A ka rëndësi çfarë lexoj?
Kapitulli 35
A ka rëndësi çfarë lexoj?
MBRETI Solomon ka thënë: «Bërja e shumë librave nuk ka fund dhe shumë devotshmëri ndaj tyre është e lodhshme për trupin.» (Eklisiastiu 12:12, BR) Solomoni nuk po përpiqej këtu të shkurajonte leximin. Ai vetëm po këshillonte për të qenë përzgjedhës.
Filozofi francez i shekullit të shtatëmbëdhjetë, Rëne Dekart, ka thënë: «Kur lexon libra të mirë, është sikur të bisedosh me njerëz të edukuar që kanë jetuar në të kaluarën. Madje mund ta quajmë një bisedë të përzgjedhur, në të cilën autori shpreh vetëm mendimet e tij më të fisme.» Megjithatë, jo të gjithë shkrimtarët janë të denjë ‘për të biseduar’ dhe jo të gjitha mendimet e tyre janë vërtet «të fisme».
Prandaj, hyn përsëri në lojë parimi biblik i cituar shpesh: «Shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira.» (1. Korintasve 15:33) Po, njerëzit me të cilët shoqërohesh, mund t’i japin trajtë personalitetit tënd. A ke harxhuar ndonjëherë kaq shumë kohë me një shok, sa fillon të veprosh, të flasësh dhe madje të mendosh si ai? Edhe leximi i një libri është njëlloj sikur të kalosh orë me atë që e shkroi.
Në këtë mënyrë, parimi i Jezuit në Mateun 24:15 lidhet drejtpërdrejt: «Lexuesi le të përdorë aftësi shquese.» (BR) Mëso të analizosh dhe të vlerësosh atë që lexon! Të gjithë njerëzit kanë në njëfarë mase paragjykime dhe nuk janë gjithmonë krejtësisht të ndershëm në portretizimin që u bëjnë fakteve. Prandaj, mos prano pa u menduar çdo gjë që lexon apo dëgjon: «Budallai i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.»—Proverbat 14:15.
Duhet të jesh veçanërisht i kujdesshëm në lidhje me leximin e çdo materiali që shtjellon filozofitë e jetës. Revistat për adoleshentë, për shembull, janë plot me këshilla mbi çdo gjë, duke filluar që nga shoqërimi për t’u njohur e deri tek marrëdhëniet seksuale paramartesore, por që jo gjithmonë një i krishterë duhet t’i ndjekë. Po për librat që kridhen në probleme filozofike me peshë, ç’mund të themi?
Bibla paralajmëron: «Tregoni kujdes se mos ndokush ju bën prenë e tij me anë të filozofisë dhe me mashtrime të kota, sipas traditës së njerëzve . . . dhe jo sipas Krishtit.» (Kolosianëve 2:8) Bibla dhe botimet e bazuara në Bibël, të tilla si ky, ofrojnë këshilla shumë më të mira.—2. Timoteut 3:16.
A janë të padëmshme romanet e dashurisë?
Vetëm në Shtetet e Bashkuara, rreth 20 milionë njerëz janë bërë lexues të zjarrtë të romaneve të dashurisë. Sigurisht që vetë Perëndia e futi tek burri dhe gruaja dëshirën për të rënë në dashuri dhe për t’u martuar. (Zanafilla 1:27, 28; 2:23, 24) Prandaj, nuk është për t’u habitur që dashuria shfaqet spikatshëm në pjesën më të madhe të letërsisë artistike dhe kjo nuk është medoemos e kundërshtueshme. Disa romane dashurie kanë arritur edhe statusin e letërsisë më të bukur. Por, përderisa romanet më të vjetra konsiderohen si pa interes nga normat moderne, shkrimtarët e kohëve të fundit e kanë parë të dobishme të nxjerrin një lloj të ri romanesh dashurie. Disa përdorin akoma skena historike ose nga Mesjeta, për të krijuar drama dhe atmosferë në tregim. Të tjerë romane janë të stilit dhe mjedisit bashkëkohor. Megjithatë, me shumë pak ndryshime, këto romane moderne dashurie ndjekin një formulë krejt të parashikueshme: heronj dhe heroina duke kapërcyer pengesa të tmerrshme që kërcënojnë idilin e dashurisë së tyre.
