KAPITULLI 132
«Pa dyshim që ky njeri ishte Biri i Perëndisë»
MATEU 27:45-56 MARKU 15:33-41 LUKA 23:44-49 GJONI 19:25-30
-
JEZUI VDES NË SHTYLLË
-
NDODHIN NGJARJE TË PAZAKONTA KUR JEZUI VDES
Është «ora e gjashtë», domethënë mesditë. Sidoqoftë, «gjithë vendin» e mbulon një errësirë e çuditshme «deri në orën e nëntë», pra në orën 3 pasdite. (Marku 15:33) Këtë errësirë të mistershme nuk e shkakton një eklips diellor. Eklipset ndodhin kur del hëna e re, por tani jemi në periudhën e Festës së Kalimit kur hëna është e plotë. Për më tepër, zgjatin vetëm pak minuta, kurse kjo errësirë zgjat shumë më tepër. Nuk ka dyshim, pra, se atë e shkakton Perëndia!
Kushedi si ndihen në këto momente ata që e tallin Jezuin. Gjatë kohës që vendin e ka mbuluar errësira, te shtylla e torturës afrohen katër gra: nëna e Jezuit, Saloma, Maria-Magdalena dhe Maria, nëna e apostullit Jakov të Vogël.
Apostulli Gjon është përkrah nënës së pikëlluar të Jezuit, «pranë shtyllës së torturës». Maria sheh të birin duke vuajtur tmerrësisht, birin që solli në jetë dhe e rriti me dashuri. Është sikur «një shpatë e gjatë» t’i shpojë shpirtin. (Gjoni 19:25; Luka 2:35) Edhe mes dhembjeve të padurueshme, Jezui mendon për të ëmën. Mundohet të kthejë kokën nga Gjoni dhe i thotë së ëmës: «Nënë, ja, biri yt!» Pastaj, duke kthyer kokën nga Maria, i thotë Gjonit: «Ja, nëna jote!»—Gjoni 19:26, 27.
Jezui po ia beson të ëmën, që me sa duket tani është vejushë, apostullit që e ka veçanërisht për zemër. Jezui e di se gjysmëvëllezërit e tij, djemtë e tjerë të Marisë, nuk tregojnë ende besim tek ai. Prandaj po merr masa që dikush të kujdeset për nënën e tij, jo vetëm nga ana fizike, por edhe ta ndihmojë të ruajë një marrëdhënie të fortë me Jehovain. Çfarë shembulli i shkëlqyer!
Ndërsa errësira po largohet, Jezui thotë: «Kam etje.» Në këtë mënyrë, po përmbush shkrimet. (Gjoni 19:28; Psalmi 22:15) Jezui e ndien që, si të thuash, Ati i tij i ka hequr mbrojtjen që integriteti i të Birit të sprovohet deri në limit. Me zë të lartë, Krishti thotë këto fjalë në aramaishten që flitet në Galile: «Éli, Éli, láma sabahtháni?», që do të thotë: «Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur?» Disa njerëz aty pranë i keqkuptojnë këto fjalë dhe thonë të habitur: «Shihni! Ai po thërret Elijan.» Një prej tyre vrapon, njom një sfungjer me verë të thartë, e vë në një kallam dhe ia afron Jezuit që të pijë. Por të tjerë thonë: «Lëreni! Të shohim nëse Elija do të vijë që ta zbresë.»—Marku 15:34-36.
Atëherë Jezui thotë me zë të lartë: «U krye!» (Gjoni 19:30) Po, ai kreu gjithçka për të cilën Ati e dërgoi në tokë. Në fund, Jezui thotë: «O Atë, në dorën tënde po e lë frymën time!» (Luka 23:46) Jezui lë në dorë të Jehovait forcën e tij të jetës, plotësisht i sigurt se Perëndia do t’ia kthejë. Me besim të plotë tek i Ati, Jezui ul kokën dhe vdes.
Në çast, bie një tërmet i fuqishëm që çan shkëmbinjtë. Është kaq i fortë sa varret jashtë Jerusalemit hapen, dhe kufomat dalin jashtë tyre. Kalimtarët që shohin trupat e vdekur të dalin nga varret, hyjnë «në qytetin e shenjtë» Mateu 27:51-53.
dhe u tregojnë të tjerëve atë që sapo kanë parë.—Në momentin që Jezui vdes, perdja e gjatë dhe e rëndë që ndan të Shenjtën nga Më e Shenjta në tempullin e Perëndisë, çahet më dysh, nga maja deri në fund. Kjo ngjarje mbresëlënëse është shfaqje e zemërimit të Perëndisë kundër atyre që i vranë të Birin dhe tregon se tani udha e hyrjes për në Më të Shenjtën, pra në vetë qiellin, është e hapur.—Hebrenjve 9:2, 3; 10:19, 20.
Kuptohet që njerëzit i zë tmerri. Centurioni që është në krye të detyrës pohon: «Pa dyshim që ky njeri ishte Biri i Perëndisë.» (Marku 15:39) Ai mund të ketë qenë i pranishëm në gjyqin që iu bë Jezuit para Pilatit, ku u diskutua nëse ishte kështu. Tani s’ka pikë dyshimi se Jezui është një njeri i drejtë dhe se është vërtet Biri i Perëndisë.
Disa të tjerë janë tronditur nga këto ngjarje të pazakonta dhe rrugës për në shtëpi ‘godasin gjoksin’, një gjest që tregon se janë thellësisht të pikëlluar e të turpëruar. (Luka 23:48) Ndër njerëzit që vëzhgojnë ngjarjet nga larg, janë edhe shumë dishepulle që ndonjëherë kanë udhëtuar me Jezuin. Edhe ato janë të prekura thellë nga këto ngjarje mbresëlënëse.