KAPITULLI DY
«Udha, e vërteta dhe jeta»
1, 2. Pse pa ndihmën e dikujt do ta kishim të pamundur t’i afroheshim Jehovait, dhe çfarë ka bërë Jezu Krishti për të na ndihmuar?
A E KE humbur ndonjëherë rrugën? Ndoshta të kujtohet ndonjë rast kur shkove të takoje një mik a një të afërm, por nuk dije nga të shkoje. Ndërsa ecje nëpër një rrugë të panjohur, mbase ndalove dikë që ta pyesje. Imagjino si do të ishe ndier, nëse do të të rastiste një person zemërmirë, që në vend se thjesht të të orientonte, të të thoshte: «Më ndiq, se të çoj unë atje.» A nuk do të ishe ndier i lehtësuar?
2 Në njëfarë kuptimi, Jezu Krishti vepron në të njëjtën mënyrë me ne. Pa ndihmën e dikujt, do ta kishim të pamundur t’i afroheshim Perëndisë. Për shkak të mëkatit të trashëguar dhe të papërsosmërisë, njerëzimi ka humbur rrugën, pra është ‘i ndarë nga jeta që vjen nga Perëndia’. (Efesianëve 4:17, 18) Ndaj kemi nevojë për ndihmë që ta gjejmë sërish rrugën. Jezui është si ai udhërrëfyes zemërmirë që nuk na jep vetëm këshilla e udhëzime, por na ka lënë edhe një shembull që mund ta ndjekim. Siç e pamë në kapitullin e parë, Jezui na bën këtë ftesë: «Eja e bëhu dishepulli im.» (Marku 10:21) Veç kësaj, ai na jep edhe arsye bindëse pse duhet ta pranojmë ftesën. Në një rast, Jezui tha: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» (Gjoni 14:6) Le të shqyrtojmë disa arsye pse mund t’i afrohemi Atit vetëm nëpërmjet Birit. Pastaj, duke mbajtur në mendje këto arsye, do të shqyrtojmë pse Jezui është vërtet «udha, e vërteta dhe jeta».
Një rol jetësor në qëllimin e Jehovait
3. Pse i afrohemi Perëndisë nëpërmjet Jezuit?
3 Para së gjithash, një arsye pse i afrohemi Perëndisë nëpërmjet Jezuit, është ngaqë vetë Jehovai e ka parë të përshtatshme t’i japë Birit këtë rol kaq të rëndësishëm. a Ati e ka bërë Birin figurën qendrore në plotësimin e të gjitha qëllimeve të Tij. (2 Korintasve 1:20; Kolosianëve 1:18-20) Që të kuptojmë rolin jetësor të Jezuit, duhet të shqyrtojmë çfarë ndodhi në kopshtin e Edenit, ku çifti i parë njerëzor iu bashkua Satanait në rebelimin kundër Jehovait.—Zanafilla 2:16, 17; 3:1-6.
4. Cila çështje lindi nga rebelimi në Eden? Çfarë vendosi të bënte Jehovai për ta zgjidhur këtë çështje?
4 Nga ky rebelim lindi një çështje me rëndësi universale: a është Jehovai vërtet i shenjtë, i mirë, i drejtë dhe i dashur në çdo gjë që bën? Për të zgjidhur këtë çështje jetësore, Jehovai vendosi të dërgonte në tokë një bir qiellor të përsosur. Misioni që do të kryente ky bir i zgjedhur, kishte rëndësi të jashtëzakonshme: të jepte jetën për të shenjtëruar emrin e Atit të tij dhe për të paguar shpërblesën që të shpëtonte njerëzimin. Duke qëndruar besnik deri në vdekje, do t’u jepte zgjidhje të gjitha problemeve që shkaktoi rebelimi i Satanait. (Hebrenjve 2:14, 15; 1 Gjonit 3:8) Mirëpo Jehovai kishte miliona e miliona bij qiellorë të përsosur. (Danieli 7:9, 10) Kë zgjodhi për të kryer këtë caktim kaq të rëndësishëm? «Birin e tij të vetëmlindur», i cili më vonë u bë i njohur si Jezu Krishti.—Gjoni 3:16.
