Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si mund të kem një periudhë të suksesshme njohjeje?

Si mund të kem një periudhë të suksesshme njohjeje?

Kapitulli 32

Si mund të kem një periudhë të suksesshme njohjeje?

«PJESA më e madhe e martesave të dështuara, janë shoqërime të dështuara. Kjo pikë gjithmonë duhet theksuar.» Kështu tha Pol H. Landis, një studiues në fushën e jetës familjare. Arjana garanton për saktësinë e këtij pohimi. Ajo shpjegon: «Gabimi im më i madh ishte se krijova një lidhje dashurie me Andin, përpara se t’i jepja mundësi vetes të kuptoja se çfarë personi ishte. Koha jonë e shoqërimit ishte shumë e kufizuar me takime vetëm për vetëm. Kurrë nuk pashë se si reagonte ai jashtë këtyre situatave ‘ideale’.» Martesa e tyre u copëtua me divorc. Cili ishte çelësi për të shmangur një tragjedi të tillë? Një periudhë e suksesshme njohjeje!

Para se të shoqërohesh

«Njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.» (Proverbat 14:15) Të ushqesh ndjenja romantike për dikë që sapo e ke njohur, edhe pse duket tërheqës, do të thotë të ndjellësh shkatërrim. Mund të të çojë në një martesë me dikë, ndjenjat e synimet e të cilit janë shumë larg me të tuat. Prandaj, është e mençur që së pari ta vëzhgosh këtë person kur ndodhet në shoqërinë e të tjerëve, ndoshta ndërsa jeni duke gëzuar ndonjë lloj pushimi.

«E dija se po të afrohesha shumë që në fillim, ndjenjat do të ma mjegullonin gjykimin,​—tha Gerti, i cili që prej dhjetë vjetësh gëzon një martesë të lumtur.​—Prandaj, e shikoja Edlirën nga larg, pa i bërë të ditur se interesohesha për të. Kisha mundësi të shikoja se si i trajtonte të tjerët apo nëse ishte ndonjë marrëdhënie vetëm sa për të kaluar kohën. Gjatë bisedave të rastësishme, zbulova rrethanat dhe qëllimet e saj.» Për të zbuluar se çfarë reputacioni ka ai apo ajo, do të të ndihmojnë edhe bisedat me dikë që e njeh mirë.​—Krahaso Proverbat 31:31.

Takimet e para

Pasi të kesh vendosur se dikush mund të jetë një bashkëshorte apo bashkëshort i përshtatshëm për ty, mund t’i afrohesh dhe t’i shprehësh dëshirën për ta njohur më mirë. * Duke pretenduar se përgjigjja do të jetë pozitive, nuk është e nevojshme që takimi juaj i parë të jetë diçka e stërholluar. Ndoshta një ftesë për drekë apo një shëtitje në grup do t’ju japë mundësi të njiheni më mirë, aq sa të vendosni nëse do ta vazhdoni edhe më tej marrëdhënien tuaj. Mbajtja e çështjes në njëfarë mënyre joformale, ndihmon për të lehtësuar nervozizmin që ndoshta të dy mund të ndieni si fillim. Duke shmangur shprehjet e parakohshme të angazhimit, mund të zvogëlosh ndjenjat e mospranimit, ose të trazimit, nëse njëri nga ju humb interesin.

Çfarëdolloj takimi i parashikuar qoftë, shko në kohë, i rregullt dhe me veshjen e përshtatshme. Tregohu i aftë për të bashkëbiseduar! Dëgjo me vëmendje! (Jakovi 1:19) Edhe pse nuk ekzistojnë rregulla absolute në këtë fushë, një djalë do të ndjekë normat lokale për nga pikëpamja etike. Për shembull, do t’i hapë derën shoqes ose do ta ndihmojë të ulet. Vajza, duke mos pritur që të trajtohet si një princeshë, duhet të bashkëpunojë me modesti me përpjekjet e kavalierit. Duke e trajtuar njëri-tjetrin me respekt reciprok, çifti mund të vendosë një model për të ardhmen. Burri urdhërohet ‘të nderojë gruan e tij si një enë më të dobët’, ndërsa gruaja duhet të ketë «respekt të thellë për burrin e saj».​—1. Pjetrit 3:7, BR; Efesianëve 5:33, BR.

