Si mund ta largoj vetminë?
Kapitulli 14
Si mund ta largoj vetminë?
Është e shtunë mbrëma. Djali është ulur i vetëm në dhomën e tij.
«E urrej fundjavën!»—shpërthen ai. Por në dhomë s’ka njeri që t’i përgjigjet. Merr një revistë dhe shikon fotografinë e një grupi të rinjsh në plazh. E përplas revistën pas murit. I mbushen sytë. Kafshon me dhëmbë buzën e poshtme, por lotët nuk rreshtin. Në pamundësi për të duruar më, bie në shtrat, duke qarë me dënesë: «Përse më lënë gjithmonë vetëm?»
A NDIHESH ndonjëherë kështu, i shkëputur nga bota, i vetmuar, i pavlerë dhe bosh? Nëse po, mos u dëshpëro! Edhe pse të ndihesh i vetmuar nuk është diçka e bukur, kjo nuk përbën ndonjë sëmundje fatale. Me fjalë të thjeshta, vetmia është një shenjë paralajmëruese. Uria të paralajmëron se duhet të hash. Vetmia të paralajmëron se ke nevojë për shoqëri, afërsi dhe intimitet. Për të qenë mirë, kemi nevojë të hamë. Në mënyrë të ngjashme, për t’u ndier rehat, kemi nevojë për shoqëri.
A ke parë ndonjëherë një grumbull me thëngjij të ndezur? Po të veçosh një thëngjill nga grumbulli, ndriçimi i tij do të shuhet. Por, pasi e ke futur përsëri midis
prushit, ai fillon sërisht të ndriçojë! Kur jemi të veçuar, ngjashëm edhe ne njerëzit nuk «ndriçojmë», ose nuk ndihemi mirë për shumë kohë. Nevoja për shoqëri është ngulitur në qenien tonë.Vetëm, por jo i vetmuar
Eseisti Henry David Thoreau shkroi: «S’kam pasur kurrë një shok që të më ketë bërë shoqëri më të mirë se vetmia.» A je dakort? «Po,—thotë Beni 20-vjeçar.—Mua më pëlqen natyra. Disa herë, marr varkën time dhe shkoj në një liqen. Atje, rri ulur për orë të tëra, vetëm. Kjo më jep kohë të mendohem thellë se si po e përdor jetën time. Është vërtet e madhërishme.» Edhe Klajdi 21-vjeçar është dakort. «Jetoj në një banesë të madhe,—thotë ai,—dhe ndonjëherë ngjitem mbi tarracë, për të vetmen arsye që të jem vetëm. Mendohem ca dhe lutem. Kjo më freskon.»
Po, nëse i përdorim siç duhet, çastet e vetmisë mund të na japin kënaqësi të thellë. Jezui vetë kënaqej në çaste të tilla: «Të nesërmen në mëngjes, kur ende ishte shumë errët, Jezusi u ngrit, doli dhe shkoi në një vend të vetmuar dhe atje u lut.» (Marku 1:35) Mos harro, Jehovai nuk tha: «Nuk është mirë që njeriu të jetë përkohësisht vetëm.» Përkundrazi, Perëndia tha se për njeriun nuk ishte mirë ‘të vazhdonte i vetëm’. (Zanafilla 2:18-23, BR) Pra, janë periudhat e zgjatura të veçimit, ato që mund të sjellin vetminë. Bibla paralajmëron: «Kush veçohet kërkon kënaqësinë e tij dhe zemërohet kundër gjithë diturisë së vërtetë.»—Proverbat 18:1.
