Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të bëhesh nënshtetas i qeverisë së Perëndisë

Të bëhesh nënshtetas i qeverisë së Perëndisë

Kapitulli 15

Të bëhesh nënshtetas i qeverisë së Perëndisë

1, 2. Ç’duhet bërë për të qenë nënshtetas i qeverisë së Perëndisë?

A DËSHIRON të jetosh përgjithmonë në tokë nën qeverinë e Perëndisë? Pothuajse çdo njeri i arsyeshëm do të thoshte po! Bekimet do të jenë të mrekullueshme. Por për t’i marrë ato, nuk mjafton të dalësh përpara dhe të thuash: «Dëshiroj të jem një nënshtetas i qeverisë së Perëndisë.» Duhet edhe diçka tjetër.

2 Për shembull, supozojmë se dëshiron të marrësh nënshtetësinë e një vendi tjetër. Për ta bërë të mundur këtë gjë duhet të plotësosh kërkesat e vëna prej qeverisë së atij vendi. Por, akoma më përpara se ta bësh këtë, duhet të njohësh cilat janë ato kërkesa. Në mënyrë të njëjtë, duhet të njohësh atë që Perëndia kërkon prej atyre që duan të bëhen nënshtetas të qeverisë së tij. E pas kësaj, duhet t’i plotësosh ato kërkesa.

ËSHTË E NEVOJSHME NJOHURIA

3. Cila është një nga kërkesat për t’u bërë nënshtetas i qeverisë së Perëndisë?

3 Një kërkesë shumë e rëndësishme, për t’u bërë nënshtetas i qeverisë së Perëndisë, është ajo e mësimit të «gjuhës» së saj. Kjo patjetër është e arsyeshme. Edhe disa qeveri njerëzore kërkojnë që qytetarët e rinj të jenë në gjendje të flasin gjuhën e vendit të tyre. Çfarë «gjuhe» duhet të mësojnë ata që do të marrin jetën nën qeverinë e Perëndisë?

4. Ç’është «gjuha e pastër» që duhet të mësojë populli i Perëndisë?

4 Vërej se ç’thotë Jehovai lidhur me këtë në Fjalën e tij, Biblën: «Sepse atëherë do t’u japë në shkëmbim popujve një gjuhë të pastër, me qëllim që të gjithë ta thërrasin emrin e Jehovait, për t’i shërbyer krahë për krahë.» (Sofonia 3:9) Ajo «gjuhë e pastër» është e vërteta mbi Perëndinë e përmbajtur në Bibël. Në veçanti është e vërteta për qeverinë e Perëndisë. Për t’u bërë nënshtetas i qeverisë së Perëndisë duhet, pra, që të mësosh atë «gjuhë», duke fituar njohuri mbi Jehovain dhe qeverinë e tij Mbretërore.​—Kolosianëve 1:9, 10; Proverbat 2:1-5.

5. (a) Ç’duhet të dimë mbi qeverinë e Perëndisë? (b) Çfarë njohurie duhet të arrijmë për të marrë jetën e përhershme?

5 Disa qeveri njerëzore sot kërkojnë nga ai që merr nënshtetësinë, të mësojë diçka mbi historinë e asaj qeverie si dhe mbi veprimtarinë e saj. Të njëjtat gjëra duhet të njohësh edhe mbi qeverinë e Perëndisë, nëse dëshiron të bëhesh nënshtetas i saj. Kjo njohuri mund të të udhëheqë në jetë të përhershme. Duke iu lutur Atit të tij, Jezui tha: «E kjo do të thotë jeta e përhershme, që të fitojnë njohuri mbi ty, Perëndinë e vetëm të vërtetë dhe mbi atë që dërgove, Jezu Krishtin.»​—Gjoni 17:3.

6. (a) Cilat janë disa pyetje të cilave duhet të dinë t’u përgjigjen nënshtetasit e qeverisë së Perëndisë? (b) A mund t’u përgjigjesh edhe ti atyre pyetjeve?

6 Nëse i ke studiuar kapitujt e mëparshëm të këtij libri, duhet tashmë ta kesh marrë pjesën më të madhe të kësaj njohjeje jetësore. A e ke bërë? A mund ta tregosh këtë, duke iu përgjigjur pyetjeve si këto: Kur e ka përmendur për herë të parë Perëndia qëllimin e tij për themelimin e një qeverie? Kush ishin disa shërbëtorë të Perëndisë që prisnin të bëheshin nënshtetas tokësorë të asaj qeverie? Sa qeveritarë apo mbretër do të ketë qeveria e Perëndisë? Prej nga do të qeverisin këta mbretër? Kush kanë qenë të parët që u zgjodhën si mbretër të qeverisë së Perëndisë? Si tregon Jezui se është një Mbret i mirë? Por për t’u bërë nënshtetas i qeverisë së Perëndisë, nuk mjafton vetëm të njohësh këto gjëra.

