KAPITULLI TETË
«Për këtë u dërgova»
1-4. (a) Si e mësoi Jezui me efektshmëri një grua samaritane dhe me ç’rezultat? (b) Si reaguan apostujt e tij?
JEZUI dhe apostujt kishin orë të tëra që ecnin. Po udhëtonin drejt veriut, nga Judea për në Galile. Rruga më e shkurtër, që kërkonte tri ditë udhëtim, kalonte përmes Samarisë. Afër mesditës mbërritën pranë një qyteti të vogël të quajtur Sihar, ku ndaluan për t’u çlodhur.
2 Apostujt shkuan të blinin diçka për të ngrënë, kurse Jezui u ul të pushonte pranë një pusi jashtë qytetit. Aty erdhi një grua për të mbushur ujë. Jezui ishte «i lodhur nga rruga», prandaj, po të donte, mund të mos e përfillte. (Gjoni 4:6) Mund të zgjidhte t’i mbyllte sytë e të pushonte, dhe të mos i fliste fare kësaj gruaje samaritane. Siç e pamë në kapitullin 4 të këtij libri, ka shumë të ngjarë që gruaja të priste që çdo jude ta injoronte. Ama Jezui filloi t’i fliste.
3 Ai e nisi bisedën me një ilustrim që lidhej me diçka që ajo po bënte në atë moment, madje për të ishte një aktivitet i përditshëm. Gruaja kishte ardhur të mbushte ujë, dhe Jezui i foli për ujin jetëdhënës që do t’i plotësonte nevojën për t’iu afruar më shumë Perëndisë. Ajo bëri disa pyetje që mund të hapnin debat. a Por Jezui me takt i anashkaloi dhe e përqendroi bisedën tek adhurimi i pastër e te Perëndia Jehova. Fjalët e tij nuk ndikuan vetëm te kjo grua, por edhe te të tjerë, pasi ajo ua tregoi edhe burrave të qytetit, të cilët donin ta dëgjonin Jezuin.—Gjoni 4:3-42.
4 Çfarë menduan apostujt kur panë Jezuin t’i jepte këtë dëshmi të jashtëzakonshme gruas samaritane? Ata nuk u treguan aspak entuziastë. Madje u habitën që Jezui po fliste me këtë grua, dhe me sa duket nuk i folën fare asaj. Pasi gruaja u largua, këmbëngulën që Jezui të hante nga ushqimi që kishin sjellë. Por Jezui u tha: «Unë kam për të ngrënë një ushqim që ju nuk e njihni.» Të hutuar, ata fillimisht menduan se po fliste për ushqimin në kuptimin e mirëfilltë. Prandaj, Jezui u shpjegoi: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe ta çoj deri në fund veprën e tij.» (Gjoni 4:32, 34) Në këtë mënyrë ua bëri të qartë se kishte një vepër shumë të rëndësishme për të bërë, madje më të rëndësishme se vetë ushqimi, dhe dëshironte që edhe ata të kishin të njëjtën pikëpamje. Për çfarë vepre e kishte fjalën?
5. Cila ishte vepra më e rëndësishme për Jezuin dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë kapitull?
5 Në një rast tjetër, Jezui tha: «Duhet [të] shpall lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë . . . sepse për këtë u dërgova.» (Luka 4:43) Po, Jezui u dërgua që të predikonte dhe t’u mësonte të tjerëve lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. b Sot dishepujt e Jezuit duhet të bëjnë të njëjtën vepër. Prandaj është jetësore të shqyrtojmë pse predikonte Jezui, për çfarë predikonte dhe ç’qëndrim kishte ndaj caktimit të tij.
Pse predikonte Jezui?
6, 7. Si donte Jezui që të ndihej «çdo mësues» që u jep lajmin e mirë të tjerëve? Ilustrojeni.
6 Le të shohim si ndihej Jezui për të vërtetat që u mësonte të tjerëve, pastaj do të shqyrtojmë qëndrimin që kishte ndaj njerëzve që mësonte. Jezui përdori një ilustrim të qartë e të thjeshtë për të theksuar sa rëndësi kishte për të, t’u fliste të tjerëve për të vërtetat që kishte mësuar nga Jehovai. Ai tha: «Çdo mësues, që ka marrë njohuri për Mbretërinë e qiejve, është si një zot shtëpie, i cili nxjerr nga thesari i vet gjëra të reja e të vjetra.» (Mateu 13:52) Pse i zoti i shtëpisë, që përmendet në këtë ilustrim, nxjerr gjëra nga thesari i tij?
