KAPITULLI 133
Përgatitin trupin e Jezuit dhe e varrosin
MATEU 27:57–28:2 MARKU 15:42–16:4 LUKA 23:50–24:3 GJONI 19:31–20:1
-
ZBRESIN NGA SHTYLLA TRUPIN E JEZUIT
-
I PËRGATITIN TRUPIN PËR VARRIM
-
GRATË E GJEJNË VARRIN BOSH
Është e premte, 14 nisan, pasdite vonë. Kur të perëndojë, do të nisë Sabati i 15 nisanit. Jezui ka vdekur tashmë, por dy kriminelët përkrah tij janë ende gjallë. Sipas Ligjit, kufomat ‘nuk duhet të rrinë gjithë natën në shtyllë’, përkundrazi duhet të varrosen «po atë ditë».—Ligji i përtërirë 21:22, 23.
Gjithashtu, e premtja quhet Dita e Përgatitjes, sepse njerëzit përgatitin për të ngrënë dhe përfundojnë çdo punë që nuk pret deri pas Sabatit. Dita e Përgatitjes përfundon në perëndim dhe pastaj fillon një Sabat i dyfishtë ose «i madh». (Gjoni 19:31) Quhet kështu sepse 15 nisani është dita e parë e Festës së Bukëve Pa Maja, që zgjat shtatë ditë. Dita e parë e kësaj feste konsiderohet gjithmonë Sabat, pavarësisht se në cilën ditë të javës bie. (Levitiku 23:5, 6) Këtë herë dita e parë korrespondon edhe me Sabatin javor, ditën e shtatë të javës.
Kështu judenjtë i kërkojnë Pilatit ta shpejtojë vdekjen e Jezuit dhe të dy kusarëve përkrah tij. Si? Duke u thyer këmbët. Kjo do t’i pengojë të përdorin këmbët për të ngritur trupin që të marrin frymë. Ushtarët shkojnë e u thyejnë këmbët dy kriminelëve. Por Jezui duket që ka vdekur, prandaj nuk ia thyejnë këmbët. Në këtë mënyrë plotësohet Psalmi 34:20, që thotë: «Tërë kockat e tij, ai i ruan, dhe asnjëra prej tyre nuk thyhet.»
Gjoni 19:34) Kjo përmbush një shkrim tjetër: «Ata do të shohin atë që shpuan tejpërtej.»—Zakaria 12:10.
Për t’u siguruar që Jezui ka vdekur vërtet, një ushtar e shpon me heshtë në brinjë, afër zemrës, dhe ‘menjëherë del gjak e ujë’. (Jozefi nga qyteti i Arimateas, «një njeri i pasur» dhe anëtar i nderuar i Sinedrit, ka qenë i pranishëm gjatë ekzekutimit. (Mateu 27:57) Për të thuhet se është «njeri i mirë dhe i drejtë» që ‘pret Mbretërinë e Perëndisë’. Në fakt, si «një dishepull i Jezuit, por që nuk dilte hapur nga frika e judenjve», ai nuk kishte mbështetur vendimin e gjykatës lidhur me Jezuin. (Luka 23:50; Marku 15:43; Gjoni 19:38) Jozefi merr guxim dhe i kërkon Pilatit trupin e Jezuit. Pilati thërret centurionin në detyrë, i cili i konfirmon që Jezui ka vdekur. Pastaj, Pilati plotëson kërkesën e Jozefit.
Jozefi blen një copë linoje të pastër e cilësore dhe e zbret trupin e Jezuit nga shtylla. E mbështjell me copën e linosë që ta bëjë gati për varrim. Me përgatitjet e ndihmon edhe Nikodemi, «që herën e parë shkoi te Jezui natën». (Gjoni 19:39) Ai sjell një përzierje të shtrenjtë mirre e aloe, rreth njëqind libra romake (33 kg). E fashojnë trupin e Jezuit me copat e linosë të lyera me këtë përzierje, sipas zakonit të judenjve për varrim.
Jozefi zotëron një varr të gërmuar në një shkëmb aty pranë, në të cilin nuk ishte vënë ende asnjeri. Aty varrosin Jezuin. Pastaj rrokullisin një gur të madh te hyrja e varrit. Gjithçka bëhet shpejt e shpejt, para se të fillojë Sabati. Maria-Magdalena dhe Maria, nëna e Jakovit të Vogël, mund të kenë ndihmuar për të përgatitur trupin e Jezuit. Tani nxitojnë për të shkuar në shtëpi ‘që të përgatitin bimë dhe vajra aromatikë’ për të lyer përsëri trupin e Jezuit pas Sabatit.—Luka 23:56.
Të nesërmen, në Sabat, krerët e priftërinjve dhe farisenjtë shkojnë te Pilati dhe i thonë: «Na kujtohet se ai mashtruesi, kur ishte ende gjallë, tha: ‘Do të ngrihem pas tri ditësh.’ Prandaj jep urdhër të ruhet varri deri ditën e tretë, që dishepujt e tij të mos vijnë ta vjedhin dhe t’i thonë popullit: ‘Ai u ngrit nga të vdekurit!’ Përndryshe, ky mashtrim i fundit do të jetë më i keq se i pari.» Pilati u përgjigjet: «Merrni roja dhe shkoni e ruajeni sa më mirë të mundeni.»—Mateu 27:63-65.
Të dielën, kur po zbardh dita, Maria-Magdalena, Maria, nëna e Jakovit, dhe disa gra të tjera shkojnë te varri. Kanë me vete aromatikë që të lyejnë trupin e Jezuit. Ato i thonë njëra-tjetrës: «Kush do të na e rrokullisë gurin nga hyrja e varrit?» (Marku 16:3) Mirëpo ka rënë një tërmet. Veç kësaj, engjëlli i Perëndisë e ka rrokullisur gurin nga hyrja e varrit, rojat kanë ikur dhe varri duket bosh.