KAPITULLI 24
Zgjeron shërbimin në Galile
MATEU 4:23-25 MARKU 1:35-39 LUKA 4:42, 43
-
JEZUI PËRSHKON GALILENË ME KATËR DISHEPUJT
-
PREDIKIMI DHE MREKULLITË E TIJ BËHEN TË NJOHURA GJITHANDEJ
Jezui dhe katër dishepujt kanë pasur një ditë të ngarkuar në Kapernaum. Edhe në mbrëmje, banorët e Kapernaumit i sjellin të sëmurë që t’i shërojë. Kështu që Jezui s’ka pasur kohë të flasë vetëm për vetëm me Atin në lutje.
Të nesërmen në mëngjes, ende pa u gdhirë, Jezui ngrihet dhe ikën në një vend të veçuar që t’i lutet Atit. Por kjo nuk zgjat shumë. Kur ‘Simoni dhe ata që janë me të’ kuptojnë se Jezui s’është aty, fillojnë ta kërkojnë. Ka mundësi që grupin e drejton Pjetri, ngaqë Jezui ka qenë mysafir i tij.—Marku 1:36; Luka 4:38.
Kur e gjejnë, Pjetri i thotë Jezuit: «Po të kërkojnë të gjithë.» (Marku 1:37) Njerëzit në Kapernaum duan që Jezui të rrijë me ta. E vlerësojnë vërtet gjithë sa ka bërë, ja pse përpiqen ‘ta ndalin që të mos ikë’. (Luka 4:42) Megjithatë, a janë mrekullitë arsyeja kryesore pse Jezui ka ardhur në tokë? Dhe a do ta kufizojë veprimtarinë e tij vetëm në këtë zonë? Çfarë mendon Jezui?
Ai u thotë dishepujve: «Le të shkojmë diku tjetër, në qytezat këtej afër, që të predikoj edhe atje, sepse për këtë kam ardhur.» Madje, njerëzve që i kërkojnë të rrijë aty, u thotë: «Duhet t’ua shpall lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë edhe qyteteve të tjera, sepse për këtë u dërgova.»—Marku 1:38; Luka 4:43.
Po, një nga arsyet kryesore pse Jezui ka ardhur në tokë, është të predikojë për Mbretërinë e Perëndisë. Kjo Mbretëri do të shenjtërojë emrin e Atit të tij e do të zhdukë një herë e mirë të gjitha sëmundjet. Me anë të shërimeve të mrekullueshme, Jezui jep prova se e ka dërguar Perëndia. Të njëjtën gjë bëri edhe Moisiu shekuj më parë. Ai kreu mrekulli për të vërtetuar se e kishte dërguar Perëndia.—Eksodi 4:1-9, 30, 31.
Kështu Jezui lë Kapernaumin e shkon të predikojë në qytete të tjera bashkë me katër dishepujt: Pjetrin dhe vëllanë e tij, Andrean, si edhe me Gjonin dhe vëllanë e tij, Jakovin. Javën e kaluar Jezui i kishte ftuar të bëheshin bashkëpunëtorët e tij të parë.
Fushata e predikimit të Jezuit dhe të katër dishepujve në Galile, ka një sukses të paparë. Në fakt, fjala për Jezuin përhapet anekënd. ‘Lajmi për të përhapet në tërë Sirinë’, në Dekapoli, rajon me dhjetë qytete, dhe në anën tjetër të lumit Jordan. (Mateu 4:24, 25) Turma të mëdha nga këto zona dhe nga Judea, ndjekin Jezuin dhe dishepujt e tij. Shumë sjellin të sëmurë që ai t’i shërojë. Dhe Jezui nuk i lë në baltë—shëron të sëmurët dhe çliron njerëzit e pushtuar nga demonët.