Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 116

Jezui u lan këmbët apostujve

Jezui u lan këmbët apostujve

MATEU 26:20 MARKU 14:17 LUKA 22:14-18 GJONI 13:1-17

  • JEZUI HA ME APOSTUJT DARKËN E FUNDIT TË FESTËS SË KALIMIT

  • JEP NJË MËSIM DUKE U LARË KËMBËT APOSTUJVE

Siç i udhëzoi Jezui, Pjetri dhe Gjoni tashmë kanë mbërritur në Jerusalem që të bëjnë përgatitjet për Festën e Kalimit. Më vonë, edhe Jezui me 10 apostujt e tjerë do të nisen për në Jerusalem. Është pasdite dhe, ndërsa Jezui me dishepujt zbresin nga Mali i Ullinjve, dielli po perëndon. Jezui s’ka për ta parë më qytetin gjatë ditës, derisa të ringjallet.

S’kalon shumë dhe, bashkë me dishepujt, mbërrijnë në qytet e shkojnë në shtëpinë ku do të hanë darkën e Festës së Kalimit. Ata ngjitin shkallët për te dhoma e madhe ku janë bërë përgatitjet që Jezui të hajë darkën vetëm me apostujt. Ai mezi e ka pritur këtë rast, prandaj u thotë apostujve: «Kam pasur shumë dëshirë ta ha këtë darkë të Festës së Kalimit me ju para se të vuaj.»—Luka 22:15.

Gjatë darkës, apostujt ndjekin një zakon që ka filluar vite më parë: i kalojnë njëri-tjetrit kupa me verë. Pasi i japin një kupë, Jezui falënderon Perëndinë dhe thotë: «Merreni këtë dhe kalojani njëri-tjetrit, sepse unë po ju them: tani e tutje nuk do të pi më nga kjo verë, deri kur të vijë Mbretëria e Perëndisë.»(Luka 22:17, 18) Me këto fjalë, lë të kuptohet se vdekja e tij është afër.

Ndërkohë, ndodh diçka e pazakontë. Jezui ngrihet, vë mënjanë mantelin dhe merr një peshqir. Pastaj hedh ujë në një legen që ka aty afër. Zakonisht, i zoti i shtëpisë duhet të kujdeset që dikush t’u lajë këmbët mysafirëve, mbase duke ia caktuar këtë punë një prej shërbëtorëve. (Luka 7:44) Por, meqë i zoti i shtëpisë nuk është, këtë punë e bën vetë Jezui. Iniciativën mund ta merrte çdokush nga apostujt, por nuk ndodh kështu. Mos ndoshta ngaqë ka akoma rivalitet mes tyre? Sido që të jetë puna, vihen në siklet kur Jezui nis t’u lajë këmbët.

Kur i vjen radha Pjetrit, ai kundërshton: «Ti s’ke për të m’i larë këmbët kurrë.» Jezui i thotë: «Po nuk të lava, nuk ke më lidhje me mua.» Atëherë Pjetri ia kthen: «Zotëri, më laj jo vetëm këmbët, por edhe duart dhe kokën.» Sa habitet me fjalët e Jezuit: «Kush ka bërë banjë, është krejt i pastër, prandaj duhet të lajë vetëm këmbët. Ju jeni të pastër, por jo të gjithë.»—Gjoni 13:8-10.

Jezui u lan këmbët 12 apostujve, pra edhe Judë Iskariotit. Pasi vesh mantelin dhe shtrohet përsëri në tryezë, i pyet: «A e kuptuat çfarë bëra me ju? Ju më quani ‘Mësues’ dhe ‘Zotëri’, dhe me të drejtë, sepse i tillë jam. Prandaj, kur ju lava këmbët unë që jam Zotëri dhe Mësues, edhe ju duhet t’i lani këmbët njëri-tjetrit. Unë ju lashë modelin që, ashtu si bëra unë me ju, po njësoj të bëni edhe ju. Me të vërtetë po ju them: skllavi nuk është më i madh se zotëria, as i dërguari nuk është më i madh se ai që e dërgoi. Nëse i dini këto gjëra, lum ju po t’i zbatoni.»—Gjoni 13:12-17.

Ç’mësim i bukur për përulësinë! Dishepujt e Jezuit nuk duhet të kërkojnë pozitë dhe as të ndihen më të rëndësishëm e të presin që të tjerët t’u shërbejnë. Përkundrazi, bëjnë mirë të imitojnë shembullin e Jezuit, jo duke ndjekur ndonjë ritual, si larja e këmbëve, por duke qenë të gatshëm të shërbejnë me përulësi dhe paanësi.