Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përse i lejon Perëndia vuajtjet?

Përse i lejon Perëndia vuajtjet?

Kapitulli 8

Përse i lejon Perëndia vuajtjet?

1, 2. Si reagojnë shpesh njerëzit ndaj vuajtjeve?

KUR shkatërrimet godasin, duke dëmtuar prona e duke kërkuar jetë, shumë veta nuk mund të kuptojnë përse ndodhin gjëra të tilla të tmerrshme. Të tjerët janë të shqetësuar nga shtrirja, mizoria dhe mungesa e kontrollimit të krimeve dhe dhunës. Edhe ti mund të kesh pyetur: «Përse i lejon Perëndia vuajtjet?»

2 Pasi nuk kanë gjetur përgjigje të kënaqshme për këtë pyetje, shumë veta kanë humbur besimin në Perëndinë. Ata kujtojnë se ai nuk interesohet për njerëzimin. Të tjerët, që e pranojnë vuajtjen si një fakt të jetës, zemërohen dhe bëjnë me faj Perëndinë për gjithçka të keqe në shoqërinë njerëzore. Nëse ke pasur edhe ti ndjenja të tilla, pa dyshim do të jesh shumë i interesuar në lidhje me deklaratat e Biblës mbi këto çështje.

VUAJTJET NUK VIJNË NGA PERËNDIA

3, 4. Përse mund të jemi të sigurt se e keqja dhe vuajtjet nuk vijnë nga Jehovai?

3 Bibla na siguron se vuajtjet që shohim përreth nesh nuk shkaktohen prej Perëndisë Jehova. Për shembull, dishepulli i krishterë Jakovi shkroi: «Askush kur tundohet të mos thotë: ‘Jam tunduar nga Perëndia’, sepse Perëndia nuk mund të tundohet nga e keqja, dhe ai vet nuk tundon asnjeri.» (Jakovit 1:13) Duke qenë kështu, Perëndia nuk mund të ketë shkaktuar vështirësitë e panumërta që plagosin njerëzimin. Ai nuk sjell sprova mbi njerëzit, që t’i bëjë të përshtatshëm për jetën në qiell e as nuk bën që njerëzit të vuajnë për shkak të veprave të këqija që mendohet se mund të kenë bërë në një jetë të mëparshme.​—Romakëve 6:7.

4 Përveç kësaj, edhe pse në emër të Perëndisë e të Krishtit janë bërë shumë gjëra të tmerrshme, nuk gjejmë asgjë në Bibël që të lërë të nënkuptohet se dikush prej tyre i ka miratuar ndonjëherë veprime të tilla. Perëndia dhe Krishti s’kanë të bëjnë fare me ata që pohojnë se u shërbejnë atyre, por që mashtrojnë e bëjnë hile, vrasin e plaçkitin e bëjnë shumë gjëra të tjera që shkaktojnë vuajtje njerëzore. Në fakt, «rruga e të ligut është diçka e neveritshme për Jehovain». Perëndia «është larg nga i ligu».​—Proverbat 15:9, 29, BR.

5. Cilat janë disa nga cilësitë e Jehovait dhe si ndihet ai për krijesat e tij?

5 Bibla e përshkruan Jehovain si «plot mëshirë e dhembshuri». (Jakovit 5:11) Ajo shpall se «Zoti e do drejtësinë». (Psalmi 37:28; Isaia 61:8) Ai nuk është hakmarrës. Me dhembshuri, ai kujdeset për krijesat e tij dhe u jep të gjithave atë që është më e mirë për mirëqenien e tyre. (Veprat 14:16, 17) Jehovai ka vepruar kështu qysh në fillimet e hershme të jetës mbi tokë.

NJË FILLIM I PËRSOSUR

6. Si i përmendin disa legjenda kushtet në historinë e hershme të njerëzimit?

6 Të gjithë jemi mësuar të shohim e të ndiejmë dhembje e vuajtje. Prandaj, mund të jetë e vështirë të imagjinojmë një kohë pa vuajtje, por gjërat kanë qenë kështu në fillim të historisë njerëzore. Edhe legjendat e disa kombeve bëjnë fjalë për një fillim të tillë të lumtur. Në mitologjinë greke, e para nga të «Pesë Epokat e Njeriut», quhej «Epoka e Artë». Në atë kohë, njerëzit jetonin të lumtur, të lirë nga mundimet, dhimbjet dhe shkretimet e epokës së vjetër. Kinezët thonë se gjatë mbretërisë së Perandorit të Verdhë mitologjik (Huang-Ti), njerëzit jetonin në paqe, duke gëzuar harmoni edhe me elementet e natyrës dhe me bishat e egra. Persët, egjiptianët, tibetianët, peruanët dhe meksikanët, të gjithë kanë legjenda mbi një kohë lumturie dhe përsosmërie në fillim të historisë njerëzore.