A është e përshtatshme të kapeni për dore, të putheni apo të përqafoheni dhe nëse po, kur? Shfaqjet e dashurisë, nëse janë shprehje të sinqerta vlerësimi dhe jo një pasion egoist, janë sa të pastra, aq edhe të përshtatshme. Libri biblik, Kënga e këngëve, tregon se gjeste të përshtatshme dashurie janë shkëmbyer midis vajzës sulamite dhe bariut që ajo dashuronte dhe që së shpejti do të bëhej burri i saj. (Kënga e këngëve 1:2; 2:6; 8:5) Por, ashtu si ky çift i dëlirë, dy të rinj duhet të kenë kujdes që këto shprehje dashurie të mos bëhen të papastra dhe të mos çojnë në imoralitet seksual. * (Galatasve 5:19, 21) Në mënyrë logjike, shprehje të tilla të dashurisë duhet të bëhen vetëm atëherë kur marrëdhënia ka arritur në pikën e angazhimit reciprok dhe kur martesa duket e padiskutueshme. Duke treguar vetëkontroll, nuk do të humbësh nga mendja një nga qëllimet kryesore të një periudhe të suksesshme njohjeje, d.m.th. . . .

Të njohësh «personin e fshehtë të zemrës»

Një ekip kërkuesish raportoi në një revistë të botuar në maj 1980: «Duket se martesat mund të mbijetojnë e të lulëzojnë, nëse njerëzit i hyjnë asaj pune pasi njohin plotësisht personin e brendshëm të njëri-tjetrit.» (Journal of Marriage and the Family) Po, njohja e «personit të fshehtë të zemrës» së partnerit tënd është thelbësore.​—1. Pjetrit 3:4, BR.

Megjithatë, për ‘të kuptuar’ synimet e zemrës së një tjetri duhen përpjekje dhe aftësi shquese. (Proverbat 20:5) Prandaj, planifiko aktivitete që mund të të ndihmojnë të kuptosh personin e brendshëm të partnerit tënd. Nëse në parim është e mjaftueshme të shkoni për të parë një film apo një koncert, kryerja e aktiviteteve që nxjerrin në plan të parë bashkëbisedimin (si patinazhi, loja me birrila, vizita në kopshtin zoologjik, në muze apo në galeri artesh) mund t’ju ndihmojnë të njiheni më mirë.

Për të pasur vetëm një ide se ç’mendon partneri yt, mundohu të bësh pyetje të tilla: «Si e kalon kohën e lirë? Çfarë do të bëje, sikur të mos i kishe problem paratë? Cili aspekt i adhurimit që i bëjmë Perëndisë të pëlqen më shumë? Përse?» Këto pyetje u hapin rrugë përgjigjeve të thella, që të ndihmojnë të njohësh vlerat e partnerit.

Kur marrëdhënia thellohet dhe që të dy mendoni më seriozisht për martesën, është e nevojshme të flitni seriozisht për çështje të rëndësishme si për gjërat që kanë më tepër vlerë për ju; ku dhe si do të jetoni; për çështjet financiare, duke përfshirë edhe nëse do të punoni që të dy apo jo; për fëmijët; për kontrollin e lindjeve; për rolin e secilit në martesë; për synimet e afërta e të largëta dhe se si planifikoni t’i arrini ato. Shumë të rinj Dëshmitarë të Jehovait pas mbarimit të shkollës bëhen ungjilltarë në shërbim të plotë kohor dhe dëshirojnë të vazhdojnë të shërbejnë si të tillë edhe pas martesës. Prandaj, është çasti i volitshëm që të dy të siguroheni nëse synimet tuaja frymore pajtohen. Gjithashtu, ndoshta është çasti që të zbuloni ato gjëra, që lidhen ndoshta me të kaluarën, të cilat mund të ndikojnë mbi martesën. Këto mund të përfshijnë ndonjë borxh apo detyrim të madh. Duhet të flitet hapur edhe për problemet e shëndetit, për shembull, për ndonjë sëmundje serioze dhe për pasojat që ajo lë.

