Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 97

Ilustrimi i punëtorëve të vreshtit

Ilustrimi i punëtorëve të vreshtit

MATEU 20:1-16

  • PUNËTORËT «E FUNDIT» NË VRESHT, BËHEN «TË PARËT»

Në Pere, Jezui sapo u ka thënë dëgjuesve se «shumë që janë të parët, do të jenë të fundit, dhe të fundit do të jenë të parët». (Mateu 19:30) Ai e thekson këtë me një ilustrim që flet për punëtorët e një vreshti:

«Mbretëria e qiejve ngjan me një zot shtëpie, i cili doli herët në mëngjes që të merrte punëtorë për vreshtin e tij. Pasi kishte rënë dakord me punëtorët për një denar në ditë, i dërgoi të punonin në vresht. Ai doli edhe rreth orës së tretë, pa disa të tjerë të papunë që rrinin në sheshin e pazarit dhe u tha: ‘Shkoni edhe ju të punoni në vresht dhe do t’ju jap hakun e punës.’ Dhe ata shkuan. Ai doli përsëri rreth orës së gjashtë e të nëntë dhe bëri po ashtu. Në fund, rreth orës së 11-të, doli e gjeti disa të tjerë që po rrinin aty rrotull dhe i pyeti: ‘Pse keni ndenjur këtu gjithë ditën pa punë?’ Ata iu përgjigjën: ‘Ngaqë s’na mori njeri në punë.’ Ai u tha: ‘Shkoni edhe ju të punoni në vresht.’»—Mateu 20:1-7.

Mbase dëgjuesve të Jezuit u shkon mendja te Perëndia Jehova kur në ilustrim përmendet «Mbretëria e qiejve» dhe «një zot shtëpie». Shkrimet e përshkruajnë Jehovain si të zotin e një vreshti, i cili përfaqëson kombin e Izraelit. (Psalmi 80:8, 9; Isaia 5:3, 4) Ata që janë nën besëlidhjen e Ligjit, krahasohen me punëtorët e vreshtit. Gjithsesi, Jezui s’po flet për të kaluarën, por po përshkruan një situatë të tanishme.

Udhëheqësit fetarë, si për shembull farisenjtë që pak kohë më parë u përpoqën ta vinin në provë Jezuin për çështjen e divorcit, mendojnë se po punojnë pareshtur për Perëndinë. Ata janë si punëtorët që punuan gjithë ditën dhe prisnin të merrnin një denar, pagën e një dite.

Priftërinjtë dhe udhëheqësit e tjerë fetarë mendojnë se njerëzit e thjeshtë i shërbejnë më pak Perëndisë dhe i konsiderojnë si punëtorët që punuan vetëm një pjesë të ditës në vreshtin e Perëndisë. Në ilustrim këta punëtorë u morën në punë «rreth orës së tretë» (ora 9 e paradites) ose më vonë, gjatë orës së gjashtë, të nëntë dhe të njëmbëdhjetë (ora 5 e pasdites).

Burrat dhe gratë që ndjekin Jezuin, shihen si «njerëz të mallkuar». (Gjoni 7:49) Pjesën më të madhe të jetës janë marrë me peshkim ose me punë të tjera. Por në vjeshtën e vitit 29 të e.s., «i zoti i vreshtit» dërgoi Jezuin t’i mblidhte këta njerëz të thjeshtë që të punonin për Perëndinë si dishepuj të Krishtit. Jezui thotë se këta janë punëtorët ‘e fundit’, ata të orës së 11-të.

Jezui e mbyll ilustrimin duke treguar ç’ndodh në fund të ditës: «Kur ra mbrëmja, i zoti i vreshtit i tha përgjegjësit të punëtorëve: ‘Thirri punëtorët dhe jepu pagën, duke filluar nga të fundit e deri te të parët.’ Kur erdhën punëtorët e orës së 11-të, morën secili nga një denar. Kështu, kur erdhën të parët, kujtonin se do të merrnin më shumë, por edhe ata morën secili nga një denar. Pasi e morën, ata nisën të ankoheshin kundër të zotit të shtëpisë dhe thanë: ‘Këta të fundit punuan vetëm një orë, e megjithatë ti i trajtove njësoj si ne që u rraskapitëm gjithë ditën në vapën përvëluese!’ Por ai iu përgjigj njërit prej tyre: ‘Mik, s’po të bëj asnjë padrejtësi. A nuk re dakord me mua për një denar? Merr atë që është jotja dhe shko. Nëse dua t’u jap këtyre të fundit aq sa ty, a s’më takon mua të bëj ç’të dua me gjërat e mia? Apo e ke syrin lakmitar, ngaqë unë jam i mirë?’ Kështu pra, të fundit do të jenë të parët, dhe të parët, të fundit.»—Mateu 20:8-16.

Ndoshta dishepujt vrasin mendjen për kuptimin e pjesës së fundit të ilustrimit. Si do të bëhen «të fundit» udhëheqësit fetarë, ndërkohë që ata e shohin veten si «të parët»? Dhe, si do të bëhen «të parët» dishepujt e Jezuit?

Dishepujt e Jezuit, që farisenjtë e të tjerë i shohin si «të fundit», do të bëhen «të parët» që do të marrin pagë të plotë. Pas vdekjes së Jezuit, kombi i Izraelit do të hidhet poshtë dhe Perëndia do të zgjedhë një komb të ri, «Izraelin e Perëndisë». (Galatasve 6:16; Mateu 23:38) Gjon Pagëzori e kishte fjalën për pjesëtarët e këtij kombi të ri, kur foli për pagëzimin me frymë të shenjtë. «Të fundit» do të jenë të parët që do të pagëzohen me frymë të shenjtë dhe do të kenë privilegjin të jenë dëshmitarë të Jezuit «deri në skajin më të largët të tokës». (Veprat 1:5, 8; Mateu 3:11) Megjithëse dishepujt nuk e kuptojnë plotësisht ndryshimin dramatik për të cilin flet Jezui, mund ta përfytyrojnë kundërshtimin e egër të udhëheqësve fetarë, të cilët bëhen «të fundit».