Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NGJARJE TË SPIKATSHME NGA VITI I KALUAR

JW.ORG—«Dëshmi për të gjitha kombet»

JW.ORG—«Dëshmi për të gjitha kombet»

Jezui tha: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mat. 24:14) Rezultatet tregojnë se siti jw.org është patjetër një mënyrë shumë e efektshme për t’ua çuar lajmin e mirë ‘të gjitha kombeve’ në këtë pak kohë që mbetet para se të vijë fundi.

Një çift misionarësh po predikonin në një fshat bregdetar ku merren me peshkim. Atje takuan katër burra në moshë të thyer. Panë që burrat kishin celularë dhe i pyetën nëse dinin të përdornin Internetin. Thanë se dinin. Çifti u tregoi si të hynin në sitin jw.org, si të gjenin gjuhën e tyre, të shkarkonin revistat e Biblën dhe të përdornin pjesët për familjet e fëmijët. Kur dalin në shërbim, këtyre misionarëve u pëlqen t’u tregojnë fëmijëve videon Lutu në çdo kohë. Pasi një grup fëmijësh panë videon, vrapuan të entuziazmuar për në xhunglën tropikale duke kënduar: «Në çdo kohë, në çdo vend, mund të lutem . . . »

Ulan-Bator, Mongoli

Më poshtë janë vetëm pak nga letrat e shumta plot çmueshmëri që kanë ardhur në selinë botërore në Nju-Jork:

«Unë dhe burri jemi transferuar në Meksikë dhe po përpiqemi të mësojmë spanjisht që t’i predikojmë kujtdo që takojmë. Sa herë futem në jw.org, falënderoj Jehovain sepse ky sit më ndihmon të dëgjoj e të mësoj. Ka shumë materiale—revista, libra, muzikë dhe drama—në shumë gjuhë. Ju falënderoj dhe ju dua për punën e palodhur që bëni.»—D.H., Meksikë.

«Jam pothuajse e verbër dhe më pëlqen jashtë mase siti juaj sepse ka shumë regjistrime të cilat mund t’i dëgjoj. Po ju shkruaj që të vazhdoni të vendosni më shumë libra, broshura dhe materiale të tjera në formatin MP3 (audio), sepse mund t’i dëgjoj gjatë ditës.»—K.G., Shtetet e Bashkuara.

«Më pëlqen jashtëzakonisht jw.org! Është shumë i lehtë për t’u përdorur dhe më nxit të jem më e zellshme në studimin personal dhe në shërbim. Jam 72 vjeçe, kam 47 vjet që jam pagëzuar, më se 30 vjet që shërbej si pioniere, jam nënë e 9 fëmijëve të pagëzuar, kam 16 nipër e mbesa dhe 3 stërnipër. Në familjen tonë, tani bëhemi katër breza që shërbejmë si pionierë të rregullt. E falënderoj Jehovain për këtë ushqim frymor në kohën e duhur.»—M.T., Shtetet e Bashkuara.

«Tani që po ju shkruaj këtë letër është ora 4.00 e mëngjesit. Shpesh kaloj net pa gjumë sepse vuaj nga skleroza e shumëfishtë dhe nga sëmundje të tjera, si shumë vëllezër e motra të dashura anekënd botës. Jehovai vazhdon të kujdeset për ne frymësisht. Kjo është arsyeja pse dua t’ju falënderoj. Zakonisht kam nevojë për imazhe që t’i kuptoj gjërat, prandaj mënyra si është ndërtuar siti është shumë e mirë për mua. I vlerësoj tepër vizatimet, videot dhe figurat të cilat lidhen me komente të qarta e të drejtpërdrejta.»—B.B., Zelanda e Re.

«Po ju shkruaj sepse dua t’ju falënderoj. Punoj si mjek në një zonë të izoluar të Sri-Lankës, dhe nuk i marr dot revistat në gjuhën time. Por falë sitit tuaj, mund t’i shkarkoj e t’i lexoj në gjuhën time. Siti juaj është një nga dhuratat më të bukura që u bën Jehovai njerëzve si unë.»—N.F., Sri-Lankë.

«Po shkruaj këtë letër sepse dua t’ju falënderoj që punoni shumë për t’i ndihmuar njerëzit të mësojnë për Jehovain. Ju lutem vazhdoni të bëni video për jw.org. Ato e ndihmojnë familjen time dhe mua të përballojmë problemet. Videoja që më ka ndihmuar më shumë është Munde ‘të fortin’ pa grushte. Edhe një herë, shumë faleminderit që punoni kaq fort.»—Y.S., 9 vjeçe, Shtetet e Bashkuara.

«Dua t’ju falënderoj juve dhe Jehovain për ushqimin frymor që kemi. Siti jw.org më ka ndihmuar shumë, sidomos pjesa ‘Adoleshentët’. Gjithashtu, më pëlqen shumë rubrika Bëhu mik i Jehovait. Kam tri motra të vogla dhe shoh se ky informacion ndikon mjaft mirë tek ato. Edhe pse jemi larg jush, jemi një vëllazëri e bashkuar sepse të gjithë ne e duam Jehovain. Faleminderit!»—A.B., Peru.