Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Qeveria paqësore e Perëndisë

Qeveria paqësore e Perëndisë

Kapitulli 13

Qeveria paqësore e Perëndisë

1. Çfarë nuk kanë mundur të bëjnë qeveritë njerëzore?

A KE VËNË RE se qeveritë njerëzore, madje edhe ato që kanë pasur qëllime të mira, nuk kanë mundur t’i kënaqin nevojat e vërteta të njerëzve? Asnjë prej tyre nuk i ka zgjidhur problemet e kriminalitetit dhe urrejtjes racore apo nuk ka siguruar ushqim të përshtatshëm dhe strehim për njerëzit e tyre. Ato nuk i kanë liruar plotësisht banorët e tyre nga sëmundjet. Asnjë qeveri nuk ka mundur të ndalojë plakjen dhe vdekjen apo t’i kthejë sërish të vdekurit në jetë. Asnjë prej tyre nuk i ka sjellë qytetarëve të vet paqe dhe siguri të përhershme. Qeveritë njerëzore, thjesht, nuk janë në gjendje t’i zgjidhin problemet e mëdha me të cilat ballafaqohet njerëzimi.

2. Cili është lajmi kryesor i Biblës?

2 Krijuesi ynë e di se sa shumë kemi nevojë për një qeveri të drejtë, e cila do t’u mundësojë të gjithë njerëzve të gëzojnë një jetë të plotë dhe të lumtur. Për këtë arsye, Bibla flet mbi një qeveri nën drejtimin e Perëndisë. Kjo qeveri e premtuar e Perëndisë është në fakt, lajmi kryesor i Biblës.

3. Çfarë thuhet tek Isaia 9:6, 7 mbi qeverinë e Perëndisë?

3 Por, ti mund të pyesësh: «Ku flitet në Bibël mbi qeverinë e Perëndisë?» Për shembull, flitet tek Isaia 9:6, 7, ku lexojmë: «Sepse na lindi një djalë, na u dha një bir; dhe pushteti princëror do të jetë mbi shpatullat e tij. Do të quhet me emrin këshilltar i mrekullueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes. Bollëku i pushtetit princëror dhe i paqes nuk do të ketë fund.»​—Isaia 9:6, 7.

4. Kush është fëmija që do të bëhet sundues i qeverisë së Perëndisë?

4 Bibla këtu flet për lindjen e një fëmije, një princi. Me kohë ai «bir mbreti» do të bëhej një qeveritar i madh, «Princi i paqes». Atij do t’i besohej një qeveri me të vërtetë e mrekullueshme. Kjo qeveri do t’i sillte paqe gjithë tokës, paqe që do të mbetet përgjithmonë. Fëmija, lindja e të cilit u paratha tek Isaia 9:6, 7, ishte Jezui. Kur engjëlli Gabriel e lajmëroi virgjëreshën Marie për lindjen e Jezuit, tha për të: «Ai do të mbretërojë . . . përgjithmonë. Dhe Mbretëria e tij nuk do të ketë fund.»​—Luka 1:30-33, St.

THEKSOHET RËNDËSIA E MBRETËRISË

5. (a) Si tregohet në Bibël rëndësia e Mbretërisë? (b) Çfarë është Mbretëria e Perëndisë dhe çfarë do të bëjë ajo?

5 Ndërsa ishte mbi Tokë, vepra kryesore e Jezuit dhe e përkrahësve të tij ishte predikimi dhe mësimi mbi ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë. (Luka 4:43; 8:1) Në Bibël, kjo mbretëri përmendet mbi 140 herë. Jezui i mësoi ithtarët e vet t’i luten Perëndisë: «Le të vijë Mbretëria jote! Le të bëhet vullneti yt si në qiell ashtu edhe në Tokë!» (Mateu 6:10, St.) A është kjo mbretëri, për të cilën luten të krishterët, një qeveri e vërtetë? Ti ndoshta ke mësuar se jo, por ashtu është. Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, është mbret i Mbretërisë dhe mbarë Toka do të jetë territori mbi të cilin ai do të qeverisë. Sa bukur do të jetë, kur njerëzit nuk do të jenë më të ndarë në shumë kombe kundërshtare, por do të jenë të bashkuar në paqe nën qeverinë e Mbretërisë së Perëndisë!

