Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 102

Vegimet e Gjonit

Vegimet e Gjonit

Ndërsa apostulli Gjon ishte i burgosur në ishullin e Patmosit, Jezui i tregoi një seri me 16 vegime ose pamje të së ardhmes. Ato vegime zbuluan si do të shenjtërohej emri i Jehovait, si do të vinte Mbretëria e tij dhe si vullneti i tij do të bëhej në tokë si në qiell.

Në një vegim, Gjoni shikon Jehovain në fronin e tij të lavdishëm në qiell, të rrethuar nga 24 pleq të veshur me të bardha dhe që kanë mbi krye kurora prej ari. Vetëtima dhe bubullima dalin nga froni. Të 24 pleqtë bien përmbys para Jehovait dhe e adhurojnë. Në një vegim tjetër, Gjoni shikon një shumicë të madhe nga të gjitha kombet, popujt dhe gjuhët që adhurojnë Jehovain. Qengji, që është Jezui, kujdeset për ta dhe i çon tek ujërat e jetës. Pastaj, në një vegim tjetër, Jezui fillon të mbretërojë si Mbret në qiell bashkë me 24 pleqtë. Në vegimin vijues, Gjoni shikon Jezuin të luftojë kundër dragoit, që është Satanai, dhe demonëve. Jezui i përzë nga qielli dhe i hedh në tokë.

Më pas, Gjoni shikon një pamje të bukur të Qengjit dhe të 144.000 të zgjedhurve që qëndrojnë në malin Sion. Ai shikon gjithashtu një engjëll që fluturon përreth tokës duke u thënë njerëzve t’i frikësohen Perëndisë dhe t’i japin lavdi Atij.

Në vegimin tjetër zhvillohet lufta e Harmagedonit. Gjatë kësaj lufte, Jezui dhe ushtria e tij mposht sistemin e lig të Satanait. Në vegimin e fundit Gjoni sheh një harmoni të përsosur në qiell dhe në tokë. Satanai dhe fara ose pasardhësit e tij janë shkatërruar plotësisht. Çdokush në qiell apo në tokë, e konsideron të shenjtë emrin e Jehovait dhe adhuron vetëm atë.

«Unë do të vë armiqësi mes teje dhe gruas, mes farës sate dhe farës së saj. Ai do të të shtypë kokën, dhe ti do ta plagosësh në thembër.»​—Zanafilla 3:15