Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Parajsa rivendoset

Parajsa rivendoset

Kapitulli njëzet e tetë

Parajsa rivendoset

Isaia 35:1-10

1. Pse shumë fe ofrojnë shpresën e jetës në një parajsë?

«NOSTALGJIA për parajsën është një ndër nostalgjitë e fuqishme që duket se nuk u ndahen qenieve njerëzore. Ajo mund të jetë më e fuqishmja dhe më jetëgjata nga të gjitha të tjerat. Njëfarë dëshirimi për parajsën duket në çdo nivel të jetës fetare.» Kështu thuhet në enciklopedinë, The Encyclopedia of Religion. Kjo nostalgji është krejt e natyrshme, pasi Bibla na thotë se jeta njerëzore filloi në Parajsë—një kopsht i bukur pa sëmundje dhe vdekje. (Zanafilla 2:8-15) Nuk është për t’u çuditur që shumë nga fetë e botës ofrojnë shpresën e një jete të ardhshme në një parajsë të një lloji ose të një tjetri.

2. Ku mund ta gjejmë shpresën e vërtetë të Parajsës së ardhshme?

2 Në shumë pjesë të Biblës mund të lexojmë për shpresën e vërtetë të Parajsës së ardhshme. (Isaia 51:3) Për shembull, pjesa e profecive të Isaisë që gjendet në kapitullin 35 përshkruan transformimin e rajoneve të shkreta në parqe të ngjashme me kopshte dhe në fusha prodhimtare. I verbri fiton shikimin, memeci mund të flasë dhe i shurdhri mund të dëgjojë. Në këtë Parajsë të premtuar nuk ka hidhërim ose psherëtima dhe kjo nënkupton se as vdekje nuk ka më. Ç’premtim i mrekullueshëm! Si duhen kuptuar këto fjalë? A ofrojnë shpresë për ne sot? Një shqyrtim i këtij kapitulli të Isaisë do t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve.

Një vend i shkretuar gëzohet

3. Çfarë transformimi do të pësojë toka sipas profecisë së Isaisë?

3 Profecia e frymëzuar për rivendosjen e Parajsës fillon me këto fjalë: «Shkretëtira dhe rajoni pa ujë do të ngazëllojnë dhe fusha e shkretë do të gëzojë e do të lulëzojë si shafrani. Me siguri do të lulëzojë dhe me të vërtetë do të gëzojë me gëzim dhe me britma gëzimi. Duhet t’i jepet lavdia e Libanit dhe shkëlqimi i Karmelit e i Sharonit. Atje do të jenë ata që do të shohin lavdinë e Jehovait, shkëlqimin e Perëndisë tonë.»—Isaia 35:1, 2.

4. Kur dhe në ç’mënyrë merr pamjen e një shkretëtire vendi i judenjve?

4 Isaia i shkruan këto fjalë aty nga viti 732 p.e.s. Rreth 125 vjet më vonë, babilonasit e shkatërrojnë Jerusalemin dhe populli i Judës merret në mërgim. Vendi i tyre mbetet i pabanuar dhe i shkretuar. (2 Mbretërve 25:8-11, 21-26) Në këtë mënyrë përmbushet paralajmërimi i Jehovait, sipas të cilit populli i izraelit do të shkonte në mërgim, nëse tregohej jobesnik. (Ligji i përtërirë 28:15, 36, 37; 1 Mbretërve 9:6-8) Kur kombi hebre bëhet rob në një vend të huaj, fushat dhe pemishtet e tyre të ujitura mirë mbeten pa përkujdesje për 70 vjet dhe bëhen si shkretëtirë.—Isaia 64:10; Jeremia 4:23-27; 9:10-12.

5. (a) Në ç’mënyrë i rikthehen vendit kushtet parajsore? (b) Në ç’kuptim e sheh populli «lavdinë e Jehovait»?

