Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI DYMBËDHJETË

«Pa ilustrime s’u fliste atyre»

«Pa ilustrime s’u fliste atyre»

1-3. (a) Ç’privilegj të rrallë kishin dishepujt që udhëtonin me Jezuin dhe si ua bënte më të lehtë ai që t’i mbanin mend mësimet e tij? (b) Pse ilustrimet e efektshme kujtohen kollaj?

 DISHEPUJT që udhëtonin me Jezuin kishin një privilegj të rrallë: të mësoheshin drejtpërdrejt nga Mësuesi i Madh. Ata patën mundësi ta dëgjonin teksa u shpjegonte të vërtetat mahnitëse dhe domethënien e Fjalës së Perëndisë. Për momentin, duhej t’i mbanin në mendje e në zemër thëniet e çmuara të Jezuit, derisa të vinte koha që fjalët e tij hidheshin me shkrim. a Megjithatë, Jezui ua bënte të lehtë që t’i mbanin mend mësimet e tij. Si e arrinte këtë? Me mënyrën si i mësonte, sidomos duke përdorur me mjeshtëri ilustrimet.

2 Në fakt, ilustrimet e efektshme nuk harrohen lehtë. Një shkrimtar tha se ilustrimet «i kthejnë fjalët në imazhe» dhe «u japin mundësi dëgjuesve të krijojnë përfytyrime të gjalla në mendje». Duke qenë se shpesh i kuptojmë më mirë gjërat kur i imagjinojmë, ilustrimet ndihmojnë që edhe idetë abstrakte të bëhen më të lehta për t’u kuptuar. Ato u japin jetë fjalëve, duke na ndihmuar të nxjerrim mësime që skaliten në mendje.

3 Asnjë mësues në tokë nuk ka qenë më i aftë se Jezu Krishti në përdorimin e ilustrimeve. Ilustrimet e tij kujtohen kollaj edhe sot e kësaj dite. Pse Jezui e përdorte kaq shumë këtë metodë mësimdhënieje? Çfarë i bënte kaq të efektshme ilustrimet e tij? Si të mësojmë ta përdorim edhe ne këtë metodë?

Pse Jezui mësonte me ilustrime?

4, 5. Pse Jezui përdorte ilustrime?

4 Bibla jep dy arsye të rëndësishme pse Jezui përdorte ilustrime. Së pari, në këtë mënyrë ai përmbushi një profeci. Te Mateu 13:34, 35, lexojmë: «Gjithë këto gjëra Jezui ia tha turmës me anë të ilustrimeve. Në fakt, pa ilustrime s’u fliste atyre, që të përmbushej ç’ishte thënë nëpërmjet profetit: ‘Do të flas me ilustrime.’» Profeti që përmendi Mateu, ishte shkrimtari i Psalmit 78:2. Fjalët e psalmistit u shkruan nën drejtimin e frymës së Perëndisë shekuj para se të lindte Jezui. Mendo se çfarë do të thotë kjo: Jehovai kishte përcaktuar se Mesia do të mësonte me ilustrime qindra vjet përpara se ai të vinte në tokë. Kjo tregon sa shumë e vlerëson Jehovai këtë metodë mësimdhënieje.

5 Së dyti, Jezui shpjegoi se i përdorte ilustrimet për të identifikuar ata që e kishin zemrën ‘të pandjeshme’. (Mateu 13:10-15; Isaia 6:9, 10) Por, në ç’mënyrë ilustrimet e tij nxirrnin në pah motivet e njerëzve? Në disa raste, ai donte që dëgjuesit të kërkonin shpjegime për t’i kuptuar më mirë fjalët e tij. Ata që ishin të përulur, tregoheshin të gatshëm të pyesnin, kurse fodullët ose indiferentët jo. (Mateu 13:36; Marku 4:34) Në këtë mënyrë, ilustrimet e Jezuit ua bënin të njohura të vërtetat atyre që donin t’i dinin me gjithë zemër dhe, në të njëjtën kohë, ua fshihnin atyre me zemër krenare.