5, 6. Si e tregoi Jehovai se kishte besim te Biri i tij dhe pse ishte kaq i sigurt?
5 A duhet të na habitë zgjedhja që bëri Jehovai? Aspak! Ati kishte besim absolut te Biri i tij i vetëmlindur. Shekuj para se ai të vinte në tokë, Jehovai paratha se do të qëndronte besnik, pavarësisht nga të gjitha vuajtjet që do të kalonte. (Isaia 53:3-7, 10-12; Veprat 8:32-35) Mendo pak se çfarë do të thoshte kjo. Biri, ashtu si gjithë krijesat e tjera inteligjente, kishte vullnet të lirë, pra ishte i aftë të merrte vetë vendime. Megjithatë, Jehovai kishte kaq shumë besim tek ai, sa paratha se do të qëndronte besnik. Pse ishte kaq i sigurt Jehovai? Sepse e njeh mjaft mirë Birin e tij dhe e di sa shumë dëshiron që t’i pëlqejë Atit. (Gjoni 8:29; 14:31) Po, Biri e do Atin, dhe Ati e do Birin. (Gjoni 3:35) Dashuria që kanë për njëri-tjetrin, krijon mes tyre një lidhje të pathyeshme uniteti dhe mirëbesimi.—Kolosianëve 3:14.
6 Kur kuptojmë rolin e rëndësishëm të Birit, besimin që ka Ati tek ai dhe dashurinë që i lidh ata të dy, nuk çuditemi pse mund t’i afrohemi Jehovait vetëm nëpërmjet Jezuit. Por, ka edhe një arsye tjetër pse vetëm Biri mund të na drejtojë tek Ati.
Vetëm Biri e njeh plotësisht Atin
7, 8. Pse Jezui nuk po e ekzagjeronte kur tha se askush s’e njeh plotësisht Atin «përveç Birit»?
7 Nëse duam t’i afrohemi Jehovait, duhet të plotësojmë disa kërkesa. (Psalmi 15:1-5) Kush më mirë se Biri e di si t’i zbatojmë standardet e Perëndisë dhe të fitojmë miratimin e Tij? Jezui tha: «Ati im më ka dhënë gjithçka. Askush s’e njeh plotësisht Birin përveç Atit, dhe askush s’e njeh plotësisht Atin përveç Birit dhe kujtdo që Biri dëshiron t’ia bëjë të njohur.» (Mateu 11:27) Le të shohim pse Jezui nuk po e ekzagjeronte kur tha se askush s’e njeh plotësisht Atin «përveç Birit».
8 Si «i parëlinduri i gjithë krijimit», Biri gëzon një marrëdhënie të veçantë me Jehovain. (Kolosianëve 1:15) Imagjino ç’lidhje të ngushtë kanë krijuar Atë e Bir gjatë epokave të panumërta, që nga fillimi i krijimit kur ishin vetëm ata të dy, e deri sa erdhën në ekzistencë krijesat e tjera qiellore. (Gjoni 1:3; Kolosianëve 1:16, 17) Mendo edhe për mundësinë e çmuar që ka pasur Biri duke qëndruar pranë Atit: të përvetësonte mendimet, standardet dhe udhët e Jehovait e të mësonte për vullnetin e tij. Prandaj Jezui nuk po e ekzagjeronte aspak kur tha se e njihte Atin më mirë se kushdo tjetër. Me siguri, falë kësaj lidhjeje të ngushtë, Jezui arriti t’ua zbulonte të tjerëve personalitetin e Atit si askush tjetër.
9, 10. (a) Në ç’mënyra Jezui e bëri të njohur personalitetin e Atit të tij? (b) Çfarë duhet të bëjmë që të kemi miratimin e Jehovait?
