Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 30

Mund t’i përqafosh sërish njerëzit e dashur që kanë humbur jetën!

Mund t’i përqafosh sërish njerëzit e dashur që kanë humbur jetën!

Vdekja na pikëllon dhe na helmon shpirtin. Ja pse Bibla e quan armik. (1 Korintasve 15:26) Në mësimin 27 pamë se Jehovai do ta asgjësojë këtë armik. Po me njerëzit që tashmë kanë vdekur, ç’do të ndodhë? Tani do të mësosh më shumë për një premtim të mrekullueshëm nga Jehovai—ai do të sjellë sërish në jetë miliarda njerëz, që të gëzojnë jetën përgjithmonë. Po, do t’i ringjallë! A është vërtet e mundur kjo? Ku do të ringjallen: në qiell apo në tokë?

1. Çfarë dëshiron të bëjë Jehovai për të shtrenjtët tanë që kanë vdekur?

Jehovai mezi pret t’i kthejë në jetë njerëzit që kanë vdekur. Jobi besnik nuk kishte fije dyshimi se Perëndia nuk do ta linte në harresë kur të vdiste. Ai i tha Perëndisë: «Ti do të më thërrasësh, e unë do të të përgjigjem [nga Varri].»—Lexo Jobin 14:13-15.

2. Nga e dimë se të vdekurit mund të ringjallen?

Kur Jezui ishte në tokë, Perëndia i dha fuqi të ringjallte njerëz. Ai ktheu në jetë një vajzë 12-vjeçare dhe djalin e një vejushe. (Marku 5:41, 42; Luka 7:12-15) Më vonë, Jezuit i vdiq një mik, Lazari. Edhe pse Lazari kishte vdekur e ishte varrosur prej katër ditësh, Jezui e ktheu në jetë. Pasi iu lut Perëndisë, Jezui thirri me zë të lartë përballë varrit: «Lazar, eja jashtë!» Dhe «Lazari, që kishte qenë i vdekur, doli» gjallë! (Gjoni 11:43, 44) E merr dot me mend lumturinë e papërshkrueshme të familjes dhe miqve të Lazarit?

3. Çfarë shprese ka për njerëzit e dashur që kanë humbur jetën?

Bibla premton se ‘do të ketë ringjallje’. (Veprat 24:15) Njerëzit që ringjalli Jezui nuk shkuan në qiell pas vdekjes. (Gjoni 3:13) Ata u kënaqën pa masë që iu dha mundësia të jetonin sërish në tokë. Po njësoj, së shpejti Jezui do të ringjallë miliarda njerëz që të gëzojnë jetën në parajsën në tokë. Ai tha se «të gjithë ata që janë në varre»—madje edhe ata që njerëzit i kanë harruar, ama janë në kujtesën e Perëndisë—do të ringjallen.—Gjoni 5:28, 29.

SHQYRTO MË TEJ

Le të shqyrtojmë disa prova nga Bibla se ringjallja është e mundur dhe se do të ndodhë vërtet. Mëso si të sjell ngushëllim dhe shpresë premtimi i ringjalljes.

4. Jezui dha prova se ka fuqinë t’i ringjallë të vdekurit

Mëso më shumë rreth asaj që bëri Jezui për mikun e tij, Lazarin. Lexoni Gjonin 11:14, 38-44 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:

  • Nga e dimë se Lazari kishte vdekur vërtet?—Shih vargun 39.

  • Nëse Lazari do të kishte shkuar në qiell ose në një vend të mirë, a po i bënte nder Jezui duke e kthyer prapë në tokë?

Shihni VIDEON.

5. Do të ringjallen shumë veta

Lexoni Psalmin 37:29 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Ku do të jetojnë miliarda njerëz që do të ringjallen?

Jezui nuk do të ringjallë vetëm ata që kanë besuar te Jehovai. Lexoni Veprat 24:15 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Cilin nga njerëzit e dashur që të ka vdekur mezi pret ta përqafosh?

Mendo pak: Jezui mund ta ringjallë dikë po aq kollaj sa një baba zgjon fëmijën nga gjumi

6. Premtimi i ringjalljes mund të të sjellë ngushëllim dhe shpresë

Historia e Biblës për vajzën e Jairit ka ngushëlluar dhe u ka dhënë zemër shumë të pikëlluarve. Lexoni këtë ngjarje të vërtetë te Luka 8:40-42, 49-56.

Para se t’i ringjallte vajzën, Jezui i tha Jairit: «Mos ki frikë, vetëm ki besim.» (Shih vargun 50.) Si të jep forcë shpresa e ringjalljes . . .

  • kur humbet një njeri të dashur?

  • kur të rrezikohet jeta?

Shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Si ua ka lehtësuar dhimbjen dhe u ka dhënë zemër shpresa e ringjalljes prindërve të Felisitis?

DISA THONË: «Kjo që thoni ju për ringjalljen është përrallë.»

  • Po ti, si mendon?

  • Me anë të cilit shkrim do t’u shpjegoje se ringjallja do të ndodhë vërtet?

PËRMBLEDHJE

Bibla premton se do të kthehen në jetë miliarda njerëz. Jehovai ka shumë dëshirë që ata të jetojnë sërish dhe i ka dhënë Jezuit fuqi që t’i ringjallë.

Si do të përgjigjeshe?

  • Nga e dimë se Jehovai dhe Jezui mezi presin t’i sjellin sërish në jetë të vdekurit?

  • Ku do të jetojnë ata miliarda që do të ringjallen: në qiell apo në tokë? Pse mendon kështu?

  • Pse je i bindur se do t’i përqafosh sërish njerëzit e dashur që ke humbur?

Provo këtë

EKSPLORO

Lexo disa sugjerime praktike se si ta përballosh pikëllimin.

«Ndihmë për të pikëlluarit» (Zgjohuni! nr. 3 2018)

A mund të të ndihmojnë vërtet parimet e Biblës kur je i hidhëruar nga humbja e një njeriu të dashur?

Kur vdekja të rrëmben një njeri të dashur (5:06)

Si t’i ndihmojmë fëmijët të përballojnë vdekjen e një njeriu të dashur?

Shpërblesa (2:07)

A do të ketë njerëz që do të ringjallen në qiell? Cilët nuk do të ringjallen?

«Çfarë është ringjallja?» (Artikull në jw.org)