 6. Për çfarë qëllimesh të tjera shërbenin ilustrimet e Jezuit?

6 Ilustrimet e Jezuit shërbenin edhe për qëllime të tjera të rëndësishme. Ato ngjallnin interesin dhe i nxitnin njerëzit të dëgjonin. Duke u vënë në punë imagjinatën, ata arrinin të kuptonin koncepte të vështira. Siç u tha në fillim, ilustrimet e Jezuit i ndihmonin dëgjuesit që t’i ngulitnin në mendje fjalët e tij. Predikimi në Mal te Mateu 5:3–7:27 është një shembull i jashtëzakonshëm që tregon se Jezui përdorte shumë ilustrime. Sipas një përllogaritjeje, ky fjalim përmban më shumë se 50 figura letrare. Pse kjo është kaq mbresëlënëse? Mendo që një fjalim të tillë mund ta lexojmë me zë për rreth 20 minuta. Kjo do të thotë që rreth çdo 20 sekonda hasim një figurë letrare. Pra është e qartë se Jezui e dinte vlerën e përdorimit të ilustrimeve.

 7. Pse ta imitojmë mënyrën si i përdorte Jezui ilustrimet?

7 Si dishepuj të Krishtit, duam të imitojmë mësimdhënien e tij, duke përfshirë edhe përdorimin e ilustrimeve. Ashtu si erëzat e bëjnë më të shijshme një gjellë, ilustrimet e efektshme mund ta bëjnë mësimin tonë më tërheqës për të tjerët. Veç kësaj, ilustrimet e menduara mirë mund t’i bëjnë të vërtetat thelbësore më të lehta për t’u kuptuar. Le të shohim më nga afër pse ishin kaq të efektshme ilustrimet e Jezuit. Pastaj do të shqyrtojmë si mund ta përdorim sa më mirë këtë metodë të rëndësishme mësimdhënieje.

Përdorte krahasime të thjeshta

Si i përdori Jezui zogjtë dhe lulet për të ilustruar se Perëndia kujdeset për ne?

8, 9. Si i përdori Jezui krahasimet e thjeshta dhe çfarë i bënte kaq të efektshme ato?

8 Kur mësonte të tjerët, Jezui bënte shpesh krahasime të lehta për t’u kuptuar, pa përdorur shumë fjalë. Megjithatë, fjalët e tij të thjeshta, krijonin imazhe të gjalla dhe bënin të qarta të vërtetat për Perëndinë, standardet dhe qëllimin e tij. Për shembull, kur i nxiti dishepujt që të mos ishin në ankth për nevojat e përditshme, ai foli për «zogjtë e qiellit» dhe për «zambakët e fushës». Zogjtë nuk mbjellin e nuk korrin, dhe zambakët as tjerrin e as endin. Megjithatë Perëndia kujdeset për ta. Kuptohet që nëse Perëndia kujdeset për zogjtë e për lulet, me siguri do të kujdeset për njerëzit që ‘vazhdojnë të kërkojnë në radhë të parë Mbretërinë’.—Mateu 6:26, 28-33.

9 Jezui përdorte edhe shumë metafora, që janë lloje krahasimesh akoma më të fuqishme. Metafora i referohet një gjëje sikur të ishte një tjetër. Edhe në këto raste, Jezui përdorte fjalë të thjeshta. Një herë, u tha dishepujve: «Ju jeni drita e botës.» Me siguri dishepujt e patën të lehtë për ta kuptuar domethënien e kësaj metafore: fjalët dhe veprimet e tyre mund të reflektonin dritën e së vërtetës e t’i ndihmonin të tjerët t’i jepnin lavdi Perëndisë. (Mateu 5:14-16) Ja disa metafora të tjera që përdori Jezui: «Ju jeni kripa e tokës» dhe «unë jam hardhia e ju jeni degët». (Mateu 5:13; Gjoni 15:5) Këto figura letrare edhe pse të thjeshta, ishin shumë të fuqishme.