7 I zoti i shtëpisë nuk po mburret për zotërimet e tij, siç bëri një herë mbreti i lashtë Hezekia, i cili pati pasoja të rënda nga kjo. (2 Mbretërve 20:13-20) Atëherë, çfarë e shtyn të zotin e shtëpisë të bëjë këtë gjë? Për ta kuptuar, imagjino sikur ke shkuar për vizitë në shtëpinë e një mësuesi që admiron. Ai hap një sirtar dhe nxjerr dy letra, njëra e zverdhur nga koha, kurse tjetra më e re. Këto letra ia ka dërguar i ati; njërën dhjetëra vite më parë, kur mësuesi ishte djalë i ri, ndërsa tjetrën kohët e fundit. Sytë i shkëlqejnë teksa të tregon sa shumë i çmon dhe si ia kanë ndryshuar jetën këshillat që gjenden aty. Madje, ato mund të të ndihmojnë edhe ty. Duket qartë se për mësuesin këto letra janë të shtrenjta dhe zënë një vend të veçantë në zemrën e tij. (Luka 6:45) Nuk t’i lexon për t’u mburrur a për të përfituar ndonjë gjë, por që ti të nxjerrësh dobi dhe të kuptosh sa vlerë kanë.
8. Pse i konsiderojmë si thesare të vërtetat që mësojmë nga Fjala e Perëndisë?
8 Jezui, Mësuesi i Madh, kishte arsye të ngjashme pse u fliste të tjerëve për të vërtetat e Perëndisë. Për të, ato të vërteta ishin thesare që s’kishin të çmuar. Ai i donte dhe mezi priste t’ua tregonte të tjerëve. Donte që «çdo mësues», pra çdo dishepull i tij, të ndihej njësoj si ai. A ndihemi edhe ne ashtu? Kemi arsye të forta për t’i dashur të gjitha të vërtetat që mësojmë nga Fjala e Perëndisë. I konsiderojmë si xhevahire fjalët e çmuara të së vërtetës, qofshin këto bindje që i vlerësojmë prej kohësh, qofshin qartësime të kohëve të fundit. Duke folur me entuziazëm nga zemra dhe duke vazhduar t’i kemi përzemër gjërat që na ka mësuar Jehovai, po ua përcjellim të tjerëve këtë dashuri, siç bëri Jezui.
9. (a) Si ndihej Jezui për njerëzit që mësonte? (b) Si mund ta imitojmë qëndrimin që kishte Jezui ndaj njerëzve?
9 Jezui i donte edhe njerëzit që mësonte, siç do ta diskutojmë më gjerësisht në pjesën 3. Në një profeci për Mesinë ishte parathënë se atij ‘do t’i dhimbsej i përvuajturi dhe i varfri’. (Psalmi 72:13) Në fakt, Jezui vërtet kishte merak për njerëzit. Ai interesohej për mendimet dhe qëndrimet që ndikonin tek ata; shqetësohej për problemet që u shkaktonin ankth dhe për gjërat që i pengonin të kuptonin të vërtetën. (Mateu 11:28; 16:13; 23:13, 15) Për shembull, mendo për gruan samaritane. Pa dyshim, asaj i bëri shumë përshtypje që Jezui u interesua për të. Kur pa se ai e kuptonte situatën e saj, u shty ta pranonte si profet dhe t’u fliste edhe të tjerëve për të. (Gjoni 4:16-19, 39) Kuptohet, ne nuk ua lexojmë dot zemrën njerëzve që u predikojmë. Por, mund të interesohemi për ta, siç bëri Jezui, duke ua bërë të qartë se i kemi përzemër dhe duke zgjedhur fjalë që u përshtaten më së miri sfidave, nevojave dhe gjërave që u interesojnë.
Për çfarë predikonte Jezui?
