KAPITULLI NJË
«Bëhu dishepulli im»—Ç’donte të thoshte Jezui?
1, 2. Cila është ftesa më e çmuar që mund të na bëhet dhe cilën pyetje duhet t’i bëjmë vetes?
CILA është ftesa më e çmuar që ke marrë ndonjëherë? Mbase të vjen ndërmend kur të ftuan në një rast të veçantë, ndoshta në dasmën e një çifti që ke shumë përzemër. Ose të kujtohet dita kur të ftuan të bësh një punë të rëndësishme. Nëse të kanë bërë ftesa të tilla, me siguri je ndier i emocionuar, madje i nderuar. Megjithatë ti ke marrë një ftesë shumë më të çmuar. Në fakt, këtë ftesë e ka marrë secili prej nesh. Mënyra si vendosim t’i përgjigjemi, do të ketë ndikim të thellë te ne. Është vendimi më i rëndësishëm i jetës sonë!
2 Për çfarë ftese bëhet fjalë? Për një ftesë që e gjejmë në Bibël dhe që na e bën Jezu Krishti, Biri i vetëmlindur i Perëndisë së Plotfuqishëm, Jehovait. Te Marku 10:21 lexojmë fjalët e Jezuit: «Eja e bëhu dishepulli im.» Këtë ftesë, Jezui ia ka bërë secilit prej nesh. Ndaj duhet të pyesim veten: «A do ta pranoj?» Mbase e ke shumë të qartë përgjigjen. E kush nuk do ta pranonte një ftesë kaq të mrekullueshme?! Por çuditërisht, shumica e njerëzve nuk e pranojnë. Pse?
3, 4. (a) Për çfarë mund ta kishin pasur zili njerëzit të riun që iu afrua Jezuit? (b) Çfarë cilësish të mira mund të ketë parë Jezui te ky i ri i pasur?
3 Për shembull, shqyrto rastin e dikujt që e mori këtë ftesë nga vetë Jezui, rreth 2.000 vjet më parë. Ishte një njeri shumë i respektuar. Kishte të paktën tri gjëra që njerëzit zakonisht i shohin si të dëshirueshme, e madje mund t’i kenë zili: rininë, pasurinë dhe pozitën. Bibla thotë se ishte një ‘i ri’ «shumë i pasur» dhe «një nga krerët». (Mateu 19:20; Luka 18:18, 23) Por, te ky i ri kishte diçka edhe më të veçantë: çmueshmëri për atë që kishte dëgjuar rreth Mësuesit të Madh, Jezuit.
4 Në atë periudhë, shumica e krerëve nuk i jepnin Jezuit respektin që meritonte. (Gjoni 7:48; 12:42) Kurse ky i ri, ndonëse një prej tyre, veproi ndryshe. Në Bibël lexojmë: «Ndërsa [Jezui] po bëhej gati të ikte, dikush erdhi me vrap, i ra në gjunjë dhe e pyeti: ‘Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përhershme?’» (Marku 10:17) Vër re se ky i ri kishte kaq shumë dëshirë të fliste me Jezuin, saqë vrapoi drejt tij në sy të të gjithëve, siç do të kishte vepruar një njeri i varfër dhe i thjeshtë. Përveç kësaj, u ul në gjunjë para Krishtit plot respekt. Kjo tregonte se donte t’i pëlqente Perëndisë dhe ishte aq i përulur, sa të kërkonte ndihmën e Jezuit. (Mateu 5:3; 18:4) Ndaj nuk habitemi që «Jezui e vështroi, [dhe] ndjeu dashuri për të». (Marku 10:21) Si iu përgjigj ai pyetjes së këtij të riu?
Ftesa më e rëndësishme e jetës
5. Si iu përgjigj Jezui të riut të pasur dhe si e dimë se, kur tha «një gjë të mungon», nuk e kishte fjalën për varfërinë? (Shih edhe shënimin.)