KËRKOHET SJELLJE E DREJTË

7. Përsa i përket qeverive njerëzore, si i parashtrojnë ato kërkesat për nënshtetësinë?

7 Sot, qeveritë kërkojnë që qytetarët e rinj të përmbushin disa norma sjelljeje. Për shembull, ato mund të vendosin që një burrë të ketë vetëm një grua dhe një grua vetëm një burrë. Por qeveritë e tjera mund të kenë ligje të ndryshme. Ndoshta ato u lejojnë qytetarëve të tyre të kenë më tepër se një bashkëshort. Çfarë sjellje është kërkuar prej atyre që dëshirojnë të bëhen nënshtetas të qeverisë së Perëndisë? Çfarë thotë Perëndia për çështjen e martesës?

8. (a) Cili është kriteri i Perëndisë për martesën? (b) Ç’është kurorëthyerja dhe ç’thotë Fjala e Perëndisë në lidhje me këtë?

8 Jehovai, qysh në fillim, vendosi kritere për martesë, kur dha për Adamin vetëm një grua. Perëndia tha: «Njeriu do të lërë babanë dhe nënën e tij dhe duhet t’i ngjitet gruas së tij dhe ata duhet të bëhen një mish.» (Zanafilla 2:21-24) Jezui shpjegon se ky është një rregull i drejtë për të krishterët. (Mateu 19:4-6) Pasi bashkëshortët bëhen «një mish», ata e çnderojnë martesën, në qoftë se kanë marrëdhënie seksuale me të tjerë. Ky veprim quhet kurorëthyerje e Perëndia thotë se do t’i dënojë kurorëthyesit.​—Hebrenjve 13:4; Malakia 3:5.

9. (a) Si i konsideron Perëndia marrëdhëniet seksuale mes personave beqarë dhe beqare? (b) Ç’është kurvëria?

9 Gjenden gjithashtu shumë çifte që bashkëjetojnë dhe kanë marrëdhënie seksuale pa qenë të martuar. Por, Perëndia nuk dëshironte që kjo marrëdhënie intime mes burrit dhe gruas të ndodhte sa për të provuar. Prandaj, bashkëjetesa pa martesë është mëkat kundër Perëndisë, Themeluesit të martesës. Kjo quhet kurvëri. Kurvëria bazohet në pasjen e marrëdhënieve seksuale me një person, me të cilin nuk je i martuar. Dhe Bibla thotë: «Kjo është ajo që dëshiron Perëndia, . . . që të ikni larg prej kurvërisë.» (1. Selanikasve 4:3-5, St.) Prandaj, është e gabuar që një beqar apo një beqare të kenë marrëdhënie seksuale.

10. Cilat praktika të tjera seksuale janë në kundërshtim me ligjet e Perëndisë?

10 Sot, shumë burra dhe gra kanë marrëdhënie seksuale me persona të të njëjtit seks​—burrë me burrë dhe grua me grua. Këta quhen homoseksualë. Disa herë, gratë homoseksuale quhen edhe lezbike. Por, Fjala e Perëndisë thotë se ajo që bëjnë është e gabuar, është «e pahijshme». (Romakëve 1:26, 27) Gjithashtu, marrëdhënia seksuale me kafshët është kundër Ligjit të Perëndisë. (Levitiku 18:23) Kushdo që dëshiron të jetojë nën qeverinë e Perëndisë duhet të rrijë larg nga praktika të tilla jomorale.

11. (a) Çfarë thotë Perëndia mbi përdorimin e pijeve alkoolike? (b) Çfarë praktikash të dëmshme për shëndetin duhet të evitojë ai që dëshiron të jetë nënshtetas i qeverisë së Perëndisë?

11 Pirja e verës, birrës apo e pijeve të tjera alkoolike me masë, nuk është kundër ligjit të Perëndisë. Bile Bibla thotë se pak verë mund t’i bëjë mirë shëndetit. (Psalmi 104:15; 1. Timoteut 5:23). Por, dehja ose pjesëmarrja në festa të shfrenuara, në të cilat veprohet në mënyrë jomorale është kundër ligjit të Perëndisë. (Efesianëve 5:18; 1. Pjetrit 4:3, 4). Përveç përdorimit të pijeve alkoolike për t’u dehur ose për të ndjerë eufori, sot shumë përdorin tipe të ndryshme drogash për të njëjtin qëllim. Disa provojnë kënaqësi duke pirë marihuanë apo duhan. Ka të tjerë që përtypin arra betel apo fletë kokaine. Por gjëra të tilla e ndyjnë trupin dhe i bëjnë dëm shëndetit. Nëse dëshiron të jesh nënshtetas i qeverisë së Perëndisë, duhet të rrish larg prej këtyre gjërave të dëmshme.​—2. Korintasve 7:1.