5 Megjithatë, profecia e Isaisë parathotë se vendi nuk do të mbetet përgjithmonë i shkretuar. Ai do të kthehet në një parajsë të vërtetë. Atij do t’i jepet «lavdia e Libanit» dhe «shkëlqimi i Karmelit e i Sharonit». * Si? Pas kthimit nga mërgimi, judenjtë kanë përsëri mundësi t’i kultivojnë e t’i ujitin fushat dhe tokës së tyre do t’i rikthehet prodhimtaria e lartë që kishte më parë. Merita për këtë mund t’i jepet vetëm Jehovait. Vetëm në saje të vullnetit, mbështetjes dhe bekimit të tij, judenjtë arrijnë të gëzojnë kushte të tilla parajsore. Populli mund të shohë «lavdinë e Jehovait, shkëlqimin e Perëndisë [së tij]» kur pranon rolin e Jehovait në transformimin e habitshëm të tokës së tyre.

6. Cila përmbushje e rëndësishme e fjalëve të Isaisë përjetohet?

6 Megjithatë, vendi i ripërtërirë i Izraelit përjeton një përmbushje akoma më të rëndësishme të fjalëve të Isaisë. Në kuptimin frymor, Izraeli ka qenë në një gjendje të thatë, ngjashëm një shkretëtire, për shumë vjet. Ndërsa të mërguarit ishin në Babiloni, adhurimi i pastër u kufizua në një masë të madhe. Nuk kishte as tempull, as altar dhe as priftëri të organizuar. Flijimet e përditshme u ndërprenë. Tani, Isaia profetizon një ndryshim. Nën udhëheqjen e burrave të tillë, si Zorobabeli, Ezdra dhe Nehemia, përfaqësues nga të 12 fiset e Izraelit kthehen në Jerusalem, rindërtojnë tempullin dhe e adhurojnë Jehovain lirisht. (Ezdra 2:1, 2) Kjo është vërtet një parajsë frymore.

Të zjarrtë në frymë

7, 8. Përse u nevojitet një qëndrim pozitiv judenjve të mërguar dhe në ç’mënyrë sigurojnë inkurajim fjalët e Isaisë?

7 Fjalët e kapitullit 35 të Isaisë kanë një karakter të gëzueshëm. Profeti shpall një të ardhme të ndritur për kombin e penduar. Në fakt, ai flet me bindje dhe optimizëm. Dy shekuj më vonë, në prag të rivendosjes së tyre, judenjve të mërguar u nevojitet po kjo siguri dhe po ky optimizëm. Nëpërmjet Isaisë, Jehovai u bën thirrje në mënyrë profetike: «Forconi duart e dobëta dhe bëjini të qëndrueshëm gjunjët që dridhen. U thoni atyre që kanë ankth në zemër: ‘Jini të fortë. Mos kini frikë. Ja, Perëndia juaj do të vijë me hakmarrje, Perëndia, po, me një shpagim. Ai vetë do të vijë dhe do t’ju shpëtojë.’»—Isaia 35:3, 4.

8 Fundi i mërgimit të gjatë është një kohë për të vepruar. Mbreti Kir i Persisë, mjeti i hakmarrjes së Jehovait kundër Babilonisë, ka shpallur që adhurimi i Jehovait të rivendoset në Jerusalem. (2 Kronikave 36:22, 23) Mijëra familje hebreje duhet të organizohen për të bërë udhëtimin plot rreziqe nga Babilonia në Jerusalem. Kur të mbërrijnë, do t’u duhet të ngrenë ndërtesa banimi të përshtatshme dhe të përgatiten për detyrën kolosale të rindërtimit të tempullit dhe të qytetit. Për disa judenj në Babiloni e gjithë kjo mund të duket e frikshme. Megjithatë, nuk është koha për të qenë të dobët ose të frikësuar. Judenjtë duhet të forcojnë njëri-tjetrin dhe të kenë besim te Jehovai. Ai i siguron se do të shpëtojnë.