Vetmi e përkohshme
Disa herë, vetmia na rëndon për shkak të rrethanave që janë përtej kontrollit tonë, si për shembull, të jesh larg
miqve të ngushtë, për shkak të një transferimi. Klajdi kujton: «Kur isha në shtëpinë e vjetër, Joni dhe unë ishim shokë më të lidhur se vëllezërit. Kur u transferova, e dija se do ta ndieja mungesën e tij.» Klajdi ndalet pak, sikur do të rijetojë çastin e ndarjes. «Kur erdhi koha për të hipur në avion, m’u mblodh një lëmsh në fyt. U përqafuam dhe unë u nisa. E ndjeva se kisha humbur diçka të çmuar.»Si ia bëri Klajdi në ambientin e ri? «Mezi shtyhej,—thotë ai.—Atje ku jetoja më parë, shokët më donin, ndërsa këtu disa nga personat me të cilët punoja, më bënin të ndihesha i pavlerë. Më kujtohet që shikoja orën, llogarisja katër orë mbrapa (që ishte ndryshimi i orës) dhe mendoja se ç’mund të ishim duke bërë tani unë dhe Joni. Ndihesha i vetmuar.»
Kur punët nuk na shkojnë mirë, shpesh lëkundemi në djepin e kohëve më të mira që kemi kaluar. Megjithatë, Bibla thotë: «Mos thuaj: ‘Si është e mundur që ditët e kaluara ishin më të mira nga këto?’» (Eklisiastiu 7:10) Përse na jep këtë këshillë?
Pikësëpari, rrethanat mund të ndryshojnë për më mirë. Ja, përse kërkuesit flasin shpesh për «vetmi të përkohshme». Në fakt, Klajdi mundi ta kalonte vetminë. Në ç’mënyrë? «Duke folur për ndjenjat e mia me dikë që donte të më ndihmonte. Nuk mund të jetohet me të shkuarën.
E detyrova veten që të njihja miq të tjerë, të interesohesha për ta. Ia dola mbanë; gjeta miq të rinj.» Po Joni? «Kisha gabuar. Largimi nuk i dha fund miqësisë sonë. Të nesërmen e mora në telefon. Folëm e folëm, për një orë e 15 minuta.»Vetmi kronike
Megjithatë, disa herë dhimbja brejtëse e vetmisë vazhdon dhe duket sikur s’ka rrugëzgjidhje. Rolandi, nxënës në shkollën e mesme, tregon: «Ka tetë vjet që shkoj në shkollën e kësaj lagjeje dhe gjatë gjithë kësaj kohe nuk arrita të bëj një shok të vetëm! . . . Askush nuk e di ç’mendoj unë dhe askujt nuk i intereson. Disa herë, mendoj se nuk duroj dot më!»
Si Rolandi, edhe shumë adoleshentë të tjerë provojnë atë që shpesh quhet vetmi kronike. Kjo është më serioze se vetmia e përkohshme. Në fakt, kërkuesit thonë se këto të dyja janë «aq të ndryshme, sa e ftohura normale me pneumoninë». Por, ashtu siç mund të kurohet pneumonia, mund të mposhtet edhe vetmia kronike. Hapi i parë është të përpiqesh për të zbuluar shkaqet e saj. (Proverbat 1:5) Alma 16-vjeçare përcakton me saktësi shkakun më të zakonshëm të vetmisë kronike, duke thënë: «Mendoj se arsyeja për të cilën ndihem shumë e vetmuar është ngaqë . . . si të them, nuk mund të kesh shokë, po të ndihesh keq me vetveten. Dhe unë mendoj se s’jam fort e kënaqur me veten.»—Lonely in America.
Kolosianëve 3:9-12, BR.
Vetmia e Almës vinte nga brenda. Mungesa e vlerësimit për veten formonte një barrikadë, e cila nuk e lejonte atë të hapej e të zinte shoqe. Një kërkues thotë: «Mendime të tilla, si ‘nuk jam tërheqëse’, ‘nuk jam interesante’, ‘s’kam vlerë’, janë tema të zakonshme midis të vetmuarve kronikë.» Çelësi për të mposhtur vetminë, pra, mund të gjendet në krijimin e respektit për veten. (Shiko kapitullin 12.) Duke zhvilluar atë që Bibla e quan «personaliteti i ri», i karakterizuar nga mirësia, përulësia e mendjes dhe butësia, sigurisht që respekti për veten ka për t’u rritur!—Për më tepër, duke mësuar të kënaqesh me veten, të tjerët do të ndihen të tërhequr drejt cilësive të tua tërheqëse. Por, ashtu si edhe ti mund të shohësh ngjyrat e një luleje vetëm pasi të ketë çelur, kështu edhe të tjerët mund t’i vlerësojnë plotësisht cilësitë e tua, vetëm nëse ti u hapesh atyre.