Gjatë bisedave të tilla ndiq shembullin e Elihut, i cili tha: «Fjalët e mia burojnë nga një zemër e drejtë, buzët e mia do të thonë njohuri të pastra.» (Jobi 33:3) Duke shpjeguar se si periudha e njohjes e përgatiti për një martesë të lumtur, Entela tha: «Asnjëherë nuk mundohesha ‘të shtiresha’ ose të thosha se isha dakort me Ilirin, kur në fakt ndieja të kundërtën. Edhe tani nuk e bëj. Gjithmonë mundohem të jem e ndershme.»

Mos dredho dhe mos i trajto përciptazi çështjet delikate, nga frika se mos e vë partnerin në pozitë të vështirë. Blerina e bëri këtë gabim gjatë periudhës së shoqërimit me Bledin. Ajo i tha se i dukej e drejtë të vinin ca para mënjanë për të ardhmen e të mos i bënin rrush e kumbulla. Bledi tha se ishte dakort. Blerina nuk e zuri më me gojë, duke menduar se ishin të një mendjeje për çështjen e parave. Por doli se për Bledin të vije ca para mënjanë për të ardhmen, donte të thoshte të kurseje për të blerë një makinë të re sportive! Pas martesës, mospajtimi mbi mënyrën e shpenzimit të parave u bë tepër i dukshëm.

Këto keqkuptime mund të shmangen. Arjana, e përmendur më lart, duke kujtuar periudhën e njohjes, thotë: «Duhej të kisha bërë më shumë pyetje të tilla, si: ‘Çfarë do të bëje, sikur të mbetesha shtatzënë e ti të mos doje të kishe një fëmijë?’ Ose: ‘Sikur të ishim në borxhe dhe unë të dëshiroja të qëndroja në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijën, si do ta zgjidhje problemin?’ Do të kisha vërejtur më me kujdes reagimin e tij.» Këto biseda mund të nxjerrin në pah ato cilësi të zemrës, që do të ishte më mirë të shiheshin përpara martesës.

Shikoje se si vepron!

«Një njeri mund të jetë shumë i sjellshëm me ty kur jeni vetëm për vetëm,​—tha Elsa.​—Por në shoqërinë e të tjerëve, shpesh gjenden në situata të papritura. Një nga miqtë e tu mund t’i thotë partnerit tënd diçka që atij nuk i pëlqen. Në këtë rast, shiko se si reagon kur gjendet nën presion. Do t’ia kthejë, apo do të jetë sarkastik?» Ajo përfundon: «Gjatë periudhës së shoqërimit na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë qëndrimi me miqtë dhe me familjarët e njëri-tjetrit.»

Përveç zbavitjeve, gjeni kohë për të punuar së bashku. Merrni pjesë në veprat e krishtere, duke përfshirë studimin e Fjalës së Perëndisë dhe shërbimin e krishterë. Gjithashtu, kryeni së bashku edhe disa punë shtëpie, që pas martesës do të bëhen pjesë të jetës së përditshme: pazarin, përgatitjen e ushqimit, larjen e pjatave dhe pastrimin e shtëpisë. Duke qëndruar së bashku në situata të jetës reale, edhe kur partneri apo partnerja duket ndoshta në momentet më të këqija, mund të shohësh përtej çdo maske apo dukjeje të jashtme.

Bariu në librin Kënga e këngëve kishte parë se si vepronte vajza që ai donte, kur ishte e mërzitur apo kur punonte e djersitur dhe e lodhur nën diellin përvëlues. (Kënga e këngëve 1:5, 6; 2:15) Pasi pa edhe se si u kishte rezistuar me besnikëri lajkave të mbretit të pasur Solomon, ai thirri: «Ti je e tëra e bukur, mikja ime dhe nuk ka në ty asnjë të metë.» (Kënga e këngëve 4:7) Sigurisht, ai nuk donte të thoshte se ajo ishte e përsosur, por që nuk kishte të meta morale apo cen. Bukurinë e saj fizike e shtonte forca e saj morale, që tejkalonte çdo dobësi nga ana e saj.​—Krahaso Jobin 31:7.

