Mrekulli të tjera në Kapernaum
Kapitulli 23
Mrekulli të tjera në Kapernaum
TË SHTUNËN e po asaj jave që Jezui thirri katër dishepujt e tij të parë, Pjetrin, Andrean, Jakovin dhe Gjonin, të gjithë së bashku shkojnë në një nga sinagogat e Kapernaumit. Atje, Jezui fillon të mësojë njerëzit dhe ata mbeten gojëhapur, sepse ai mëson si një që ka autoritet dhe jo si skribët.
Këtë të shtunë është i pranishëm një burrë i pushtuar nga një demon. Pas pak, ai bërtet me zë të lartë: «Ç’ka midis nesh dhe teje, o Jezus Nazareas? A erdhe të na shkatërrosh? Unë e di kush je, I Shenjti i Perëndisë.»
Demoni që ka burrin nën kontroll është në fakt një nga engjëjt e Satanait. Duke e qortuar ashpër, Jezui i thotë demonit: «Hesht dhe dil prej tij!»
Atëherë, demoni i shkakton burrit spazma dhe ulëret me sa ka fuqi, por del prej tij pa i bërë gjë. Të gjithë janë të mahnitur! «Vallë ç’është kjo?—pyesin ata.—Ky i urdhëroka me autoritet dhe frymërat e ndyra dhe ato i binden.» Lajmi mbi këtë përhapet në të gjithë zonën përreth.
Pasi largohen nga sinagoga, Jezui dhe dishepujt e tij shkojnë në shtëpinë e Simonit ose Pjetrit. Atje, vjehrra e Pjetrit është shumë sëmurë me temperaturë të lartë. ‘Të lutemi ndihmoje’,—i luten ata. Atëherë Jezui shkon drejt saj, e kap për dore dhe e ngre në këmbë. Menjëherë ajo shërohet dhe fillon t’u përgatitë për të ngrënë!
Më vonë, pas perëndimit të diellit, në shtëpinë e Pjetrit fillojnë të vijnë njerëz nga të gjitha anët, me të sëmurët e tyre. Shumë shpejt mblidhet te dera i gjithë qyteti! Dhe Jezui u shëron atyre të gjithë të sëmurët pavarësisht nga sëmundja që kanë. Ai çliron madje edhe ata që janë të pushtuar nga demonët. Ndërsa dalin jashtë, demonët që përzë ai, bërtasin: «Ti je Biri i Perëndisë.» Por Jezui i qorton ashpër dhe nuk i lejon të flasin, sepse ata e dinë se ai është Krishti. Marku 1:21-34; Luka 4:31-41 BR; Mateu 8:14-17.
▪ Çfarë ndodh në sinagogë, të shtunën e po asaj jave që thirren katër dishepujt e Jezuit?
▪ Ku shkon Jezui pasi largohet nga sinagoga dhe çfarë mrekullie kryen atje?
▪ Çfarë ndodh më vonë po atë mbrëmje?