5 Duke ia drejtuar vëmendjen te Shkrimet, Jezui i tregoi se Jehovai tashmë i ishte përgjigjur kësaj pyetjeje të rëndësishme. Ky i ri i tha se po i bindej pikë për pikë Ligjit të Moisiut. Mirëpo Jezui, me gjykimin e tij shumë të mprehtë, dalloi te ky njeri diçka më të thellë. (Gjoni 2:25) E kuptoi se kishte një problem të madh, që ndikonte në marrëdhënien e tij me Perëndinë. Prandaj i tha: «Vetëm një gjë të mungon.» Çfarë ishte kjo? Jezui vazhdoi: «Shko, shit gjithçka që ke dhe jepua paratë të varfërve.» (Marku 10:21) A donte të thoshte Jezui se dikush duhej të ishte i varfër që t’i shërbente Perëndisë? Jo. a Krishti po i zbulonte këtij të riu një mësim shumë të rëndësishëm.
6. Cilën ftesë bëri Jezui dhe si e tregoi reagimi i të riut të pasur se çfarë kishte në zemër?
6 Për t’i treguar atij të riu se çfarë i mungonte, Jezui i ofroi një mundësi të mrekullueshme: «Eja e bëhu dishepulli im.» Mendo: Biri i Perëndisë Më të Lartë i bëri një ftesë personale që ta ndiqte! Gjithashtu, i premtoi një shpërblim që as ia priste mendja. I tha: «Do të kesh një thesar në qiell.» A e pranoi pa ngurruar ai udhëheqës i ri e i pasur këtë mundësi, këtë ftesë të mrekullueshme? Tregimi vazhdon: «Ai u mërzit nga këto fjalë dhe iku i trishtuar, sepse kishte shumë zotërime.» (Marku 10:21, 22) Pra, këto fjalë të befasishme të Jezuit zbuluan një problem që kishte në zemër ky i ri. Ishte tepër i lidhur me zotërimet e tij dhe, pa dyshim, edhe me pushtetin e prestigjin që sillnin ato. Mjerisht, dashuria për këto gjëra ishte shumë herë më e madhe se dashuria për Krishtin. Pra, ajo që i mungonte ishte dashuria e sinqertë dhe vetëmohuese për Jezuin e për Jehovain. Për këtë arsye, ai i ri hodhi poshtë ftesën më të rëndësishme të jetës së tij! Po, si lidhet kjo me ty?
7. Pse mund të jemi të sigurt se ftesa e Jezuit vlen edhe për ne sot?
7 Ftesa e Jezuit nuk vlente vetëm për atë të ri dhe as vetëm për pak njerëz. Jezui tha: «Nëse dikush dëshiron të vijë pas meje, le . . . të më ndjekë vazhdimisht.» (Luka 9:23) Nga këto fjalë kuptojmë që kushdo mund të bëhet dishepull i Krishtit nëse «dëshiron» vërtet. Perëndia i tërheq njerëzit me zemër të sinqertë drejt Birit të tij. (Gjoni 6:44) Të gjithëve u jepet mundësia të pranojnë ftesën e Jezuit, jo vetëm të pasurve, të varfërve, njerëzve të një race a kombi ose atyre që jetuan në atë kohë. Prandaj, fjalët e Jezuit, «eja e bëhu dishepulli im», zbatohen edhe për ty. Pse duhet të kesh dëshirë të bëhesh dishepull i Krishtit? E çfarë përfshin kjo?
Pse të jesh dishepull i Krishtit?
8. Për çfarë kanë nevojë të gjithë njerëzit dhe pse?
8 Ekziston një e vërtetë që duhet ta pranojmë: të gjithë kemi jashtë mase nevojë për një udhëheqje të mirë, ndonëse shumë njerëz e mohojnë. Jeremia, një profet i Jehovait, u frymëzua të shkruante këtë të vërtetë absolute: «Unë e di mirë, o Jehova, se njeriut nuk i takon të vendosë për udhën e vet. Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e tij.» (Jeremia 10:23) Njerëzit nuk kanë as aftësinë dhe as të drejtën të vetëqeverisen. E, në fakt, historia njerëzore dëshmon gjerësisht për udhëheqës të paaftë. (Eklisiastiu 8:9) Në kohën e Jezuit, udhëheqësit i shtypnin, i keqtrajtonin dhe i mashtronin njerëzit. Pasi vërejti gjendjen e njerëzve të thjeshtë, Jezui tha se ishin «si dele pa bari». (Marku 6:34) E njëjta gjë vlen për njerëzimin sot. Si grup dhe si individë, kemi nevojë për një udhëheqës të cilit mund t’i besojmë e që mund ta respektojmë. A është Jezui një udhëheqës i tillë? Shiko disa arsye pse përgjigjja është po.