10, 11. (a) Për çfarë predikonte Jezui? (b) Si lindi nevoja për Mbretërinë e Perëndisë?
10 Për çfarë predikonte Jezui? Nëse do ta kërkoje përgjigjen te mësimet e kishave të shumta që pretendojnë se janë përfaqësuese të tij, ndoshta do të arrije në përfundimin se ai predikonte për ndonjë reformë sociale. Ose ndoshta do të të krijohej përshtypja se përkrahte ndonjë lëvizje politike apo se besonte që shpëtimi i individit është gjëja më e rëndësishme. Por, siç e shqyrtuam më sipër, Jezui tha qartë: ‘Duhet të shpall lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë.’ Çfarë përfshinte kjo?
11 Sill ndër mend që Jezui ishte i pranishëm në qiell kur Satanai shpifi për emrin e shenjtë të Jehovait dhe hodhi dyshimin se mënyra si qeveris Ai, nuk është e drejtë. Sa dhimbje do t’i ketë shkaktuar Jezuit akuza se Ati i tij i mirë ishte një Sovran i padrejtë, që u mban të mirën krijesave të Tij! Imagjino sa duhet të jetë lënduar Biri i Perëndisë kur Adami dhe Eva, prindërit e ardhshëm të njerëzimit, e besuan shpifjen e Satanait! Ai i kishte parë me sytë e tij pasojat që i kishin sjellë mëkati dhe vdekja familjes njerëzore për shkak të atij rebelimi. (Romakëve 5:12) Ama, sa shumë duhet të jetë gëzuar kur mësoi se një ditë Ati i tij do t’i ndreqte gjërat!
12, 13. Cilat padrejtësi do të ndreqë Mbretëria e Perëndisë dhe si e bëri Jezui Mbretërinë temën kryesore të shërbimit të tij?
12 Cila ishte çështja kryesore që kërkonte zgjidhje? Duhej shenjtëruar emri i Jehovait, duke zhdukur çdo gjurmë përbaltjeje që i kanë bërë Satanai dhe të gjithë ata që kanë marrë anën e tij. Duke qenë se emri i Jehovait përfshin reputacionin e tij si Sovran, duhej vërtetuar se mënyra si ai e ushtron autoritetin është më e mira. Jezui i kuptonte më mirë se çdo njeri tjetër këto çështje jetike. Në lutjen model, ai u mësoi dishepujve që në radhë të parë të kërkonin shenjtërimin e emrit të Atit të tij, pastaj ardhjen e Mbretërisë dhe bërjen e vullnetit të Perëndisë në tokë. (Mateu 6:9, 10) Mbretëria e Perëndisë, me mbret Jezu Krishtin, së shpejti do të zhdukë nga toka sistemin e korruptuar të Satanait dhe do të vërtetojë një herë e mirë se qeverisja e Jehovait është më e mira.—Danieli 2:44.
13 Kjo Mbretëri ishte tema e predikimit të Jezuit. Çdo fjalë e çdo veprim i tij e bëri të qartë se çfarë është Mbretëria dhe si do ta plotësojë ajo qëllimin e Jehovait. Jezui nuk lejoi asgjë ta shpërqendronte nga misioni i tij për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Edhe pse në kohën e tij ekzistonin padrejtësi të panumërta dhe çështje shoqërore që kërkonin zgjidhje të menjëhershme, ai u përqendrua te mesazhi dhe te vepra e tij. Por, a do të thotë kjo se, ngaqë ishte i përqendruar aty, Jezui ishte strikt, i mërzitshëm dhe përsëriste gjithmonë të njëjtat gjëra? Aspak!
14, 15. (a) Si e tregoi Jezui se ishte «më i madh se Solomoni»? (b) Si mund ta imitojmë Jezuin kur predikojmë?
