MËSIMI 89
Pjetri mohoi Jezuin
Kur Jezui ishte me apostujt në dhomën e sipërme, u tha: «Sonte, të gjithë ju do të më braktisni.» Pjetri ia ktheu: «Unë jo. Edhe sikur të tjerët të të braktisin, unë nuk do të të braktis kurrë!» Jezui i tha Pjetrit: «Para se gjeli të këndojë, do të kesh thënë tri herë se nuk më njeh.»
Kur ushtarët e morën Jezuin për te shtëpia e Kajafës, pothuajse të gjithë apostujt ia mbathën. Megjithatë dy prej tyre e ndoqën me turmën. Njëri ishte Pjetri. Ai hyri në oborrin e shtëpisë së Kajafës dhe po ngrohej pranë zjarrit. Nën dritën e flakëve të zjarrit, një shërbëtore e pa Pjetrin dhe i tha: «Unë të njoh ty. Ti ishe me Jezuin.»
Pjetri iu përgjigj: «Jo, nuk isha. Nuk e di për çfarë po flet!» Ai po shkonte drejt portës, kur menjëherë një shërbëtore tjetër e pa dhe i tha turmës: «Ky njeri ishte me Jezuin!» Pjetri tha: «Unë nuk e njoh fare Jezuin!» Një burrë i tha: «Ti je një nga ata! E dalloj nga theksi yt se je nga Galilea, si Jezui.» Por Pjetri u betua: «Unë nuk e njoh!»
Në atë moment një gjel këndoi. Pjetri pa se Jezui u kthye dhe e vështroi. Atij iu kujtuan fjalët e Jezuit. Doli jashtë dhe qau me hidhërim.
Ndërkohë Sinedri u mblodh në shtëpinë e Kajafës për të gjykuar Jezuin. Tashmë kishin vendosur ta vritnin Jezuin dhe tani po kërkonin një sebep. Por nuk gjetën asgjë kundër tij. Së fundmi Kajafa e pyeti drejtpërdrejt Jezuin: «A je ti Biri i Perëndisë?» Jezui iu përgjigj: «Unë jam.» Kajafa tha: «Nuk kemi nevojë për asnjë provë tjetër. Ai po ofendon Perëndinë!» Gjykata ishte në një mendje: «Ky njeri duhet të vdesë!» Ata
i binin me shuplaka, e pështynin, ia mbuluan sytë, e godisnin dhe i thoshin: «Nëse je profet, na thuaj kush të goditi!»Kur zbardhi, e çuan Jezuin në sallën e Sinedrit dhe e pyetën sërish: «A je ti Biri i Perëndisë?» Jezui u përgjigj: «Ju po e thoni se jam.» Atëherë e shpallën fajtor se kishte ofenduar Perëndinë dhe e çuan në pallatin e Ponc Pilatit, guvernatorit romak. Çfarë ndodhi më pas? Ta zbulojmë.
«Ora . . . . ka ardhur, kur do të shpërndaheni secili në shtëpinë e vet dhe do të më lini vetëm, e megjithatë unë nuk jam vetëm, sepse Ati është me mua.»—Gjoni 16:32