12. (a) Cilat janë disa praktika të pandershme që janë në kundërshtim me ligjet e Perëndisë? (b) Ai që i bën këto gjëra, si mund të arrijë faljen e Perëndisë?

12 Është e kuptueshme se qeveritë njerëzore nuk dëshirojnë që qytetarët e rinj të jenë kriminelë. Ndërsa, Jehovai ka rregulla edhe më të larta. Ai kërkon që «në çdo gjë të sillemi ndershmërisht.» (Hebrenjve 13:18, St) Në qoftë se ndonjë nuk do të respektojë ligjet e Perëndisë, nuk do të lejohet të jetojë nën Mbretërinë e tij. Njerëzit sot shpesh shtiren sikur janë të ndershëm, ndërsa shkelin shumë ligje. Por, Perëndia mund të shikojë gjithçka. Asnjë nuk mund ta mashtrojë. (Hebrenjve 4:13; Proverbat 15:3; Galatasve 6:7, 8) Jehovai do të kujdeset që personat që shkelin ligjet e tij, si për shembull ato që ndalojnë gënjeshtrën dhe vjedhjen, të mos bëhen nënshtetas të qeverisë së tij. (Efesianëve 4:25, 28; Zbulesa 21:8) Megjithatë, Perëndia është i durueshëm dhe i gatshëm që të falë. Pra, nëse një person heq dorë nga të bërët keq dhe fillon të sillet mirë, Perëndia do ta pranojë.​—Isaia 55:7.

13. Në ç’mënyrë duhet t’i konsiderojnë ligjet e qeverive njerëzore shërbëtorët e Perëndisë?

13 Por, ç’duhet thënë për respektimin e ligjeve të qeverive njerëzore? Pasi ekzistojnë qeveritë njerëzore, Perëndia kërkon që shërbëtorët e tij t’u jenë të nënshtruar atyre «autoriteteve të larta». Nevojitet t’u paguajmë atyre tatimet edhe nëse janë shumë të larta ose dhe nëse nuk je dakord me mënyrën se si shpenzohen të hollat tatimore. Gjithashtu, nevojitet që t’u bindemi ligjeve të shtetit. (Romakëve 13:1, 7; Titi 3:1) Përjashtimi i vetëm është kur, duke u bindur për një ligj të caktuar bëhemi të pabindur ndaj ligjit të Perëndisë. Në këtë rast, si ka thënë Pjetri dhe apostujt e tjerë: «Duhet t’i bindemi Perëndisë si sundues, më parë se njerëzve.»​—Veprat 5:29.

14. Si tregojmë se e përkrahim mendimin e Perëndisë mbi vlerën e jetës?

14 Perëndia e çmon shumë lart vlerën e madhe të jetës. Kush dëshiron të bëhet nënshtetas i qeverisë së tij duhet ta kuptojë këtë. Vrasja padyshim është kundër ligjit të Perëndisë, por shpesh është urrejtja ajo që çon në vrasje. Prandaj, në qoftë se ndonjëri vazhdon të urrejë të afërmin, duke dëshiruar dhe vdekjen e tij, nuk mund të jetë nënshtetas i qeverisë së Perëndisë. (1. Gjonit 3:15) Prandaj, është e rëndësishme të zbatohet ajo që thotë Bibla tek Isaia 2:4 rreth mosmarrjes së armës për të vrarë të afërmin tonë. Fjala e Perëndisë tregon se edhe jeta e një të palinduri në barkun e nënës është e çmueshme për sytë e Jehovait. (Të Dalët 21:22, 23; Psalmi 127:3) Megjithatë, çdo vit, në të gjithë tokën kryhen me miliona aborte. Ky shkatërrim i jetës është në kundërshtim me ligjin e Perëndisë, sepse fëmija në barkun e nënës është një person i gjallë dhe nuk duhet të vritet.

15. Cilave urdhra të Mbretit të caktuar nga Perëndia duhet t’u binden të gjithë nënshtetasit e Mbretërisë?

15 Por për ata që dëshirojnë të bëhen nënshtetas të qeverisë së Perëndisë kërkohet më shumë se sa thjesht qëndrimi larg prej të tilla gjërave të këqija ose imoralitetit. Ata duhet dhe përpiqen që të sillen sinqerisht me të tjerët në mënyrë dashamirëse dhe vetëmohuese. Duhet të jetojnë sipas rregullave të Perëndisë, të mësuara prej Mbretit Jezu Krisht: «Të gjitha, pra, që dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit edhe ju duhet ngjashëm t’u bëni atyre.» (Mateu 7:12) Krishti na dha shembullin e tij në të treguarit e dashurisë ndaj të tjerëve. Ai dha edhe jetën e tij për njerëzimin dhe i urdhëroi ithtarët e tij: «Duajeni njëri-tjetrin, si ju kam dashur unë.» (Gjoni 13:34, St; 1. Gjonit 3:16) Është kjo lloj dashurie dhe interesi vetëmohues për të tjerët që do ta bëjë vërtet të kënaqshme jetën nën pushtetin e Mbretërisë së Perëndisë.​—Jakovi 2:8.

