Letër nga Trupi Udhëheqës
Të dashur vëllezër dhe motra:
Numri i parë i Kullës së Rojës për publikun, 1 janar 2008, njoftoi daljen e një serie të re artikujsh fantastikë me titull «Imitoni besimin e tyre». Që atëherë, për kënaqësinë tonë, ka dalë një artikull i ri i kësaj serie çdo tre muaj.
Si e kanë pritur këtë seri? Pasi mbaroi së lexuari artikullin për Martën, një lexuese shkroi: «Qesha kur e lexova këtë artikull sepse m’u kujtua vetja—edhe unë dëshiroj që gjithmonë të jem shumë mikpritëse e të merrem me punë, por ndonjëherë harroj të ndaloj e të gëzoj shoqërinë e miqve.» Një adoleshente nxori këtë përfundim interesant nga tregimi i Esterës: «Kuptova se ndonjëherë mund të bëhemi të fiksuar pas veshjes dhe modës së fundit. Duhet të vishemi mirë, patjetër, por nuk duhet të kalojmë në ekstrem.» Ajo shton: «Për Jehovain rëndësi ka si jemi nga brenda.» Kurse një artikull që fliste për apostullin Pjetër, ngjalli këtë reagim entuziast te një motër e krishterë: «Kur lexova artikullin, m’u rrëqeth mishi. Ndihesha sikur isha aty. Me imagjinatën time arrita të shkoja përtej asaj që përmendej kalimthi.»
Këta lexues dhe mjaft të tjerë, që kanë shkruar për të shprehur çmueshmërinë e tyre për këtë seri, vërtetojnë fjalët që shkroi para shumë kohësh apostulli Pavël: «Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë.» (Rom. 15:4) Po, Jehovai i ka përfshirë këto ngjarje në Bibël për të na dhënë mësime të vlefshme. Të gjithë ne, pavarësisht nga sa vite e kemi njohur të vërtetën, mund të mësojmë prej tyre.
Të inkurajojmë përzemërsisht ta lexosh sa më shpejt të mundesh këtë libër. Bëje pjesë të programit të Adhurimit Familjar—fëmijëve do t’u pëlqejë shumë! Kur të shqyrtohet në Studimin e Biblës në Kongregacion, mos mungo asnjë javë! Lexoje ngadalë e lër kohë për të medituar. Përdor imagjinatën dhe shqisat. Përpiqu të ndiesh atë që personazhet biblike kanë ndier, të shohësh atë që kanë parë. Krahaso si kanë reaguar ata në një situatë të caktuar me mënyrën si do të reagoje ti.
Jemi shumë të lumtur të të ofrojmë këtë botim. Qoftë ai një bekim për ty dhe familjen tënde. Me shumë dashuri të urojmë gjithë të mirat!
Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait