Nga Pilati te Herodi dhe anasjelltas
Kapitulli 122
Nga Pilati te Herodi dhe anasjelltas
NDONËSE nuk përpiqet ta fshehë para Pilatit se është një mbret, Jezui shpjegon se Mbretëria e tij nuk përbën asnjë kërcënim për Romën. «Mbretëria ime nuk është e kësaj bote,—thotë ai.—Po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos u dorëzohesha judenjve; porse tani mbretëria ime nuk është prej këtej.» Kështu, Jezui pranon tri herë se ka një Mbretëri, edhe pse ajo nuk është me origjinë tokësore.
Megjithatë, Pilati e pyet akoma: «Po mirë, atëherë a je një mbret?» (BR) Domethënë, a je një mbret, edhe pse Mbretëria jote nuk është pjesë e kësaj bote?
Jezui i jep Pilatit të kuptojë se ka arritur në përfundimin e saktë, duke iu përgjigjur: «Ti thua se unë jam një mbret; për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën; kush është për të vërtetën e dëgjon zërin tim.»
Po, vetë qëllimi i ekzistencës së Jezuit në tokë është dhënia e dëshmisë për «të vërtetën», në veçanti për të vërtetën mbi Mbretërinë e tij. Jezui është gati të qëndrojë besnik ndaj asaj të vërtete edhe sikur kjo t’i kushtojë jetën. Megjithëse pyet se «ç’është e vërteta», Pilati nuk pret shpjegime të mëtejshme. Ajo që ka dëgjuar i mjafton për të marrë një vendim.
Pilati kthehet te turma që pret jashtë pallatit. Siç duket me Jezuin përkrah tij, ai u thotë krerëve të priftërinjve dhe të tjerëve që janë me ta: «Unë nuk po gjej në të asnjë faj!»
Të zemëruar nga ky vendim, njerëzit në turmë fillojnë të këmbëngulin: «Ai po ngre popullin në kryengritje duke mësuar në mbarë Judenë, që nga Galilea e deri këtu.»
Fanatizmi i paarsyeshëm i judenjve, duhet ta habitë Pilatin. Prandaj, ndërsa krerët e priftërinjve dhe pleqtë vazhdojnë të bërtasin, Pilati kthehet nga Jezui dhe e pyet: «A nuk po dëgjon se sa gjëra po dëshmojnë kundër teje?» Por Jezui nuk bën asnjë përpjekje për t’u përgjigjur. Qetësia e tij përballë atyre akuzave absurde e çudit Pilatin.
Pasi merr vesh se Jezui është galileas, Pilati gjen një mënyrë për të shpëtuar nga përgjegjësia për të. Sundimtari i Galilesë, Herod Antipa (i biri i Herodit të Madh), është në Jerusalem me rastin e Pashkës, prandaj Pilati e dërgon Jezuin tek ai. Kohë më parë Herod Antipa kishte bërë që Gjon Pagëzuesit t’i pritej koka dhe më pas ishte frikësuar kur kishte dëgjuar mbi veprat e mrekullueshme që kryente Jezui, duke druajtur se mos Jezui ishte në të vërtetë Gjoni i ngritur prej të vdekurve.
Tani që ka mundësinë të takojë Jezuin, Herodi është tejet i gëzuar. Dhe kjo, jo sepse Herodi interesohet për mirëqënien e Jezuit dhe as sepse dëshiron të përpiqet me të vërtetë që të kuptojë nëse akuzat kundër tij janë të vërteta apo jo. Në vend të kësaj, ai është thjesht kureshtar dhe shpreson ta shohë Jezuin duke kryer ndonjë mrekulli.
Megjithatë, Jezui nuk pranon të shuajë kureshtjen e Herodit. Në fakt, ndërsa Herodi e pyet, ai nuk thotë as edhe një fjalë. Të zhgënjyer, Herodi dhe ushtarët e truprojës së tij e vënë Jezuin në lojë. Ata i veshin një rrobë të shndritshme dhe e qesëndisin. Pastaj e dërgojnë përsëri te Pilati. Si rezultat, Herodi dhe Pilati, të cilët më parë kishin qenë armiq, tani bëhen miq të ngushtë.
Kur Jezui kthehet, Pilati mbledh së bashku krerët e priftërinjve, sundimtarët judenj dhe popullin e u thotë: «Ju më prutë këtë njeri si çoroditës të popullit; dhe ja, unë, pasi e hetova para jush, nuk kam gjetur tek ai asnjë nga fajet për të cilat ju e paditni, dhe as Herodi, sepse na e ktheu përsëri te ne; në fakt, ai s’ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen. Prandaj, pasi ta fshikullojnë, do ta lëshoj.»
Kështu pra, dy herë, Pilati e ka deklaruar Jezuin të pafajshëm. Ai mezi pret që ta lirojë atë, sepse e kupton që krerët e priftërinjve e kanë dorëzuar tek ai vetëm sepse kanë smirë. Ndërsa vazhdon përpjekjet për të liruar Jezuin, Pilati gjen një arsye edhe më të fortë për ta bërë këtë. Ndërsa është i ulur në fronin e tij gjykues, gruaja e tij i dërgon një mesazh, duke e nxitur: «Mos u përziej aspak me çështjen e atij të drejti, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr [siç duket me origjinë hyjnore] për shkak të tij.»
Por, si mund ta lirojë Pilati këtë njeri të pafajshëm, tani që e di se duhet ta bëjë? Gjoni 18:36-38; Luka 23:4-16; Mateu 27:12-14, 18, 19; 14:1, 2; Marku 15:2-5.
▪ Si i përgjigjet Jezui pyetjes në lidhje me mbretërimin e tij?
▪ Çfarë është ‘e vërteta’ për të cilën Jezui dha dëshmi gjatë jetës së tij tokësore?
▪ Cili është vendimi i Pilatit, si përgjigjen njerëzit dhe çfarë bën Pilati me Jezuin?
▪ Kush është Herod Antipa, përse është tejet i gëzuar të shohë Jezuin dhe çfarë bën ai me të?
▪ Përse Pilati mezi pret që ta lirojë Jezuin?