Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 52

Ushqen mijëra veta me pak bukë dhe peshq

Ushqen mijëra veta me pak bukë dhe peshq

Dymbëdhjetë apostujt kthehen të kënaqur nga udhëtimi i predikimit në Galile, dhe i tregojnë Jezuit ‘të gjitha ato që kanë bërë dhe u kanë mësuar njerëzve’. Patjetër që janë të lodhur, por nuk kanë kohë as të hanë, ngaqë s’kanë të sosur njerëzit që shkojnë e vijnë. Prandaj Jezui u thotë: «Ejani të shkojmë në një vend të veçuar që të rrimë vetëm e të pushojmë pak.»—Marku 6:30, 31.

Hipin në varkë, me siguri në afërsi të Kapernaumit, dhe nisen për të gjetur një vend të futur në lindje të lumit Jordan, matanë Betsaidës. Mirëpo shumë veta i shohin që po ikin dhe të tjerë e marrin vesh. Të gjithë këta njerëz vrapojnë përgjatë bregut dhe arrijnë para varkës.

Kur Jezui zbret nga varka, sheh turmën dhe i vjen keq për ta, sepse janë si dele pa bari. Ndaj nis ‘t’u mësojë shumë gjëra’ për Mbretërinë. (Marku 6:34) Gjithashtu ‘shëron të sëmurët’. (Luka 9:11) Kur afrohet mbrëmja, dishepujt i thonë: «Vendi është i veçuar dhe tashmë është bërë vonë. Thuaju njerëzve të shkojnë nëpër fshatra, që të blejnë diçka për të ngrënë.»—Mateu 14:15.

Jezui u përgjigjet: «S’kanë pse të ikin. Jepuni ju diçka për të ngrënë.» (Mateu 14:16) Jezui e di fare mirë çfarë ka ndër mend të bëjë pas pak, megjithatë vë në provë Filipin me këtë pyetje: «Ku do të blejmë bukë që të hanë gjithë këta njerëz?» Filipi është personi i duhur për t’u pyetur, sepse ka shtëpinë këtu afër, në Betsaidë. Sidoqoftë, blerja e bukës nuk e zgjidh problemin. Janë rreth 5.000 burra, e bashkë me gratë e fëmijët numri mund të arrijë dyfishin. Filipi thotë: «Dyqind denarë bukë [një denar është paga e një dite] nuk mjaftojnë as për t’i dhënë nga një kafshatë secilit.»—Gjoni 6:5-7.

Ndoshta për të theksuar sa e pamundur është t’i ushqejnë të gjithë, Andrea thotë: «Këtu është një djalë i vogël që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël. Por, ç’janë këto për kaq shumë njerëz?!»—Gjoni 6:9.

Jemi në pranverë, pak para Festës së Kalimit të vitit 32 të e.s., dhe bari i njomë ka veshur kodrinat përreth. Jezui u thotë dishepujve t’i ulin njerëzit në bar, në grupe me nga 50 dhe 100 veta. Merr pesë bukët e dy peshqit dhe falënderon Perëndinë në lutje. Pastaj thyen bukët, ndan peshqit dhe ua jep dishepujve që t’ua shpërndajnë njerëzve. Për çudi, të gjithë hanë derisa ngopen!

Më vonë, Jezui u thotë dishepujve: «Mblidhni copat që tepruan, që asgjë të mos shkojë dëm.» (Gjoni 6:12) Me ushqimin që mbetet, mbushin 12 shporta.