MËSIMI 35
Hana u lut për një djalë
Një izraelit me emrin Elkanah kishte dy gra, Hanën dhe Peninën, por ai donte më shumë Hanën. Penina kishte shumë fëmijë, kurse Hana nuk kishte asnjë. Prandaj Penina e tallte Hanën gjatë gjithë kohës. Çdo vit, Elkanahu e çonte familjen e tij te tabernakulli në Shiloh për të adhuruar Perëndinë. Njëherë, kur ishin atje, ai vuri re se Hana e tij e dashur ishte shumë e trishtuar. Ai i tha: «Të lutem Hana, mos qaj. Ti më ke mua. Unë të dua shumë.»
Më vonë, Hana u tërhoq mënjanë që të lutej vetëm. Ajo nuk pushonte dot së qari ndërsa i përgjërohej Jehovait për ndihmë. Ajo i premtoi: «Jehova, nëse më jep një djalë, unë do të ta jap ty dhe ai do të të shërbejë gjithë jetën.»
Kryeprifti Eli pa Hanën që po qante me dënesë dhe kujtoi se ishte e dehur. Por Hana i tha: «Jo, zotëria im, nuk jam e dehur, por kam një hall të madh dhe po flisja me Jehovain.» Eliu e kuptoi se kishte gabuar, prandaj i tha: «Perëndia të dhëntë atë që dëshiron.» Hana u ndie më mirë dhe pastaj u largua. Pa u bërë një vit, ajo lindi një djalë dhe ia vuri emrin Samuel. A e imagjinon dot sa e lumtur duhet të ketë qenë Hana?
Hana nuk e harroi premtimin që i bëri Jehovait. Sapo ia hoqi gjirin Samuelit, e çoi në tabernakull që të shërbente. Ajo i tha Eliut: «Ky është djali për të cilin u luta. Sa të ketë jetë do t’ia kushtoj Jehovait.» Elkanahu dhe Hana shkonin çdo vit te Samueli dhe i çonin një petk të ri pa mëngë. Jehovai i dha Hanës edhe tre djem të tjerë dhe dy vajza.
«Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni dhe do të gjeni.»—Mateu 7:7