9. Çfarë premtimi i mrekullueshëm u bëhet të rikthyerve në Jerusalem?

9 Të çliruarit nga robëria babilonase do të kenë arsye të vlefshme për të gëzuar, pasi me t’u kthyer në Jerusalem i pret një e ardhme madhështore. Isaia parathotë: «Në atë kohë sytë e të verbërve do të hapen dhe veshët e të shurdhërve do të zhbllokohen. Në atë kohë i çali do të kërcejë si një dre dhe gjuha e memecit do të thërrasë me gëzim.»—Isaia 35:5, 6a.

10, 11. Pse për judenjtë e rikthyer fjalët e Isaisë duhet të kenë kuptim frymor dhe çfarë nënkuptojnë ato?

10 Me sa duket, Jehovai ka ndër mend gjendjen frymore të popullit të tij. Ata janë ndëshkuar me 70 vjet mërgim për apostazinë e tyre të mëparshme. Megjithatë, duke i disiplinuar në këtë mënyrë, Jehovai nuk i bëri pjesëtarët e popullit të tij të verbër, të shurdhër, të çalë dhe memecë. Prandaj, rivendosja e kombit të Izraelit nuk kërkon shërimin e aftësive fizike. Jehovai rivendos atë që kishte humbur, domethënë, shëndetin frymor.

11 Shërimi i Judenjve qëndron në fitimin e aftësive frymore të tilla, si pamja frymore dhe aftësia për të dëgjuar, për t’iu bindur dhe për të shpallur Fjalën e Jehovait. Ata bëhen të vetëdijshëm për nevojën që kanë për të qëndruar afër Jehovait. Me anë të sjelljes së shkëlqyer, ata ‘thërrasin’ me gëzim në lavdi të Perëndisë së tyre. Ish «i çali» bëhet i zellshëm dhe energjik në adhurimin e Jehovait. Në kuptimin figurativ, ai do të «kërcejë si një dre».

Jehovai ripërtërin popullin e tij

12. Deri në ç’masë do ta bekojë me ujë vendin Jehovai?

12 Është e vështirë të imagjinosh një parajsë pa ujë. Parajsa e parë në Eden kishte një bollëk uji. (Zanafilla 2:10-14) Edhe vendi që iu dha Izraelit ishte ‘një vend me rrjedha uji e me burime që dilnin’. (Ligji i përtërirë 8:7, Dio) Prandaj, në mënyrë të përshtatshme, Isaia bën këtë premtim freskues: «Në shkretëtirë do të kenë shpërthyer ujërat dhe në rrafshinën shkretinore rrëketë. Toka e tharë nga nxehtësia do të jetë bërë si një pellg me kallamishte dhe toka e etur si burime uji. Në vendin e banimit të çakejve—vend pushimi për ta—do të ketë bar të gjelbër me kallamishte dhe papiruse.» (Isaia 35:6b, 7) Kur izraelitët të kujdesen përsëri për tokën, zonat e shkreta, ku dikur silleshin vërdallë çakejtë, do të mbulohen me bimësi të gjelbër e të harlisur. Toka e thatë e me pluhur do të transformohet në një ‘moçal’ ku mund të rriten papirusi dhe kallamishte të tjera uji.—Jobi 8:11, Dio.

13. Cili ujë frymor do të jetë me bollëk në dispozicion për kombin e rivendosur?

13 Por më i rëndësishëm është uji frymor i së vërtetës, të cilin judenjtë e riatdhesuar do ta kenë me bollëk. Jehovai do t’u japë njohuri, inkurajim dhe ngushëllim me anë të Fjalës së tij. Veç kësaj, pleqtë dhe princat e besueshëm do të jenë «si rrëke uji në një vend pa ujë». (Isaia 32:1, 2) Ata që mbështetin adhurimin e pastër të tillë, si: Ezdra, Hageu, Jeshuai, Nehemia, Zakaria dhe Zorobabeli, do të jenë në të vërtetë një dëshmi e gjallë e përmbushjes së profecisë së Isaisë.—Ezdra 5:1, 2; 7:6, 10; Nehemia 12:47.