7. Përse e krijoi Perëndia tokën dhe njerëzimin?

7 Mitet e kombeve, thjesht i bëjnë jehonë tregimit më të vjetër të shkruar në historinë njerëzore, Biblës. Ajo na informon se Perëndia e vendosi çiftin e parë njerëzor, Adamin dhe Evën, në një parajsë të quajtur kopshti i Edenit dhe i urdhëroi: «Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni.» (Zanafilla 1:28) Prindërit tanë të parë gëzonin përsosmëri dhe kishin perspektivën të shihnin mbarë tokën të bëhej një parajsë, e mbushur nga një familje e përsosur njerëzore që do të jetonte në paqe e lumturi të përhershme. Ky ishte qëllimi i Perëndisë kur krijoi tokën dhe njerëzimin.​—Isaia 45:18.

NJË SFIDË KEQDASHËSE

8. Cilit urdhër duhej t’i bindeshin Adami dhe Eva, por çfarë ndodhi?

8 Që të mbeteshin në favorin e Perëndisë, Adami dhe Eva duhej të mos hanin «nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes». (Zanafilla 2:16, 17) Nëse do t’i bindeshin ligjit të Jehovait, s’do të kishte asnjë vuajtje që do të dëmtonte jetën e njerëzve. Duke iu bindur urdhrit të Perëndisë, ata do të tregonin dashurinë e tyre për Jehovain dhe besnikërinë e tyre ndaj tij. (1. Gjonit 5:3) Por, siç kemi mësuar në kapitullin 6, punët nuk shkuan kështu. E nxitur nga Satanai, Eva hëngri nga fruti i asaj peme. Më vonë, edhe Adami hëngri nga fruti i ndaluar.

9. Çfarë çështje, në të cilën përfshihej Jehovai, ngriti Satanai?

9 A e kupton seriozitetin e asaj që ndodhi? Satanai po sulmonte pozitën e Jehovait si Më i Larti. Duke thënë: «Ju s’keni për të vdekur aspak», Djalli kundërshtoi fjalët e Perëndisë: «Ke për të vdekur me siguri.» Fjalët e mëtejshme të Satanait, linin të nënkuptohej se Jehovai po e mbante Adamin dhe Evën në padije në lidhje me mundësinë që kishin për t’u bërë si Perëndia, pra, se nuk kishin nevojë për Të që të vendosnin çfarë ishte e mirë dhe çfarë ishte e keqe. Prandaj, sfida e Satanait vuri në pikëpyetje të drejtën e pozitës së Jehovait si Sovran Universal.​—Zanafilla 2:17; 3:1-6.

10. Çfarë la të nënkuptohej Satanai në lidhje me njerëzimin?

10 Satana Djalli la, gjithashtu, të kuptohej se njerëzit do t’i bindeshin Jehovait vetëm për aq kohë sa bindja ndaj Perëndisë të ishte në dobi të tyre. Me fjalë të tjera, ishte vënë në pikëpyetje integriteti i njeriut. Satanai akuzoi se asnjë njeri nuk do t’i mbetej vullnetarisht besnik Perëndisë. Ky pretendim keqdashës i Satanait zbulohet qartë në tregimin biblik mbi Jobin, një shërbëtor besnik i Jehovait, i cili iu nënshtrua një prove të rëndë diku aty përpara vitit 1600 p.e.s. Kur të lexosh dy kapitujt e parë të librit të Jobit, mund të fitosh njohuri në lidhje me arsyen se përse vuajnë njerëzit dhe përse i lejon Perëndia vuajtjet.

11. Ç’njeri ishte Jobi, por çfarë akuzash bëri Satanai?