9 Me anë të mësimeve të tij, Jezui e tregoi qartë se i njeh mjaft mirë mendimet dhe ndjenjat e Jehovait, madje edhe çfarë kërkon Ai nga adhuruesit e Tij. b Por, Jezui ua bëri të njohur njerëzve personalitetin e Atit të tij edhe në një mënyrë tjetër të efektshme. Ai tha: «Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin.» (Gjoni 14:9) Jezui e imitoi në mënyrë të përsosur Jehovain në çdo gjë që tha e bëri. Prandaj, kur lexojmë në Bibël për Jezuin—për fjalët e tij të fuqishme e tërheqëse kur mësonte, për dhembshurinë që e shtyu të shëronte të tjerët dhe për empatinë që e bëri të derdhte lot—mund të përfytyrojmë fare mirë Jehovain tek thotë e bën po ato gjëra. (Mateu 7:28, 29; Marku 1:40-42; Gjoni 11:32-36) Fjalët dhe veprat e Birit na zbulojnë personalitetin dhe qëllimin e Atit. (Gjoni 5:19; 8:28; 12:49, 50) Kështu, për të pasur miratimin e Jehovait, duhet t’ua vëmë veshin mësimeve të Jezuit dhe të ndjekim shembullin e tij.—Gjoni 14:23.
10 Meqë Jezui e njeh kaq mirë Atin dhe e imiton në mënyrë të përsosur, nuk është çudi që Jehovai ka vendosur t’i afrohemi Atij vetëm nëpërmjet Birit. Tani që e kemi kuptuar këtë, le të shqyrtojmë domethënien e fjalëve të Jezuit: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.»—Gjoni 14:6.
«Unë jam udha»
11. (a) Pse vetëm nëpërmjet Jezuit mund të kemi një marrëdhënie të mirë me Perëndinë? (b) Si e theksojnë fjalët te Gjoni 14:6 se pozita e Jezuit është unike? (Shih shënimin.)
11 Kemi mësuar që s’ka mënyrë tjetër për t’iu afruar Perëndisë përveçse nëpërmjet Jezuit. Tani le të shqyrtojmë më nga afër çfarë do të thotë kjo për ne. Jezui është «udha» në kuptimin që vetëm nëpërmjet tij mund të kemi një marrëdhënie të mirë me Perëndinë. Pse? Sepse, duke qëndruar besnik deri në vdekje, Jezui dha jetën si flijim shpërblyes. (Mateu 20:28) Pa këtë shpërblesë, do ta kishim të pamundur t’i afroheshim Perëndisë. Mëkati krijon një hendek mes njerëzve dhe Perëndisë, pasi Jehovai është i shenjtë dhe nuk mund ta tolerojë kurrë mëkatin. (Isaia 6:3; 59:2) Por flijimi i Jezuit e hoqi këtë hendek dhe siguroi shlyerjen e nevojshme për mëkatin. (Hebrenjve 10:12; 1 Gjonit 1:7) Nëse e pranojmë flijimin shpërblyes që ka siguruar Perëndia me anë të Krishtit dhe tregojmë besim tek ai, mund të fitojmë miratimin e Jehovait. Nuk ka mënyrë tjetër ‘për t’u pajtuar me Perëndinë’. c—Romakëve 5:6-11.
12. Në cilat mënyra Jezui është «udha»?
12 Jezui është «udha» edhe kur bëhet fjalë për lutjet. Mund t’i afrohemi Jehovait në lutje vetëm në emër të Jezuit, të sigurt se do t’i dëgjojë përgjërimet tona me gjithë shpirt. (1 Gjonit 5:13, 14) Vetë Jezui tha: «Po t’i kërkoni Atit ndonjë gjë, ai do t’jua japë në emrin tim. . . . Kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të bëhet i plotë.» (Gjoni 16:23, 24) Ja pse mund t’i afrohemi Jehovait në lutje në emër të Jezuit dhe ta quajmë «Ati ynë». (Mateu 6:9) Jezui është «udha» edhe për sa i përket shembullit që la. Siç e thamë më parë, Jezui e imitoi Atin në mënyrë të përsosur. Kështu, shembulli i Jezuit na tregon si të jetojmë në një mënyrë që i pëlqen Jehovait. Prandaj, për t’iu afruar Jehovait, duhet të ecim në gjurmët e Jezuit.—1 Pjetrit 2:21.