«Rruga e shenjtërisë»

14. Përshkruani udhëtimin nga Babilonia në Jerusalem.

14 Megjithatë, para se të gëzojnë këto kushte parajsore në kuptimin fizik e frymor, judenjtë e mërguar do të duhet të bëjnë udhëtimin e gjatë e plot rreziqe nga Babilonia në Jerusalem. Po të marrin një rrugë të drejtpërdrejtë, kjo do të thotë që duhet të përshkojnë një terren të thatë e të shkretë rreth 800 kilometra të gjatë. Një rrugë tjetër më pak e rrezikshme do të përfshijë një udhëtim prej 1600 kilometrash. Të dyja rastet nënkuptojnë muaj të tërë udhëtimi të ekspozuar ndaj elementeve atmosferike dhe me rrezikun se mos hasin kafshë të egra dhe njerëz me karakter shtazor. Megjithatë, ata që e besojnë profecinë e Isaisë nuk janë tepër të shqetësuar. Pse?

15, 16. (a) Çfarë mbrojtjeje siguron Jehovai për judenjtë besnikë gjatë udhëtimit për në vendin e tyre? (b) Në cilin kuptim tjetër u siguron Jehovai judenjve një rrugë kryesore të sigurt?

15 Nëpërmjet Isaisë, Jehovai premton: «Do të ketë me siguri një rrugë të gjerë, po, një rrugë dhe do të quhet Rruga e Shenjtërisë. I papastri nuk do të kalojë nëpër të. Do të jetë për atë që ecën në rrugë dhe asnjë i marrë nuk do të sillet sa andej-këtej në të. Nuk do të ketë asnjë luan dhe në të nuk do të ngjitet asnjë lloj kafshe e egër grabitqare. Asnjë nuk do të gjendet atje dhe në të do të duhet të ecin të riblerët.» (Isaia 35:8, 9) Jehovai i ka kërkuar popullit të tij që të rikthehet. Ata janë «të riblerët» e tij dhe ai u garanton atyre mbrojtje gjatë rrugës për në vendin e tyre. A ka ndonjë rrugë të vërtetë, të shtruar, të ngritur e të rrethuar me gardh nga Babilonia në Jerusalem? Jo, por mbrojtja e Jehovait mbi popullin e tij gjatë udhëtimit është kaq e sigurt, saqë është njësoj sikur të ishin në një rrugë të tillë kryesore.—Krahaso Psalmin 91:1-16.

16 Judenjtë janë të mbrojtur edhe nga rreziqet frymore. Rruga kryesore figurative është «Rruga e Shenjtërisë». Ata që i trajtojnë pa respekt gjërat e shenjta ose ata që janë të papastër frymësisht nuk kualifikohen për të udhëtuar në të. Ata nuk janë të dëshiruar në vendin e ripërtërirë. Individët e aprovuar kanë një motiv të drejtë. Ata nuk po kthehen në Judë dhe në Jerusalem me një frymë krenarie kombëtare ose në kërkim të interesave të tyre personale. Judenjtë me mendje frymore e kuptojnë që arsyeja kryesore për të cilën po rikthehen është për të rivendosur në vend adhurimin e pastër të Jehovait.—Ezdra 1:1-3.