Duhet kohë për të bërë një vlerësim të tillë. Prandaj, shmang një periudhë të shpejtë njohjeje. (Proverbat 21:5) Zakonisht, burri dhe gruaja bëjnë të pamundurën për të fituar dashurinë e njëri-tjetrit. Por, nëse lihet kohë e mjaftueshme, zakonet dhe prirjet e papëlqyeshme e gjejnë mënyrën për t’u shfaqur. Një çift që nuk merr vetëm kohë, por edhe e përdor këtë kohë në mënyrën më të mirë gjatë periudhës së njohjes, do ta ketë më të lehtë përshtatjen pas martesës. Duke i mbajtur sytë hapur, mund të futen në martesë me bindjen se do të jenë në gjendje t’i sheshojnë mosmarrëveshjet që mund të shfaqen. Periudha e suksesshme e njohjes i ka përgatitur për një martesë me sukses dhe me lumturi.

[Shënimet]

^ par. 8 Kjo vlen për ato vende ku një sjellje e tillë është e zakonshme dhe konsiderohet si e përshtatshme për të krishterët. Zakonisht është djali që e merr iniciativën i pari, edhe pse nuk ekziston asnjë parim biblik që e ndalon një vajzë të shprehë me modesti ndjenjat e saj, nëse djali duket i turpshëm apo ngurron.​—Krahaso Kënga e këngëve 8:6.

^ par. 10 Shiko kapitullin 24, «Si t’u them jo marrëdhënieve seksuale paramartesore?»

Pyetje për t’u trajtuar

□ Cili është një synim kryesor i periudhës së njohjes dhe sa i rëndësishëm është për lumturinë martesore?

□ Ç’do të të ndihmojë për të njohur ‘personin e brendshëm’ të tjetrit?

□ Cilat lloj bisedash i kontribuojnë një periudhe të suksesshme njohjeje?

□ Përse është e dobishme të kaloni kohë së bashku në rrethana nga më të ndryshmet?

□ Cilët janë disa tregues të një marrëdhënieje me të meta?

□ Kur duhet të marrë fund periudha e njohjes?

[Diçitura në faqen 255]

«Duket se martesat mund të mbijetojnë e të lulëzojnë, nëse njerëzit i hynë asaj pune pasi njohin plotësisht personin e brendshëm të njëri-tjetrit.»​—Journal of Marriage and the Family

[Kutia dhe figura në faqet 256, 257]

A duhet të ndahemi?

Ndërsa shoqërimi i afrohet udhëkryqit të vendimit, nuk është e pazakonshme që të lindin dyshime. Por, ç’mund të themi nëse këto dyshime vijnë nga të meta serioze të personit me të cilin po shoqërohesh, apo nga të meta të vetë marrëdhënies?

Për shembull, është e vërtetë se edhe njerëzit që e duan njëri-tjetrin, disa herë mund të mos shkojnë dakort. (Krahaso Zanafillën 30:2; Veprat 15:39.) Por, nëse nuk shkoni dakort pothuajse në çdo gjë, nëse çdo bisedë përfundon në një ndeshje me të bërtitura, apo nëse marrëdhënia juaj është një cikël i pasosur me ndarje e pajtime, atëherë kini kujdes! Një anketë e 400 mjekëve zbuloi se zënkat e vazhdueshme janë një tregues i fortë se çifti «nuk është gati emocionalisht për martesë», duke zbuluar ndoshta edhe «konflikte të papajtueshme midis të dyve».

Një shkak tjetër për shqetësim mund të jetë zbulimi nga ana jote i disa të metave shqetësuese në personalitetin e bashkëshortit të mundshëm. Shfaqja e një temperamenti të dhunshëm apo edhe shenjat e egoizmit, të papjekurisë, të humorit të keq dhe të kokëfortësisë, mund të bëjnë që të pyesësh veten, nëse dëshiron të kalosh jetën me këtë njeri. Megjithatë, shumë veta i nënvlerësojnë apo përpiqen t’i justifikojnë mangësi të tilla e duken të vendosur për ta vënë në funksionim marrëdhënien me çdo kusht. Përse?

