Mëson një grua samaritane
Kapitulli 19
Mëson një grua samaritane
RRUGËS nga Judea për në Galile, Jezui dhe dishepujt e tij udhëtojnë përmes krahinës së Samarisë. Të lodhur nga udhëtimi, aty nga dreka ndalojnë për të pushuar pranë një pusi afër qytetit të Sikarit. Ky pus është hapur shekuj më parë nga Jakobi dhe gjendet edhe sot e kësaj dite afër qytetit të sotëm të Nablusit.
Ndërsa Jezui qëndron këtu, dishepujt e tij shkojnë në qytet për të blerë ca ushqime. Kur vjen një grua samaritane për të nxjerrë ujë, ai i thotë: «Më jep të pi.»
Në përgjithësi, judenjtë dhe samaritanët nuk hyjnë në marrëdhënie me njëri-tjetrin për shkak të paragjykimeve të rrënjosura thellë. Prandaj gruaja pyet e habitur: «Po qysh, ti që je jude kërkon të pish prej meje, që jam një grua samaritane?»
«Po ta njihje,—thotë Jezui,—kush është ai që të thotë, ‘Më jep të pi’, ti vetë do të kërkoje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë.»
«Zot,—përgjigjet ajo,—ti nuk ke as kovë për të nxjerrë dhe pusi është i thellë; nga e ke pra atë ujë të gjallë? Vallë je më i madh se Jakobi, ati ynë, që na dha këtë pus dhe piu ai vetë, bijtë e tij dhe bagëtitë e tij?»
«Kushdo që pi nga ky ujë do të ketë përsëri etje,—vëren Jezui,—por kush pi nga uji që do t’i jap unë, nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t’i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme.»
«Zot, më jep këtë ujë, që unë të mos kem etje dhe të mos vij këtu të nxjerr ujë»,—përgjigjet gruaja.
Tani Jezui i thotë: «Shko thirre burrin tënd dhe eja këtu.»
«Unë nuk kam burrë»,—përgjigjet ajo.
Jezui e konfirmon pohimin e saj. «Mirë the, ‘Nuk kam burrë’, sepse ti kishe pesë burra dhe ky që ke tani nuk është burri yt.»
«Zot, po shoh se ti je një profet»,—thotë gruaja e mahnitur. Duke shfaqur interesin e saj frymor, ajo vëren se samaritanët «adhuronin mbi këtë mal [Gerizim, që është aty pranë] dhe ju [judenjtë] thoni se në Jeruzalem është vendi ku duhet të adhurojmë.»
Por, Jezui thekson se ajo që ka rëndësi nuk është vendi se ku adhurojmë. «Po vjen ora,—thotë ai,—që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati. Perëndia është Frymë dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën.»
Kjo i bën shumë përshtypje gruas. «Unë e di se do të vijë Mesia, që e quajnë Krisht,—thotë ajo,—kur të ketë ardhur, ai do të na kumtojë çdo gjë.»
«Unë jam, ai që po të flet»,—deklaron Jezui. Mendoni! Kjo grua që vjen për të mbushur ujë në mesditë, ndoshta për të shmangur kontaktin me gratë e qytetit që e përçmojnë për mënyrën e saj të jetesës, favorizohet nga Jezui në një mënyrë të jashtëzakonshme. Në mënyrë të drejtpërdrejtë ai i tregon asaj gjëra që nuk ia ka rrëfyer hapur askujt tjetër. Me çfarë rezultati?
Shumë samaritanë besojnë
Duke u kthyer nga Sikari me ushqime, dishepujt e gjejnë Jezuin aty ku e lanë, te pusi i Jakobit ku tani është duke folur me një grua samaritane. Kur mbërrijnë dishepujt, ajo largohet duke lënë në vend qypin e saj të ujit dhe drejtohet për në qytet.
Me një interes të thellë për gjërat që i tha Jezui, ajo u thotë burrave të qytetit: «Ejani të shikoni një njeri që më tha gjithçka kam bërë.» Pastaj, në një mënyrë që ngjall kureshtjen, ajo pyet: «Vallë mos është ky Krishti?» Pyetja ia arrin qëllimit të saj; burrat shkojnë për të parë personalisht.
Ndërkohë, dishepujt e nxitin Jezuin që të hajë ushqimin që kanë sjellë nga qyteti. Por ai përgjigjet: «Unë kam një ushqim për të ngrënë të cilin ju s’e njihni.»
«Mos i solli vallë dikush për të ngrënë?»—pyesin dishepujt njëri-tjetrin. Jezui shpjegon: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të kryej veprën e tij. A nuk thoni ju se ka edhe katër muaj edhe vjen korrja?» Megjithatë, duke folur për korrjen frymore, Jezui thotë: «Ngrini sytë tuaj dhe shikoni fushat që janë të bardha për t’u korrur. Tashmë korrësi po merr pagën dhe po mbledh fryt për jetën e përhershme, në mënyrë që mbjellësi dhe korrësi të gëzohen së bashku.»—BR.
Ndoshta, Jezui tashmë mund t’i imagjinojë rezultatet e jashtëzakonshme të takimit të tij të rastësishëm me gruan samaritane; që shumë njerëz po i besojnë për shkak të dëshmisë së saj. Ajo u dëshmon banorëve të qytetit duke thënë: «Ai më tregoi gjithçka kam bërë.» Për këtë arsye, kur burrat nga Sikari vijnë tek ai, te pusi, i kërkojnë që të qëndrojë dhe t’u flasë akoma. Jezui e pranon ftesën dhe qëndron dy ditë.
Ndërsa dëgjojnë Jezuin, shumë samaritanë të tjerë besojnë. Prandaj ata i thonë gruas: «S’është më vetëm për shkak të fjalëve të tua që besojmë, por sepse ne vetë e kemi dëgjuar dhe e dimë se ai është Krishti, shpëtimtari i botës.» Gruaja samaritane është, sigurisht, një shembull i shkëlqyer për sa i përket dhënies së dëshmisë për Krishtin në një mënyrë që ngjall kureshtjen, duke bërë që dëgjuesit të kërkojnë më tepër.
Kujtoni, duhen edhe katër muaj para se të vijë korrja; me sa duket korrja e elbit, e cila në Palestinë bëhet në pranverë. Prandaj ndoshta tani është nëntor ose dhjetor. Kjo do të thotë se pas Pashkës së vitit 30 të e.s., Jezui dhe dishepujt e tij kaluan afërsisht tetë muaj, duke mësuar dhe duke pagëzuar në Jude. Tani ata nisen për në territorin e Galilesë që është vendi i tyre. Çfarë i pret atje? Gjoni 4:3-43.
▪ Pse habitet gruaja samaritane për faktin që Jezui i flet?
▪ Çfarë i mëson Jezui asaj mbi ujin e gjallë dhe mbi vendin se ku duhet adhuruar?
▪ Si ia tregon Jezui se kush është vetë ai dhe pse ky zbulim është kaq i habitshëm?
▪ Çfarë dëshmie jep gruaja samaritane dhe me çfarë rezultati?
▪ Ç’lidhje ka ushqimi i Jezuit me korrjen?
▪ Si mund ta përcaktojmë kohëzgjatjen e shërbimit të Jezuit në Jude pas Pashkës së vitit 30 të e.s.?