14 Siç do ta shohim gjatë gjithë kësaj pjese, Jezui e bënte tërheqëse dhe të larmishme mësimdhënien e tij, që t’u prekte zemrën njerëzve. Mund të na vijë ndër mend mbreti i mençur Solomon, i cili kërkoi të gjente fjalë të këndshme dhe të sakta të së vërtetës, për të përcjellë mendimet që Jehovai e frymëzoi të shkruante. (Eklisiastiu 12:10) Jehovai i dha «gjykim të thellë» zemrës së atij njeriu të papërsosur, me qëllim që të fliste për shumë gjëra, përfshirë pemët, zogjtë, peshqit e gjallesa të tjera. Njerëzit vinin nga ana e anës për të dëgjuar Solomonin. (1 Mbretërve 4:29-34) Por Jezui ishte «më i madh se Solomoni». (Mateu 12:42) Ai ishte shumë më i mençur, dhe zemra e tij kishte më shumë «gjykim të thellë». Kur mësonte njerëzit, Jezui përdorte njohurinë e tij të pashoqe për Fjalën e Perëndisë dhe për gjëra të tjera, si për shembull, për zogjtë, kafshët, peshqit, bujqësinë, motin, ngjarjet e asaj kohe, historinë dhe kushtet shoqërore. Ama, Jezui nuk mburrej asnjëherë me njohurinë e tij për t’u bërë përshtypje të tjerëve. Mesazhi i tij ishte gjithnjë i thjeshtë dhe i qartë. S’është çudi që njerëzit e dëgjonin me ëndje.—Marku 12:37; Luka 19:48.
15 Sot, të krishterët përpiqen të ndjekin shembullin e Jezuit. Ndonëse s’kemi mençurinë dhe njohurinë e tij të pashoqe, të gjithë kemi njëfarë njohurie dhe përvoje që mund ta përdorim kur u flasim të tjerëve për të vërtetat e Fjalës së Perëndisë. Për shembull, ata që janë prindër, mund të përdorin përvojën e tyre në rritjen e fëmijëve për të ilustruar dashurinë që ka Jehovai për bijtë e vet. Të tjerë mund të përdorin shembuj a ilustrime nga puna, shkolla, eksperienca e tyre me njerëzit ose nga informacioni që kanë lidhur me ngjarjet e fundit. Ama, jemi të kujdesshëm që të mos i shpërqendrojmë njerëzit nga mesazhi ynë kryesor—lajmi i mirë për Mbretërinë e Perëndisë.—1 Timoteut 4:16.
Qëndrimi i Jezuit ndaj shërbimit
16, 17. (a) Çfarë qëndrimi kishte Jezui ndaj shërbimit? (b) Si e tregonte jeta e Jezuit se ai përqendrohej te shërbimi?
16 Jezui e konsideronte shërbimin si një thesar të çmuar. Kënaqej kur i ndihmonte njerëzit ta shihnin Atin e tij qiellor siç është në të vërtetë, jo siç paraqitej nga doktrinat dhe traditat pështjelluese njerëzore. Jezuit i pëlqente shumë t’i ndihmonte njerëzit që të fitonin miratimin e Jehovait dhe shpresën e jetës së përhershme. Ndiente kënaqësi kur u sillte njerëzve ngushëllim dhe gëzim me anë të lajmit të mirë. Nga e dimë se ndihej kështu? Të shohim tri aspekte.
17 Së pari, jeta e Jezuit përqendrohej te shërbimi. Vepra më e rëndësishme në jetën e tij ishte të predikonte për Mbretërinë. Ja pse, me mençuri, Jezui bënte një jetë të thjeshtë, siç e pamë në kapitullin 5. Ashtu siç i këshilloi edhe të tjerët, i mbante sytë të përqendruar tek ajo që kishte më shumë rëndësi. Nuk u shpërqendrua nga ato të mira materiale që kushtonin shumë, duheshin mirëmbajtur, riparuar a zëvendësuar me kalimin e kohës. Zgjodhi të bënte një jetë të thjeshtë, në mënyrë që asgjë të mos bëhej më e rëndësishme se shërbimi.—Mateu 6:22; 8:20.
18. Në ç’mënyrë Jezui nuk e kurseu veten në shërbim?
18 Së dyti, Jezui nuk e kurseu veten në shërbim. Ai shpenzoi mjaft energji, duke ecur me qindra kilometra rreth e qark Palestinës në kërkim të njerëzve, që t’u fliste për lajmin e mirë. Predikonte shtëpi më shtëpi, në sheshe, në pazare dhe në shumë vende të tjera. Fliste me njerëzit edhe kur kishte nevojë për pushim, për të ngrënë, për të pirë ose për pak kohë të qetë me miqtë e tij të ngushtë. Madje edhe në çastet e fundit të jetës, vazhdoi të fliste për lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë.—Luka 23:39-43.