Populli i Jehovait gëzon

17. Në ç’mënyrë i ka ngushëlluar profecia e Isaisë judenjtë besnikë gjatë mërgimit të tyre të gjatë?

17 Kapitulli 35 i profecive të Isaisë përfundon me një notë të gëzueshme: «Të shpenguarit nga Jehovai do të kthehen dhe me siguri do të vijnë në Sion me një britmë gëzimi, dhe mbi kokat e tyre do të ketë gëzim deri në kohë të pacaktuar. Ata do të arrijnë ngazëllimin e gëzimin dhe hidhërimi e psherëtima duhet të largohen.» (Isaia 35:10) Judenjtë e robëruar që i janë drejtuar kësaj profecie për të nxjerrë ngushëllim dhe shpresë gjatë mërgimit të tyre, mund të kenë pyetur veten se si do të përmbusheshin hollësitë e ndryshme të saj. Ka të ngjarë që shumë aspekte të saj të mos i kenë kuptuar. Megjithatë, fakti që ‘me siguri do të vinin në Sion’ ishte i qartë si kristali.

18. Në ç’mënyrë hidhërimi dhe psherëtima e jetës në Babiloni zëvendësohen me ngazëllim dhe gëzim në vendin e ripërtërirë?

18 Prandaj, në vitin 537 p.e.s., rreth 50 000 burra, duke përfshirë më shumë se 7000 skllevër, bashkë me gratë dhe fëmijët, bëjnë me besim të plotë te Jehovai udhëtimin e kthimit për në Jerusalem, i cili zgjat katër muaj. (Ezdra 2:64, 65) Vetëm pak muaj më vonë, altari i Jehovait rindërtohet dhe kjo përbën një hap drejt rindërtimit të plotë të tempullit. Profecia 200-vjeçare e Isaisë përmbushet. Hidhërimi dhe psherëtima e kombit kur ishte në Babiloni zëvendësohen nga ngazëllimi dhe gëzimi në vendin e ripërtërirë. Jehovai e ka përmbushur premtimin e tij. Parajsa—si fizike, ashtu edhe frymore—është rivendosur.

Lind një komb i ri

19. Pse duhet thënë se profecia e Isaisë përmbushet vetëm në një masë të kufizuar në shekullin e gjashtë p.e.s.?

19 Natyrisht, përmbushja e kapitullit 35 të Isaisë në shekullin e gjashtë p.e.s. është e kufizuar. Kushtet parajsore që gëzojnë judenjtë e riatdhesuar nuk e kanë të gjatë. Me kalimin e kohës, mësimet e rreme fetare dhe nacionalizmi e ndotin adhurimin e pastër. Në kuptimin frymor, për judenjtë kthehen përsëri hidhërimi dhe psherëtimat. Së fundi, Jehovai i hedh poshtë ata si populli i tij. (Mateu 21:43) Për shkak të mosbindjes së përsëritur, gëzimi i tyre nuk është i përhershëm. E gjithë kjo tregon se kapitulli 35 i Isaisë duhet të ketë një përmbushje të mëtejshme më të madhe.

20. Cili Izrael i ri erdhi në ekzistencë në shekullin e parë të e.s.?

20 Në kohën e duhur sipas Jehovait, erdhi në ekzistencë një Izrael tjetër, ai frymor. (Galatasve 6:16) Themelin për lindjen e këtij Izraeli të ri e hodhi Jezui gjatë shërbimit të tij tokësor. Ai rivendosi adhurimin e pastër dhe me mësimet e tij, ujërat e së vërtetës filluan të vërshojnë edhe një herë. Ai i shëroi të sëmurët si në kuptimin frymor, ashtu edhe në atë fizik. Ndërsa shpallej lajmi i mirë i Mbretërisë së Perëndisë, u dëgjua një britmë gëzimi. Shtatë javë pas vdekjes dhe ringjalljes, Jezui i veshur me lavdi themeloi kongregacionin e krishterë, një Izrael frymor i përbërë nga judenj dhe individë të tjerë të shpenguar me anë të gjakut të derdhur të tij, të lindur si bij frymorë të Perëndisë e si vëllezër të Jezuit dhe të mirosur me frymën e shenjtë.—Veprat 2:1-4; Romakëve 8:16, 17; 1 Pjetrit 1:18, 19.

21. Në lidhje me kongregacionin e krishterë të shekullit të parë, cilat ngjarje mund të konsiderohen si përmbushje të disa aspekteve të profecisë së Isaisë?