Meqë periudha e njohjes merret seriozisht nga të krishterët e vërtetë, e kështu duhet të jetë, disa ndihen të detyruar të martohen me personin me të cilin po shoqërohen. Gjithashtu, mund të tremben të përballojnë apo ndoshta të mos e lëndojnë këtë person. Të tjerë, vetëm mund të kenë frikë se mund të mos jenë në gjendje të gjejnë dikë tjetër për t’u martuar. Gjithsesi, këto nuk janë arsye të mira për të zgjatur një periudhë njohjeje plot probleme.

Qëllimi i periudhës së njohjes është të shqyrtojë mundësinë e një martese. Nëse një i krishterë e nis periudhën e njohjes me mirëbesim, ai apo ajo nuk janë të detyruar ta vazhdojnë nëse del me të meta. Përveç kësaj, a nuk do të ishte e gabuar dhe egoiste të zgjasje një marrëdhënie që ka marrë teposhtën, vetëm ngaqë ‘ndoshta s’mund të gjesh dikë tjetër’? (Krahaso Filipianëve 2:4.) Prandaj, është e rëndësishme që ju t’i përballoni dhe jo t’i shmangni problemet tuaja, si çift. Filloni me një shqyrtim të fortë të personit me të cilin po shoqëroheni.

Për shembull, a ka dëshmi se do të jetë një grua e nënshtruar dhe e aftë. (Proverbat 31:10-31) A ka dëshmi se do të jetë një burrë që do të tregojë dashuri vetëflijuese e se do të jetë një sigurues i zoti? (Efesianëve 5:28, 29; 1. Timoteut 5:8) Një person mund të pohojë se është një shërbëtor i zellshëm i Perëndisë, por a ka vepra për të mbështetur pohimin e një besimi të tillë?​—Jakovit 2:17, 18.

Natyrisht, po të kesh shpenzuar shumë kohë dhe ndjenja për të zhvilluar një marrëdhënie, mos u shpejto ta prishësh, vetëm sepse ke zbuluar se ai apo ajo nuk është i/e përsosur. (Jakovit 3:2) Ndoshta, mund të mësohesh të jetosh me të metat e atij personi.

Ç’mund të themi nëse nuk mundesh? Flit për këto çështje! A keni ndryshime thelbësore në qëllime apo pikëpamje? Apo kanë qenë vetëm keqkuptime? A mund të jetë rasti që të dy keni nevojë të mësoni si ‘të frenoni zemërimin’ e t’i trajtoni çështjet më me qetësi? (Proverbat 25:28) Nëse ai apo ajo ka të meta personaliteti, që të mërzisin e të shqetësojnë, a i pranon me përulësi mangësitë dhe tregon dëshirë për t’u përmirësuar? A është e nevojshme që ti nga ana jote të jesh më pak i ndjeshën apo i prekshëm? (Eklisiastiu 7:9) Forca jetëdhënëse e një martese të mirë është ‘të duroni njëri-tjetrin me dashuri’.​—Efesianëve 4:2.

Në vend se të shkatërrojë marrëdhënien tuaj, diskutimi i çështjeve mund të zbulojë më mirë potencialin që ekziston për një rritje të ardhme! Por, nëse biseda përfundon thjesht në një tjetër ndarje zhgënjyese, mos i nënvlerësoni shenjat e qarta të një shkatërrimi të pandalshëm. (Proverbat 22:3) Ka mundësi që gjërat të mos përmirësohen pas martesës. Përfundimi i periudhës së njohjes mund t’u shërbejë interesave më të mira të të dyve.

[Figura në faqen 253]

Vëzhgimi i njëri-tjetrit në shoqëri, mund t’ju lejojë që të njiheni pa ngatërresa romantike

[Figura në faqen 254]

Ndjekja e rregullave lokale të etikës dhe të sjelljes së mirë, vendos modelin për një respekt reciprok, që mund të vazhdojë gjatë martesës

[Figura në faqen 259]

Kur bëhet e dukshme se një periudhë njohjeje nuk po shkon mirë, gjëja më dashamirëse për të bërë është një diskutim vetëm për vetëm, duke shpjeguar se përse marrëdhënia duhet të përfundojë