10. Përmend shembuj që tregojnë si mund t’i bësh ilustrimet pjesë të mësimdhënies sate.

10 Si mund t’i bësh ilustrimet pjesë të mësimdhënies sate? S’ka pse të sajosh përshkrime të stërholluara e të ndërlikuara. Mjafton të mendosh për disa krahasime të thjeshta. Ta zëmë se po trajton temën e ringjalljes dhe dëshiron të ilustrosh sa të lehtë e ka Jehovai të ringjallë dikë që ka vdekur. Ç’krahasim të vjen ndër mend? Bibla e krahason vdekjen me gjumin. Mund të thuash: «Perëndia mund t’i ringjallë të vdekurit po aq lehtë sa mund të zgjojmë dikë nga gjumi.» (Gjoni 11:11-14) Ta zëmë se dëshiron të ilustrosh që fëmijët kanë nevojë për dashuri dhe përzemërsi, që të jenë të lumtur. Çfarë shembulli mund të përdorësh? Bibla përdor këtë krahasim: fëmijët janë «si filizat e ullirit». (Psalmi 128:3) Mund të thuash: «Dashuria dhe përzemërsia janë të nevojshme për një fëmijë, njësoj si dielli dhe uji për një bimë.» Sa më i thjeshtë të jetë krahasimi, aq më të lehtë do ta kenë dëgjuesit ta kapin pikën.

Ilustrime nga jeta e përditshme

11. Jep shembuj se si ilustrimet e Jezuit pasqyronin kujtimet e fëmijërisë së tij.

11 Jezui ishte shumë i zoti për të përdorur ilustrime që lidheshin me jetën e përditshme. Shumë prej ilustrimeve të tij mund të ishin pasqyrim i kujtimeve të fëmijërisë teksa rritej në Galile. Mendo për shembull, për jetën e tij kur ishte i vogël. Kushedi sa herë e kishte parë mamanë të bluante grurin, t’i shtonte maja brumit, të ndizte llambën ose të fshinte shtëpinë! (Mateu 13:33; 24:41; Luka 15:8) Sa e sa herë kishte vënë re peshkatarë që hidhnin rrjetat në detin e Galilesë! (Mateu 13:47) Kushedi sa shpesh kishte vërejtur fëmijë që luanin në sheshin e pazarit! (Mateu 11:16) Me siguri, Jezui kishte parë edhe gjëra të tjera në përditshmëri që përmenden në ilustrimet e tij të shumta: mbjelljen e farës, dasmat e gëzueshme dhe arat me grurë që zverdheshin nga dielli.—Mateu 13:3-8; 25:1-12; Marku 4:26-29.

12, 13. Pse është domethënës fakti që Jezui përmendi rrugën që shkonte «nga Jerusalemi për në Jeriko», në ilustrimin e samaritanit të mirë?

12 Në ilustrimet e tij, Jezui përmendte hollësi që dëgjuesit i njihnin mirë. Për shembull, ja si e filloi ilustrimin e samaritanit të mirë: «Një njeri po zbriste nga Jerusalemi për në Jeriko. Rrugës ra në duart e kusarëve, që e zhveshën dhe i hynë në dru . . . dhe e lanë gjysmë të vdekur.» (Luka 10:30) Vër re se për të dalë te pika që donte të theksonte, Jezui përmendi rrugën që shkonte «nga Jerusalemi për në Jeriko». Në momentin kur bëri ilustrimin, ai nuk ndodhej larg Jerusalemit, ishte në Jude, prandaj pa dyshim dëgjuesit e njihnin këtë rrugë. Dihej që ajo ishte e rrezikshme, sidomos për ata që udhëtonin vetëm, ngaqë kalonte nëpër një terren të shkretë dhe kishte shumë kthesa. Kështu krijonte vende ideale ku kusarët mund të ngrinin prita.

13 Jezui përfshiu edhe hollësi të tjera të njohura për rrugën që shkonte «nga Jerusalemi për në Jeriko». Sipas ilustrimit, nëpër atë rrugë kaloi së pari një prift dhe pastaj një levit, por asnjëri nuk ndaloi për ta ndihmuar të plagosurin. (Luka 10:31, 32) Priftërinjtë shërbenin në tempullin e Jerusalemit dhe levitët i ndihmonin. Shumë priftërinj e levitë banonin në Jeriko gjatë kohës kur nuk punonin në tempull, pasi ai qytet ishte vetëm 21 kilometra larg Jerusalemit. Ja pse, zakonisht kalonin nëpër atë rrugë. Po të vësh re, Jezui tha se udhëtari «po zbriste», jo që po ngjitej për në ‘Jerusalem’. Kjo kishte kuptim për dëgjuesit, sepse Jerusalemi ishte më lart se Jerikoja. Prandaj, kur një udhëtar vinte «nga Jerusalemi», normalisht që i duhej të «zbriste». b Duket qartë se Jezui mbante parasysh dëgjuesit e tij.