6. Përse Jezui, kur ishte mbi Tokë, tha se Mbretëria ishte «afër» dhe «në mes tuaj»?

6 Gjon Pagëzuesi filloi të predikonte mbi këtë qeveri, duke u thënë njerëzve: «Kthehuni se u afrua Mbretëria e qiellit!» (Mateu 3:1, 2, DSF) Përse mund ta thoshte Gjoni këtë? Sepse Jezui, ai që do të bëhej sundimtar i kësaj qeverie qiellore, ishte gati për t’u pagëzuar prej tij e të mirosej me frymën e shenjtë të Perëndisë. Kështu që mund ta kuptosh, se përse Jezui më vonë u tha farisenjve: «Ja! Mbretëria e Perëndisë është në mesin tuaj!» (Luka 17:21) Dhe kjo sepse Jezui si mbret i mirosur i Perëndisë, ishte aty, me ta. Gjatë tri viteve e gjysëm të predikimit dhe të mësimit të tij, Jezui, duke i mbetur besnik Perëndisë deri në vdekje, dha prova se e meritonte të bëhej mbret.

7. Nga çfarë shihet se Mbretëria ishte një çështje me rëndësi kur Jezui ishte mbi Tokë?

7 Që të tregojmë se mbretëria e Perëndisë ishte çështje e rëndësishme gjatë shërbimit të Krishtit, le të shqyrtojmë se çfarë ndodhi ditën e fundit para vdekjes së tij. Bibla na thotë se njerëzit e akuzuan Jezuin, duke thënë: «Këtë njeri e zumë duke nxitur popullin tonë në kryengritje, ndalon t’i jepet Cezarit tatimi e për vete thotë se është Mesia​—Mbret.» Kur dëgjoi këto gjëra, guvernatori romak, Ponc Pilati, e pyeti Jezuin, «A je ti mbreti i judenjve?​—Luka 23:1-3, DSF.

8. (a) Si u përgjigj Jezui, kur u pyet se a ishte mbret? (b) Çfarë kishte ndër mend Jezui, kur tha se Mbretëria e tij «nuk është nga këtu»?

8 Jezui nuk iu përgjigj drejtpërsëdrejti pyetjes së Pilatit, por tha: «Mbretëria ime nuk i takon kësaj bote. Sikur t’i takonte Mbretëria ime kësaj bote, oborrtarët e mi do të luftonin që të mos u dorëzohem hebrenjve. Por, Mbretëria ime nuk është nga këtu.» (St). Jezui u përgjigj kështu, sepse e tija nuk do të ishte një mbretëri tokësore. Ai do të qeverizojë nga qielli dhe jo si një njeri mbi ndonjë fron në tokë. Pasi çështja ishte se a kishte Jezui të drejtë të qeverisë si mbret apo jo, Pilati e pyeti edhe një herë: «Pra, ti je mbret?»

9. (a) Cilën të vërtetë të mrekullueshme bëri të njohur Jezui? (b) Cilat janë pyetjet e mëdha sot?

9 Është e qartë, se Jezui ndodhej në një gjyq për jetën e tij, sepse kishte predikuar dhe mësuar mbi një qeveri të re. Prandaj, iu përgjigj Pilatit: «Ti vetë po thua se unë jam mbret. Për këtë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë, që të dëshmoj për të vërtetën.» (Gjoni 18:36, 37) Po, Jezui e kaloi jetën e vet në tokë, duke u shpallur njerëzve të vërtetën e mrekullueshme mbi qeverinë e Mbretërisë së Perëndisë. Ky ishte lajmi i tij më i rëndësishëm. Dhe Mbretëria është akoma edhe sot çështja më e rëndësishme. Mirëpo, mbeten këto pyetje: Cila qeveri është më e rëndësishme në jetën e njeriut? A është ndonjë qeveri njerëzore apo Mbretëria e Perëndisë me Krishtin si mbret?

PËRGATITJET PËR QEVERINË E RE MBI TOKË

10. (a) Kur e pa Perëndia nevojën për një qeveri të re? (b) Ku tregon Bibla për herë të parë në atë qeveri të re? (c) Kë përfaqëson gjarpri?

10 Menjëherë, pasi Satanai yshti Adamin dhe Evën që të bashkoheshin në rebelimin tij, Jehovai pa nevojën e krijimit të një qeverie të re për njerëzimin. Kështu që menjëherë, Perëndia e shpalli qëllimin e vet për vendosjen e një qeverie të tillë. Iu referua kësaj qeverie, kur shpalli dënimin e tij mbi gjarprin, në të vërtetë i drejtohej Satana Djallit: «Do të vë armiqësi në mes teje dhe gruas dhe në mes farës tënde dhe farës së saj; ai do të ta shtypë kokën dhe ti do t’i shtypësh thembrën.»​—Zanafilla 3:14, 15.