11 Jobi, një njeri «i ndershëm e i drejtë», u gjend nën sulmin e Satanait. Së pari, Satanai e akuzoi Jobin se nisej nga motive të këqija, duke ngritur pyetjen: «Vallë më kot Jobi ka frikë nga Perëndia?» Pastaj, Djalli shpifi me dinakëri për Perëndinë dhe Jobin, duke akuzuar se Jehovai e kishte blerë besnikërinë e Jobit, duke e mbrojtur dhe duke e bekuar. «Por,​—e sfidoi Satanai Jehovain,​—shtri dorën tënde dhe preki të gjitha ato që ai zotëron dhe ke për të parë po nuk të mallkoi ai haptazi.»​—Jobi 1:8-11.

12. (a) Cilat pyetje mund të gjenin përgjigje vetëm nëse Perëndia do t’i lejonte Satanait të provonte Jobin? (b) Me çfarë rezultati doli prova e Jobit?

12 A i shërbente Jobi Jehovait vetëm për shkak të çdo gjëje të mirë që kishte marrë prej Perëndisë? A mund të qëndronte i palëkundur integriteti i Jobit nën sprova? Po Jehovai, a kishte aq besim në shërbëtorin e tij, sa të lejonte që ai të provohej? Këto pyetje do të gjenin përgjigje nëse Jehovai do të lejonte që Satanai të sillte mbi Jobin sprovat më të rënda. Rruga besnike e Jobit, i cili gjendej nën sprovën e lejuar nga Perëndia, doli, siç tregon libri i Jobit, një shfajësim i plotë i drejtësisë së Jehovait dhe i integritetit të njerëzve.​—Jobi 42:1, 2, 12.

13. Si jemi të përfshirë ne me ngjarjet e Edenit dhe ato të Jobit?

13 Megjithatë, ngjarjet e kopshtit të Edenit dhe ato që lidheshin me Jobin, kishin një domethënie më të madhe. Çështjet e ngritura nga Satanai rrokin mbarë njerëzimin, duke përfshirë edhe ne sot. Ishte përfolur emri i Perëndisë dhe ishte sfiduar sovraniteti i tij. Drejtësia e krijesës së Perëndisë, njeriut, ishte vënë në pikëpyetje. Këto çështje kërkonin zgjidhje.

MËNYRA PËR ZGJIDHJEN E ÇËSHTJEVE

14. Ç’mund të bëjë një person i akuzuar, kur ballafaqohet me një sfidë keqdashëse?

14 Sa për ilustrim, le ta zëmë se ti je një prind i dashur, me disa fëmijë, në një familje të lumtur. Le të imagjinojmë, tani, se një nga fqinjët përhap gënjeshtra, duke të akuzuar se je një prind i keq. Ç’do të bëje sikur fqinji të thoshte se fëmijët e tu nuk të duan, se rrinë me ty vetëm ngaqë nuk dinë ndonjë vend më të mirë për të shkuar dhe se kishin për të të braktisur, sikur dikush t’u jepte mundësinë për të ikur nga shtëpia? «Absurde!»​—mund të thoshe ti. Po, por si do ta provoje? Disa prindër mund të reagonin me zemërim. Por një përgjigje e tillë e dhunshme, përveç problemeve të tjera që do të krijonte, do të ishte edhe një dëshmi për gënjeshtrat. Një mënyrë e kënaqshme për të përballuar problemin do të ishte që t’i jepje mundësi akuzuesit për të provuar pretendimin e tij dhe fëmijëve të tu që të dëshmonin se të duan sinqerisht.

15. Ç’mënyrë zgjodhi Jehovai për të përballuar sfidën e Satanait?

15 Jehovai është njësoj si ky prind i dashur. Adami dhe Eva mund të krahasohen me fëmijët dhe Satanai luan rolin e fqinjit gënjeshtar. Me mençuri, Perëndia nuk i shkatërroi menjëherë Satanain, Adamin dhe Evën, por i lejoi këta shkelës që të vazhdonin të jetonin edhe për ca kohë. Kjo gjë u dha prindërve tanë të parë kohë për t’i hapur rrugë familjes njerëzore, gjithashtu, iu dha mundësia Satanait për të provuar nëse pretendimet e tij ishin të vërteta e kështu çështjet të mund të zgjidheshin. Megjithatë, Perëndia e dinte qysh në fillim se disa njerëz do t’i mbeteshin besnikë e në këtë mënyrë do të provonin që Satanai ishte një gënjeshtar. Sa mirënjohës jemi që Jehovai ka vazhduar t’i bekojë e t’i ndihmojë ata që e duan!​—2. Kronikave 16:9; Proverbat 15:3.