Në përgjithësi, heroi është një burrë i fuqishëm, arrogant dhe madje me shumë siguri në vetvete. Ndërsa heroina mund të jetë delikate dhe e prekshme, shpesh 10 apo 15 vjet më e vogël. Megjithëse ai e trajton atë me përçmim, ajo përsëri është në mënyrë të parezistueshme e tërhequr pas tij.
Shpesh, ka edhe një rival. Megjithëse është i sjellshëm dhe i njerëzishëm, ai nuk arrin të nxisë apo të fitojë simpatinë e heroinës. Në këtë mënyrë, ajo përdor joshje mashtruese
për ta ndryshuar heroin e saj stoik në një shpirt të butë, që tani ia shpall hapur dashurinë e tij të përhershme. Të gjitha dyshimet e mëparshme sqarohen dhe falen dhe ata martohen me gëzim e hare dhe bëjnë një jetë të gjatë e të lumtur . . .A është dashuria e vërtetë si ajo e romaneve?
A mund ta mjegullojë shikimin tënd të realitetit, leximi i këtyre fantazive? Ergesta që filloi të lexonte romane dashurie në moshën 16-vjeçare, sjell ndër mend: «Kërkoja një djalë të gjatë, brun dhe të pashëm. Një djalë interesant me një personalitet mbizotërues.» Ajo pranonte: «Nëse shoqërohesha me një djalë dhe ai nuk donte të më puthte dhe të më prekte, për mua ishte i ngathët, edhe pse ishte i njerëzishëm dhe i sjellshëm. Doja të provoja të njëjtat emocione, për të cilat kisha lexuar nëpër romane.»
Ergesta vazhdoi të lexonte romane të tilla edhe pas martesës dhe thotë: «Kisha një shtëpi dhe familje të bukur, por disi nuk më mjaftonte . . . Dëshiroja aventurat, emocionet dhe ndjenjat që përshkruheshin kaq joshëse nëpër romane. Mendoja se diçka nuk shkonte mirë në martesën time.» Megjithatë, Bibla e ndihmoi Ergestën të vlerësonte se një burrë duhet t’i ofrojë gruas shumë më tepër se joshja apo «emocionet». Bibla thotë: «Burrat duhet t’i duan gratë e veta porsi trupat e tyre; kush do gruan e vet do vetveten. Sepse askush nuk e urreu mishin e vet, por e ushqen dhe kujdeset me butësi për të.»—Efesianëve 5:28, 29.
Ç’mund të themi për temat kaq të zakonshme në romanet e dashurisë, përfundimet utopike dhe zgjidhjen me lehtësi të mosmarrëveshjeve? Ato janë shumë larg nga realiteti. Ergesta kujton: «Kur kisha ndonjë mosmarrëveshje me tim shoq, në vend që të diskutoja me të, kopjoja marifetet që përdorte personazhi i librit. Kur im shoq nuk reagonte ashtu si heroi i librit, unë varja buzët.» A nuk është shumë më realiste dhe praktike këshilla e Biblës për gratë, kur thotë: «Ju bashkëshorte, jini të nënshtruara bashkëshortëve tuaj.»—Kolosianëve 3:18.
Përmbajtje seksuale
Është interesant fakti se romanet me përmbajtje seksuale të shprehura qartë dhe që janë në dispozicion në libraritë publike të disa qyteteve, janë më të kërkuarit nga adoleshentët. A mund të të dëmtojnë? Klejda 18-vjeçare thotë: «Në të vërtetë librat ngjallnin tek unë ndjenja të forta seksuale dhe kureshtje. Dalldisja dhe ndjenjat euforike që ndiente heroina në takimet gjithë pasion me heroin, më bënin që t’i dëshiroja edhe unë ato ndjenja. Prandaj, në periudhën e njohjes,—vazhdon ajo,—u përpoqa të rikrijoja tek unë këto ndjenja, gjë që më çoi në kurvëri.» A ishte përvoja e saj si ajo e heroinave që kishte lexuar dhe fantazuar? Klejda bëri këtë zbulim: «Këto ndjenja janë fryt i fantazisë së shkrimtarëve. Nuk janë të vërteta.»
