Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SHTOJCA

Si duhet të sillemi me një të përjashtuar?

Si duhet të sillemi me një të përjashtuar?

Pak gjëra na vrasin më tepër se dhembja që ndiejmë kur një i afërm ose një mik i ngushtë përjashtohet nga kongregacioni, sepse mëkaton pa u penduar. Mënyra si reagojmë ndaj udhëzimeve që jep Bibla për këtë çështje, mund të zbulojë sa e duam Perëndinë dhe sa besnikë u qëndrojmë rregullave që vendos ai. * Të shohim disa pyetje që lindin për këtë temë.

Si duhet të sillemi me një të përjashtuar? Bibla thotë: «Të mos përziheni më në shoqëri me këdo që quhet vëlla, por që është kurvar, lakmitar, idhujtar, sharës, pijanec ose zhvatës, madje as të mos hani me një njeri të tillë.» (1 Korintasve 5:11) Për dikë që «nuk qëndron në mësimin e Krishtit», lexojmë: «Mos e pranoni kurrë në shtëpinë tuaj, as mos e përshëndetni. Sepse ai që e përshëndet, merr pjesë në veprat e tij të liga.» (2 Gjonit 9-11) Pra, nuk shoqërohemi e nuk flasim për gjëra fetare dhe as shoqërore me të përjashtuarit. Në Kullën e Rojës të 15 shtatorit 1981, faqja 25, anglisht, thuhej: «Një ‘mirëdita’ e thjeshtë, mund të jetë hapi i parë drejt një bisede e ndoshta edhe një miqësie. A do të donim të bënim këtë hap të parë me një të përjashtuar?»

A duhet medoemos ta shmangim plotësisht? Po, për disa arsye. Së pari, kjo është çështje besnikërie ndaj Perëndisë dhe ndaj Fjalës së tij. Ne i bindemi Jehovait jo vetëm kur na leverdis, por edhe kur e kemi të vështirë. Dashuria për Perëndinë na shtyn t’u bindemi të gjitha urdhërimeve të tij, sepse e kuptojmë që ai është i drejtë e i dashur dhe ligjet e tij janë për të mirën tonë. (Isaia 48:17; 1 Gjonit 5:3) Së dyti, shmangia e një keqbërësi të papenduar na mbron ne dhe pjesën tjetër të kongregacionit, që të mos ndotemi frymësisht e moralisht, si dhe mbron emrin e mirë të kongregacionit. (1 Korintasve 5:​6, 7) Së treti, qëndrimi ynë i palëkundur pro parimeve të Biblës mund të ndihmojë edhe të përjashtuarin. Duke mbështetur vendimin që ka marrë komiteti gjyqësor, mund t’i prekim zemrën keqbërësit që deri në këtë çast nuk ka reaguar ndaj përpjekjeve të pleqve për ta ndihmuar. Humbja e miqësive të çmuara me njerëzit që do, mund ta ndihmojë ‘të vijë në vete’, të kuptojë sa i rëndë është gabimi i tij dhe të bëjë hapat për t’u rikthyer te Jehovai.​​—Luka 15:17.

Po sikur të na përjashtohet një i afërm? Në rast të tillë, lidhja e ngushtë që ekziston mes pjesëtarëve të familjes mund të shkaktojë vërtet një sprovë besnikërie. Si duhet ta trajtojmë një të afërm të përjashtuar? Nuk i shqyrtojmë dot këtu të gjitha situatat, por do të përqendrohemi në dy situata tipike.

Në disa raste, familjari i përjashtuar ende jeton në të njëjtën shtëpi me ne dhe bën pjesë në rrethin e ngushtë familjar. Përjashtimi nuk i shkëput lidhjet familjare, prandaj mund të vazhdohen normalisht punët dhe aktivitetet e përditshme familjare. Por, duke u përjashtuar, individi ka zgjedhur të shkëputë lidhjen frymore që ekzistonte mes tij dhe familjes që vazhdon të jetë në të vërtetën. Kështu që familjarët besnikë nuk mund ta përfshijnë më në aktivitetet që lidhen me adhurimin e Perëndisë. Për shembull, nëse është i pranishëm i përjashtuari, nuk do të marrë pjesë në adhurimin familjar. Megjithatë, nëse i përjashtuari është ende i mitur, prindërit vazhdojnë të jenë përgjegjës për ta mësuar e për ta disiplinuar. Prandaj, me dashuri ata mund të marrin masa që të bëjnë një studim biblik me fëmijën. *​​—Proverbat 6:​20-22; 29:17.

Në raste të tjera, i afërmi i përjashtuar nuk jeton në të njëjtën shtëpi me ne dhe nuk bën pjesë në rrethin e ngushtë familjar. Edhe pse në ndonjë rast të rrallë mund të jetë e nevojshme të kemi kontakte të kufizuara për ndonjë çështje familjare të ngutshme, kësi lloj kontaktesh duhet të jenë sa më të pakta. Familjarët besnikë të krishterë nuk kërkojnë justifikime për të vazhduar lidhjet me një të afërm të përjashtuar që nuk jeton në një shtëpi me ta. Përkundrazi, besnikëria ndaj Jehovait e ndaj organizatës së tij i nxit të mbështetin masën biblike të përjashtimit. Ndjekin me besnikëri këtë rrugë pasi i duan të mirën keqbërësit dhe duan ta ndihmojnë të nxjerrë dobi nga disiplina që ka marrë. *​​—Hebrenjve 12:11.

^ par. 1 Parimet biblike që lidhen me përjashtimin zbatohen edhe për ata që vetëpërjashtohen nga kongregacioni.

^ par. 2 Për më shumë të dhëna rreth fëmijëve të mitur të përjashtuar që jetojnë në shtëpi, shih Kullën e Rojës të 1 tetorit 2001, faqet 16-17 dhe të 15 nëntorit 1988, faqja 20, anglisht.

^ par. 3 Për më shumë të dhëna se si duhet të sillemi me të afërmit e përjashtuar, shih këshillat biblike që janë trajtuar në Kullën e Rojës të 15 prillit 1988, faqet 26-31 dhe të 15 shtatorit 1981, faqet 26-31, anglisht.