21 Kur u shkroi pjesëtarëve të Izraelit frymor, apostulli Pavël iu referua fjalëve të Isaisë 35:3 duke thënë: «Drejtoni duart që varen dhe gjunjët e këputur.» (Hebrenjve 12:12) Pra, është e dukshme se në shekullin e parë të e.s. pati një përmbushje të fjalëve të kapitullit 35 të Isaisë. Jezui dhe dishepujt e tij u kthyen shikimin të verbërve dhe dëgjimin të shurdhërve në kuptim të mirëfilltë. Ata i bënë ‘të çalët’ të ecnin dhe memecët të fitonin përsëri aftësinë për të folur. (Mateu 9:32; 11:5; Luka 10:9) Por ç’është më e rëndësishme, personat me zemër të drejtë ikën nga feja e rreme dhe gëzuan një parajsë frymore brenda kongregacionit të krishterë. (Isaia 52:11; 2 Korintasve 6:17) Ashtu si judenjtë e kthyer nga Babilonia, këta të ikur e kuptuan se një frymë pozitive dhe e guximshme ishte thelbësore.—Romakëve 12:11.

22. Si ranë në robërinë babilonase të krishterët e kohëve moderne që ishin në kërkim të së vërtetës?

22 Ç’të themi për kohën tonë? A ka profecia e Isaisë një përmbushje tjetër, një më të plotë, që të përfshijë kongregacionin e krishterë sot? Po. Pas vdekjes së apostujve, numri i të krishterëve të vërtetë të mirosur u zvogëlua shumë dhe në skenën botërore lulëzuan të krishterët e rremë ose «egjra». (Mateu 13:36-43; Veprat 20:30; 2 Pjetrit 2:1-3) Edhe gjatë shekullit të 19-të, kur disa individë të sinqertë filluan të ndaheshin nga i ashtuquajturi krishterim dhe të praktikonin adhurimin e pastër, kuptueshmëria e tyre mbeti e njollosur me mësime jobiblike. Në vitin 1914, Jezui hipi në fron si Mbreti Mesianik, por pak pas kësaj, situata u duk e zymtë për këta persona në kërkim të së vërtetës. Në përmbushje të profecisë, kombet ‘bënë luftë kundër tyre dhe i mundën’ dhe përpjekjet e këtyre të krishterëve të sinqertë për të predikuar lajmin e mirë u mbytën. Ata ranë, në fakt, në robërinë babilonase.—Zbulesa 11:7, 8.

23, 24. Në ç’mënyrë janë përmbushur fjalët e Isaisë për popullin e Perëndisë që nga viti 1919?

23 Por në vitin 1919, gjërat ndryshuan. Jehovai e çliroi popullin e tij nga robëria. Ata filluan t’i flakin mësimet e rreme që kishin ndotur më parë adhurimin e tyre. Si rezultat, përjetuan një shërim. Ata u gjendën në një parajsë frymore, e cila edhe sot e kësaj dite vazhdon të shtrihet në gjithë tokën. Në kuptimin frymor, të verbrit po mësojnë të shohin dhe të shurdhrit të dëgjojnë, duke u bërë plotësisht të vetëdijshëm për veprimin e frymës së shenjtë të Perëndisë dhe duke mbajtur vazhdimisht ndër mend nevojën për të qëndruar pranë Jehovait. (1 Selanikasve 5:6; 2 Timoteut 4:5) Duke mos qenë më memecë, të krishterët e vërtetë janë të paduruar për të lëshuar ‘britma’, duke u shpallur të vërtetat biblike të tjerëve. (Romakëve 1:15) Ata që ishin të dobët ose ‘të çalë’ frymësisht, tani shfaqin zell dhe gëzim. Në kuptimin figurativ, ata mund të ‘kërcejnë si një dre’.