ÇFARË ËSHTË PROVUAR?

16. Në ç’mënyrë bota ra nën pushtetin e Satanait?

16 Pothuajse gjatë gjithë historisë njerëzore, Satanai ka pasur liri të plotë për të përgatitur planet e tij të sundimit mbi njerëzimin. Midis të tjerave, ai ka ushtruar ndikim mbi fuqitë politike dhe ka përhapur fe, të cilat me dinakëri e kthejnë adhurimin drejt tij e jo drejt Jehovait. Djalli është bërë në këtë mënyrë «perëndia i këtij sistemi gjërash» dhe është quajtur «sundimtari i kësaj bote». (2. Korintasve 4:4, BR; Gjoni 12:31, ECM) Në fakt, «mbarë bota dergjet nën pushtetin e të ligut». (1. Gjonit 5:19, BR) A do të thotë kjo që Satanai e ka provuar pretendimin e tij se mund ta largojë të gjithë njerëzimin nga Perëndia Jehova? Sigurisht, jo! Edhe pse i ka lejuar Satanait që të mbesë në ekzistencë, Jehovai ka vazhduar të zbatojë qëllimin e tij. Çfarë zbulon, pra, Bibla në lidhje me lejimin e ligësisë nga ana e Perëndisë?

17. Ç’duhet të mbajmë ndër mend në lidhje me shkakun e ligësisë dhe të vuajtjeve?

17 Ligësitë dhe vuajtjet nuk shkaktohen nga Jehovai. Duke qenë se është sundimtari i kësaj bote dhe perëndia i këtij sistemi gjërash, Satanai dhe ata që mbajnë anën e tij janë përgjegjës për kushtet e tanishme të shoqërisë njerëzore dhe për të gjitha mjerimet që ka hequr njerëzimi. Askush s’mund të thotë me të drejtë se Perëndia është shkaku i vështirësive të tilla.​—Romakëve 9:14.

18. Çfarë ka provuar në lidhje me idenë e pavarësisë nga Perëndia, lejimi i ligësisë dhe i vuajtjeve nga ana e Jehovait?

18 Duke lejuar ligësinë dhe vuajtjet, Jehovai ka provuar se pavarësia nga Perëndia nuk ka sjellë ndonjë botë më të mirë. Në mënyrë të pamohueshme, historia është karakterizuar nga shkatërrime të njëpasnjëshme. Arsyeja e kësaj është se njerëzit kanë dashur të ndjekin rrugën e tyre të pavarur dhe nuk kanë treguar respekt për fjalën dhe vullnetin e Perëndisë. Kur populli i lashtë i Jehovait dhe udhëheqësit e tij ndiqnin pabesisht ‘vrapimin e tyre’, rezultatet ishin shkatërrimtare. Me anë të profetit të tij, Jeremisë, Perëndia u tha: «Njerëzit e ditur do të turpërohen, do të tremben dhe do të kapen. Ja, kanë hedhur poshtë fjalën e Zotit; çfarë diturie mund të kenë?» (Jeremia 8:5, 6, 9) Pasi ka dështuar në ndjekjen e normave të Jehovait, njerëzimi në përgjithësi ngjan me një anije pa timon, e flakur në një det të turbulluar.

19. Çfarë prove ekziston se Satanai nuk mund t’i kthejë të gjithë njerëzit kundër Perëndisë?

19 Duke lejuar ligësitë dhe vuajtjet, Jehovai ka provuar, gjithashtu, se Satanai s’ka qenë në gjendje të largojë gjithë njerëzimin nga Jehovait. Historia tregon se gjithmonë ka pasur individë që i kanë mbetur besnikë Perëndisë, pavarësisht nga tundimet e vështirësitë që kanë rënë mbi ta. Gjatë shekujve, fuqia e Jehovait është shfaqur në përkrahje të shërbëtorëve të tij dhe emri i tij është shpallur në të gjithë tokën. (Të Dalët 9:16; 1. Samuelit 12:22) Kapitulli 11 i Hebrenjve na flet për një sërë besnikësh, duke përfshirë Abelin, Enokun, Noen, Abrahamin dhe Moisiun. Hebrenjve 12:1 i quan ‘një re dëshmitarësh’. Ata janë shembuj të një besimi të patundur në Jehovain. Edhe në kohët moderne, shumë veta kanë dhënë jetën, duke mbajtur një integritet të pathyeshëm ndaj Perëndisë. Me besimin dhe dashurinë e tyre, këta individë provojnë përfundimisht se Satanai nuk mund t’i kthejë të gjithë njerëzit kundër Perëndisë.

