pagëzoj në ujë më tha: ‘Ai, mbi të cilin do të shohësh frymën se zbret dhe qëndron, është ai që pagëzon me frymën e shenjtë.’ Dhe unë e pashë dhe dëshmova se ky është Biri i Perëndisë.»—BR.
Ditën tjetër Gjoni po rrinte me dy nga dishepujt e tij. Ndërsa Jezui afrohet, ai thotë përsëri: «Ja Qengji i Perëndisë!» Me të dëgjuar këtë, të dy dishepujt e Gjon Pagëzuesit shkojnë pas Jezuit. Njëri është Andrea, ndërsa tjetri duket se është pikërisht ai që ka shkruar këto gjëra, i cili, gjithashtu, quhet Gjon. Sipas të dhënave, edhe ky Gjon është kushëri i Jezuit, pasi me sa duket është biri i Salomës, motrës së Marisë.
Duke u kthyer, Jezui shikon Andrean dhe Gjonin që po e ndjekin nga pas dhe i pyet: «Ç’kërkoni?»
«Rabbi,—e pyesin ata,—ku banon?»
«Ejani e shikoni»,—përgjigjet Jezui.
Është pothuajse ora katër e pasdites dhe Andrea e Gjoni qëndrojnë me Jezuin deri në fund të asaj dite. Pas kësaj, Andrea është kaq i entuziazmuar, saqë nxiton për të gjetur vëllanë e tij të quajtur Pjetër. «E gjetëm Mesian»,—i thotë atij dhe e çon te Jezui. Ndoshta në të njëjtën kohë Gjoni gjen vëllanë e tij Jakovin dhe e sjell te Jezui, megjithatë, në mënyrë karakteristike, Gjoni nuk e paraqet këtë informacion personal në ungjillin e tij.
Ditën tjetër, Jezui gjen Filipin, i cili është nga Betsaida, qyteti nga e kishin origjinën Andrea dhe Pjetri. Ai e fton: «Ndiqmë.»
Pastaj, Filipi gjen Natanaelin i cili quhet, gjithashtu, edhe Bartolome dhe i thotë: «E gjetëm atë, për të cilin shkroi Moisiu në ligj dhe profetët; Jezusin nga Nazareti, të birin e Jozefit!» Natanaeli dyshon. «A mund të dalë diçka e mirë nga Nazareti?»,—pyet ai.
«Eja e shih»,—e nxit Filipi. Kur po vinin drejt tij, Jezui thotë: «Ja një izraelit i vërtetë, tek i cili s’ka mashtrim.»
«Nga më njeh?»,—pyet Natanaeli.
«Të pashë kur ishe nën fik, para se të të thërriste Filipi»,—përgjigjet Jezui.
Natanaeli është i habitur. «Mësues, ti je Biri i Perëndisë, ti je Mbreti i Izraelit!»,—thotë ai.
«Përse të thashë se të pashë nën fik, ti beson?—e pyet Jezui.—Do të shohësh gjëra më të mëdha se këto.» Më pas ai bën këtë premtim: «Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se tash e tutje ju do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur dhe duke zbritur mbi Birin e njeriut.»
Pak pas kësaj, Jezui dhe dishepujt e tij të porsagjetur, largohen nga lugina e Jordanit dhe udhëtojnë për në Galile. Gjoni 1:29-51.
▪ Cilët janë dishepujt e parë të Jezuit?
▪ Si i janë prezantuar Jezuit, Pjetri dhe ndoshta edhe Jakovi?
▪ Çfarë e bind Natanaelin se Jezui është Biri i Perëndisë?