14. Si mund të marrim në konsideratë auditorin kur përdorim ilustrime?

14 Kur përdorim ilustrime, edhe ne duhet të marrim në konsideratë auditorin tonë. Çfarë mund të mbajmë parasysh? Ndoshta faktorë të tillë, si: mosha, formimi kulturor, prejardhja familjare dhe puna. Për shembull, një ilustrim që përmban hollësi për bujqësinë, mund të kuptohet më mirë nga ata që banojnë në një zonë rurale, sesa nga ata që jetojnë në një qytet të madh. Nëse mendojmë për jetën e përditshme të dëgjuesve tanë—fëmijët e tyre, shtëpinë, gjërat që pëlqejnë, ushqimin—mund ta kemi më të lehtë të gjejmë ilustrime të përshtatshme për ta.

Ilustrime nga krijimi

15. Pse nuk habitemi që Jezui e njihte mirë krijimin?

15 Shumë ilustrime të Jezuit nxjerrin në pah njohurinë që kishte për natyrën, bimët, kafshët dhe për dukuritë natyrore. (Mateu 16:2, 3; Luka 12:24, 27) Ku e gjeti këtë njohuri? Ndërsa Jezui rritej në Galile, pa dyshim që kishte pasur mjaft mundësi të vërente krijimin. Por, ç’është më e rëndësishmja, duke qenë «i parëlinduri i gjithë krijimit», Jehovai e kishte përdorur si «kryemjeshtër» kur kishte krijuar të gjitha gjërat. (Kolosianëve 1:15, 16; Proverbat 8:30, 31) Ndaj nuk habitemi që Jezui e njihte mirë krijimin. Le të shohim si e përdori me mjeshtëri këtë njohuri.

16, 17. (a) Nga duket se Jezui i njihte shumë mirë karakteristikat e deleve? (b) Cili shembull tregon se delet e dëgjojnë vërtet zërin e bariut të tyre?

16 Mos harro që Jezui e quajti veten «bariu i shkëlqyer», ndërsa dishepujt i quajti ‘dele’. Fjalët e Jezuit tregojnë se i njihte shumë mirë karakteristikat e deleve. Ai e dinte se mes bariut dhe deleve ka një lidhje të veçantë. Gjithashtu, kishte vënë re se këto krijesa që u besojnë kollaj njerëzve, janë të gatshme të ndjekin drejtimin e bariut të tyre me besnikëri. Pse e ndjekin delet bariun? «Sepse ia njohin zërin»,—tha Jezui. (Gjoni 10:2-4, 11) A ia njohin vërtet zërin?

17 Nga vëzhgimet që kishte bërë, autori Xhorxh Smith shkroi këto fjalë në librin e tij: «Nganjëherë, në mesditë pushonim afër ndonjë pusi në Jude, ku vinin tre ose katër barinj me kopetë e tyre. Kopetë përziheshin me njëra-tjetrën, dhe ne vritnim mendjen si do t’ia bënte secili bari që të mblidhte delet e veta. Por, pasi delet kishin pirë ujë e kishin lodruar, barinjtë shkonin në anë të ndryshme të luginës dhe secili thërriste kopenë e vet me stilin e tij. Më pas secila dele shkëputej nga tufa ku ishin përzier të gjitha, dhe shkonte te bariu i vet. Në fund kopetë largoheshin me po atë rregullsi që kishin ardhur.»—The Historical Geography of the Holy Land. Jezui kishte gjetur vërtet një ilustrim të shkëlqyer për të shprehur atë që donte të theksonte: kur i njohim mësimet e tij e u bindemi, dhe kur ndjekim drejtimin që na jep, mund të nxjerrim dobi nga përkujdesja e ‘bariut të shkëlqyer’.

18. Ku mund të mësojmë më shumë për krijimin e Jehovait?

18 Si mund të mësojmë të përdorim ilustrime që bazohen te krijimi? Veçoritë mbresëlënëse të kafshëve mund të na ndihmojnë të bëjmë krahasime të thjeshta, por të efektshme. Ku mund të mësojmë më shumë për krijimin e Jehovait? Bibla përmban goxha informacione për kafshë të ndryshme dhe disa herë bën ilustrime duke u bazuar te karakteristikat e tyre. Aty gjejmë krahasime të tilla, si: i shpejtë si gazela ose si leopardi, i kujdesshëm si gjarpri dhe i pafaj si pëllumbi. c (1 Kronikave 12:8; Habakuku 1:8; Mateu 10:16) Burime të tjera të dobishme informacioni janë revistat Kulla e Rojës e Zgjohuni!, si dhe artikujt e videot nga seria «A është projektuar?», në jw.org. Këto materiale përmbajnë krahasime të thjeshta që bazohen te krijimi i mrekullueshëm i Jehovait, prej të cilave mund të mësosh shumë.