16, 17. (a) Çfarë arsye të mira kemi që të bëjmë në jetën tonë ndryshime të nevojshme për të plotësuar kërkesat e Perëndisë? (b) Përse mund të jemi të sigurt se mund të bëjmë disa ndryshime të nevojshme?

16 Bibla tregon se kush dëshiron të bëhet nënshtetas i qeverisë së Perëndisë duhet të bëjë ndryshime pikërisht në jetën e tij për t’i plotësuar ato kërkesa. (Efesianëve 4:20-24) A je angazhuar edhe ti për të bërë këto ndryshime? Do t’ia vlente barra qiranë për çfarëdolloj mundimi që do të ishte i nevojshëm. Nuk është fjala vetëm për të jetuar më mirë për disa vjet nën ndonjë qeveri njerëzore, por për të marrë jetën e përhershme me shëndet të përsosur mbi një Tokë parajsore nën një qeveri të drejtuar prej Perëndisë!

17 Që tani, duke përmbushur kërkesat e Perëndisë, do të kesh një jetë më të lumtur. Por mund të jetë e nevojshme të bësh disa ndryshime. Shumë njerëz që urrenin apo ishin lakmitarë, kanë ndryshuar. Edhe njerëz të dhënë pas epsheve, kurorëthyes, homoseksualë, pijanecë, vrasës, vjedhës, narkomanë dhe duhanxhinj kanë ndërruar mënyrën e tyre të jetesës. Kësaj ia kanë arritur me përpjekje vërtet të mëdha dhe me ndihmën e Perëndisë. (1. Korintasve 6:9; Kolosianëve 3:5-9) Prandaj, në qoftë se duhet të bësh ndryshime të vështira, që të plotësosh kërkesat e Perëndisë, mos hiq dorë! Edhe ti mund ta bësh këtë.

BESNIKËRIA NDAJ MBRETËRISË SË PERËNDISË

18. Në çfarë mënyre të veçantë Perëndia pret që të tregojmë se e përkrahim me besnikëri Mbretërinë e tij?

18 Perëndia Jehova kërkon që nënshtetasit e tij ta përkrahin besnikërisht mbretërinë e tij e kjo nuk duhet të na habisë. Qeveritë njerëzore kërkojnë të njëjtën gjë nga nënshtetasit e tyre. Por, në çfarë mënyre të veçantë Perëndia pret që të shprehim besnikërinë tonë? Nënshtetasit e tij, ndoshta duhet të marrin armët e të luftojnë për Mbretërinë e Tij? Jo. Më saktë, si Jezu Krishti dhe ithtarët e tij të parë, duhet të jemi zëdhënës besnikë apo lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë. (Mateu 4:17; 10:5-7; 24:14) Jehovai dëshiron që të gjithë të dinë se ç’është Mbretëria e tij dhe si do t’i zgjidhë ajo të gjitha problemet e njerëzimit. A i ke folur kushërinjve të tu, miqve dhe të tjerëve për gjërat që ke mësuar nga Fjala e Perëndisë? Perëndia dëshiron që ta bësh këtë.​—Romakëve 10:10; 1. Pjetrit 3:15.

19. (a) Përse mund të presim kundërshtim, kur u flasim të tjerëve mbi Mbretërinë e Perëndisë? (b) Cilave pyetje duhet t’u përgjigjesh?

19 Krishti dhe shërbëtorët e tij të parë patën nevojë për kurajo për t’u folur të tjerëve për Mbretërinë, sepse shpeshherë hasnin në kundërshtime. (Veprat 5:41, 42) Njësoj ndodh edhe sot. Kjo botë e sunduar prej Djallit, nuk dëshiron që të predikohet lajmi i mirë mbi Mbretërinë. Dalin, pra, këto pyetje: Në çfarë ane qëndron ti? A do ta përkrahësh besnikërisht Mbretërinë e Perëndisë? Është dëshira e tij që të jepet një dëshmi e madhe në lidhje me Mbretërinë para se të vijë fundi. A do të marrësh pjesë edhe ti?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 128]

Ata që bëhen nënshtetas të qeverisë së Perëndisë, duhet të dinë diçka për të

[Figurat në faqen 131]

Nënshtetasit e qeverisë së Perëndisë duhet të ikin nga veprat të cilat Perëndia i gjykon

[Figura në faqen 133]

Nënshtetasit e qeverisë së Perëndisë duhet t’u flasin edhe të tjerëve për të