Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SHTOJCA

Kur duhet ta mbulojë kokën gruaja dhe përse?

Kur duhet ta mbulojë kokën gruaja dhe përse?

Kur duhet ta mbulojë kokën një e krishterë për sa i përket adhurimit dhe përse? Të shohim si e trajtoi nën frymëzim këtë temë apostulli Pavël. Ai siguron udhëzimet që na duhen për të marrë vendime të mira që nderojnë Perëndinë. (1 Korintasve 11:​3-16) Pavli zbulon tre faktorë që duhen peshuar: (1) veprimtaritë ku një gruaje i kërkohet të mbulojë kokën, (2) rrethanat në të cilat duhet ta bëjë këtë dhe (3) motivet pse i përmbahet kësaj norme.

Veprimtaritë. Pavli përmend dy të tilla: lutjen dhe profetizimin. (Vargjet 4, 5) Lutjet janë fjalë plot përnderim drejtuar Jehovait dhe pjesë e adhurimit. Gjithashtu, profetizim sot mund të quhet çdo rast kur një shërbëtor i krishterë jep mësime biblike. Por, a po sugjeron Pavli se një grua duhet ta mbulojë kokën sa herë që lutet ose u mëson të tjerëve të vërtetën e Biblës? Jo. Faktorët përcaktues janë rrethanat në të cilat lutet ose mëson një grua.

Rrethanat. Nga fjalët e Pavlit mund të dallojmë dy rrethana ose fusha veprimi: familjen dhe kongregacionin. Ai thotë: «Kreu i gruas është burri.... Çdo grua që lutet ose profetizon me kokë të pambuluar, turpëron kreun e saj.» (Vargjet 35) Në familje, Jehovai ka vendosur burrin si kreun e gruas. Gruaja do ta turpëronte të shoqin po të përmbushte përgjegjësi që Jehovai ia ka caktuar atij, në qoftë se nuk do të tregonte respektin e duhur për autoritetin e tij. Për shembull, nëse lind nevoja që ajo të drejtojë një studim biblik në prani të të shoqit, do ta tregojë se pranon autoritetin e tij duke mbuluar kokën, pavarësisht nëse ai është i pagëzuar ose jo, pasi është kreu i familjes. * Edhe nëse lutet ose mëson të tjerë në praninë e djalit të saj të mitur të pagëzuar, do të mbulojë kokën, jo sepse ai është kreu i familjes, po për shkak të autoritetit që u është dhënë në kongregacionin e krishterë meshkujve të pagëzuar.

Pavli përmend si rrethanë edhe kongregacionin: «Nëse dikush duket se do të hyjë në debat për ndonjë zakon tjetër, ne s’kemi asnjë tjetër, as kongregacionet e Perëndisë nuk kanë.» (Vargu 16) Në kongregacionin e krishterë, kryesia u është dhënë meshkujve të pagëzuar. (1 Timoteut 2:​11-14; Hebrenjve 13:17) Vetëm meshkujt emërohen pleq e shërbëtorë ndihmës dhe Perëndia u jep përgjegjësinë të kujdesen për kopenë e Tij. (Veprat 20:28) Por, nganjëherë rrethanat mund ta kërkojnë që një grua e krishterë të caktohet të bëjë detyrat që normalisht i bën një burrë i pagëzuar e i kualifikuar. Për shembull, mund t’i duhet të drejtojë një mbledhje për shërbim, sepse nuk ka ose nuk ka ardhur ndonjë vëlla i kualifikuar i pagëzuar. Ose mund të drejtojë një studim biblik të programuar që më parë, në prani të një vëllai të pagëzuar. * Ngaqë veprimtari të tilla në të vërtetë janë pjesë e funksionimit të kongregacionit të krishterë, ajo e mbulon kokën për të treguar se po kryen një detyrë që normalisht i caktohet një burri.

Nga ana tjetër, shumë aspekte të adhurimit nuk kërkojnë që një motër të mbulojë kokën. Për shembull, s’ka nevojë ta mbulojë kokën kur komenton në mbledhjet e krishtere, kur predikon nga shtëpia në shtëpi me të shoqin a me një vëlla tjetër të pagëzuar, ose kur studion a lutet me fëmijët e saj të papagëzuar. Natyrisht që mund të lindin edhe pyetje të tjera, dhe nëse një motër nuk është e sigurt, mund të bëjë kërkime të mëtejshme. * Nëse ende nuk është e sigurt dhe ndërgjegjja e shtyn të mbulojë kokën, nuk bën gabim, siç tregon figura shoqëruese.

Motivet. vargun 10 gjejmë dy arsye pse një grua e krishterë dëshiron të plotësojë këtë kërkesë: «Gruaja duhet të mbajë një shenjë nënshtrimi mbi krye, për shkak të engjëjve.» Së pari shiko shprehjen «një shenjë nënshtrimi». Duke mbuluar kokën, gruaja tregon se e pranon autoritetin që Jehovai u ka dhënë burrave të pagëzuar në kongregacion. Pra, me këtë ajo shpreh dashurinë për Jehovain dhe besnikërinë ndaj tij. Arsyeja e dytë gjendet në fjalët «për shkak të engjëjve». Si ndikon te këto krijesa frymore të fuqishme fakti që një grua mbulon kokën?

Engjëjve u intereson të vërejnë se autoriteti i Jehovait pranohet në gjithë organizatën e tij, në qiell edhe në tokë. Ata nxjerrin dobi edhe nga shembujt e njerëzve të papërsosur në këtë aspekt. Tek e fundit, edhe ata duhet të jenë të nënshtruar ndaj rregullit që ka vendosur Jehovai, dhe kjo është një sprovë që mjaft engjëj në të shkuarën nuk e kanë kaluar. (Juda 6) Kështu, engjëjt mund të shohin raste kur një grua e krishterë ka më shumë përvojë, njohuri dhe zgjuarsi se një burrë i pagëzuar në kongregacion, e megjithatë me gatishmëri i nënshtrohet autoritetit të tij. Në disa raste, gruaja është e krishterë e mirosur dhe më vonë do të bëhet bashkëtrashëgimtare me Krishtin. Kjo grua përfundimisht do të shërbejë në një pozitë edhe më të lartë se engjëjt e do të mbretërojë me Krishtin në qiell. Çfarë shembulli të shkëlqyer lë ajo për engjëjt ndërsa është në tokë! Motrat kanë vërtet privilegjin të tregojnë bindjen me përulësi, nëpërmjet sjelljes së tyre besnike e të nënshtruar, para miliona engjëjve besnikë.

^ par. 3 Normalisht gruaja e krishterë nuk lutet me zë në praninë e të shoqit besimtar, përveç disa rrethanave të pazakonta, si për shembull kur atij i ka ikur goja nga një sëmundje.

^ par. 1 Nuk është e nevojshme që një motër të mbulojë kokën kur drejton një studim të programuar që më parë, në prani të një lajmëtari të papagëzuar i cili nuk është bashkëshorti i saj.

^ par. 2 Për më shumë hollësi, të lutemi shih Kullën e Rojës, 15 shkurt 2015, faqja 30; 15 korrik 2002, faqet 26-27, dhe 15 shkurt 1977, faqet 125-128, anglisht.