SIERRA-LEONE DHE GUINEJA
1945-1990 «Çojnë shumë veta në drejtësi»—Dan. 12:3. (Pjesa 2)
Nderojnë dhuratën e Perëndisë, martesën
Ndërsa Uilliam Nushi po shërbente në caktimin e tij, vuri re se disa lajmëtarë nuk po i përmbaheshin standardit të Jehovait për martesën. Disa çifte bashkëjetonin si burrë e grua pa e regjistruar lidhjen e tyre në autoritetet civile. Të tjerë ndiqnin zakonin e vendit, sipas të cilit e shtynin martesën derisa gruaja të mbetej shtatzënë, kështu siguroheshin që lidhja e tyre do të ishte e frytshme.
Ja përse në maj të 1953-shit, zyra e degës i shkroi secilit kongregacion duke shpjeguar qartë standardin biblik për martesën. (Zan. 2:24; Rom. 13:1; Hebr. 13:4) Çifteve iu la kohë të regjistronin martesën, përndryshe do të përjashtoheshin nga kongregacioni.
Shumica e lajmëtarëve u kënaqën me këtë përmirësim. Por disa tolerantë nuk mendonin se këto kufizime ishin të nevojshme. Më shumë se gjysma e lajmëtarëve e dy kongregacioneve nuk u shoqëruan më me organizatën e Jehovait. Kurse ata që mbetën besnikë, shtuan aktivitetin e tyre. Kjo ishte provë e qartë se Jehovai po i bekonte.
Pas shumë përpjekjesh nga ana e vëllezërve, Salla e Mbretërisë në Fritaun u miratua si një vend i përshtatshëm për të celebruar martesa. Më 3 shtator 1954, vëllezërit celebruan zyrtarisht martesën e parë. Më vonë, qeveria autorizoi vëllezër të kualifikuar, në shtatë krahina anembanë vendit, të celebronin martesa. Kjo bëri të mundur që më shumë të interesuar të ligjëronin martesën e tyre e të kualifikoheshin si lajmëtarë të lajmit të mirë.
Edhe mjaft të interesuar që praktikonin poligaminë morën masa që të ecnin sipas standardeve të Perëndisë. Samuel Kuperi, që tani jeton në Bont, tregon: «Më 1957, nisa të ndiqja mbledhjet me dy gratë e mia dhe shpejt u regjistrova në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Një ditë, m’u caktua një fjalim që kishte si temë martesën e krishterë. Teksa bëja kërkime për fjalimin, kuptova se duhej ta lija të lirë gruan e dytë. Kur ua thashë këtë të afërmve, të gjithë më kundërshtuan. Gruaja e dytë më kishte lindur një fëmijë, kurse e para ishte shterpë. Gjithsesi, kisha vendosur t’u bindesha parimeve të krishtere. Për habinë time, kur gruaja e dytë u kthye te familja e saj, e para lindi fëmijë. Tani kam pesë fëmijë me gruan që dikur ishte shterpë.»
Honore Kamanoi, një i interesuar tjetër, jetonte përtej kufirit, në Guine. Kur la të lira gruan e dytë dhe të tretë, gruaja e parë e çmoi qëndrimin e tij dhe nisi ta merrte seriozisht të vërtetën. Edhe një nga ish-gratë e admiroi vlerësimin e lartë që kishte Honoreja për parimet biblike, ndonëse e zhgënjyer që e kishte lënë. Kërkoi studim biblik dhe më vonë ia kushtoi jetën Jehovait.
Dëshmitarët e Jehovait njihen si njerëz që e nderojnë martesën
Sot Dëshmitarët e Jehovait njihen në të gjithë Sierra-Leonen dhe Guinenë si njerëz që e nderojnë martesën. Besnikëria e tyre martesore stolis mësimet e Perëndisë dhe i sjell lavdi atij si Autori i martesës.
Mosmarrëveshje në Fritaun
Më 1956, në Fritaun mbërritën dy të diplomuar të tjerë të Galaadit, Çarls dhe Riva Çapëlli. Rrugës për në shtëpinë misionare u befasuan kur panë një tabelë të madhe që lajmëronte një fjalim biblik në Sallën Përkujtimore të Uilbërforsit. Çarlsi tregon: «Orator ishte C.N.D. Xhonsi, një përfaqësues i ‘Eklesisë së Dëshmitarëve të Jehovait’.»
Xhonsi, i cili thoshte se ishte i mirosur, drejtonte një grup që ishte shkëputur nga kongregacioni i Fritaunit vite më parë. Pjesëtarët e grupit të tij pretendonin se ishin dëshmitarët «e vërtetë» të Jehovait dhe i quanin «mashtrues» dhe «kaubojsa të Galaadit» misionarët dhe ata që i qëndronin besnikë përfaqësuesve të organizatës.