24 Këta të krishterë të ripërtërirë ecin në ‘Rrugën e Shenjtërisë’. Kjo ‘Rrugë’ që të nxjerr nga Babilonia e Madhe dhe të çon në një parajsë frymore, është e hapur për të gjithë adhuruesit që janë të pastër frymësisht. (1 Pjetrit 1:13-16) Ata mund të kenë besim se Jehovai do t’i mbrojë dhe mund të jenë të sigurt se Satanai nuk do të arrijë ta eliminojë adhurimin e pastër me sulmet e tij kafshërore. (1 Pjetrit 5:8) Individët e pabindur dhe tërë ata që sillen si kafshë të egra grabitqare nuk lejohen të korruptojnë ata që ecin në rrugën kryesore të shenjtë të Perëndisë. (1 Korintasve 5:11) Brenda këtij ambienti të mbrojtur, të shpenguarit nga Jehovai—të mirosurit dhe ‘delet e tjera’—gjejnë gëzim ndërsa i shërbejnë të vetmit Perëndi të vërtetë.—Gjoni 10:16.

25. A do të ketë një përmbushje të kapitullit 35 të Isaisë në kuptimin fizik? Shpjegoni.

25 Ç’të themi për të ardhmen? A do të përmbushet ndonjëherë profecia e Isaisë në kuptim fizik? Po. Shërimet e mrekullueshme të kryera nga Jezui dhe nga apostujt e tij në shekullin e parë treguan dëshirën dhe aftësinë e Jehovait për t’i bërë këto shërime në një shkallë më të madhe në të ardhmen. Psalmet e frymëzuara flasin për një jetë të përhershme mbi tokë në kushte paqësore. (Psalmi 37:9, 11, 29) Jezui premtoi jetë në Parajsë. (Luka 23:43) Nga fillimi e deri në librin e fundit të saj, Bibla jep shpresë për një parajsë të vërtetë. Në atë kohë, të verbrit, të shurdhrit, të çalët dhe memecët do të shërohen fizikisht dhe përgjithmonë. Hidhërimi dhe psherëtimat do të largohen. Do të ketë me të vërtetë gëzim deri në kohë të pacaktuar, po, përgjithmonë!—Zbulesa 7:9, 16, 17; 21:3, 4.

26. Në ç’mënyrë i forcojnë fjalët e Isaisë të krishterët sot?

26 Ndërsa presin rivendosjen e Parajsës tokësore fizike, që tani të krishterët gëzojnë bekimet e parajsës frymore. Ata i përballojnë sprovat dhe vështirësitë me optimizëm. Me siguri të palëkundur te Jehovai, ata inkurajojnë njëri-tjetrin duke ia vënë veshin këshillës: «Forconi duart e dobëta dhe bëjini të qëndrueshëm gjunjët që dridhen. U thoni atyre që kanë ankth në zemër: ‘Jini të fortë. Mos kini frikë.’» Këta të krishterë kanë besim të plotë në sigurinë profetike: «Ja, Perëndia juaj do të vijë me hakmarrje, Perëndia, po, me një shpagim. Ai vetë do të vijë dhe do t’ju shpëtojë!»—Isaia 35:3, 4.

[Shënimi]

^ par. 5 Shkrimet e përshkruajnë Libanin e lashtë si një vend prodhimtar me pyje të harlisura e me cedra madhështorë, ngjashëm kopshtit të Edenit. (Psalmi 29:5; 72:16; Ezekieli 28:11-13) Sharoni ishte i njohur për rrjedhat ujore dhe për pyjet e lisit, ndërsa Karmeli ishte i famshëm për vreshtat, pemishtet dhe për shpatet e mbuluara me lule.

[Pyetjet]

[Figura që zë gjithë faqen 370]

[Figurat në faqen 375]

Vendet e shkreta bëhen vende plot ujë me kallamishte dhe papiruse

[Figura në faqen 378]

Jezui i shëroi të sëmurët si në kuptimin frymor, ashtu edhe në atë fizik