«Unë jam . . . e vërteta»
13, 14. (a) Në ç’kuptim Jezui thoshte të vërtetën me fjalët e tij? (b) Çfarë duhej të bënte Jezui që të ishte «e vërteta» dhe pse?
13 Jezui tha gjithnjë të vërtetën kur fliste për fjalën profetike të Atit. (Gjoni 8:40, 45, 46) Në gojën e tij nuk kishte asnjë mashtrim. (1 Pjetrit 2:22) Edhe kundërshtarët e pranonin se ai u mësonte të tjerëve «udhën e Perëndisë sipas së vërtetës». (Marku 12:13, 14) Megjithatë, kur Jezui tha «unë jam . . . e vërteta», nuk po i referohej vetëm të vërtetës që përcillnin fjalët, predikimi dhe mësimdhënia e tij. Në fakt, përfshihej shumë më tepër se kaq.
14 Sill ndër mend që shekuj më parë, Jehovai i kishte frymëzuar shkrimtarët e Biblës të dokumentonin shumë profeci për Mesinë ose Krishtin. Këto profeci parathoshin hollësi për jetën, shërbimin dhe vdekjen e tij. Për më tepër, në Ligjin e Moisiut kishte modele profetike, që e drejtonin vëmendjen te Mesia. (Hebrenjve 10:1) A do të tregohej besnik deri në vdekje Jezui, duke përmbushur kështu gjithçka që ishte profetizuar për të? Vetëm në këtë mënyrë do të provohej se Jehovai është Perëndia i profecive të vërteta. Kjo përgjegjësi e jashtëzakonshme kishte rënë mbi shpatullat e Jezuit. Dhe në fakt, me mënyrën si jetoi—me çdo fjalë e çdo vepër të tij—i bëri realitet modelet profetike. (2 Korintasve 1:20) Ja pse Jezui ishte «e vërteta». Ishte tamam sikur e vërteta e fjalës profetike të Jehovait, të ishte mishëruar te Jezui.—Gjoni 1:17; Kolosianëve 2:16, 17.
«Unë jam . . . jeta»
15. Ç’do të thotë të tregosh besim te Biri dhe çfarë rezultati sjell kjo?
15 Jezui është «jeta», sepse vetëm nëpërmjet tij mund të marrim jetën e përhershme, pra ‘jetën e vërtetë’. (1 Timoteut 6:19) Bibla thotë: «Ai që tregon besim te Biri, ka jetë të përhershme, kurse ai që nuk i bindet Birit, nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të.» (Gjoni 3:36) Ç’do të thotë të tregojmë besim te Biri i Perëndisë? Do të thotë kemi bindjen e plotë se vetëm me anë të tij mund të fitojmë jetën. Për më tepër, do të thotë ta tregojmë besimin me vepra: të vazhdojmë të mësojmë nga Jezui dhe të bëjmë çmos t’i ndjekim mësimet dhe shembullin e tij. (Jakovi 2:26) Kështu, nëse kemi besim te Biri i Perëndisë, do të fitojmë jetën e përhershme: jetën e pavdekshme në qiell për ‘kopenë e vogël’ me të krishterë të mirosur nga fryma dhe jetën e përsosur njerëzore në një tokë parajsore për ‘shumicën e madhe’ të ‘deleve të tjera’.—Luka 12:32; 23:43; Zbulesa 7:9-17; Gjoni 10:16.
16, 17. (a) Si do ta tregojë Jezui se është «jeta» edhe për ata që kanë vdekur? (b) Për çfarë mund të jemi të sigurt?