20. Duke lejuar ligësinë dhe vuajtjet, çfarë ka provuar Jehovai në lidhje me Perëndinë dhe njerëzimin?

20 Së fundi, duke lejuar vazhdimin e ligësisë dhe të vuajtjeve, Jehovai ka siguruar prova se vetëm Krijuesi, Jehovai, ka aftësinë dhe të drejtën për të sunduar mbi njerëzimin, për bekimin dhe lumturinë e tij të përhershme. Për shekuj me radhë, njerëzimi ka provuar shumë lloj qeverish. Por, cili ka qenë rezultati? Problemet e ndërlikuara dhe kriza që përballojnë kombet sot përbëjnë një dëshmi të madhe se me të vërtetë, siç thekson edhe Bibla, «një njeri sundon mbi një tjetër për ta dëmtuar». (Eklisiastiu 8:9) Vetëm Jehovai mund të na shpëtojë dhe të plotësojë qëllimin e tij fillestar. Si do ta bëjë këtë dhe kur?

21. Çfarë do të ndodhë me Satanain dhe kush do të përdoret për të kryer këtë?

21 Menjëherë pasi Adami dhe Eva ranë viktima të planit të Satanait, Perëndia shpalli qëllimin e Tij në lidhje me një mjet shpëtimi. Ja, çfarë shpalli Jehovai në lidhje me Satanain: «Unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj.» (Zanafilla 3:15) Ky lajmërim garantoi se Djalli nuk do të lejohej përgjithmonë të kryente punët e tij të liga. Si Mbret i Mbretërisë Mesianike, Fara e premtuar, Jezu Krishti, do t’i ‘shtypë kokën Satanait’. Po, «së shpejti» Jezui do ta shtypë Satanain rebel!​—Romakëve 16:20.

Ç’DO TË BËSH TI?

22. (a) Me cilat pyetje duhet të ballafaqohesh? (b) Edhe pse Satanai e shfryn zemërimin e tij mbi besnikët e Perëndisë, për çfarë mund të jenë të sigurt ata?

22 Duke i njohur çështjet e përfshira, në cilën anë do të qëndrosh ti? Do të provosh me veprimet e tua se je një mbështetës besnik i Jehovait? Duke ditur se koha që i mbetet është e shkurtër, Satanai do të bëjë ç’të mundë për të shfryrë zemërimin e tij mbi ata që duan të mbajnë integritetin ndaj Perëndisë. (Zbulesa 12:12) Por mund t’i kërkosh ndihmë Perëndisë, sepse «Zoti di t’i shpëtojë nga tundimi të perëndishmit». (2. Pjetrit 2:9) Ai nuk do të lejojë që të tundohesh përtej masës që mund të mbash dhe do të gjejë një mënyrë që të mund t’i durosh tundimet.​—1. Korintasve 10:13.

23. Ku mund të shohim përpara me besim?

23 Me besim, le të shohim përpara në kohën kur Mbreti Jezu Krisht do të veprojë kundër Satanait dhe të gjithë atyre që e pasojnë atë. (Zbulesa 20:1-3) Jezui do t’i eliminojë të gjithë që kanë përgjegjësi për vuajtjet dhe rrëmujën që ka hequr njerëzimi. Deri sa të vijë ajo kohë, një formë veçanërisht e dhembshme e vuajtjeve është vdekja e njerëzve tanë të dashur. Lexo kapitullin tjetër, për të zbuluar se ç’ndodh me ta.

PROVO NJOHURINË

Si e dimë që nuk i shkakton Jehovai vuajtjet e njerëzimit?

Cilat çështje u ngritën prej Satanait në Eden dhe u qartësuan në ditët e Jobit?

Çfarë ka provuar Perëndia duke lejuar vuajtjet?

[Pyetjet]