Qëllimi i disa autorëve është në të vërtetë krijimi i fantazive seksuale. Le të shohim udhëzimet që një botues u jep shkrimtarëve të romaneve të dashurisë: «Kur përshkruani takimet mes dy të dashuruarve, duhet të përqendroheni në pasionin dhe ndjenjat erotike që ngjallin puthjet dhe përkëdheljet e heroit.» Shkrimtarët këshillohen më tej, që historitë e dashurisë «duhet të nxisin emocion, tension dhe një reagim të thellë emocional dhe epshor tek lexuesi». Siç duket, leximi i një materiali të tillë nuk e ndihmon një person të ndjekë këshillën e Biblës për ‘të bërë që të vdesin gjymtyrët e trupit të tij që janë mbi tokë në lidhje me kurvërinë, papastërtinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme’.—Kolosianëve 3:5, BR.
Ji përzgjedhës!
Prandaj, është më mirë të shmangësh leximin e romaneve që ngjallin ndjenja imorale dhe shpresa jorealiste.
Përse të mos e zgjerosh këtë fushë e të përpiqesh të lexosh lloje të tjerë librash, si historikë apo shkencorë? Jo se është e ndaluar të lexohen romane e novela, sepse ka disa vepra artistike që nuk janë vetëm zbavitëse, por edhe edukative. Por, nëse ka për temë seksin, dhunën e pamëshirshme, praktikat e spiritizmit ose «heronj» me sjellje të shthurur, të pamëshirshëm apo lakmitarë, a duhet të harxhosh kohë duke i lexuar?Prandaj, tregohu i kujdesshëm! Para se të lexosh një libër, shiko me vëmendje kopertinën dhe mbështjelljen e librit! Sigurohu që libri nuk përmban asgjë të diskutueshme! Dhe nëse pavarësisht nga masat e marra, libri fillon të jetë i dëmshëm, gjej forca në karakter për ta lënë leximin e tij!
Krejt ndryshe nga këto, leximi i Biblës dhe i botimeve që kanë lidhje me Biblën nuk do të të dëmtojë, por do të të ndihmojë. Një vajzë japoneze, për shembull, thotë se leximi i Biblës e ndihmonte të hiqte mendjen nga seksi, që shpesh përbën një problem për të rinjtë. «E vija gjithmonë Biblën pranë krevatit dhe i vija vetes detyrë që ta lexoja para se të flija,—thotë ajo.—Kur jam vetëm dhe kur s’kam asgjë për të bërë (si koha kur shkohet në shtrat), mendja ime nganjëherë kthehet nga seksi. Në këtë mënyrë, leximi i Biblës më ka ndihmuar vërtet.» Po, «biseda» me njerëz të besimit që përshkruhen në Bibël, mund të të japë një karakter të vërtetë moral dhe ta shtojë në një masë të madhe lumturinë tënde.—Romakëve 15:4.
Pyetje për t’u trajtuar
□ Përse duhet të jesh përzgjedhës në atë që lexon?
□ Përse romanet e dashurisë janë kaq tërheqës për shumë të rinj? Por, ku qëndron rreziku i tyre?
□ Si mund të zgjedhësh material të përshtatshëm për lexim?
□ Cilat janë disa nga dobitë e leximit të Biblës dhe botimeve të bazuara në Bibël?
[Diçitura në faqen 287]
«Kisha një shtëpi dhe familje të bukur, por disi nuk më mjaftonte . . . Dëshiroja aventurat, emocionet dhe ndjenjat që përshkruheshin kaq joshëse nëpër romane. Mendoja se diçka nuk shkonte mirë në martesën time»
[Figura në faqen 283]
Duke qenë se janë në dispozicion mijëra libra, duhet të jesh përzgjedhës
[Figurat në faqen 285]
Romanet e dashurisë mund ta bëjnë leximin tërheqës, por a përçojnë një pikëpamje të shëndetshme mbi dashurinë dhe martesën?