9. Si ndryshon Jezui nga gjithë udhëheqësit e tjerë?
9 Arsyeja e parë është se Jezuin e zgjodhi vetë Perëndia Jehova. Shumica e udhëheqësve njerëzorë zgjidhen nga njerëzit, që në fund të fundit janë të papërsosur, mashtrohen kollaj dhe kanë prirjen të mos gjykojnë siç duhet. Jezui është një lloj tjetër udhëheqësi. Vetë titulli që mban, na e thotë këtë. Fjala «Krisht», njësoj si fjala «Mesi», do të thotë «i Mirosur». Po, Jezui u miros ose u caktua në pozitën e tij të shenjtë nga vetë Zotëria Sovran i universit. Perëndia Jehova tha për Birin e tij: «Ja shërbëtori im që zgjodha, Biri im i dashur që kam miratuar! Unë do të vë tek ai frymën time.» (Mateu 12:18) Askush nuk e di më mirë se Krijuesi ynë se ç’lloj udhëheqësi na duhet. Mençuria e Jehovait është e pafund, prandaj kemi arsye të forta për t’i besuar zgjedhjes së tij.—Proverbat 3:5, 6.
10. Pse Jezui është shembulli më i mirë që mund të ndjekin njerëzit?
10 Së dyti, Jezui na la një shembull të përsosur dhe frymëzues. Një udhëheqës i mirë duhet të ketë cilësi që nënshtetasit e tij t’i admirojnë e t’i imitojnë. Ai udhëheq me anë të shembullit të tij, duke i frymëzuar të tjerët që të bëhen njerëz më të mirë. Cilat cilësi do të vlerësoje më shumë te një udhëheqës? Guximin? Mençurinë? Dhembshurinë? Apo qëndrueshmërinë përballë vështirësive? Ndërsa studion jetën e Jezuit kur ishte në tokë, do të shohësh se ai i kishte të gjitha këto cilësi, e madje edhe shumë të tjera. Jezui ishte pasqyrimi i përsosur i Atit të tij qiellor, ndaj shfaqte në masë të plotë çdo cilësi të Tij. Ishte i përsosur në çdo drejtim. Prandaj, në çdo gjë që bëri, në çdo fjalë që tha e në çdo ndjenjë që përjetoi, gjejmë diçka që ia vlen ta imitojmë. Bibla thotë se ai na la ‘një model, që të ndjekim me kujdes gjurmët e tij’.—1 Pjetrit 2:21.
11. Si tregoi Jezui se ishte «bariu i shkëlqyer»?
11 Së treti, Krishti jetoi plotësisht në përputhje me pohimin e tij: «Unë jam bariu i shkëlqyer.» (Gjoni 10:14) Njerëzit në ditët e Jezuit, e kuptonin mirë këtë ilustrim. Barinjtë punonin shumë për t’u kujdesur për delet e tyre. Një ‘bari i shkëlqyer’ e vinte sigurinë dhe mirëqenien e kopesë para së tijës. Për shembull, Davidi, paraardhësi i Jezuit, kur kishte qenë bari, e kishte rrezikuar jetën më shumë se një herë për të ruajtur delet nga sulmet e bishave grabitqare. (1 Samuelit 17:34-36) Jezui bëri edhe më shumë për dishepujt e tij. Ai dha jetën për ta. (Gjoni 10:15) Sa udhëheqës e kanë këtë frymë vetësakrifikuese?
12, 13. (a) Në ç’kuptim i njeh bariu delet e tij dhe si e njohin ato bariun? (b) Pse ta dëshiron zemra udhëheqjen e Bariut të shkëlqyer?