16 Po me ata që kanë vdekur, çfarë do të ndodhë? Jezui është «jeta» edhe për ta. Pak para se të ringjallte mikun e tij, Lazarin, Jezui i tha Martës, motrës së Lazarit: «Unë jam ringjallja dhe jeta. Ai që tregon besim tek unë, edhe sikur të vdesë, do të kthehet në jetë.» (Gjoni 11:25) Jehovai i ka besuar Birit të tij «çelësat e vdekjes dhe të Varrit», duke i dhënë kështu fuqinë për të ringjallur. (Zbulesa 1:17, 18) Me këta çelësa, Jezui në pozitën e tij të lartësuar do të hapë portat e varrit të përbashkët të njerëzimit dhe do të çlirojë të gjithë ata që janë atje.—Gjoni 5:28, 29.
17 «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta.» Me këtë pohim të thjeshtë, Jezui përmblodhi qëllimin e jetës dhe të shërbimit të tij në tokë. Ato fjalë kanë shumë rëndësi për ne. Të mos harrojmë që pas kësaj, Jezui tha: «Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» (Gjoni 14:6) Fjalët e Jezuit janë po kaq të vërteta sot, sa edhe në kohën kur i tha. Kështu, mund të jemi plotësisht të sigurt se, po të ndjekim Jezuin, nuk do ta humbasim kurrë rrugën. Ai, dhe vetëm ai, mund të na drejtojë në udhën për «tek Ati».
Si do të përgjigjesh?
18. Si e tregojmë se jemi dishepuj të vërtetë të Jezuit?
18 Tani që pamë rolin jetësor të Jezuit dhe faktin që ai e njeh Atin më mirë se kushdo tjetër, kemi arsye të forta për ta ndjekur. Siç e pamë në kapitullin e mëparshëm, nëse dikush është dishepull i vërtetë i Jezuit, do të duket nga veprat që bën, jo vetëm nga fjalët a ndjenjat e tij. Të ndjekim Krishtin do të thotë ta modelojmë jetën tonë sipas mësimeve dhe shembullit të tij. (Gjoni 13:15) Ky botim ndihmës për studim, që ti po lexon tani, mund të të ndihmojë për këtë.
19, 20. Si të ndihmon ky botim ndihmës për studim që të ndjekësh Krishtin?
19 Në kapitujt që vijojnë, do të studiojmë me hollësi jetën dhe shërbimin e Jezuit. Këta kapituj ndahen në tri pjesë. Së pari, do të krijojmë një ide të përgjithshme për cilësitë e Jezuit dhe për mënyrën si vepronte. Së dyti, do të shqyrtojmë shembullin e tij të zellshëm në predikim e në mësimdhënie. Së treti, do të shohim si tregoi dashuri. Duke filluar nga kapitulli 3, të gjithë kapitujt do të përmbajnë një kuti me titull: «Si mund ta ndjekësh Jezuin?» Shkrimet dhe pyetjet që gjenden aty, mund të na ndihmojnë për të gjetur mënyra si të imitojmë fjalët e veprat e Jezuit.
20 Falë Perëndisë Jehova, nuk ke pse të ndihesh sikur ke humbur rrugën apo sikur je ndarë nga ai për shkak të mëkatit të trashëguar. Me dashuri, Jehovai dërgoi Birin e tij që të na tregonte udhën për të pasur një marrëdhënie të mirë me Të, edhe pse kjo i kushtoi shumë. (1 Gjonit 4:9, 10) Urojmë që dashuria e tij e pashoqe, të të motivojë ta pranosh ftesën e Jezuit: «Bëhu dishepulli im.»—Gjoni 1:43.
a Roli i Birit është kaq i rëndësishëm, sa Bibla i atribuon disa tituj dhe emra profetikë.—Shih kutinë « Disa tituj për Jezu Krishtin».
b Shih, për shembull, fjalët e Jezuit te Mateu 10:29-31; 18:12-14, 21-35; 22:36-40.
c Te Gjoni 14:6, përdorimi i përemrit vetor «unë» bashkë me trajtën e shquar të fjalës «udha», thekson se pozita e Jezuit është unike, pra që ai është e vetmja udhë nëpërmjet së cilës mund t’i afrohemi Atit.