19, 20. Si e ilustroi Jezui urgjencën e veprës së predikimit?
19 Së treti, Jezui predikonte me zell, sepse e dinte që mesazhi i tij ishte urgjent. Sill ndër mend bisedën me gruan samaritane te pusi afër Siharit. Me sa duket, apostujt e Jezuit nuk menduan se, në atë moment, ishte urgjente të flisnin për lajmin e mirë. Por, Jezui u tha: «A nuk thoni ju se duhen ende katër muaj para se të vijnë të korrat? Megjithatë unë po ju them: ngrini sytë dhe shihni arat. Ato janë gati për korrje.»—Gjoni 4:35.
20 Për të bërë këtë ilustrim Jezui u bazua te stina në të cilën ishin. Me sa duket, ishte muaji kislev (nëntor-dhjetor). Meqë elbi korrej rreth periudhës së Festës së Kalimit më 14 nisan, duheshin ende katër muaj. Prandaj, bujqit e dinin se nuk ishte ende periudha e korrjes. Duhej akoma shumë kohë. Por ç’të themi për korrjen e figurshme? E pra, shumë veta ishin gati të dëgjonin, të mësonin, të bëheshin dishepuj të Krishtit dhe të fitonin shpresën e mrekullueshme që u ofronte Jehovai. Kur Jezui i pa këta njerëz, imagjinoi fushat e bardha me drithë të pjekur që valëviteshin lehtë nga flladi, gjë që tregonte se ishin gati për t’u korrur. Tani ishte koha! Vepra ishte urgjente! Ja pse, kur njerëzit në një qytet u përpoqën ta ndalnin që të mos ikte, Jezui u përgjigj: «Duhet t’ua shpall lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë edhe qyteteve të tjera, sepse për këtë u dërgova.»—Luka 4:43.
21. Si ta imitojmë Jezuin?
21 Mund ta imitojmë Jezuin në të tria aspektet që sapo shqyrtuam. Së pari, duke e përqendruar jetën tonë te shërbimi. Edhe pse mund të jemi të ngarkuar për shkak të detyrimeve familjare a punës, e tregojmë se i japim përparësi shërbimit, duke predikuar e mësuar rregullisht e me zell, siç bëri Jezui. (Mateu 6:33; 1 Timoteut 5:8) Së dyti, bëjmë më të mirën në shërbim, duke shpenzuar pa kursim kohën, energjitë dhe të mirat materiale, për të mbështetur veprën e predikimit. (Luka 13:24) Dhe së treti, mbajmë gjithnjë në mendje se vepra jonë është urgjente. (2 Timoteut 4:2) Duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi për të predikuar!
22. Çfarë do të trajtohet në kapitullin vijues?
22 Jezui tregoi sa e rëndësishme ishte vepra, duke u siguruar që ajo të vazhdonte edhe pas vdekjes së tij. Ai u dha dishepujve urdhërimin që ta vazhdonin veprën e predikimit dhe të mësimdhënies. Ky argument do të trajtohet në kapitullin vijues.
a Për shembull, kur kjo grua pyeti si ka mundësi që një jude po fliste me një samaritane, iu referua armiqësisë që zgjaste prej shumë kohësh mes judenjve dhe samaritanëve. (Gjoni 4:9) Veç kësaj, tha se populli i saj e kishte prejardhjen nga Jakobi, por judenjtë e asaj kohe e mohonin me forcë këtë. (Gjoni 4:12) Ata i quanin samaritanët kuteanë, për të theksuar faktin se e kishin prejardhjen nga kombe të huaja.
b Të predikosh do të thotë të përhapësh ose të shpallësh një mesazh. Një kuptim të ngjashëm ka edhe shprehja të mësosh të tjerët, por përfshin ta shpjegosh mesazhin me më shumë hollësi. Mësimdhënia e mirë përfshin gjetjen e mënyrave që prekin zemrën e studentit dhe e nxitin të zbatojë atë që dëgjon.