12 Jezui ishte «bariu i shkëlqyer» edhe në një kuptim tjetër. Ai tha: «Unë i njoh delet e mia, dhe delet e mia më njohin.» (Gjoni 10:14) Çfarë donte të thoshte Jezui me këto fjalë? Për një kalimtar të rastësishëm, një kope me dele është thjesht një tufë bagëtish. Kurse bariu njeh çdo dele me imtësi. Ai e di cilat do të lindin qengja së shpejti dhe do të kenë nevojë për ndihmën e tij. Di gjithashtu cilët qengja kanë nevojë t’i mbajë ende në krahë, sepse janë tepër të vegjël e të dobët për të ecur vetë për një kohë të gjatë, dhe nuk harron as ato dele që kanë qenë sëmurë ose janë plagosur kohët e fundit. Por ama, edhe delet e njohin bariun e tyre. Ato ia njohin zërin dhe nuk ia ngatërrojnë kurrë me atë të një bariu tjetër. Kur në zërin e bariut ka një ndjenjë alarmi ose urgjence, delet përgjigjen menjëherë. Ato e ndjekin kudo që ai i drejton. Dhe bariu e di tamam vendin e duhur ku t’i çojë. Di ku është bari më i dendur dhe i gjelbër, di ku janë rrjedhat e freskëta e të pastra të ujit, si dhe kullotat më të sigurta. Ndërsa bariu vigjilon mbi to, delet ndihen të mbrojtura.—Psalmi 23.
13 A nuk ta dëshiron zemra një udhëheqës të tillë?! Bariu i shkëlqyer i trajton gjithmonë kështu dishepujt e tij. Ai premton se do të të çojë drejt një jete të lumtur e të kënaqshme tani dhe drejt jetës së përhershme në të ardhmen! (Gjoni 10:10, 11; Zbulesa 7:16, 17) Prandaj, le të përpiqemi të kuptojmë se çfarë përfshin të ndjekim Krishtin.
Ç’do të thotë të jesh dishepull i Krishtit?
14, 15. Pse, për të qenë dishepuj të Krishtit, nuk mjafton të pohojmë se jemi të krishterë ose të krijojmë një lidhje emocionale me Jezuin?
14 Qindra milionë njerëz sot mendojnë se tashmë e kanë pranuar ftesën e Krishtit. Tekefundit, ata e quajnë veten të krishterë. Ndoshta i përkasin kishës ku prindërit i kanë pagëzuar që në foshnjëri. Ose pohojnë se kanë një lidhje emocionale me Jezuin dhe e pranojnë si Shpëtimtarin e tyre. Por, a i bën kjo vërtet dishepuj të Krishtit? A kishte këtë në mendje Jezui kur na ftoi për t’u bërë dishepuj të tij? Jo, kjo përfshin shumë më tepër.
15 Shumë jetojnë në vende ku pjesa më e madhe thonë se janë të krishterë ose dishepuj të Krishtit. A po i zbatojnë vërtet mësimet e Jezu Krishtit ato fe që quhen të krishtere? Apo edhe në ato vende shohim urrejtje, shtypje, krime dhe padrejtësi, njësoj si në pjesën tjetër të botës?
16, 17. Çfarë u mungon shpesh atyre që thonë se janë të krishterë, dhe çfarë i dallon dishepujt e vërtetë të Krishtit?
16 Jezui tha se dishepujt e tij të vërtetë do të njihen jo thjesht nga fjalët që thonë ose si vetëquhen, por kryesisht nga gjërat që bëjnë. Për shembull, ai tha: «Jo kushdo që më thotë: ‘Zotëri, Zotëri’ do të hyjë në Mbretërinë e qiejve, por do të hyjë vetëm ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej.» (Mateu 7:21) Po pse shumë nga ata që thonë se Jezui është Zotëria i tyre, nuk bëjnë vullnetin e Atit të tij? Kujto udhëheqësin e ri e të pasur. Shumë shpesh, atyre që pohojnë se janë të krishterë, ‘u mungon një gjë’: dashuria me gjithë shpirt për Jezuin dhe për Atë që e dërgoi.