Përdorte ngjarje reale

19, 20. (a) Si e përdori me efektshmëri Jezui një ngjarje të atyre kohëve për të demaskuar një bindje të rreme? (b) Si mund të përdorim shembuj dhe ngjarje reale kur mësojmë të tjerët?

19 Ilustrimet e efektshme mund të bazohen edhe te ngjarjet reale. Në një rast, Jezui përdori një ngjarje që kishte ndodhur në ato kohë, për të treguar sa e gabuar është të besosh që tragjeditë janë një ndëshkim për njerëzit e ligj. Ai tha: «Mendoni se ata 18 njerëz mbi të cilët ra kulla në Siloam dhe i vrau, ishin më shumë fajtorë se gjithë banorët e tjerë të Jerusalemit?» (Luka 13:4) Në fakt, ata 18 veta nuk vdiqën për shkak se kishin bërë ndonjë mëkat që kishte provokuar zemërimin e Perëndisë. Vdekja e tyre tragjike ishte pasojë ‘e kohëve të vështira dhe e ngjarjeve të papritura’. (Eklisiastiu 9:11) Kështu, Jezui hodhi poshtë një mësim të rremë, duke përdorur një ngjarje që dëgjuesit e njihnin mirë.

20 Si mund të përdorësh shembuj dhe ngjarje të jetës reale kur mëson të tjerët? Ta zëmë se po shqyrton përmbushjen e profecisë së Jezuit për shenjën e pranisë së tij. (Mateu 24:3-14) Për të treguar si po përmbushen aspekte specifike të shenjës, mund të përdorësh lajme të kohëve të fundit për luftëra, zi buke ose tërmete. Ose ta zëmë se dëshiron të përdorësh një shembull, për të ilustruar ndryshimet që përfshin veshja e personalitetit të ri. (Efesianëve 4:20-24) Ku të gjesh shembuj të tillë? Mund të përdorësh eksperiencën e një vëllai ose të një motre në kongregacion a ndonjë histori reale që ka dalë në një botim të Dëshmitarëve të Jehovait. Eksperienca të tjera mund t’i gjesh edhe në serinë «Bibla të ndryshon jetën», në jw.org.

21. Çfarë shpërblimesh vijnë kur jemi mësues të efektshëm të Fjalës së Perëndisë?

21 Jezui ishte vërtet një mësues i jashtëzakonshëm! Siç e kemi parë në këtë pjesë, vepra kryesore në jetën e tij ishte ‘të mësonte dhe të predikonte lajmin e mirë’. (Mateu 4:23) Kjo vlen edhe për ne. Nëse jemi mësues të efektshëm, do të shpërblehemi për mundin tonë. T’i mësosh të tjerët, nënkupton t’u japësh diçka atyre, dhe kjo na sjell lumturi. (Veprat 20:35) Kjo lumturi vjen ngaqë e dimë se po u japim diçka me vlerë të madhe e të përhershme: të vërtetën për Jehovain. Veç kësaj do të ndiejmë edhe kënaqësinë që vjen kur dimë se po ndjekim shembullin e Jezuit, Mësuesit më të madh që ka jetuar në tokë.

a Dokumentimi i parë i frymëzuar i jetës së Jezuit në tokë, me sa duket, ishte Ungjilli sipas Mateut, që u shkrua rreth tetë vjet pas vdekjes së Jezuit.

b Gjithashtu, Jezui tha se prifti dhe leviti po zbrisnin «nga Jerusalemi», pra po largoheshin nga tempulli. Kështu, askush nuk mund ta justifikonte indiferencën e tyre duke thënë se e shmangën të plagosurin sepse dukej sikur kishte vdekur dhe nuk donin të ishin përkohësisht të papastër për të shërbyer në tempull.—Levitiku 21:1; Numrat 19:16.

c Për një listë të detajuar se çfarë simbolizojnë në Bibël tiparet e disa kafshëve, shih Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëllimi 1, faqet 268, 270-271, anglisht, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.