Thyej akullin!
‘Këshilla më e mirë për një person të vetmuar,—thotë një botim i fundit nga Instituti Kombëtar i Higjienës Mendore në Shtetet e Bashkuara,—është që të interesohet për të tjerët.’ Kjo këshillë përputhet me atë të Biblës, për t’u «zgjeruar» dhe për të treguar «ndjenja të përbashkëta» apo empati. (2. Korintasve 6:11-13, BR; 1. Pjetrit 3:8, BR) Kjo ka sukses. Kur kujdesesh për të tjerët, jo vetëm që heq mendjen nga vetmia jote, por edhe u jep atyre arsye që të interesohen për ty.
Prandaj, Najada nëntëmbëdhjetëvjeçare vendosi të mos rrinte më duarkryq, duke pritur që të tjerët t’i thoshin:
«Ç’kemi?» «Edhe unë duhej të tregohesha miqësore,—thotë ajo.—Përndryshe, njerëzit do të mendonin se isha hundëpërpjetë.» Fillo, pra, me një buzëqeshje! Tjetri mund të ta kthejë buzëqeshjen.Më tej, hap muhabetin! Liljana 15 vjeçe pranon: «T’u afrohesh për herë të parë të panjohurve, me të vërtetë të fut tmerrin. Kisha frikë se s’do të më pranonin.» Si e filloi muhabetin Liljana? Ajo thotë: «Bëra pyetje të thjeshta, si ‘Nga je?’, ‘A e njeh filanin?’ Të dy mund të kemi një person të njohur të përbashkët e në pak kohë biseda ka filluar.» Gjithashtu, veprimet e sjellshme dhe fryma bujare do të të ndihmojnë të zësh miqësi të vlefshme.—Proverbat 11:25.
Mos harro, gjithashtu, se mund të kesh një shok që kurrë s’ka për të të braktisur. Jezu Krishti u tha dishepujve të tij: «Unë nuk jam vetëm, sepse Ati është me mua.» (Gjoni 16:32) Edhe për ty, Jehovai mund të bëhet shoku më i ngushtë. Mësohu të njohësh personalitetin e tij, duke lexuar Biblën e duke vëzhguar krijimin e tij! Forcoje miqësinë me të, duke u lutur! Së fundi, miqësia me Jehovain është ilaçi më i mirë kundër vetmisë.
Nëse herë pas here, ende ndihesh i vetmuar, mos u merakos! Është më se normale. Por, ç’mund të bësh nëse ndrojtja e tepërt të pengon të zësh shokë e të rrish me të tjerët?
Pyetje për t’u trajtuar
□ A është patjetër një gjë e keqe të jesh vetëm? A ka dobi vetmia?
□ Përse në pjesën më të madhe vetmia është e përkohshme? A të duket se kjo është e vërtetë edhe në rastin tënd?
□ Ç’është vetmia kronike dhe si mund ta luftosh?
□ Cilat janë disa mënyra për ‘të thyer akullin’ me të tjerët? Çfarë ka qenë e dobishme për ty?
[Diçitura në faqen 119]
‘Këshilla më e mirë për një person të vetmuar,—thotë Instituti Kombëtar i Higjienës Mendore në Shtetet e Bashkuara,—është që të interesohet për të tjerët.’
[Figurat në faqet 116, 117]
Lidhjet me miqtë mund të mbahen edhe në largësi të mëdha
[Figura në faqen 118]
Periudhat e vetmisë mund të jenë të pëlqyeshme