11. Në mes të kujt do të kishte urrejtje?

11 Ndoshta mund të pyesësh: «Ku bëhet fjalë këtu për ndonjë qeveri?» Le ta vështrojmë me kujdes këtë deklaratë dhe do ta shohim. Shkrimi thotë se do të kishte armiqësi apo urrejtje mes Satanait dhe «gruas». Veç kësaj do të kishte urrejtje mes «farës» së Satanait, apo fëmijëve të tij dhe «farës» së gruas, apo fëmijëve të saj. Para së gjithash, ne duhet të zbulojmë se kush është «gruaja».

12. Çfarë flitet mbi «gruan» te Zbulesa, kapitulli 12?

12 Ajo nuk është një grua tokësore. Satanai nuk ka asnjë urrejtje të veçantë ndaj ndonjë gruaje. Më saktë, ajo është një grua simbolike. Pra, ajo përfaqëson diçka tjetër. Kjo duket edhe nga libri i fundit i Biblës, Zbulesa, ku gjejmë më shumë informata mbi të. Këtu ajo përshkruhet si «një Grua e veshur me diell, me hënë nën këmbë, në krye kezën me dymbëdhjetë yje!» Për të zbuluar se kë përfaqëson kjo «grua», vërej se çfarë thotë Zbulesa për birin e saj: «Dhe ajo lindi fëmijën​—një djalush [fëmijë mashkull, NW]​që do të sundojë të gjithë popujt me skeptër hekuri. Por fëmija i saj qe sjellë te Hyu dhe te froni i tij.»​—Zbulesa 12:1-5, DSF.

13. Kë apo çfarë gjëje përfaqëson «fëmija mashkull» dhe «gruaja»?

13 Duke mësuar se kush ose çfarë është «fëmija mashkull», do të kemi një ndihmë për të gjetur se kë apo çfarë përfaqëson «gruaja». Fëmia nuk është një person i vërtetë, siç nuk është e tillë edhe gruaja. Shkrimi i shenjtë tregon se «fëmija mashkull» do të «sundojë të gjithë popujt.» Kështu, «fëmija» paraqet qeverinë e Perëndisë me Jezu Krishtin si mbret. Prandaj, «gruaja» paraqet organizatën e Perëndisë të krijesave besnike qiellore. Ashtu si «fëmija mashkull» vjen prej «gruas», edhe mbreti, Jezu Krishti, vjen prej organizatës qiellore, nga trupi i krijesave frymore besnike në qiell, të cilat bashkëveprojnë për të përmbushur qëllimin e Perëndisë. Në Galatasve 4:26 kjo organizatë quhet «Jeruzalemi i epërm». Pra, në kohën kur Adami dhe Eva iu rebeluan sovranitetit të Perëndisë, Jehovai bëri përgatitjet për një qeveri mbretërore që do të shërbente si një shpresë për ata që e duan drejtësinë.

JEHOVAI KUJTON PREMTIMIN E TIJ

14. (a) Si tregoi Jehovai se nuk e kishte harruar premtimin e vet mbi «farën» që do t’i shtypte kokën Satanait? (b) Kush është «fara» e premtuar?

14 Jehovai nuk e harroi premtimin e tij për të dërguar një «farë», e cila do të bëhej sundimtar i qeverisë së Perëndisë. Ky sundimtar duhej të shkatërronte Satanain, duke i shtypur kokën. (Romakëve 16:20; Hebrenjve 2:14) Më vonë, Jehovai tha se fara e premtuar do të vinte përmes Abrahamit besnik. Jehovai i tha Abrahamit: «Me anë të farës tënde të gjitha kombet e tokës do të bekohen.» (Zanafilla 22:18) Cila është kjo «farë» që u premtua se do të vinte prej sojit të Abrahamit? Bibla më vonë përgjigjet: «Tashti, premtimet iu dhanë Abrahamit dhe farës së tij. Nuk thuhet, ‘dhe farërave,’ si për shumë, por vetëm për një, ‘dhe farës tënde’ që është Krishti.» (Galatasve 3:16) Jehovai i tha edhe birit të Abrahamit, Isakut si dhe nipit të tij Jakobit, se «fara» e «gruas» së Perëndisë do të vinte nga pasardhësit e tyre.​—Zanafilla 26:1-5; 28:10-14.