Gjërat u keqësuan kur Xhonsi dhe disa nga mbështetësit e tij u përjashtuan. «Ky njoftim tronditi disa vëllezër të cilët besonin se duhej t’i toleronin ata që mendonin ndryshe,—tregon Çapëlli.—Disa e shprehën publikisht pakënaqësinë e tyre. Ata dhe të tjerë vazhduan të shoqëroheshin me rebelët dhe u përpoqën të prishnin mbledhjet dhe shërbimin. Të pakënaqurit uleshin bashkë në mbledhje te një vend që quhej ‘rreshti i disidentëve’. Me kohë, shumica dolën nga e vërteta. Por disa e rifituan ekuilibrin frymor dhe u bënë lajmëtarë të zellshëm.»
Besnikëria e pjesës më të madhe të lajmëtarëve lejoi që fryma e Perëndisë të depërtonte lirisht. Kur mbikëqyrësi i zonës Harri Arnoti vizitoi Fritaunin vitin pasues, tha: «Është rritja e parë e madhe pas shumë vitesh në Sierra-Leone. Kjo na jep arsye të forta për të besuar se në të ardhmen do të kemi rritje.»
Mësojnë kisit
Pak pas vizitës së vëlla Arnotit, Çarls Çapëlli mori një letër nga një vëlla në Liberinë fqinje. Vëllai dëshironte të hapte veprën e predikimit te të afërmit e tij në Sierra-Leone. Ai i përkiste fisit kisi, të cilët banonin në kodrat me pyje dhe në luginat përgjatë vijës që bashkonte Sierra-Leonen, Liberinë dhe Guinenë. Me sa duket, shumë nga ata që flitnin gjuhën kisi donin të kuptonin Biblën.
Meqë shumica e anëtarëve të fisit kisi ishin analfabetë, në Koindu u organizuan klasa për shkrim e lexim që të mësonin të vërtetat kryesore të Biblës. Këto klasa tërhoqën qindra studentë. Çarlsi kujton: «Pa kaluar shumë, grupi pati 5 lajmëtarë të rinj, pastaj 10, 15 e më vonë 20. Njerëzit e përqafonin kaq shpejt të vërtetën sa dyshoja nëse ishin të fortë në besim. Por gabohesha. Shumica prej tyre ishin jo vetëm besnikë, por edhe të zellshëm.»
Shpejt lajmëtarët e rinj e të zjarrtë e përhapën të vërtetën përtej Koindusë dhe më vonë në Guinenë fqinje. Duke u çapitur përmes terrenit të thyer për orë të tëra, predikuan nëpër ferma e fshatra. Eliazar Oudui, mbikëqyrës qarkor në atë kohë, tregon: «Nuk dëgjonim zhurmën e ndonjë automjeti për javë e ndonjëherë për muaj të tërë.»
Ndërsa vëllezërit dhe motrat kisi përhapnin dhe ujitnin farat e Mbretërisë, Perëndia i rriste. (1 Kor. 3:7) Kur një i ri i verbër dëgjoi të vërtetën, mësoi përmendsh broshurën me 32 faqe Ky lajm i mirë për Mbretërinë. Pastaj arrinte të kujtonte e të thoshte përmendsh çdo paragraf ndërsa predikonte dhe drejtonte studimet e tij të Biblës. Të gjithë ata që e shikonin, mahniteshin. Një grua që nuk dëgjonte pranoi të vërtetën dhe bëri ndryshime aq të mëdha, sa kunata e saj nisi të ndiqte mbledhjet duke ecur më shumë se 10 kilometra deri në sallë.
Vepra në fisin kisi u rrit shumë shpejt. U formua një kongregacion i ri e më vonë një tjetër akoma. Rreth 30 lajmëtarë nisën shërbimin si pionierë. Kryetarit të qytetit të Koindusë nisi t’i pëlqente e vërteta dhe dhuroi një copë tokë që të ndërtonin një Sallë të Mbretërisë. Kur më se 500 veta ndoqën asamblenë qarkore në Kailahun, u formua një kongregacion edhe atje. Shpejt gjysma e Dëshmitarëve në Sierra-Leone ishin kisi, ndonëse ky fis përbënte vetëm gati dy për qind të popullsisë.
Ky përparim nuk u pëlqeu të gjithëve, sidomos krerëve fetarë të fisit kisi. Plot xhelozi, vendosën të eliminonin këtë «kërcënim» ndaj autoritetit të tyre. Çështja ishte si dhe kur do të sulmonin?