17 Po si ka mundësi? Ata miliona veta që thonë se janë të krishterë, a nuk pretendojnë edhe se e duan Krishtin? Patjetër. Por dashuria për Jezuin e për Jehovain përfshin shumë më tepër sesa të pohosh një gjë të tillë. Jezui tha: «Nëse dikush më do, do ta zbatojë fjalën time.» (Gjoni 14:23) E duke iu referuar sërish rolit të tij si bari, tha: «Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin.» (Gjoni 10:27) Po, mënyra si e tregojmë që e duam vërtet Krishtin, nuk është thjesht me anë të fjalëve a ndjenjave tona, por kryesisht me anë të veprave.
18, 19. (a) Si duhet të ndikojë te ne ajo që mësojmë për Jezuin? (b) Cili është qëllimi i këtij libri dhe si do t’u sjellë dobi atyre që po e ndjekin Krishtin prej kohësh?
18 Gjithsesi, veprimet tona nuk lindin vetvetiu, por pasqyrojnë çfarë kemi brenda nesh. Ja pse duhet të jemi të gatshëm të ndryshojmë personin që jemi përbrenda. Jezui tha: «Që të gëzojnë jetën e përhershme, duhet të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Nëse marrim njohuri të saktë për Jezuin dhe meditojmë për të, zemra jonë do të preket. Do ta duam gjithnjë e më shumë Jezuin dhe do të kemi dëshirën për ta ndjekur edhe më nga afër ditë pas dite.
19 Ky libër nuk ka si qëllim të bëjë një përmbledhje të plotë të jetës dhe të shërbimit të Jezuit, por të na ndihmojë të kuptojmë më qartë si ta ndjekim. b Me anë të tij do të arrijmë t’i përdorim Shkrimet për të parë veten, si në një pasqyrë, dhe do të dallojmë nëse po e ndjekim vërtet Jezuin apo jo. (Jakovi 1:23-25) Ndoshta ke shumë kohë që po e ndjek Bariun e shkëlqyer. Por, a nuk mendon edhe ti se mund të ketë gjithnjë vend për përmirësim? Bibla na nxit: «Vazhdoni të vini në provë veten nëse jeni në besim, vazhdoni të provoni çfarë jeni ju vetë.» (2 Korintasve 13:5) Ia vlen çdo përpjekje e jona për t’u siguruar se po e ndjekim nga afër Bariun tonë të shkëlqyer e të dashur, Jezuin, të cilin vetë Jehovai e ka caktuar si Udhëheqësin tonë.
20. Çfarë do të shqyrtojmë në kapitullin vijues?
20 Urojmë që studimi i këtij libri të të ndihmojë që ta thellosh dashurinë për Jezuin dhe për Jehovain. Falë kësaj dashurie, do të gjesh paqe e kënaqësi të pamasë edhe sot. Gjithashtu do të kesh mundësi t’i japësh lavdi përgjithmonë Jehovait, që na ka siguruar Bariun e shkëlqyer. Patjetër, njohuria për Krishtin duhet të nisë nga themeli i duhur, që është roli i Jezuit në qëllimin universal të Jehovait. Prandaj është me vend që ta shqyrtojmë këtë në kapitullin vijues.
a Jezui nuk kërkoi që çdo dishepull i tij të hiqte dorë nga të gjitha zotërimet e veta. E ndonëse tha se është e vështirë për një të pasur të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë, ai shtoi: «Me Perëndinë gjithçka është e mundur.» (Marku 10:23, 27) Në fakt, disa të pasur u bënë dishepuj të Krishtit. Edhe pse iu dhanë këshilla specifike në lidhje me pikëpamjen e duhur që duhej të kishin për paratë, nuk iu kërkua t’ua jepnin gjithë pasurinë e tyre të varfërve.—1 Timoteut 6:17.
b Për një përmbledhje të plotë kronologjike të ngjarjeve nga jeta dhe shërbimi i Jezuit, shih librin Jezui: Udha, e vërteta dhe jeta, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.