Parathënie
I dashur lexues,
Jezu Krishti i bën secilit prej nesh një ftesë të mrekullueshme: «Eja e bëhu dishepulli im.» (Marku 10:21) A po i përgjigjesh kësaj ftese? Nëse po, kjo do të ndikojë thellësisht në jetën tënde. Pse e themi këtë?
Jehovai e dërgoi në tokë Birin e tij të vetëmlindur që të jepte jetën si shpërblesë. (Gjoni 3:16) Jezui jo vetëm vdiq për ne, por edhe na tregoi si të jetojmë. Në çdo hap që bëri, ai mbajti integritetin dhe ia gëzoi zemrën Atit të tij. Jezui na tregoi edhe si ta imitojmë Jehovain. Ai pasqyroi në mënyrë të përsosur mendimet e ndjenjat e Atit të tij me çdo gjë që tha e bëri.—Gjoni 14:9.
Bibla thotë se Jezui la «një model», që ne ‘të ndjekim me kujdes gjurmët e tij’. (1 Pjetrit 2:21) Nëse duam t’i afrohemi më shumë Jehovait, të kemi një jetë vërtet domethënëse tani dhe të qëndrojmë në rrugën drejt jetës së përhershme, duhet të ndjekim me kujdes gjurmët e Krishtit.
Si fillim, është e nevojshme të njohim më nga afër jetën e Jezuit këtu në tokë. Ja pse duhet t’i kushtojmë vëmendje përshkrimit që i bën Bibla Jezuit. Duke medituar për gjërat që tha e që bëri dhe duke parë si mund ta imitojmë në fjalë e në vepra, do ta kemi më të lehtë ta ndjekim.
Urojmë që ky botim të të ndihmojë t’i duash edhe më shumë Jezuin dhe Jehovain. Kjo dashuri do të të shtyjë të ndjekësh më me kujdes gjurmët e Jezuit, dhe kështu t’ia gëzosh zemrën Jehovait tani dhe përgjithmonë.
Botuesit