15, 16. Si e dimë se «fara» do të jetë një mbret sundues?

15 Duke bërë të qartë se kjo «farë» do të bëhej një mbret sundues, Jakobi i bëri këtë deklaratë birit të tij Judës: «Skeptri [ose autoriteti sundues] nuk do të largohet nga Juda, as shkopi i komandantit prej këmbëve të tij, derisa të vijë Shilo [ai, të cilit i takon]; dhe atij do t’i takojë bindja e popujve.» (Zanafilla 49:10) Jezu Krishti erdhi nga fisi i Judës. Ai tregoi se ishte «Shiloh», të cilit «do t’i takojë bindja e popujve.»​—Hebrenjve 7:14.

16 Gati 700 vjet pas deklaratës që iu bë Judës, Jehovai tha mbi Davidin, nga fisi i Judës: «E gjeta Davidin, shërbëtorin tim, dhe me siguri do ta vendos farën e tij përgjithmonë dhe fronin e tij si ditët e qiellit.» (Psalmi 89:20, 29) Çfarë mendonte Perëndia, kur tha se «farën» e Davidit do ta vendoste «përgjithmonë» dhe se froni i tij do të ekzistonte aq gjatë, «si ditët e qiellit»? Perëndia Jehova shpreh faktin, se qeveria e Mbretërisë në duart e qeveritarit të tij të mirosur, Jezu Krishtit, do të ekzistojë përgjithmonë. Si e dimë këtë?

17. Si e dimë se qeveritari i premtuar është Jezu Krishti?

17 Sill ndër mend se çfarë i tha engjëlli i Jehovait, Gabrieli, Maries për fëmijën që duhej të lindte: «Do t’ia vësh emrin Jezu.» Por Jezui nuk do të mbetej thjesht një fëmijë apo vetëm njeri mbi Tokë. Gabrieli vazhdoi të thoshte: «Ai do të bëhet i madh dhe do të quhet Bir i Më të Lartit; dhe Perëndia Jehova do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij dhe ai do të qeverizojë si mbret mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij nuk do të ketë fund.» (Luka 1:31-33) A nuk është vërtet e mrekullueshme që Jehovai ka bërë përgatitje për vendosjen e një qeverie të drejtë në dobi të atyre që e duan dhe besojnë në të?

18. (a) Si e përshkruan Bibla fundin e qeverive tokësore? (b) Çfarë do të bëjë qeveria e Perëndisë për njerëzit?

18 Tashmë, koha kur qeveria e Mbretërisë së Perëndisë do të veprojë për t’i shkatërruar të gjitha qeveritë e botës, është afër. Atëherë, Jezu Krishti, si një mbret fitimtar, do të hidhet në aksion. Duke përshkruar këtë betejë, Bibla thotë: «Në ditët e atyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë . . . Ajo do t’i thërrmojë dhe do t’u japë fund gjithë këtyre mbretërive dhe ajo vetë do të qëndrojë në kohë të pafundme.» (Danieli 2:44; Zbulesa 19:11-16) Pasi t’i largojë të gjitha ato qeveri, qeveria e Perëndisë do t’i plotësojë nevojat e vërteta të njerëzve. Qeveritari Jezu Krisht, do të kujdeset që asnjë nga nënshtetasit e tij besnikë të mos sëmuret, plaket ose të mos vdesë. Kriminaliteti, strehimi i pamjaftueshëm, uria dhe probleme të tilla të ngjashme do të zgjidhen. Në mbarë tokën do të mbretërojë paqja dhe siguria e vërtetë. (2. Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:3-5) Megjithatë, duhet të mësojmë diçka më tepër për ata që do të jenë qeveritarë të kësaj qeverie të Mbretërisë së Perëndisë.

[Pyetjet]

[Figura në faqet 112, 113]

Jezui i dërgoi ithtarët e vet në veprën e rëndësishme të predikimit të Mbretërisë së Perëndisë

[Figura në faqen 114]

Edhe pse ndodhej në gjyq për jetën e tij, Jezui vazhdoi të predikonte Mbretërinë e Perëndisë

[Figura në faqen 119]

Si e shikon Jezuin​—si një mbret fitimtar apo si një fëmijë të pandihmë?